E shtune, 21.03.2026, 11:42 PM (GMT)

Kulturë

Preng Baloj: Mëkati përtej detit – një libër që të ngazëllen

E shtune, 21.03.2026, 06:50 PM


Mëkati përtej detit – një libër që të ngazëllen

Nga PRENG BALOJ

I nderuari Gjon Marku!

Të nderuar studiues, shkrimtarë dhe poetë, që merrni pjesë sot në "Ditën Ndërkombëtare të Librit", në promovimin e librit "Mëkati përtej detit" të studiuesit dhe shkrimtarit të spikatur Gjon Marku. Do të përpiqem të përqendroj mendimin tim për këtë libër, që e kam lexuar me një frymë dhe e kam ndjerë në çdo rresht e frazë. Mora penën të shkruaja për këtë libër me tregime, sepse jam ngazëllyer.

Autori kujdesshëm limon çdo rresht e frazë, ku gërsheton mjaft mirë dashurinë me dhimbjen, hënën me diellin, qyqen dhe këngën–vajin e saj me buzëmbrëmjen. Këngëvajin e qokut në udhëtimin e mërgimtarit, me natyrën si peizazh, në mendimin dhe mesazhin filozofik që mbartin, jo vetëm ndjenjën e fortë dhe emocionin artistik, por që u përcillet këndshëm lexuesit të sotëm dhe brezave të ardhshëm me një gjuhë të mirëlatuar dhe të zgjedhur.

Në këtë udhëtim të matur e të konsoliduar mirë të krijimtarisë së tij, ai tashmë ecën i sigurt pas botimit të katër librave të spikatur me tregime, konkretisht: "Njeriu që vinte dhe ikte natën" (1999), "Varri nën dardhë" (2004), "Një natë mbret në një vend tjetër" (2011), dhe së fundi me librin e tij që po promovojmë sot, "Mëkati përtej detit" (2015).

Por Gjon Marku ka të botuar edhe libra të tjerë në fushën e publicistikës, konkretisht: "Mirdita - Intervista I" (2000), "Mirdita – Intervista II" (2002), "Mirdita – Intervista III" (2004), "Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën" (2009), apo studime: "Ndërfana" – monografi historike (2001), "Mirdita në vizionin filatelik", "Mirdita, vend i kuvendeve vetëqeverisëse" (2013), studime që të befasojnë me nivelin kulturor dhe të botuara në një hark kohor të ngjeshur.

Monografitë: "Mësuesi në kujtesë – Preng Pjetër Filopati", "Mark Legisi - një jetë midis nxënësve" janë dëshmi dokumentare të rëndësishme për arsimin në Mirditë.

E gjitha kjo prodhimtari kaq cilësore më bën të përulem me respekt e mirënjohje përpara penës strall të tij.

Falë muzës së tij, e cila edhe nga gjumi ka marrë kohë për të gdhendur dhe latuar fjalën, fjalinë dhe frazën, për t'i shndërruar në lapidarë pavdekësie...

Flet muza e autorit të spikatur Gjon Marku qartë dhe bukur në librin apo librat e tij me tregime, dhe gjen mjeshtërisht mënyrën të mos heshtë ndaj dhembjes, siç ndodh me tregimin "Babai i Ildës", ku ëndrra e dashurisë pritet mes dhimbjes, dhe ku ngushëllimi vjen aq natyrshëm, por ku ringjallen edhe kujtimet e së shkuarës; gjendet miqësia e vërtetë apo tradhëtitë e pabesitë, siç ndodh me tregimin "Klithma e shqiponjës", që sa bën që trishtimi të vrasë pabesisht, por që vrasësi ndëshkohet në një zgjidhje të menduar mirë dhe të dhënë mjaft bukur artistikisht.

Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time dhe të them se Gjon Marku përdor mrekullisht ironinë e hollë, gjen gjuhën e përshtatshme dhe trajton fenomenet e kohës së shkuar, ku mentaliteti, padija apo militantizmi bartnin vese që çonin drejt fenomeneve krejt të papranueshme, sa rrezikohej njeriu dhe perspektiva e tij përpara kokës së një kedhi – dhe ai, dhe koka e tij, duket se është më e rëndësishme se jeta e njeriut. Por ironia shfaqet edhe në tregimet "Pianecët e qytetit tim", "Ora me qostek", "Nuse amerikane" apo "Në kërkim të një heroi".

Ai me trishtim sheh jetën e mërgimtarit, rrugën e tij të mundimshme dhe të lodhshme natën, nëpër muzgun e errët, shoqëruar nga kënga-vaj i qyqës dhe shiu pa fund nëpër terrin pa anë, që shoqëron rrugën drejt vendit fqinj, ku kërkohet një e ardhme më e mirë. Por shpesh kjo shoqërohej edhe me veprime të padëshirueshme, ku mbërthyer prej vuajtjeve të tejskajshme, kryeheshin veprime të paduhura, siç ndodh në tregimin që i ka dhënë edhe titullin librit: "Mëkati përtej detit".

Gjon Marku nuk mund të mos ketë të spikatur në tregimet e tij traditën, për të cilën duket se ka njohje dhe nostalgji; këtë ai e kërkon dhe e trajton edhe në tregimet "Arra në mes të arës" dhe "Mulliri i vjetër".

Fatmirësisht, në gazetën "Lissalba" kam trajtuar me emocion dhe detaje jetën e krijuesit dhe studiuesit Gjon Marku, por tani mund të them se kam lexuar gjithë krijimtarinë e tij; e kam të vështirë të veçoj më të mirën. Njëlloj janë, dhe nëse kërkon të kalosh një ditë të këndshme, sërish merre dhe lexoje.

Kështu pra, kemi në dorë një libër artistik me vlerë, që të ngazëllen me tregime të arrira dhe brilante, që na lënë vetëm një port të trokasim dhe të urojmë që penda të rrjedhë si mjaltë.

Gjon Marku tashmë është i përmasave të një shkrimtari të pjekur, në kulmin e krijimtarisë, dhe do të na sajdisë me botime të tjera po kaq të arrira dhe brilante.

Në mbyllje, dua të bashkëngjis dy përgëzime: Ndue Dedës për punën e pastër në redaktimin e librit, dhe Ndue Markut, që me penelin e tij ka nusëruar kopertinën e librit.

E ndjej se pena s'do të reshtë, o koleg e vëlla.

Urime!

Lezhë 23 prill 2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx