Mendime
Llesh Ndoj: Reagim psikologjik, apo instinkt grabitçar?
E hene, 23.03.2026, 06:55 PM
REAGIM PSIKOLOGJIK, APO INSTIKT GRABITÇAR?
Nga
Llesh NDOJ
Po
ndiqja me vëmendje dhe shqetësim qytetar një emision televiziv, ku një
ekonomist po përpiqej të shpjegonte efektet e krizës në Lindjen e Mesme, si
pasojë e konfliktit SHBA - Izrael me Iranin dhe ndikimin e saj në vendin tonë.
Natyrisht që nafta do të ishte e para dhe kryesorja, që do të reagonte ndaj
kësaj krize, e përmes saj, efekt i përdorimit dhe i ndikimit, drejtpërdrejt apo
tërthorazi, në shumë sektorë të tjerë jetikë në ekonomi dhe natyrshëm edhe në
përditshmërinë e jetesës së njerezve. Analisti konstatonte se kjo krizë, nisur
nga fuqia e jashtëzakonshme e Amerikës dhe epërsia e saj botërore, u mendua si
diçka e shpejtë, maksimumi 1 - 2 javë bombardime nga qielli e rrethim nga toka
e deti për klikën gjakatare iraniane, por ajo po zgjat tej parashikimeve dhe se
akoma nuk duket në horizont fundi i saj, duke sjell një panoramë disi të zymtë
edhe të perspektivës. Konkretisht, nga 174 lekë për litër, që nafta shitej në
vendin tonë në tregun e pakicës para fillimit të krizës, sot ky çmim mesatar ka
arritur në 214 lekë / litër, pra plot 40 lekë më shumë, dhe në një projeksion
të afërt pritet të kap shifrën e rreth 245 - 250 lekë / litër. Interesant në të
gjithë këtë panoramë më erdhi shpjegimi i specialistit. As më pak e as më
shumë, ai shpjegoi se deri më tani, kjo rritje vjen si një reagim psikologjik i
tregut më së shumti, jo si ndonjë efekt i drejtpërdrejtë, më saktë jo si efekt
i çmimit të naftës së zhdoganuar me çmime të rritura.
Duke
qenë se sa më lart vjen plotësisht në përputhje edhe me opinionin tim, mund të
them se më pëlqeu konstatimi i tij, por jo konkluzioni, dhe natyrshëm shtrova
me vete pyetjen: - ?shtë vërtetë ky reagim i
tregut efekt psikologjik, apo është më shumë se kaq, një instikt grabitçar?
Përsonalisht anoj nga konkluzioni i dytë: Jemi përpara një instikti grabitçarë,
që ngre krye në vendin tonë, sa herë në botë shfaqen kriza të ndryshme
ekonomike, apo edhe politike! Nuk vjen ky reagim thjesht si vetmbrojtje, por
njëjtë si ujku e shfrytëzon mjegullën që përhap koha e krizave për t’a goditur
prenë e vet, pikërisht aty ku i dhemb më shumë, njëjtë e shfrytëzon këtë edhe
biznesi shqiptar, i llastuar dhe i krijuar “nga lart”. S’ka si shpjegohet
ndryshe! Një efekt thjesht psikologjik do të ishte i kuptueshëm, por reagimi si
pasojë e tij nuk mund të justifikoje rritjen e çmimit të naftës me minimumi 30%
në kaq pak ditë, por mund të justifikonte, t’a zemë, rritjen graduale nga 174
lek / litër, në 180 lek / litër.
-
Po çfarë e rrit atë kaq shumë?
Pa
asnjë dyshim, këtë e bën instikti grabitçarë i tregtarëve shqiptarë, instikt i
favorizuar dukshëm nga ekzistenca e marrëveshjeve të tipit kartel mes
grosistëve nga njëra anë, dhe që reflekton mungesën e shtetit real, e
korrupsionin galopant shtetëror, nga ana tjetër.
Numri
i importuesve të mëdhenj të naftës e të gazit, luhatet të numërohet me gishtat
e njërës dorë, e marrëveshja mes tyre në kushte të këtilla është lehtësisht e
mundshme, sidomos kur sjell fitime marramendëse për ta. Dhe në krah të këtij
numri të kufizuar grosistësh, mbetet si gjithnjë korrupsioni shtetërorë
shqiptar, pasojë e të cilëve është tregu grabitçar shqiptarë, kurse ne viktimat
e urta të tij. Sigurisht, në këtë rreth vicioz nuk është përfshirë veçse nafta
dhe gazi. Njëjtë janë të kapura edhe shërbimet kryesore të këtij vendi, është
buka, ushqimi, portet e aeroportet, rrugët, tregu me pakicë, toka, ajri, deti,
siguria e gjithçka tjetër. Të gjithë janë të inspiruar nga instikti i
grabitçarit, e ne populli, të trembur, mbetemi viktimat e përjetshme të këtij
instikti. - A nuk ndodhi kështu në pandeminë e 2020 - ës? - A nuk ndodh kështu
para çdo feste madhore, raste ku në të gjithë botën çmimet ulen në funksion të
konsumit të shtuar e të fitimit përmes xhiros, kurse tek ne çmimet rriten? E vërteton
hipotezën e mësipërme edhe fakti se kurrë ky tregu ynë nuk reagon
psikologjikisht, atëhere kur çmimet në bursa e në tregun global, ndodh të
pësojnë ndonjë ulje, qoftë kjo edhe e ndjeshme.
