Kulturë
Ndue Dedaj: “Saga e Sarajevës” dhe kumti i besës
E shtune, 21.03.2026, 06:52 PM
“SAGA E SARAJEVËS” DHE KUMTI I BESËS
-
Shënime rreth romanit të ri të Stefan Çapalikut -
NGA
NDUE DEDAJ
Stefan
Çapaliku, një emër i njohur në botën kulturore, letrare të vendit i është dhënë
tashmë me kohë të plotë shkrimtarisë, ndonëse të tijat janë dhe disa lamije të
tjerë, si teatri, dramaturgjia, auditoret, studimet letrare, jeta akademike
etj. Ke lexuar disa prej romaneve të autorit, si “Secili çmendet sipas mënyrës
së vet”, “Mbyllur për pushime”, “Një engjëll veshë me frak”, përkthyer në disa
gjuhë europiane, dhe ja ku ke në dorë dhe romanin e fundit të tij “Saga e
Sarajevës”, me një titull intrigues, që të fton të shtegtosh për në një qytet
ballkanik të shenjuar, për të cilin kanë shkruar autorë sllavë ndër më të
shquarit, si Ivo Andriç romanin e mirënjohur “Ura mbi Drin”, apo Vuk Drashkoviç
romanin “Murgu Hokaj” etj. Ndërsa romani i Çapalikut nuk ka të bëjë as me
historinë mesjetare dhe as me tragjedinë e vonë të Sarajevës. Faqe pas faqeje,
apo “step by step” (një stilemë me të cilën autori luan përgjatë romanit, në
stilin e tij ironik) nis e kupton se ke të bësh me një sagë bashkëkohore
Sarajeve me rrënjë të hershme shqiptare, që ndërlidh dy luftërat botërore të
shekullit XX me të sotmen.
Në kryeqytetin boshnjak
Asgjë
dramatike në fillim, një shkrimtar shkodran, Lekë Cukali, në pranverën e vitit
2024 shkon një muaj në kryeqytetin boshnjak, në një rezidencë shkrimtarësh, për
të bërë zakonin e tij, të shkruaje ndonjë subjekt që i kërkon kohë të marrë
formë në letër. Dhe lexuesi pret që shkrimtari të tregojë gjatë ditëve dhe
netëve të qendrimit atje diçka nga “saga” që po shkruan, mirëpo pak nga pak
kupton se nuk ka asgjë të tillë, por se vetë ai po shndërrohet në personazh i
sagës së tij nga Sarajeva. Ai, para se të nisej nga Shkodra, qyteti i tij, ka
marrë një porosi nga i ati në moshë të madhe, që të gjejë një degë të fisit të
tij, që gjatë Luftës së Parë Botërore ka qenë vendosur në Sarajevë, një grua me
katër fëmijët e saj, vajzën Elizabeta, dy djemtë binjakë Luka e Gaspri dhe
djalin e vogël, Mikelin, i cili do të na njohë me shtegtimin e familjes së tij
në Europë. Këtu nis dhe intriga e romanit. Kërkimi i njerëzve të gjakut e
përfshin si pa e kuptuar shkrimtarin, duke bërë që të mos realizojë atë për çka
kishte shkuar atje, të shkruarit. Apo nuk shkojnë përkundër kësaj dhe disa
mungesa në dhomën e hotelit, si ajo e një skrivanie të përshtatshme për të
shkruar, e internetit, apo e ujit për të bërë dush.
Lisi i gjakut si
“amanet”
Leka
vazhdon të ndjekë fatin e lisit të tij të gjakut, që kur nuk e gjen ndër të
gjallët, e kërkon në varreza. “Mirë që nuk qe natë se e shkuara ime atje mund
të ngjasonte fare mirë me skenën e parë të Hamletit, kur Hamleti i shoqëruar
nga shoku i tij Horaci shkon të takohet me fantazmën që kishte disa net që i
paraqitej rojeve. Por në këtë rast rojet po pinin kafe me qetësi dhe dielli
ende nuk kishte rënë matanë kodrës. Unë gjithashtu, nuk kisha të bëja fare me
Hamletin dhe për fat asnjë fantazmë nuk qe shfaqur deri më tani”. Dhe kur varri
familjar u gjet në varrezën e Sarajevës, shkrimtari protagonist i romanit
thotë: “Tashti po. Tani e kisha gjetur se çfarë do të shkruaja në rezidencën e
Sarajevës. E di që nuk do të më dalë koha, por ama do t'ia filloj. Ia vlen t'ia
filloj. Jam unë pra, shkrimtari, që kam ardhur të kërkoj të parët e mi në
Sarajevë. Qe subjekti. Dhe duke menduar këtë, rri e shikoj me kujdes fotot e
bëra mbi varrin e familjes "Cukali".
