Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Dashuro një minutë (Cikli: Edhe pas vdekjes dashuro)
E diele, 22.03.2009, 02:15 PM
Biblioteka
S Y R I
Botoi
Club Kultura – Pejë
Ballina
Samir Bërlajolli
Disejner grafik dhe artistik
Copyright © Autori
E-mail adresa:
sejdi_be@hotmail.com
sejdi_be@yahoo.com
clubkultura_peje@hotmail.com
Sejdi BERISHA
DASHURO NJË MINUTË
- Poezi dashurie -
Mjerë ai kush nuk e di
Sa i madh është shkrumbi
Sa i rëndë loti
Sa e etshme lumturia
Për dashuri
A u t o r i
P r o l o g
KUR VJEN QERSHORI
Kur vjen qershori
Këndo dy herë
Qershori kur vjen
Kujtoje vetëm datën dhjetë
Por dy herë
Sepse dy herë jam lindur unë
Dy herë ke ardhur Ti
Kur vjen qershori
Vajto dy herë
Për takimin tonë të vonuar
Sa kemi udhëtuar së bashku
E nuk e kemi ditur
Apo kemi heshtur
Sa mëkat
Kur vjen qershori
Dy herë festo
Vetëm për një ditëlindje
Nëpër të cilën
Shtegtojnë dy shpirtra binjakë
Qershori kur vjen
Vetëm dy puthje janë në një
Dhe atë në ditën e dhjetë
Ndoshta në këtë datë
Edhe mund të vdiset
Por vetëm njëherë
Kur vjen qershori
Festo dy herë
Dy herë vajto
Në të njëjtën ditë
Për takimin tonë
Për rrugëtimin binjak
Dy shpirtra në një
Kjo është e vërtetë
Edhe nëse ndonjëherë
Zihen në mes veti
Për ta sforcuar
Amshimin e dashurisë
Kjo ka ndodhur
Vetëm njëherë në botë
Dhe atë me dhjetë qershor
Nëse vjen qershori
Atëherë
Tërë bota le dashurojë
Dy herë në të njëjtën ditë
Qershori nëse vjen...
CIKLI I PARË:
EDHE PAS VDEKJES DASHURO
MOS MË SHKRUAJ MË
Tani fjala nuk ka vlerë
Shikimi nuk vezullon më
Dora mbi faqen zjarr
Nuk e zëvendëson
Puthjen që iku pa shpjegim
Ky është ai kujtimi
Zjarr në zemër
Andaj mos shkruaj më
Edhe kështu
Mund të dashurohet
Edhe kështu
Mund të ecën
Nëse ke zjarr
Eja ta kërkojmë
Puthjen e ikur
Nëpër kujtimet e humbura
Unë po e filloj
Me shkronjën e parë të alfabetit
Ti nise apo mbylle
Me shkronjën e njëzetë e gjashtë
Të gjuhës sonë
Mund të befasohemi
E TI QAJ ME LOTIN TIM
Flokun e lagur nga shiu
Përkëdhele me lotin pranveror
Syrin e ke në piklat e shiut
Puthem njëherë se behari po ikën
Në qepallën tënde rri loti im
Mos e fshij të lutem
Le të jetë si kujtim
Përkëdhele flokun
O, shiu pranveror
Pse kështu më përmallon
Kur të gjitha janë vetëm rënkime
Pse kështu më rëndon
Me frikën tënde
Me mosbesimin tënd
Sikur të gjitha kanë ikur
E Ti s’je më afër meje
Shiu pranveror
Syrin ma përvëlon
Më shpëto të lutem
Qaj me lotin tim
Me mosbesimin tënd
Sikur s’do ngel asnjë kujtim
Të lutem qaj me lotin tim
RRUGË
Dy yje
Po zbresin nga kaltërsitë
Për t’u bashkuar
Për t’u shtrënguar
Kaherë kanë pritur ëndërruar
Të shndërrohen në një
Dashuri
ANKTH
Kur buzëqesh
Në sy ke lot
Në zemër më përcëllon
Hënë, moj udhëtare
Nxito ta shohësh
