E merkure, 01.04.2026, 11:25 PM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Vogjëlia dhe paria…

E merkure, 01.04.2026, 06:55 PM


VOGJËLIA DHE PARIA…

- Më pak se një analizë, më shumë se një vëzhgim -

Nga Llesh NDOJ

Për ata që nuk i njohin, po sqaroj fillimisht se termat “vogjëli” (vegjëli) dhe “pari”, të përdorura në krye, janë terma të huazuara nga e Drejta Kanunore Shqiptare. Pari nënkupton klasën drejtuese, kurse Vogjëli nënkupton popullin e zakonshëm. Desha të shkruaj “e rëndomtë” për vogjëlinë, por shpejt më trokiti në mendje një episod i ndodhur këtu e rreth 15 vite më përpara, prandaj edhe u tërhoqa nga përdorimi i kësaj shprehje.

… ish Presidenti më jetëshkurtër në detyrë i Republikës së Kosovës, zotni Behxhet Pacolli, me iniciativën e një grupi këshilltarësh të bashkisë, ishte shpallur “Qytetar Nderi” i Lezhës. Me këtë rast ai na priti në Kosovë, e na nderoi edhe në Lezhën tonë. Në fjalën përshëndetëse në Lezhë kishte përdorur shprehjen “popull i rëndomtë”, për të cilën ndonjë këshilltar edhe e kishte marr pak si me inatë!

Kur ia shpjegova kuptimin e shprehjes, e i thashë se kjo ishte shprehja për popull i zakonshëm dhe se s’kishte të bënte me nënkuptimin e shqipes së këtej kufirit, ku shprehja “i rëndomtë” merret si fyerje, ndonëse e kuptoi, inatin përsëri nuk e largoi. Kjo më bëri t’i shpjegoj shpejt fjalët “vogjëli” e “pari”, që ato të mos keqkuptohen kot.

Për të hyrë tek thelbi: vogjëlia, e njeh gjithnjë parinë e saj. Në sistemet demokratike e njeh se është produkt i votës që ajo jep për të, ku 50% plus 1 votë trupëzohen në klasën udhëheqëse apo Parinë, kurse në diktaturë “e njeh” se nuk sheh rrugë tjetër, e Paria pasi hyp në maje, nuk e pyet kurrë më vogjëlinë prej vërteti, duke iu drejtuar asaj me pyetjen “më do, a s’më do!”. Edhe kur e pyet, i drejtohet: - A ishte më mirë para 30 vitesh, apo sot? Njëjtë ndodh edhe në sistemet hibride, ku si në ato diktatoriale, e dorës së parë nuk është “kush voton e si voton, por kush numëron”. Në këto sisteme, 50% plus 1 e njohin dhe e pranojnë Parinë e tyre si produkt të vullnetit të vet, kurse 49,99% e “pranojnë” atë thjesht si ligjshmëri, duke përgjuar rastin t’a hedhin në kosh në çdo moment që paraqitet oportun për këtë gjë. Ngjet si me mushkun (falje për krahasimin): gjithë kohën i bindet të zotit, e gjithnjë ruan rastin t’a godasë atë në pabesi, dhe jo për t’i dhënë një goditje dosido, por një goditje përfundimtare, ndryshe ajo  e di se çfarë e pret!

Kjo i përligj protestat, demostratat, grevat dhe revulocionet që bë vogjëlia, apo masat.

Nëse Vogjëlia e njeh Parinë ose shpall mosbindjen ndaj saj, po Paria nga ana e vet, a e njeh ndonjëherë Vogjëlinë? Ky duhej të ishte lajmi! Përkthyer kjo në historinë e shtetit shqiptar, rezulton se janë të pakta e të rralla kohët e çështjet kur Paria e ka njohur Vogjëlinë. Mbreti Zog, manovroi e manipuloi sa mundi dhe kapi shpejt atë maje ku askush s’shihte përtej saj. Mbreti, për më tepër monarku, si Zoti, s’ka nevojë “të njohë” kënd, as të njihet prej kujt, por thjeshtë të adhurohet. Këtu thuajse synoi e shkoi edhe Enveri, në mos më keq. Më keq, se nuk u vetshpall monark, ndonëse ashtu veproi, më keq se e “eleminoi” edhe Zotin, duke e rreshtuar veten jo pas Tij, siç bëri Zogu, por në vend të tij. Kurrë nuk e njohën popullin, apo vogjëlinë, as njëri e as tjetri. Aty, në pozicion të përafërt me ish - mbretin monark, e deshi dhe e drejtoi veten edhe Saliu. Bile aty e ëndërron prap! Por koha kishte ndryshuar disi, e regjimi e kishte detyrë t’a thërriste vogjëlinë në pyetje periodikisht, prej nga, megjithë manipulimet, përjetësia rezultoi e pamundur. Vetëm njëherë u pyet vërtetë vogjëlia, prej nga i hipi në qafë Salia, e kjo ndodhi në vitin 1992, për rrethana që njihen e s’duan analizë për t’i kuptuar.

