| E shtune, 21.03.2026, 06:50 PM |
Mëkati përtej detit – një libër që të ngazëllen
Nga
PRENG BALOJ
I nderuari Gjon Marku!
Të nderuar studiues,
shkrimtarë dhe poetë, që merrni pjesë sot në "Ditën Ndërkombëtare të
Librit", në promovimin e librit "Mëkati përtej detit" të
studiuesit dhe shkrimtarit të spikatur Gjon Marku. Do të përpiqem të përqendroj
mendimin tim për këtë libër, që e kam lexuar me një frymë dhe e kam ndjerë në
çdo rresht e frazë. Mora penën të shkruaja për këtë libër me tregime, sepse jam
ngazëllyer.
Autori kujdesshëm limon çdo
rresht e frazë, ku gërsheton mjaft mirë dashurinë me dhimbjen, hënën me
diellin, qyqen dhe këngën–vajin e saj me buzëmbrëmjen. Këngëvajin e qokut në
udhëtimin e mërgimtarit, me natyrën si peizazh, në mendimin dhe mesazhin
filozofik që mbartin, jo vetëm ndjenjën e fortë dhe emocionin artistik, por që
u përcillet këndshëm lexuesit të sotëm dhe brezave të ardhshëm me një gjuhë të
mirëlatuar dhe të zgjedhur.
Në këtë udhëtim të matur e
të konsoliduar mirë të krijimtarisë së tij, ai tashmë ecën i sigurt pas botimit
të katër librave të spikatur me tregime, konkretisht: "Njeriu
që vinte dhe ikte natën" (1999), "Varri
nën dardhë" (2004), "Një natë mbret në një vend tjetër" (2011),
dhe së fundi me librin e tij që po promovojmë sot, "Mëkati përtej detit" (2015).
Por Gjon Marku ka të botuar
edhe libra të tjerë në fushën e publicistikës, konkretisht: "Mirdita
- Intervista I" (2000), "Mirdita – Intervista II" (2002), "Mirdita
– Intervista III" (2004), "Antologji e mendimit të sotëm për
Mirditën" (2009), apo studime: "Ndërfana" –
monografi historike (2001), "Mirdita në vizionin filatelik", "Mirdita,
vend i kuvendeve vetëqeverisëse" (2013), studime që të
befasojnë me nivelin kulturor dhe të botuara në një hark kohor të ngjeshur.
Monografitë: "Mësuesi
në kujtesë – Preng Pjetër Filopati", "Mark
Legisi - një jetë midis nxënësve" janë dëshmi dokumentare
të rëndësishme për arsimin në Mirditë.
E gjitha kjo prodhimtari
kaq cilësore më bën të përulem me respekt e mirënjohje përpara penës strall të
tij.
Falë muzës së tij, e cila
edhe nga gjumi ka marrë kohë për të gdhendur dhe latuar fjalën, fjalinë dhe
frazën, për t'i shndërruar në lapidarë pavdekësie...
Flet muza e autorit të
spikatur Gjon Marku qartë dhe bukur në librin apo librat e tij me tregime, dhe
gjen mjeshtërisht mënyrën të mos heshtë ndaj dhembjes, siç ndodh me tregimin "Babai
i Ildës", ku ëndrra e dashurisë pritet mes dhimbjes, dhe ku
ngushëllimi vjen aq natyrshëm, por ku ringjallen edhe kujtimet e së shkuarës;
gjendet miqësia e vërtetë apo tradhëtitë e pabesitë, siç ndodh me tregimin "Klithma
e shqiponjës", që sa bën që trishtimi të vrasë pabesisht, por
që vrasësi ndëshkohet në një zgjidhje të menduar mirë dhe të dhënë mjaft bukur
artistikisht.
Nuk mund ta fsheh
kënaqësinë time dhe të them se Gjon Marku përdor mrekullisht ironinë e hollë,
gjen gjuhën e përshtatshme dhe trajton fenomenet e kohës së shkuar, ku
mentaliteti, padija apo militantizmi bartnin vese që çonin drejt fenomeneve
krejt të papranueshme, sa rrezikohej njeriu dhe perspektiva e tij përpara kokës
së një kedhi – dhe ai, dhe koka e tij, duket se është më e rëndësishme se jeta
e njeriut. Por ironia shfaqet edhe në tregimet "Pianecët
e qytetit tim", "Ora me
qostek", "Nuse
amerikane" apo "Në
kërkim të një heroi".
Ai me trishtim sheh jetën e
mërgimtarit, rrugën e tij të mundimshme dhe të lodhshme natën, nëpër muzgun e
errët, shoqëruar nga kënga-vaj i qyqës dhe shiu pa fund nëpër terrin pa anë, që
shoqëron rrugën drejt vendit fqinj, ku kërkohet një e ardhme më e mirë. Por
shpesh kjo shoqërohej edhe me veprime të padëshirueshme, ku mbërthyer prej
vuajtjeve të tejskajshme, kryeheshin veprime të paduhura, siç ndodh në tregimin
që i ka dhënë edhe titullin librit: "Mëkati
përtej detit".
Gjon Marku nuk mund të mos
ketë të spikatur në tregimet e tij traditën, për të cilën duket se ka njohje
dhe nostalgji; këtë ai e kërkon dhe e trajton edhe në tregimet "Arra në mes të arës" dhe "Mulliri i vjetër".
Fatmirësisht, në gazetën "Lissalba" kam trajtuar me
emocion dhe detaje jetën e krijuesit dhe studiuesit Gjon Marku, por tani mund
të them se kam lexuar gjithë krijimtarinë e tij; e kam të vështirë të veçoj më
të mirën. Njëlloj janë, dhe nëse kërkon të kalosh një ditë të këndshme, sërish
merre dhe lexoje.
Kështu pra, kemi në dorë
një libër artistik me vlerë, që të ngazëllen me tregime të arrira dhe brilante,
që na lënë vetëm një port të trokasim dhe të urojmë që penda të rrjedhë si
mjaltë.
Gjon Marku tashmë është i
përmasave të një shkrimtari të pjekur, në kulmin e krijimtarisë, dhe do të na
sajdisë me botime të tjera po kaq të arrira dhe brilante.
Në mbyllje, dua të
bashkëngjis dy përgëzime: Ndue Dedës për punën e pastër në redaktimin e librit,
dhe Ndue Markut, që me penelin e tij ka nusëruar kopertinën e librit.
E ndjej se pena s'do të
reshtë, o koleg e vëlla.
Urime!
Lezhë 23
prill 2023