Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një natë para se të futeshim në frontin e Kosharës…
E enjte, 09.04.2026, 07:00 PM

Prof. Blerim Latifi:
Një
natë para se të futeshim në frontin e Kosharës, qëndruam në fshatin Padesh, i
cili ishte ngjitur me zonën kufitare. Natën e kaluam në disa tenda, të cilat i
kishte ngritur prapavija e brigadës sonë. Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati
gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës
së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë.
Në
mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili
kishte për detyrë të na jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë. Pjesën
shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund. Ai na tha:
–
Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin
tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse
bie puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj.
Fjalët
e tij na ranë si rrufe. Ato na paralajmëronin se po hynim në një betejë ku, me
siguri, dikush nga ne do të vritej gjithsesi, nëse jo të gjithë.
Oficeri
e pa se ishim zverdhur në fytyrë dhe mori sërish fjalën: Keni 10 minuta të
mendoheni. Kush nuk e ndjen veten të gatshëm për luftë, le ta thotë tash. Ne e
lirojmë dhe kurgjo kërkujt; kjo është luftë vullnetare, askënd s’e detyrojmë me
zor.
Një
heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk
ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një
ushtari, i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit.
–
Nisuni, – i tha atij.
Dhe,
derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha:
–
U lumtë pushka, djem. Dalshi faqebardhë!
Rrugës
filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta
vendosnim në xhepin e djathtë e jo në të majtin. Atëherë dikush tha një shaka
të hidhur:
–
Sepse armiku kërkon të na godasë në zemër, e aty gjaku e prish letrën.
Pasi
e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta
prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, kur zhvarroseshin trupat e ushtarëve të vrarë
dhe në skeletet e tyre gjendeshin pjesët metalike me emrat e tyre të shkruara
në to.
Ditën
që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t’i thënë vdekjes se
kisha triumfuar mbi të.
Me
kalimin e kohës kujtimet e ne tê gjallëve do të zbehen; i përjetshëm do të
mbetet vetëm emri dhe kujtimi i 114 shokëve tanë që ranë në kodrat e Kosharës.









