Mendime
Florim Zeqa: Shteti pa referendum si shtëpia pa kulm!
E merkure, 25.03.2026, 06:55 PM
Shteti pa referendum si shtëpia pa kulm!
Shkruan:
Florim Zeqa
Përderisa zgjedhjet e lira dhe
demokratike janë test dhe vlerë e demokracisë, Referendumi është instrument për
marrjen e vullnetit të popullit për ndryshime të thella që prekin aktin më të
lartë juridik të vendit- Kushtetutën dhe rendin demokratik!
Referendumi në Itali shëmbull i
verdiktit të qytetarëve të lirë
Më 22 dhe 23 mars 2026, në Itali u
mbajt Referendumi popullor për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi u
refuzua nga shumica e popullatës që dolën në votim.
Rezultatet
përfundimtare konfirmuan fitoren e votës "Jo", e cila arriti në
53.74% të votave. Vota "Po", megjithatë, mori 46.26%. Pavarësisht
mobilizimit të mbështetësve të iniciativës për ndryshim, vullneti i qytetarëve
e ka bllokuar përfundimisht projektligjin për ndryshimet kushtetuese.
Me
këtë votim, qytetarët zgjodhën të ruanin strukturën aktuale të sistemit
gjyqësor, duke refuzuar të jepnin pëlqimin për ndarjen e karrierave dhe
ndryshimet e tjera kushtetuese nga Parlamenti.
Reforma
parashikonte ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas një
shorti dhe krijimin e një Gjykate të Lartë Disiplinore, përgjegjëse për dhënien
e dënimeve disiplinore kundër atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve që tregojnë
përformancë të dobët në ndarjen e drejtësisë.
Me
fitoren e votës "Jo" u ruajt rendi aktual kushtetues dhe u pengua
ndarja e karrierave gjyqësore sipas parashikimeve të parashtruesve të kërkesës
për ndryshim në në sistemin e drejtësisë.
Kosova me Kushtetutë të harrnuar dhe
pa Referendum
Kosova e shënoj 18 vjetorin e
ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, me institucione të brishta dhe pa
Referendum Popullor!
Si
pasojë e një kushtetute të harrnuar me amandamente të kushtetutave të huaja,
asnjë ligj nuk po na përshtatet, asnjë palë zgjedhje nuk po na kryejnë punë për
krijimin e institucioneve të reja pa telashe të vjetra!
Bllokadat
institucionale dhe ngërçet politike po na përcjellin pas çdo procesi zgjedhor!
Si
pasojë e barrikadimit të partive politike, përkatësisht të koalicionit fitues
dhe partive humbëse kundër njëra-tjetrës, pothuajse pas çdo procesi zgjedhor po
kërkohet interpretim i akteve juridike nga Gjykata Kushtetuese për dalje nga
situatat bllokuese!
E
gjithë kjo po ndodhë shkaku i vakumeve ligjore në çdo amandament kushtetues, i
cili po i lë hapësirë interpretimi secilit bllok politik sipas orekseve
partiake, madje edhe të injorantëve juridik!
Shteti i Kosovës pa 'Referendum
Popullor' ka mbetur si shtëpia pa kulm, ku secili subjekt politik e kërkon një
"kënd" më të sigurtë për të shpëtuar nga reshjet e anomalive ligjore!
Të gjitha partitë, pa dallim, pushtet dhe opozitë kanë mbetur nën mëshirën e
Gjykatës Kushtetuese si do t'ua "prejë teshat" pas ankimimit për
secilin rast, në veçanti tani për zgjedhjen e presidentit/tes!