Ndërkohë
para lexuesit, ashtu si pa e kuptuar, paralelisht me rrëfimet e shkrimtarit
shpesh autoironik, që endet nëpër qytet me njëfarë ngathtësie, nis e shpaloset
një linjë tjetër e romanit, ajo e rrëfimit të Mikelit, që e kishte lënë
Shkodrën me ikjen e austro-hungarezëve më 1918. Ky na përcjellë kronologjinë e
familjes së tij, se si u nisën atë ditë nga Shkodra, hipur në një kamion
ushtrie në tërheqje, nën kujdesin e oficerit austro - hungarez, Jozefit, me të
cilin njihej e ëma dhe kishte pas kërcyer në një ballo në Shkodër, se si ky më
të mbërritur në Sarajevë, kishte humbur jetën duke shkelur në një minë dhe
familja shkodrane kishte gjetur strehë te një familje e atij qyteti, ajo e
zotit Asher Blum. Por fati si fati, ku nuk të rrokullis, bash ateherë kur nuk e
pret. Mikeli, në rrethanat e Luftës së Dytë, qe i shtrenguar të shtegtonte
drejt Shqipërisë për të shpëtuar hebreun e tij bamirës e bujar, zotin Blum, që
e kishte pas strehuar në Luftën e Parë. Lexuesi kupton se njërin e kishte
dëbuar nga vendi i tij njëra luftë e tjetrin po e dëbonte lufta tjetër, duke i
kryqëzuar fatet e tyre.
Besa në rrethana lufte
Hebreu
nuk e kupton se si ai mund të gjente mbrojtje në Shqipëri, por gruaja shqiptare
i kumton: “Besa, zoti Blum. Ju garanton Besa, tha nëna. Veç ajo mundet t'ju
garantojë. Shikoni atje se do ndiheni më të sigurt se askund tjetër. Besa?! Pyeti
i çuditur zoti Blum. Po ç’është Besa?” Pasi kalojnë Malin e Zi e hyjnë në
Shqipëri, zoti Blum strehohet në kullën e bajraktarit të Hotit, duke e marrë ky
i fundit në besë. Ky është dhe kumti i besës së shqiptarëve ndaj hebrenjve, që
na nxori faqebardhë gjatë Luftës së Dytë e me të cilën krenohemi dhe sot e
kësaj dite. Shkrimtari as ekzaltohet nga besa dhe as e glorifikon kanunin, por
shpreh artistikisht rolin e tyre në formulën unikale autentike shqiptare
“Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, në ato rrethana historike dhe jo në kohë
moderne. “Bukë e besë kemi sa të duash, për të tjerat le të shpresojmë se do të
bëjë Zoti mirë, tha Mul Bajraktari dhe urdhëroi gratë të sjellin bukën, se e
kuptoi qartë që zoti Blum nuk e dinte që i takonte mikut të urdhëronte shtrimin
e tavolinës. Përndryshe do të rrinin deri në mëngjes me kafe e raki”. Zotin
Blum e merr në mbrojtje në rrethana lufte kanuni i shqiptarëve pa e njohur,
kurse shkrimtari ynë nuk gjen “besë” në Sarajevë për një gjë që nuk e ka kryer.
