Mendime
Lekë Mrijaj: Faleminderit Amerikë, mirënjohje dhe Zoti ju bekoftë!
E merkure, 25.03.2026, 06:57 PM
FALEMINDERIT AMERIKË, MIRËNJOHJE DHE ZOTI JU BEKOFTË!
Shkruar:
Lekë Mrijaj
24
marsi i vitit 1999, për Republikën e Kosovës, është një datë historike që nuk
mund të harrohet kurrë; një datë e skalitur thellë në kujtesën e popullit tonë
si një moment vendimtar, si nata që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë
sonë.
Më
kujtohet mirë ajo mbrëmje, kur trupat e Aleancës Veri Atlantike të NATO- e
nisën ndërhyrjen ajrore 78-ditëshe për të ndalur dhunën, krimet dhe
padrejtësitë që po ndodhnin kundrejt shqiptarve në Kosovën e okupuar nga Serbia
gjenocidiale. Për shqiptarët e Kosovës, kjo ndërhyrje nuk ishte vetëm një
operacion ushtarak, por mbi të gjitha ishte fillimi i një shprese të re, një
dritë në mes të errësirës.
Në
atë kohë, shqiptarët jetonin me frikë, pasiguri dhe dhimbje të thellë. Shumë
familje nga forcat ushtarake e policore Serbe u detyruan të largohen me dhunë
nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas gjithçka që kishin ndërtuar me mund dhe
sakrificë. Të tjerë përjetuan humbje të mëdha – humbje të njerëzve të dashur,
të jetës së përditshme dhe të qetësisë. Vertetë ishte një kohë e rëndë, kur e
ardhmja dukej e pasigurt dhe shpresa shpesh dukej e largët. Por në atë
errësirë, bota demokratike e pa të vërtetën dhe vendosi të mos heshtë më.
Në
këtë moment vendimtar, një rol të veçantë patën Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, në krye me Presidentin Bill Clinton dhe Sekretaren e Shtetit
Madeleine Albright. Amerika nuk qëndroi indiferente, që do të thotë se zgjodhi
të veprojë, të mbrojë të pafajshmit dhe të mbështesë të drejtën për liri.
Për
ne shqiptarët, kjo ndërhyrje nuk ishte vetëm një akt force, por një akt i madh
humanizmi dhe solidariteti. Pikërisht ishte një mesazh i fuqishëm se drejtësia
nuk duhet të heshtë përballë padrejtësisë, dhe se liria është një vlerë që
duhet mbrojtur me çdo kusht. Ishte dëshmi se edhe në kohët më të vështira,
ekzistojnë aleatë që qëndrojnë pranë nesh.
Sot,
pas 27 vjetësh ne jetojmë të lirë falë sakrificave të heronjve dhe martirëve
tanë, por edhe falë mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtarë. Liria që gëzojmë
sot nuk është e rastësishme, ajo është fituar me shumë mund, me shumë dhimbje
dhe me shumë besim në të ardhmen.
Prandaj,
kjo ditë nuk është vetëm një kujtim historik, është një thirrje për mirënjohje,
për reflektim dhe për përgjegjësi. Është një kujtesë se ne duhet ta ruajmë
lirinë, ta forcojmë shtetin tonë dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë për
brezat që vijnë.
Faleminderit
NATO për ndërhyrjen në një moment vendimtar. Faleminderit Shtetet e Bashkuara
të Amerikës për mbështetjen e saj të fuqishme dhe të palëkundur. Faleminderit
Amerikë, sepse në një nga momentet më të errëta të historisë sonë, u bëtë drita
jonë e shpresës.
Mirënjohja
jonë në Republikën e Kosovës është e përjetshme. Sepse liria dhe shteti ynë që
ne kemi sot janë një dhuratë e çmuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë,
çlirimtareve, heronjtë martirët e atdheut që duhet ruajtur, vlerësuar dhe
trashëguar me krenari brez pas brezi. Zoti ju bekoftë!
Klinë, më 24 mars 2026.









