Mendime
Florim Zeqa: Nuk ka tejkalim të krizës pa një alternativë të re politike!
E shtune, 04.04.2026, 06:54 PM
Nuk ka tejkalim të krizës pa një alternativë të re politike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Krizat e njëpasnjëshme artificiale në
Kuvend po e mbajnë peng të ardhmen e shtetit dhe po e dëmtojnë mirëqenjen e
qytetarëve. Mungesa e vullnetit politik për tejkalimin e krizave po e çon
vendin drejt situatave gjithnjë e më të paqarta politike. Me këtë klasë të
papërgjegjshme politike, e cila i shërben interesave të ngushta partiake,
Kosova po shkon drejt zhbërjes fizike si shtet i pavarur dhe sovran!
Takime sa për 'sy e faqe'
Paralajmërimi
i takimeve të kryeministrit Albin Kurti me krerët e partive parlamentare, në
përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri
të vendit bëhet vetëm sa për 'sy e faqe'. Ngase, nuk do të ketë kurrfarë
marrëveshje apo dakordim mes pozitës dhe opozitës lidhur me këtë çështje
kruciale për të ardhmen e vendit!
Pasi
tek të dyja palët mungon vullneti i mirë politik. Të dyja blloqet politike
mbajnë qëndrime të kundërta politike: pozita mbajtjen e pushtetit, opozita
dërgimin e vendit në zgjedhje!
Duket
qartë, se nuk do të ketë as ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, pasi edhe ata e
presin që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me qëllim të
dobësimit të pozitës së Albin Kurtit në qeverisjen e vendit, për t'a akuzuar më
pas për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie politike për tejkalimin e krizës
institucionale si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit.
Jo zgjedhjeve pa zgjidhje
Shkuarja
e sërishme në zgjedhje të jashtëzakonshme me këtë konstalacion të forcave
politike, jo vetëm që nuk do të prodhoj ndryshim rrënjësor, përseri nuk do të
kemi zgjidhje, por vetëm përseritje të krizave të reja dhe të pambarim!
Këto
situata do të ndikojnë në thellimin e krizave dhe rritjen e mosbesimit
ndërkombëtar ndaj shtetit tonë.
Ekziston
rreziku real se Kosova mund të përballet me përkeqësim të raporteve me
ndërkombëtarët, gjë e cila do të ndikojë në sigurinë e vendit tonë, si pasojë e
pasigurisë globale!
Mungesa
e një alternative të re politike, po ndikon në rënjen e interesimit të
qytetarëve për dalje në zgjedhje.
Zgjedhjet
që nuk prodhojnë zgjidhje, prodhojnë kriza të vazhdueshme dhe pasiguri në jetën
e qytetarëve!
Zgjidhja
e vetme qëndron në ngjizjen e një alternative të re politike, e cila do ta
prodhonte një klasë të re politike, të pastër dhe të pa djallëzuar nga ndikimet
e faktorëve të jashtëm, e përbërë nga një elitë intelektualësh të rinj të
papërfshirë deri më tani në radhët e partive ekzistuese, me dashuri për vendin
dhe e përkushtuar ndaj interesit të qytetarëve dhe të ardhmes së shtetit të
Kosovës.
Meqë kriza aktuale është pasojë
direkte e moszgjedhjes së Presidentit, ende na mbanë shpresa e gjetjes së një
formule politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual, të një figure
unifikuese me bagazh të lartë intelektual dhe kredibilitet qytetar, që nuk ka
qenë dhe as që është pjesë e asnjë subjekti politik.
P.S: Shqiptarët e Kosovës duhet të bashkohen rreth
Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), kësaj force politike në ngjizje e
sipër, njëjtë sikurse në vitet e '90-ta, për t'i hedhur në koshin e mbeturinave
të gjitha partitë aktuale që e katandisen Republikën e Kosovës deri në këtë
deregje, duke e vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit!









