Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kur urrejtja bëhet patologji e mendjes
E diele, 22.03.2026, 07:00 PM
Prof. Blerim Latifi:
Ekzistojnë
rryma brenda Islamit sunit që nuk i pranojnë shiitët si muslimanë. I
konsiderojnë ose idhujtarë, ose jobesimtarë, ose të devijuar. Këto pikëpamje
hasen shpesh mes vehabistëve dhe salafistëve.
Kam
parë në shumë raste komente në rrjete sociale, në gjuhën shqipe, nga njerëz që
i ndajnë këto qëndrime.
Sot,
të njëjtët njerëz i sheh duke shpërndarë propagandë pro Iranit, të cilin deri
dje e quanin kryeqendër të idhujtarëve dhe të devijantëve.
Çfarë
ka ndodhur me kët' ndryshim diskursi te ta?
Në
të vërtetë, asgjë e paqartë. Shqetësimi kryesor i këtyre njerëzve nuk lidhet me
besimin fetar, por me diçka tjetër, shumë më tokësore, shumë më aktuale dhe
krejtësisht politike: antiamerikanizmin.
Urrejtja
patologjike ndaj Amerikës i bën automatikisht solidarë me këdo që është në
konflikt me të. Madje edhe me Putinin dhe me dorën e zgjatur të tij në Ballkan,
Serbinë. Nesër, po të fillojë një konflikt i yni me Serbinë, nuk do të ishte
çudi që të njëjtët njerëz t’i shihje të rreshtuar në anën e saj, mjafton që ajo
të paraqitet si kundërshtare e Amerikës.
Kur
urrejtja bëhet patologji e mendjes, ajo nuk njeh më asgjë që lidhet me
interesat kombëtare, me moralin e mirënjohjes ndaj mikut, me kujtesën historike
apo me detyrimet elementare të arsyes. Në atë gjendje, gjithçka i nënshtrohet
një pasioni të vetëm, i cili e përjashton normalitetin dhe e zëvendëson me
verbëri ideologjike.
__________
Në
fillim të shekullit të ri, kur historianët do të ulen të shkruajnë historinë e
gjysmës së parë të shekullit tonë, me siguri do të përqendrohen të dy luftërat
e mëdha që ndryshuan botën: lufta Ukrainë–Rusi dhe lufta në Lindjen e Mesme,
SHBA–Iran.
Mes
kapitujve kushtuar këtyre luftërave do të zënë vend, pa dyshim, ethet e luftës
që kishin mbërthyer kombet dhe pasojat e tmerrshme ekonomike që ato sollën.
Nëse
dikush do të interesohet të kuptojë se çfarë bënin shqiptarët në atë kohë, do
të ballafaqohet me një të dhënë që do ta habis: në atë kohë katastrofe globale,
shqiptarët e Kosovës nuk arrinin dot të zgjidhnin një president, bënin zgjedhje
çdo tre-katër muaj dhe i kalonin ditët e netët duke çitur fall mbi Kushtetutën
e shtetit të tyre.
Po
ata të Shqipërisë?
Ata
përpiqeshin të luftonin korrupsionin e elitave politike përmes një mekanizmi të
quajtur SPAK, por disi nuk ia dilnin dot dhe për pasojë ngecên në dyert e
Europës.
__________
Derisa
po lexoja lajmin për vdekjen tragjike të katër punëtorëve kosovarë në Vjenë, në
një studio televizive vazhdonte në kulm zhurma rreth partive, zgjedhjeve,
rizgjedhjeve, Albinit, Vjoses e krejt të tjerëve të përfshirë në maskaradën e
një lufte për një grusht karrikesh në një shtet, i cili përditë po e humbet
edhe atë pak kredibilitet e seriozitet që i ka mbetur.
Njerëzit
e këtij vendi kanë marrë rrugët e botës në kërkim të mundësive ekonomike që
atdheu i tyre nuk ua ofron dot, ndërsa ne vazhdojmë të merremi 24 orë në ditë me një klasë
politike që prodhon vetëm kriza institucionale dhe një politikë që fillon e
mbaron me gjuhë akuzash, shpifjesh dhe ofendimesh reciproke.
__________
Irani
po përpiqet ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe të godasë qendrat
bazë të industrisë së naftës në shtetet arabe, me qëllim që të shkaktojë një
krizë globale të papërballueshme të naftës, nga e cila pret një presion
ndërkombëtar mbi SHBA-në për t’i dhënë fund luftës.
Ky
është skenari i vetëm që mund ta nxjerrë disi me fytyrë Iranin nga kjo luftë, e
cila ia ka rrënuar pothuajse krejt kompleksin ushtarako-industrial, në të cilin
ka investuar prej katër dekadash.
Nga
ana tjetër, lehtësia me të cilën Irani po godet qytetet e shteteve arabe të
Gjirit Persik po tregon se këto shtete, në të vërtetë, nuk kanë kurrfarë fuqie
ushtarake për t’u përballur vetë me Iranin. Pra kemi të bëjmë me shtete që janë
jashtëzakonisht të pasura, por ushtarakisht të dobëta. Ato po dëshmojnë se pa
Amerikën janë thjesht kulla prej letre.
Nga
kjo pikëpamje, ato kanë interes bazik që kjo luftë të vazhdojë, në mënyrë që
Irani të dobësohet deri në atë masë sa të krijohet një ekuilibër force në
rajon.
Një
situatë klasike e lufës për fuqi, siç na e përshkruan realizmi politik.
Tregimet e tjera me natyrë religjioze apo ideologjike janë fjalë në erë për ata
që nuk e kuptojnë thelbin e vërtetë të historisë njerëzore.
__________
Në
një kuiz me pyetje shumë të thjeshta, pjesëmarrësit në Big Brother Albania
paskan dalë komplet injorantë. Kjo, pra, është epoka e pas-Iluminizmit: njeriut
nuk i vjen më marre që është analfabet. Koha kur VIP (Very Important Person)
është identik me VII (Very Important Idiot).
__________
Një
shkarravinë e budallëve të ekstremizmit të majtë nê muret e Fakultetit Juridik
të UP-së. Një shkarravinë kundër Imperializmit Amerikan, falë të cilit sot në
kët' fakultet studiohet në shqip, e jo në serbisht.










