Kulturë
Albert Zholi: Librat “Sfidat e diplomacisë me teknologjinë” dhe “Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre në Republikën e Shqipërisë”
E shtune, 28.03.2026, 05:33 PM

Librat “Sfidat e diplomacisë me teknologjinë” dhe “Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre në Republikën e Shqipërisë”
Nga Albert Zholi
LIBRI "Sfidat e Diplomacisë me Teknologjinë" me
bashkë-autorë diplomatët Jonlinda Hada dhe Adi Hoxha, trajton diplomacinë
tradicionale të para viteve 2000 dhe të diplomacisë digjitale që është edhe më
e dukshme pas viteve 2012 dhe që po përdoret përherë e më shumë në diplomaci.
Libri i botuar është konsideruar si studimi i parë i mirëfilltë akademik në
fushën e diplomacisë, që i sherben diplomatëve te rinj dhe studiuesve.
Digjitalizimi, si një risi e fundit në sistemin e komunikimit dhe të
globalizimit, u ka dhënë një dimension tjetër marrëdhënieve ndërkombëtare,
artit të diplomacisë dhe diplomacisë publike. Ajo e ka rritur shkallën e
mundësive për të marrë informacion në kohë reale, si dhe cilësinë e shërbimeve
në dhënien dhe marrjen e informacioneve në hapësirë dhe kohë. Në mënyrë të
veçantë është rritur shkalla e shërbimeve dhe lehtësirave konsullore për
shtetasit, siç përshkruhet edhe në këtë studim.
Në pasthënie të librit "Sfidat e diplomacisë me
teknologjinë", kanë shkruar disa personalitete të njohura të fushës së
diplomacisë, politikës dhe akademisë. Secili prej tyre ka dhënë një vlerësim
për librin dhe për autorët. Ja një përmbledhje e shkurtër e asaj që thonë:
1. Prof. Dr. Paskal Milo – ish Ministër i Punëve të Jashtme,
historian
Ai e cilëson librin si një provë e guximshme në
konceptualizimin e diplomacisë, duke e parë atë si reflektim të kulturës
teorike e profesionale të autorëve. Sipas tij, libri sjell risi për zhvillimet
bashkëkohore, qasjen ndaj diplomacisë online, "zoom diplomacy",
"tweet diplomacy" etj., dhe është një kontribut serioz për literaturën
diplomatike shqiptare.
2. Ambasador Dashnor Dervishi – diplomat karriere
Ai thekson se libri është një kontribut i ri në studimin e
diplomacisë shqiptare në epokën digjitale, duke sjellë problematikat e
komunikimit online dhe ndikimin e teknologjisë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai e vlerëson si një studim të dobishëm për të kuptuar prirjet e reja të
diplomacisë dhe për historinë e diplomacisë shqiptare.
3. Prof. Dr. Tonin Gjuraj – Rektor i Universitetit Europian
të Tiranës, ish ambasador në Izrael
Ai e konsideron librin si një përpjekje të suksesshme për të
lidhur teorinë dhe praktikën diplomatike. Për të, libri është me vlerë për
studentët, pedagogët, por edhe për praktikuesit e diplomacisë shqiptare.
Gjithashtu e sheh si një burim për t'u kuptuar më mirë diplomacia ndërkombëtare
në epokën e teknologjisë.
4. Venera Domi – diplomate karriere, Executive Manager at
the Permanent International Secretariat BSEC
Ajo e cilëson librin si një udhërrëfyes për karrierën
diplomatike dhe një model se si duhet të zhvillohen aftësitë në kohën moderne.
Për të, libri është një kombinim i mirë mes përvojës praktike të autorëve dhe
literaturës teorike.
Pra, të gjithë autorët e pasthënieve e shohin librin si një
kontribut të veçantë për diplomacinë shqiptare dhe ndërkombëtare në epokën
digjitale, duke e vlerësuar si një material me rëndësi për studiues, studentë
dhe praktikues të diplomacisë
Së fundmi, po citoj një paragraf nga libri: Të jesh diplomat
nuk është zanat, por është një mënyrë jetese në kushtet e një shërbimi diplomatik,
ku diplomati shqiptar duhet të përballet me sfida pa pasur mbështetje. Dhe unë
do të shtoja: ajo që e bën edhe më të bukur dhe më të fisshme punën në
shërbimin e jashtëm, është se në sistemin e administratës civile, ku diplomatët
bëjnë pjesë, janë më pak të prekshmit nga korrupsioni, megjithëse janë më pak
të paguarit. Dhe meqenëse këtë realitet nuk mund ta ndryshojmë, për arsye
objektive dhe subjektive, që lidhen me gjendjen ekonomike-financiare dhe
mendësinë që ende mbizotëron, mund të bëjmë një gjë për veten tonë, duke
ngritur vlerat e diplomatit në shërbim të vendit, nëpërmjet stimujve moralë, që
kanë munguar këto 25 vjet dhe krijimit të kastës elitare të diplomatëve, që
është e vetmja, që i mungon këtij vendi ashtu siç janë akademikët, profesorët,
doktorët, apo ushtarakët.
Libri Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre ne
Republiken e Shqiperise
Libri i Jonlinda Hadës është një përpjekje serioze për
elaborimin më tej të të drejtave dhe gjendjes së minoriteteve dhe pakicave në
Shqipëri.
Ilirian Zhupa, diplomat, shkrimtar
"Libri i Jonlinda Hadës është një përpjekje serioze për
elaborimin më tej të të drejtave dhe gjendjes së minoriteteve dhe pakicave në
Shqipëri. Analiza dhe puna sistemore e saj, rreket me sukses të ndriçojë sa më
shumë skenën ambivalente të ndërlikuar teorike dhe praktike të këtij personazhi
të rëndësishëm botëror që quhet 'pakica dhe minoritet', rrugë që, gjithsesi,
ngelët e përjetë për shkak të korrektimeve nacionale që ende turbullojnë
pamjen."
Prof. dr. Tonin Gjuraj, Rektor në Universitetin Europian të
Tiranës
"Hada në këtë libër trajton në mënyrë realiste dhe
objektive, përtej perceptimit që ekziston kudo për minoritetet, një prej
çështjeve më evazive dhe më të debatuara në kohët moderne. Jonlinda shkon
përtej imazhit për pakicat në Shqipëri, duke shfajësuar me kujdes e mëshirë,
mbështetur në shumë burime, gjendjen reale të tyre, njëmendësitë zbehërisht të
kësaj çështjeje, jo vetëm në dimensionin historik dhe legal të saj, por edhe
brenda teorive të ndryshme të shkencave politike dhe marrëdhënieve
ndërkombëtare."
Prof. dr. Mariana Semini Tutulani Shkolla e Magjistraturës
"Një libër që, teksa e lexon, të krijon hurtën e një
kulture të tërë të historisë, gjuhës, gjeografisë, folklorit, ligjeve,
diskriminimit, integrimit, shembujve të suksesit etj. Hada është një studiuese
e re që duhet lexuar."