Dashurinë aq larg
Kthehu ta shoh fytyrën
Se kam shumë mall
Buzëqeshu të lutëm
Në sy kam lot
Ankth
LOJË SHIU
Loti në dritare
Shiu hyn në zemrën time
Me butësinë tënde
Shuama etjen time e të kësaj toke
Sonte do të vijnë dallëndyshet
Bie shi, bie
Nesër do të bulëzojnë gjethet
Po, pse mu këtë natë
Aq dhimbshëm bie shi
Qetësia ma rrëmben zemrën
S’ka prehje pa ty
Kudo heshtja më mbyt
Kthehem prapa
Prapë shi
Shi bie nga sytë e mi
E kam fshehur
Këngën e drenushës
Prapë shi
Lëngon zemra ime
Për pranverën e shkuar
Për vashën me zjarr në gji
Lot në dritare
Prapë bie shi
Në dhomë vetëm qetësi
Ora dymbëdhjetë
Njëzetë e katër
Apo zero-zero
Në mua bie shi
SOT NË VETMI
Sot në vetmi
Mijëra mashtrime
Vetëm heshti
Dhembja gjithnjë shok
Pushoj nën hijen e saj
Ajo tallet me mua
Zemra më këputet
Për gabimin që bëre
Unë nuk kam faj
Sot jam në vetmi
DRITË MBI QEPALLË
(Fleta Pagarushës*-vajzës që me zemër sheh botën)
Sytë e tu
Ma rëndojnë dritën mbi qepallë
Kur të shoh
Në bebëza kam ngjyrën e lules
Gjelbërimi në lot barrë jete
Por mburrëm
Që me zemër sheh botën, Fletë
Së bashku jemi në teatër
Ku me admirim aktrohet jeta
Tërë skenën
Me lule e gjelbërim stolis
Shpirtin e ke dritë
Për ta qëndisur lojën në skenë
Na jap këshilla vasha
Fletë, moj
Kush ta pengon dritën
Kur ti je liqe plot mjellma
Sa mirë
Inat ta mora kur të vërejta sonte
Me yllin tënd
Më bukur se unë e vështron botën
Me duf thashë: teatër është jeta
Ia kam lakmi vajzës
Që me zemër i bën dritë tokës
Apo jo, Fleta
(Në Teatrin e Pejës, qershor 1993)
*Fleta Pagarusha- vajzë e cila që nga fëmijëria e ka plotësisht
të dëmtuar të pamurit e syve.
DASHURI
Më thanë
Kurrë s’do ta shohësh as në ëndërr
Iku me mjegullën mëngjesore
Të lutëm ma jep edhe një shanse
Ktheu se kam dashuri
Më bëhet se bregut lumit
Je duke më kërkuar
Nuk më sheh
O, sa kam etje
Do kthehesh një ditë
Në kali të bardhë
Unë i trembur të pres
Ti befas më hidhesh në përqafim
Afrohu vetëm të të përkëdheli
Vetëm të të puthi
Aty, në mes të mesit
NË BUFFET “RENESANSA”
Kallim buzët
E hapim zemrat
Sonte në Renesansa*
Kemi mbrëmje artistike
Këndojmë e ligjërojmë
Se nuk jemi duke pritur Godon
Edhe këtu përkujtohet
Rilindja nuk harrohet
Që atëherë në Renesansa
Hap nga një ekspozitë
Damarët e gjakut
I ushqej me vargje të Migjenit
Një mik imi vdiq herët
Në lagjen me emër të ndërruar
Sërish kthehem në Renesansa
Me forcën e shpirtit
Me të dashurën hapi ekspozitë
Për të mos u mërzitë
Përuroj libra
Për të ushqyer shpirtra
Këtu digjemi në njëri-tjetrin
Me këngën për Beatriçën
E dashur mos harro
Renesansa është Rilindja
*Renesansa – Kafe-Restaurant në qytetin e Pejës, në të cilën,
para luftës zhvilloheshin aktivitete të rëndësishme kulturore.
