| E hene, 06.04.2026, 06:55 PM |
RETROSPEKTIVË (Prapavështrim)
Nga
Fahri Dahri
Largimi
nga vendlindja në moshë fëminore dhe qëndrimi larg saj për 60 vjet, pa patur
asnjë informacion apo komunikim, madje i ndaluar rreptësisht për t’u vizituar,
ndikuan në krijimin e një distance të madhe shpirtërore. Kjo gjendje, e
shoqëruar me stres, trysni, nënvlerësime, shpifje dhe trajtime të diferencuara,
herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta, çoi në shtimin e mjegullës që
gradualisht zbeh kujtesën, duke fshirë imazhin e vendlindjes dhe duke sjellë
hutim pothuajse të plotë për vendndodhjen e qytetit, fshatit dhe shtëpisë së
lindjes.
Njerëzit
janë ata që ndërtojnë strategji për të siguruar lumturinë e tyre në kurriz të
vuajtjeve dhe mjerimit të të tjerëve. Megjithatë, edhe ata që vuajnë janë
gjithashtu njerëz. Për këtë arsye, të gjithë njerëzit duhet të jenë vazhdimisht
vigjilentë, ditë e natë, edhe kur mendohet se gjithçka është nën kontroll.
Kështu
ndodhi edhe në qershor të vitit 2004, kur, pas plot 6 dekadash, u krijuan mundësitë
për të vizituar vendin me të cilin kishin qenë ndërprerë të gjitha lidhjet që
nga korriku i vitit 1944. Megjithëse, në pamje të parë, vendi më dukej i huaj,
diçka e brendshme më sillte hare, gëzim dhe një ndjenjë krenarie, që padyshim
buronte nga vendlindja.
Ndërsa
trageti lundronte dhe krijonte valë të lehta në detin e kaltër të gjirit të
Gumenicës, që po përgatitej për ankorim, emocionet dhe kujtimet u shtuan. Së
shpejti do të shkelnim në tokën e vendlindjes, një ngjarje e pritur për 60
vite. Zemra më rrihte fort dhe gjaku më qarkullonte më shpejt se zakonisht.
Çamëria
u vizitua dhe u njoh. U shkel pothuajse në të gjitha fshatrat dhe qytetet. U
realizua takimi me vendlindjen, me dheun që na kishte parë të lindnim. Çamëria
nuk është më e humbur, as e padukshme dhe as e zhdukur nga kujtesa. Pavarësisht
dekadave të largësisë, ajo ekziston, është gjallë dhe po përgatitet për një të
ardhme më të mirë.
Thesprotia
dhe komuniteti çam nuk po shkojnë drejt shuarjes, por drejt përtëritjes.
Rrënjët mijëravjeçare të Çamërisë nuk janë zhdukur. Pavarësisht goditjeve të
rënda gjatë viteve 1944–1945, kur shumë degë u këputën, ajo nuk u tha, por
mbijetoi dhe u shumëfishua. Sot, ajo vazhdon të lulëzojë dhe të përhapë jetën
dhe kulturën e saj.
Për
mundësinë e rikthimit dhe rinjohjes së vendlindjes, falënderoj djalin tim, i
cili me guxim bëri të mundur realizimin e këtij rikthimi, duke kthyer në
realitet një ëndërr shumëvjeçare.
Vizita
e parë hapi rrugën për shkrime mbi mrekullitë e asaj krahine dhe për vazhdimin
e tyre në forma të ndryshme letrare nga autorë të shumtë. Kjo kontribuoi jo
vetëm në njohjen e saj, por edhe në ringjalljen e dashurisë për vendlindjen dhe
në forcimin e besimit për rikthimin në identitet të Çamërisë.
Falënderoj
të gjithë autorët e përdorur në librin “Amaneti Çam”, të cilët më kanë ndihmuar
në trajtimin objektiv të çështjes së pakicës çame në Greqi. Në mungesë të
mundësisë së komunikimit të drejtpërdrejtë, kam cituar edhe pjesë nga shkrimet
e tyre, duke synuar saktësimin dhe qartësimin e të vërtetës.
Gjithashtu,
shpreh falënderim për profesorët dhe autorët që kanë kontribuar në këtë fushë,
të cilët me sugjerimet e tyre kanë ndihmuar në rritjen e vlerës së librit
“Amaneti Çam”.
Së
fundi, shpreh bindjen se përmes këtij shkrimi është bërë përpjekje për të
ndriçuar të vërtetën mbi ngjarjet e së kaluarës dhe për të dëshmuar
padrejtësitë e përjetuara. Shpresoj që këto analiza dhe argumente të shërbejnë
si bazë për institucionet përkatëse në trajtimin e çështjes së të drejtave të
njeriut dhe për ndriçimin e së vërtetës historike.
Unë
akuzoj, pasi jam një nga ata fëmijë që kam parë me sytë e mi tmerret e asaj
kohe dhe kam jetuar pasojat e genocidit, duke përjetuar vuajtje, mohime dhe
shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Tiranë, më 23/11/2010
Fahri Dahri
“Amaneti Çam”, fq. 308–311