Edhe
pse është krejt absurde, befas shkrimtari Lekë Cukali bie pre e një historie
kriminale, paçka pse nuk ka asnjëfare lidhje me të, po siç mund të ngjasin
gjërat mes ballkanasve, për kot, për rastësi, për hiç. Me pak fjalë, Leka e pi
kafen përditë në bar “Amarcord” (jo rastësisht është gjetur ky emërtim) dhe një
ditë teksa bën pyetjen e zakonshme të tijën, nëse njihnin njeri me mbiemrin
“Cukali” në qytet, bëhet i dyshuar i pronarit, trafikantit të rrezikshëm Mersad
Ademoviç, ngaqë ai ishte në gjyq pronësie pikërisht me një kushëririn e
shkrimtarit, Zoran Cukali (i biri i Lukës), për të cilin ky nuk kishte
kurrëfarë dijenie se ekzistonte. Një nga ato ditë kushëriri i panjohur, tashmë
i sllavizuar dhe si emër, që i kishte pas shitur bar “Amarcord”’in Ademoviç-it,
gjendet i vdekur në shtëpinë e tij dhe sakaq Leka urdhërohet nga qarku mafioz i
trafikantit të lërë Sarajevën një orë e më parë, çka dhe ndodh.
Stili krijues i autorit
Autori
me mjeshtri i ka shkrirë dy linjat romanore në një, duke krijuar dhe një takim
sureal, në një stacion autobusi në Mal të Zi, mes dy pinjollëve të fisit
Cukali, njërit që është Leka dhe tjetrit që është Mikeli i padukshëm (një si
hije), i pari që shkon drejt Shqipërisë pa shkruar asgjë, duke e ndërprerë
“lejen krijuese” në mes dhe i dyti që kthehet nga Shkodra drejt Sarajevës, ku e
pret e ëma e moshuar - është viti 1947. Shkrimtari i romanit, që është një
alter ego i autorit, na e thotë vetë enigmën: “...por sido që të jetë, ai atje
jam unë vetë”. Në këtë qasje, ky personazh (Mikeli), sa i qenë, aq i paqenë,
është një risi në prozën tonë bashkëkohore.
Romani
i “Saga e Sarajevës” e përvijon dhe më tej stilin krijues të shkrimtarit Stefan
Çapaliku, një narrativë e pangjashme, e përshkuar nga një puhi humori, pa qenë
qëllim në vetvete. Si një shkrimtar me përvojë, ai rrëfen shtruar, rrjedhshëm,
sikur kallëxon, pa kurrëfarë ngarkesash e sforcimesh të tekstit, duke e bërë
leximin tërheqës dhe meditativ. Ti ecën me ngjarjet dhe personazhet si në një
film, ndjen e përjeton me ta, i sheh si janë e nuk janë, duken e zhduken. Po aq
të tërheqin dhe episodet e skicuara këndshëm, si ai i muzikantit Tomas, që
Jozefi e le në rrugë, ngaqë nuk kishte ku ta fuste në makinë kontrabasin e tij.
“Mirëpo Tomasi kishte qëlluar kokëfortë. Ai kishte nisur t'i shpjegonte aty për
aty Jozefit se kontrabasi qe instrumenti më i rëndësishëm i një orkestre. Se
një orkestër pa kontrabas ishte njësoj si një anije që lundronte kuturu në det
të hapur. Pra me pak fjalë Tomasi donte t'i thoshte se është e kotë të strehoje
dhe të shpëtoje nga asgjësimi instrumentet e tjera muzikore, ngaqë ato nuk i
duheshin dreqit pa kontrabasin”.
Romani
ka natyrën e “ftohtë” të romanit modern, ku ti si lexues duhet të jesh i
vëmendshëm të mos të të shpëtojnë detajet, nuancat, ngjyresat, nyjet, simbolikat,
pasi autori është i kursyer në fjalë. Ai bën zakonin e shkrimtarit, rrëfen, pa
bërë askund “shpjegime” të asnjë natyre, thjesht ia le lexuesit të gjykojë për
situatat, karakteret, kumtet. Përpos kumtit të besës, një shkrimtar që kërkon
rrënjët në kohë moderne, kur po vdaret tradita dhe po bie dhe familja e sotme,
është një thirrje humane për të ruajtur drejtpeshimin e botës moderne dhe në
rrafshin gjenealogjik, sepse nëse nuk kujdesemi për rrënjët tona, ato nesër zor
se do t’i gjejmë dhe në varreza...