Instiktin
grabitçar të tregut e vërteton edhe fakti se ai, çmimin e arritur e ruan edhe
pasi kriza kalon e tregu global stabilizohet. E gjithë skema zbatohet si me
komandë nga porti, deri në maje të malit, ku ndoshta i vetmi lajm që mbërrinë
në kohë reale, është ai i krizës së stisur të çmimeve. Pse? Sepse është treg
plotësisht i kontrolluar nga interesat e fitimit maksimalist dhe korrupsioni
kriminal shtetëror. “Qeni”, (nënkupto shteti), i vënë aty për të ruajtur
“tufën” e konsumatorëve, sapo trokasin mundësi të tilla pasurimi pa fre, ulet
në sofër me ujkun. - A nuk ndodhi kështu kur plasi kriza ukrainase me grurin? -
A nuk u boshtatisën magazinat nga gruri? - A nuk u rrit çmimi i bukës si
asnjëherë tjetër dhe, si të mos mjaftonte kjo, u përkeqësua më tej edhe pesha e
cilësia e saj?
-
Pse pra ndodh kështu?
Veç
instiktit grabitçar të tregtarëve, shumica krijuar si me “telekomandë”
qeveritare e që komandohen me leva korrupsioni, shteti ka heq nga vetja çdo
përgjegjësi për orientimin e ekonomisë së vendit drejt një ekonomie prodhuese.
Tokat kanë mbetur djerrë, se gruri na duhet i komanduar nga kufiri, kullotat
janë pa gja të gjallë e komplekse blegtorale s’ka, apo janë ato një gjë e
rrallë, sepse mishi e qumështi komandohet më lehtë nga kufiri, industria e
naftës thuajse nuk ekziston, se nafta komandohet më mirë nga porti. Për
gjithçka jemi lumturisht dy herë të varur: Njëherë nga krizat botërore, qofshin
ato reale apo të stisura, dhe herën e dytë nga oreksi i shfrenuar për fitime
maksimaliste të grosistëve - qeveritarë dhe qeveritarëve – grosistë matrapazë.
Pastaj shpikim borde, që duhen paguar nga taksat tona, mekanizma të
shumëllojshme allashqiptare, duke bërë sikur shteti ndryshon fytyrë dhe nga
shtet liberal, në raportin zyrtar me ekonominë, shndërrohet, në sa hap e mbyllë
sytë, në një mekanizëm ndërhyrës të drejpërdrejtë në ekonomi. Në fakt asgjë e
mirë nuk ndodh, veç sa shtohet edhe një hallkë e re korruptive, që rezulton
edhe një barrë e shtuar ndaj varfërisë sonë të tejskajshme.
Një
shtet serioz ka njëmijë e një mekanizma për t’a mbajtur tregun nën kontroll,
sidomos atë të produkteve jetike e me ndikim të gjerë në ekonomi, apo në
pavarësinë e vendit, kurse një shtet rrumpallë i tipit “ku rafsha, mos u
vrafsha”, si ky i yni, për më tepër i lodhur nga pushteti i gjatë e i ngarkuar
nga korrupsioni i kudogjendur, shpik metoda ekstraekonomike, tipike për
qeverisjet autoritare, dhe në vend që të vërë vetullat, nxjerr sytë!
Veç
një gjë që nuk harrohet e ndryshohet, as prej shtetarëve, as prej tregtarëve,
është instikti i tyre grabitçarë ndaj kujtdo, e ndaj gjithçkaje. Se instiktet
janë trashëgimi kafshërore, ndaj nuk ndryshojnë lehtë, ndërsa shtetformimi
është kulturë e kërkon kohë, kërkon mend, seriozitet dhe investim në çdo fushë.
Në krahun tjetër, edhe ne “delet konsumatore”, pre e grabitçarëve të
përjetshëm, knaqemi gjithnjë me pak, e pak do të thotë për ne një faleminderit
ndaj grabitçarëve tanë, mjaft të na e “lënë frymën gjallë”…, ndërkohë që
reagimi popullor është zero dhe jo për këto çeshtje “dytësore”, pasi rendin e
parë e ha meraku, se “kalorësve tanë po u varen këmbët”, nga pesha e plëndësit
të pangopur…
-
Deri kur kështu?
Lezhë, më 22/03/2026