PRIZMA
Kaq sy të bukur edhe mahnitës
E, ti je e verbër
Mëkat
Dashurinë e ke shndërruar
Në terr
Kaq sy të bukur
E ti nuk sheh
O, Zot sa mëkat
PLAGË TË MOÇME
Mos m’i ngacmo
Plagët e moçme
Mos,...
Mos të lutem
Se sërish do të gaboj
E pranoj mëkatin
Edhe tash të dua
Edhe tash
TASH, KU JE TI
Dafinat i përqafova
Me lule duke i mbështjell
Burg
Pritjet i mbështolla
Me aromë mimozash
Burg
Lotët a teren
Me ngrohtësinë e gjuhës
Dashuria e gurëzuar
Krushqit e ndalur
Në derë të nuses
Burg
Në pikë dite
Edhe kur veshët i mbyt
Me Moxartin e mjerë
Burg
Tash kameleonët
Nuk ndërrojnë vetëm ngjyrën
Burg
I mblodha almiset e nënës
Sërish dashuri
Në te e mbylla burgun
Tash shlirë
Ku je ti
KARAGAÇI
Në lojërat fëmijërore
Kisha kërshëri
Se nën Ty thoshin
Pushojnë njerëzit
Edhe ëndrrat e tyre
Çdo ditë thurja
Nga një legjendë për lulishten
Shikim kah qyteti kishte
Pamje kah Tabjet*
Aty për herë të parë
Ngroha buzët djaloshare
Me puthjet e mëngjesit
Me nektarin e luleve
Sa shpejt kaloi koha
Duke shkelur mbi bar
Dikush qan e dikush puth
Karagaçi* sot fsheh
Zjarrin e puthjeve të para
Edhe tash
Ka çfarë të flitet
*Tabje – Kodrinë e njohur përballë qytetit të Pejës
*Karagaçi – Parku më i njohur i qytetit të Pejës
KUJTIM
Sërish po ikën koha
Sërish zëri yt s’më lë fjetur
Më thuaj
Ku takohemi
Në gjirin tënd
Apo në zemrën time
Apo atje
Ku të dy përvëlohemi
Erdhi flutura
Paralajmëroi pranverën
E ti vetëm lëndon
S’të kujtohet vdekja ime
Tash më kërkon
Më kujtohet
S’të kujtohet
MËKATET DO T’I FALI
Puthjet i kam murosur
Aty tek Kullë e Dukagjinit
Derisa ta shoh
Lakuriq dashurinë tënde
Duke më ndezur me gjinjtë zjarr
Duke më përkëdhelur
Me duart xhevahir
Nëse m’i hedh duart mbi supe
Dashnore e ndarjeve
Mëkatet do t’i fali
Deri në vetëvrasje
Kudo që je
Pos meje askujt nuk i takon
Të lutëm
Puthëm se jam duke udhëtuar
Ma bën qejfin nëse më bën shoqëri
Duke ma kënduar këngën time
Mos thuaj se më ke harruar
Puthëm se jam në udhëtim
FRYMËMARRJE
Shumë freski
Nën pishën kurorë
Aty e vulosa zjarrin
Me puthjen valë
E mban mend pishën
Kurora i është tharë
I është zhveshur trungu
Veç sa nuk është rrëzuar
Nuk di
Por ajo të pret
Edhe njëherë të na përkujtojë
Për ethet e puthjeve
Për dridhjet e takimit
Ktheu nën pishën plakë
Së paku të qajmë bashkë
Vetëm njëherë ta kujtojmë
Qumështin e parë
Me dënesjet tona
Do të merr frymë pisha
Kurorë të re do të hapë
Do të rrëfejmë për ditët e reja
Ajo do ta ruaj fshehtësinë tonë
Nëse kthehesh
Të pres tek pisha
S’ka frymëmarrje po s’jemi bashkë