Po i biri shpirtëror i Saliut, naltgjatësia e Tij, Rama i gjithpushtetshëm, a na pyeti ndonjëherë? Sigurisht po! Ndodhi kjo në 2009 - tën, por atëherë rrjeta qëlloi “e grisur”, e peshku i shkoi Salës që e kishte qep atë me kujdes, ndodhi edhe në 2013 - tën, prej nga erdhi në pushtet, dhe kaq… Tash, edhe nëse vota jonë ka qenë në favor të tij vijimisht, (e besoj k?shtu!), ai kurrë më s’na njohu se jemi gjallë si frymorë. Qeverisja e tij është bërë gjithnjë e më refraktare ndaj njohjes së vogjëlisë e halleve të saj, aq sa një pyetje reale dhe me alternativë zgjedhje, jam i sigurt se do të prodhonte mosnjohjen e tij. Por as pyetja s’vjen si duhet, as alternativa s’ekziston, dhe ai e krejt Paria e Oborrit të tij mbretërojnë të qetë, e tallin ko… si të duan me ne vogjëlinë. - A janë bërë punë? Sigurisht që po, dhe jo pak. - A mund të bëheshin më shumë e më mirë? Po e po, e vetëm po! - Kush të pyet? Askush! Dhe kur them kush të pyet, paria është gjithnjë grushtbashkuar rreth Njëshit, e është vetëm Një. Shtresa që meritojnë të konsiderohen vogjëli, nisur nga pensionistët e të pa punët, kurrë s’është respektuar siç e meriton. Të punësuarit në shtet, shumica e të cilëve “përshesh me kos” duan, e ato ua siguron naltgjatësia me bollëk derisa t’ua zërë në fyt, nuk janë në listën e atyre që duhen pyetur. Pyeten sigurisht, por janë pjesë e tij, oligarkia politike dhe ajo ekonomiko – financiare, që “i lind dhe i vdes” kur t’i mbushet mendja “mbretit”, arësye për të cilën edhe ata heshtin!

Paria kudo ka të njëjtën fytyrë! Nuk do të isha i ndershëm nëse do të thoja se në Lezhën ku jetoj, s’janë bërë punë. Janë bërë shumë, e ndoshta më shumë se në të gjitha mandatet pararendëse të marra së bashku. Po t’a shikosh sot Lezhën, kryesisht qytetin, të bie në sy se ai ngjanë me një kantier të madh pune e ndërtimi. Kjo më gëzon. Por… Gjithnjë ka një “por”:

- Askund e askush veç parisë, nuk di se çfarë po bëhet, kur fillon, kur mbaron, kush punon, kush kontrollon, kush financon? Asnjë tabelë, asnjë sqarim të aksesueshëm për projektin e pritshmëritë e tij nuk gjendet, përveçse në dosjet e atyre që kanë detyrë “të ruajnë sekretin”. Pse? Po kush jemi ne që duhet t’i dimë këto gjëra madhore? Dashkemi edhe me ditë, në vend që t’i përkulemi parisë për nderin që na bën!

- Në të njëjtin projekt, i njëjti vend sa mbyllet rihapet përsëri pa kaluar as 2-3 ditë. Asnjë segment rrugor në qytet, sot nuk është i aksesueshëm lirisht. Por askush s’e kontrollon zbatuesin, që të ketë një kalendar punimesh, ku të hapë e të mbyllë me radhë segmentet, pa e penguar kaq keq lëvizjen dhe jetesën e qytetarëve.

- Si duket edhe kjo verë kështu do të jetë, por ndërsa sot është vështirësuar qarkullimi e pluhuri të mbyt kudo, në verë Lezha me këtë gjendje bëhet e pajetueshme e njerëzit, si të ishin punëtorë e minierave të dikurshme, preken nga semundja e rrezikshme e silikozës. Pse nuk shtrohen provizorisht rrugët, e pse nuk lagen ato? Pse subjekti sipërmarrës nuk punon me dy turne, e sidomos natën, që të shkurtoje kohën dhe të mos pengojë lëvizjen? Sigurisht që ka shumë pse, por të gjitha mund të përmblidhen në një: - Kur Paria do t’a njohë e respektojë Vogjëlinë? Dhe, nëse kjo do të ndodh ndonjëherë, ky do të duhet të jetë lajmi i vërtetë e i shumëpritur për ne shqiptarët e “dënuar” të jetojmë në Shqipëri.

Ndokush mund të thotë se këto janë sakrifica të zhvillimit, të cilat ia vlen t’i përballosh, sepse pas tyre na pret një e ardhme e ndritur. Sigurisht që pa sakrifica nuk ka zhvillim, e në emër të së ardhmes ia vlen edhe sakrifica. Por kush është e ardhmja? Çfarë do kemi pas kësaj, apo këtyre sakrificave? Në fund të fundit, nëse gjithë jeta shkon sakrificë, për cilën të ardhme bëhet kjo? Për atë jofrymoren? Nëse është kështu s’ka nevojë fare për Pari. Mjaftojnë kishat e xhamitë, priftërinjtë e hoxhallarët, t’na përgatitin për jetën e përtejme…

Kjo është pyetja e çështja që natyrshëm na rikthen tek radhët më lart. Mungon transparenca me qytetarët, për çfarë bëhet e si bëhet, më keq akoma, mungon pjesmarrja qytetare në qeverisje, përmes marrjes së mendimit apo referendumeve për çeshtje madhore. Thjesht mungon të konsideruarit e Vogjëlisë nga Paria, e kur mungon kjo, mungon demokracia, merr udhë e forcohet autokracia, lulëzon arbitrariteti dhe korrupsioni.

Lezhë, më 31 mars 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Idriz Zeqiraj: Atë ditë bashkova lotin tim me lotin e Vjosa Osmanit Sevdail Hyseni: 1 Prilli - Rrena pa maskë Fejzulla Berisha: Si diaspora shqiptare ruan identitetin, kulturën dhe lidhjen me atdheun Isuf B. Bajrami: Egocentrizmi i Edi Ramës si personalizim i lidershipit dhe implikimet e afrimit me Beogradin Petrit Dibrani: Zemra e Dardanisë shqiptare do të fitojë kundër Turqisë Isuf B. Bajrami: Bashkëpunimi Midis Rusisë dhe Iranit në Gjirin Persik Asllan Dibrani – Luani: Skandali i ekspozitës dhe deformimi i së vërtetës – një dështim i autorit dhe i shtetit! Gjon Keka: A mund të bëhet realitet integrimi i shtetit të Kosovës në BE dhe anëtarësimi në NATO nën qeverisjen e Albin Kurtit?! Florim Zeqa: Saktësia e një analize politike! Kalosh Çeliku: Vrasjet politike gjatë luftës së Kosovës 1988–1999 Idriz Zeqiraj: Ligji për të huajt, zbatimi selektiv i dokumenteve identitare! Ndue Dedaj: Partia, repart i organizuar... i kryetarit Kalosh Çeliku: Xhadika Isuf B. Bajrami: Open Balkan dhe Strategjitë Rama–Vuçiq Gjon Keka: Lëvizja e Deçanit flet shqip, është kombëtare dardane, të habitshme sulmet ndaj saj Asllan Dibrani (Luani): Tradhti institucionale në Deçan - kur pushteti sulmon kombin dhe përkulet para devijimit Lekë Mrijaj: Faleminderit Amerikë, mirënjohje dhe Zoti ju bekoftë! Florim Zeqa: Shteti pa referendum si shtëpia pa kulm! Isuf B. Bajrami: Rusia, Serbia dhe rrjeti i aleatëve në skenarin ekstrem të bllokimit të Ngushticave të Hormuzit dhe Bab al-Mandab Llesh Ndoj: Reagim psikologjik, apo instinkt grabitçar?

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx