E marte, 07.04.2026, 12:47 AM (GMT+1)

Mendime

Fahri Dahri: Retrospektivë (Prapavështrim)

E hene, 06.04.2026, 06:55 PM


RETROSPEKTIVË (Prapavështrim)

Nga Fahri Dahri

Largimi nga vendlindja në moshë fëminore dhe qëndrimi larg saj për 60 vjet, pa patur asnjë informacion apo komunikim, madje i ndaluar rreptësisht për t’u vizituar, ndikuan në krijimin e një distance të madhe shpirtërore. Kjo gjendje, e shoqëruar me stres, trysni, nënvlerësime, shpifje dhe trajtime të diferencuara, herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta, çoi në shtimin e mjegullës që gradualisht zbeh kujtesën, duke fshirë imazhin e vendlindjes dhe duke sjellë hutim pothuajse të plotë për vendndodhjen e qytetit, fshatit dhe shtëpisë së lindjes.

Njerëzit janë ata që ndërtojnë strategji për të siguruar lumturinë e tyre në kurriz të vuajtjeve dhe mjerimit të të tjerëve. Megjithatë, edhe ata që vuajnë janë gjithashtu njerëz. Për këtë arsye, të gjithë njerëzit duhet të jenë vazhdimisht vigjilentë, ditë e natë, edhe kur mendohet se gjithçka është nën kontroll.

Kështu ndodhi edhe në qershor të vitit 2004, kur, pas plot 6 dekadash, u krijuan mundësitë për të vizituar vendin me të cilin kishin qenë ndërprerë të gjitha lidhjet që nga korriku i vitit 1944. Megjithëse, në pamje të parë, vendi më dukej i huaj, diçka e brendshme më sillte hare, gëzim dhe një ndjenjë krenarie, që padyshim buronte nga vendlindja.

Ndërsa trageti lundronte dhe krijonte valë të lehta në detin e kaltër të gjirit të Gumenicës, që po përgatitej për ankorim, emocionet dhe kujtimet u shtuan. Së shpejti do të shkelnim në tokën e vendlindjes, një ngjarje e pritur për 60 vite. Zemra më rrihte fort dhe gjaku më qarkullonte më shpejt se zakonisht.

Çamëria u vizitua dhe u njoh. U shkel pothuajse në të gjitha fshatrat dhe qytetet. U realizua takimi me vendlindjen, me dheun që na kishte parë të lindnim. Çamëria nuk është më e humbur, as e padukshme dhe as e zhdukur nga kujtesa. Pavarësisht dekadave të largësisë, ajo ekziston, është gjallë dhe po përgatitet për një të ardhme më të mirë.

Thesprotia dhe komuniteti çam nuk po shkojnë drejt shuarjes, por drejt përtëritjes. Rrënjët mijëravjeçare të Çamërisë nuk janë zhdukur. Pavarësisht goditjeve të rënda gjatë viteve 1944–1945, kur shumë degë u këputën, ajo nuk u tha, por mbijetoi dhe u shumëfishua. Sot, ajo vazhdon të lulëzojë dhe të përhapë jetën dhe kulturën e saj.

Për mundësinë e rikthimit dhe rinjohjes së vendlindjes, falënderoj djalin tim, i cili me guxim bëri të mundur realizimin e këtij rikthimi, duke kthyer në realitet një ëndërr shumëvjeçare.

Vizita e parë hapi rrugën për shkrime mbi mrekullitë e asaj krahine dhe për vazhdimin e tyre në forma të ndryshme letrare nga autorë të shumtë. Kjo kontribuoi jo vetëm në njohjen e saj, por edhe në ringjalljen e dashurisë për vendlindjen dhe në forcimin e besimit për rikthimin në identitet të Çamërisë.

Falënderoj të gjithë autorët e përdorur në librin “Amaneti Çam”, të cilët më kanë ndihmuar në trajtimin objektiv të çështjes së pakicës çame në Greqi. Në mungesë të mundësisë së komunikimit të drejtpërdrejtë, kam cituar edhe pjesë nga shkrimet e tyre, duke synuar saktësimin dhe qartësimin e të vërtetës.

Gjithashtu, shpreh falënderim për profesorët dhe autorët që kanë kontribuar në këtë fushë, të cilët me sugjerimet e tyre kanë ndihmuar në rritjen e vlerës së librit “Amaneti Çam”.

Së fundi, shpreh bindjen se përmes këtij shkrimi është bërë përpjekje për të ndriçuar të vërtetën mbi ngjarjet e së kaluarës dhe për të dëshmuar padrejtësitë e përjetuara. Shpresoj që këto analiza dhe argumente të shërbejnë si bazë për institucionet përkatëse në trajtimin e çështjes së të drejtave të njeriut dhe për ndriçimin e së vërtetës historike.

Unë akuzoj, pasi jam një nga ata fëmijë që kam parë me sytë e mi tmerret e asaj kohe dhe kam jetuar pasojat e genocidit, duke përjetuar vuajtje, mohime dhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Tiranë, më 23/11/2010

Fahri Dahri

“Amaneti Çam”, fq. 308–311



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Petrit Dibrani: Kur jetesa në Kosovë po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme nga papunësia dhe çmimet marramendëse Idriz Zeqiraj: Aleanca LDK-PAN amnistoi krimin dhe lëndoi miqtë e Rugovës Nikoleta Kovaçi: Kombëtarja ka fytyrën e qeverisë! Isuf B. Bajrami: Kaosi dhe Sfida Demokratike në Zgjedhjet Lokale në Serbi Gani Pllana: Prof. Dr. Isak Hoxha – pedagog me vlera njerëzore dhe profesionale Kalosh Çeliku: Rrezik sot për një shtet shqiptar Florim Zeqa: Nuk ka tejkalim të krizës pa një alternativë të re politike! Isuf B. Bajrami: Kriza e Ngushticës së Hormuzit dhe fragmentimi i rendit ndërkombëtar Fejzulla Berisha: E vërteta që serbët nuk mund ta mohojnë: Shqiptarët autoktonë në Kosovë, serbët ardhacakë! Luljeta Pula: Mosmirënjohja, turpi ynë i heshtur! Isuf B. Bajrami: E drejta e qytetarëve për vetëmbrojtje ligjore ndaj kërcënimeve psikologjike, rreziqeve natyrore dhe situatave emergjente Ndue Dedaj: Politikanët në kisha e xhami si të “deleguar”, pse? Fahri Dahri: Një bashkëbisedim për Çamërinë Kalosh Çeliku: Jeta qenka e bukur mes kafshëve shtëpiake Llesh Ndoj: Vogjëlia dhe paria… Idriz Zeqiraj: Atë ditë bashkova lotin tim me lotin e Vjosa Osmanit Sevdail Hyseni: 1 Prilli - Rrena pa maskë Fejzulla Berisha: Si diaspora shqiptare ruan identitetin, kulturën dhe lidhjen me atdheun Isuf B. Bajrami: Egocentrizmi i Edi Ramës si personalizim i lidershipit dhe implikimet e afrimit me Beogradin Petrit Dibrani: Zemra e Dardanisë shqiptare do të fitojë kundër Turqisë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx