Editorial
Gjon Keka: Kuvendi i Besëlidhjes arbërore është i lidhur në histori me emrin e Gjergj Kastriotit
E hene, 02.03.2026, 06:59 PM

Kuvendi i Besëlidhjes arbërore është i lidhur në histori me emrin e Gjergj Kastriotit
Nga
Gjon Keka
''Shumica
e kombeve të lashta jetonin nën qeveri që e mbanin virtytin si parimin e tyre
udhëheqës, dhe kur ky virtyt vepronte fuqishëm midis tyre, kryheshin vepra që
janë të padëgjuara sot dhe i mbushin mendjet tona të thjeshta me habi",
thoshte Monteskjë (Montesquieu).
Këtë
parim në fakt e kishte edhe Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) i cili thoshte në një
nga letërkëmbimet e tij në vitin 1460 se:„dua të them edhe një gjë... çfarëdo
që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit dhe jo i fatit."
Ky
virtyt për të cilin flet Monteskjë, dhe që konsiston në dashurinë për vendin
dhe ligjet, zakonet apo traditat ,në një lidhje të gjallë me të mirën e
përbashkët, është një triumf i edukimit mbi natyrën. Kështu, shteti i lashtë u
themelua mbi edukimin, ose më saktë mbi një edukim të dyfishtë: atë që shteti u
ofron qytetarëve të tij përmes mësimdhënies dhe atë që qytetarët i ofrojnë
vetes duke i shërbyer shtetit. Diçka e ngjashme mund të gjendej më parë në
Arbëri veçanërisht në epokën e Gjergj Kastriotit. Iliro-Arbëria e lashtë, por
edhe ajo e kohës mesjetare të Gjergj Kastriotit kaloi nëpër shkollim-edukim dhe
shërbim ushtarak, dhe në këtë disiplinë të dyfishtë u mësua ta njohë dhe t'i
shërbejë Atdheut të vetë. Nga kjo rrjedh se në këtë komb shumë princa, e
mbretër respektivisht shumë feudal mbizotëroi diçka nga fryma republikane e
antikitetit: një përkushtim i vetëdijshëm ndaj të mirës së përbashkët, një
përzierje e caktuar e habitshme e subjektit dhe qytetarit. Nëse sot Gjergj
Kastrioti do të rilindte, ai me siguri nuk do ta njihte Dardaninë e Arbërinë e
tij; sepse ajo sot mban vetëm një pjesë të gjurmës së tij, ngase ai do ta
gjente popullin tonë shumë të ndryshuar.
Më
2 mars, zemrat e popullit arbëror mblidhen me emocione të thella rreth
monumentit, më mirë të themi rreth fronit të tij edhe pse ai nuk është fiziksht
në tokën arbërore-dardane e europiane, ai më frymën e tij dhe veprat e tij
është në mesin tonë në çdo zemër të vërtetë arbërore.
Populli
arbëror kudo që është do ta festojë këtë ditë me festime të gëzueshme ,sepse
kjo ditë ka një domethënie të madhe kombëtare, është një datë e shënuar dhe e
shenjtë e kalendarit tonë kombëtar – Bashkimin e arbërorëve në Kuvendin e tyre
të Besëlidhjes, pra do të thotë se aty u vu baza e parë - themeli i parë i
parlamentarizmit arbëror.
Njëkohësisht
kjo ditë nuk është vetëm ditë feste kombëtare, por edhe një ditë e datë
reflektimi, zhytje e shpirtit, mendjes, zemrës tonë, vetes tonë në këtë epokë
dhe nxjerrjes nga ajo dritën që na nevojitet tepër shumë sot për t'u iluminuar,
për të kuptuar thelbin e identitetit tonë, shpirtit tonë të vërtetë, zemrës e
mendjes sonë, gjakut tonë ilir-arbëror të cilin e mbajti edhe kryeheroi ynë dhe
shokët e tij bashkë që luftuan krah tij e vepruan për lirinë, pavarësinë dhe
bashkimin e Arbërisë.
Le
ta zhysim secili prej nesh shpirtin tonë, syrin e mendjes e zemrës në këtë jetë
qeverisëse e mbretërore nga kryeheroi ynë i pavdekshëm arbëror, i cili edhe në
shtrat e i sëmur, ende mbante shpatën e tij arbrore afër tij, dhe ishte ende
plotë mend e vullnet për të mos e lënë popullin e tij të binte në robëri dhe në
gojë të pushtuesit. Sa e madhe dhe e pasur ishte ajo jetë mbretërore arbërore e
këtij gjenerali, strategu, kryeheroi dhe burrështeti arbëror europian.
Kuvendi
i Lezhës në esencën e tij ishte jo vetëm një kuvend i bashkimit politik
ndërarbëror, por edhe një institucion mbrojtës me efektivitet të pamohueshëm.
Arbëria
dhe Europa në atë kohë kishte dy mbrojtës të fuqishëm që vepronin gjithmonë në
unison kur vinte puna për të mbrojtur atdheun kundër pushtuesit otoman dhe
secilit armik; Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) dhe populli i cili ishte i gatshëm
të sakrifikonte gjithçka për lirinë e tij, identitetin e tij, besimin e tij
etj, dhe të ishte një ushtar i denjë e besnik i ushtrisë arbërore në krye me
Gjergjin e Madh.
Kjo
ishte qartësisht e dukshme nga viti 1443 deri në vitin 1468.
Armiqtë
në atë kohë jo vetëm që donin ta bënin Arbërinë e Gjergj Kastriotit të
pafuqishme, të ndarë, të përçarë , në kurthe ndërvllazërore vllavërasëse e
xhelozi ,por edhe ta zkdunin nga harta e botës duke mos i lënë asnjë shenjë
trashëgimie për ta kujtuar dhe trashëguar atë. Duke parë intrigat e armiqëve
dhe tradhëtarët e brendshëm që iu bënë krah sulltanit, Gjergj Kastrioti e pa si
qëllim dhe prioritet të parë bashkimin e arbërorëve të tij në një Kuvend që do
të mbetej gurthemel i përjetshëm i idealit të të gjithë arbërorëve kudo që janë
ata.
Arbëria
pas konstituimit të Kuvendit të Lezhës gëzonte siguri në tokën e vet; por
fortesat e interesit vetjak iu mohuan dhe në fund ajo arriti të shpërfillte
fatin e saj të mirë. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit vendi nuk arriti të ruajë
këtë pozicion të saj ,sepse koka gjeniale që e kishte mbajtë Arbërinë dhe
Europën të mbrojtura nga rreziqet tanimë nuk ishte fizikisht, edhe pse emri dhe
fryma e tij ende ishte në disa nga ushtarët e tij besnik ,vendi ra në duart të
sulltanit dhe perandorisë së tij për shkak të mungesës së pari të Gjergj
Kastriotit dhe së dyti për shkak të mosdaljes në ndihmë të disa princave e
mbretërve ,por edhe të vetë papës me disa ndihma simbolike të cilat nuk kishin
asnjë vlerë, sepse Arbëria tanimë ishte në rrezikun më të madh dhe vendi kishte
pësuar humbje të vazhdueshme duke e mbrojtur jo vetëm atdheun e tyre arbëror
por edhe civilizimin e përbashkët europian.
Unë
e mbajë bindjen time edhe sot dhe e shprehi haptas se populli apo kombi ynë në
përgjithësi mund të arrijë unitet më të madh vetëm duke mbetur plotësisht i
lidhur me Gjergj Kastriotin dhe përmes Gjergj Kastriotit,sepse ai na ka lënë
testament që nëse qëndrojmë të bashkuar fortë askush nuk mund të na gjunjëzoj.
Prandaj ashtu si nervat kryesore në trupin e njeriut bashkohen në degët e tyre
për të formuar një kompleks nervor, ose ashtu sikur arteriet,venat dhe
kapilarët bashkohen apo lidhen me zemër si qendra e saj dhe vetëm sëbashku enët
e gjakut e bëjnë të mundur funksionimin e saj kështu edhe në Arbëri nëse
rrënjët ilire-dardane- epirote janë të lidhura në degët e tyre. Gjergj
Kastrioti(Skënderbeu) e kishte kuptuar tashmë këtë shumë më thellë se sa ne
mund ta mendojmë sot këtë bashkim, pra këtë lidhje të natyrshme e të bekuar të
kombit tonë.
Ajo
që Arbëia kishte arritur në forcën dhe unitetin ndërarbëror do të jetë e lidhur
në histori me emrin e Gjergj Kastriotit(Skënderbeut). Shteti i Arbërit në
udhëheqjen e Skënderbeut ishte dhe do të mbetet një shkëmb i fortë dhe qendër e
popullit dhe kombit tonë arbëror, një themel i pathyeshëm i unitetit arbëror,
një mburojë e jetës, identitetit arbëror europian. Mbretëria apo shteti i
Gjergj Kastriotit ishte pothujase bashkimi i parë historik e politik
iliro-arbëror.
Kur
i Madhi, mbreti legjendar iliro-arbëror Gjergj Kastrioti, një nga ato figura të
hallkës së të mëdhenjëve në historinë iliro-arbërore vdiq, edhe mbretëria apo
shteti i tij u shpërbë. Nga elementët e Shtetit të tij të Arbërit u zhvillua
sistemi shtetëror, kombëtar e politik i Shqipërisë e Kosovës deri më sot.
P.sh.,flamuri i tij, emri i tij, figura e tij, udhëheqja e tij u bënë jo vetëm
themele, por edhe simbole të pavdekshme të kombit tonë dhe të ardhmes së tij.
Në fakt kulmi i zhvillimit tonë iliro-arbëror është shteti i Arbërit, i pari i
së cilës është figura heroike e Gjergj Kastriotit, froni të të cilit iu dha nga
Providenca të mblidhte e t'i bashkonte në kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444
iliro-arbërorët e tij. Farat e mira të asaj epokë të artë do të duhej të jepnin
fryte në vijimësi deri në ditët tona ,por ato fryte më së tepërmi u shumëzuan
nga arbëreshët, sepse ata ishin dhe mbetën deri më sot pastërtisht vijimësia e
asaj lidhje të pandshme të frymës dhe gjakut të Gjergj Kastriotit dhe
arbërorëve të tij, të cilët e ruajtën traditën,gjuhën dhe zjarrin e
atdhedashurisë ,lirisë e identitetit kombëtar europian e të pashuar të asa
kohe.
Gjergj
Kastrioti dhe shokët e tij që udhëhoqën në atë epokë janë një fenomen vërtet
unik në historinë tonë iliro-arbërore ,sepse ata burra e gra ishin
jashtëzakonisht të mëdhenj si burra shteti, komandantë, ushtar e diplomat.
Arbëria dhe Gjergj Kastrioti në atë kohë u shfaq për herë të parë si një faktor
i rëndësishëm në politik, diplomaci dhe artin ushtarak europian. Në fakt
Arbëria u bë një fuqi e madhe europiane, zhvillimi i gjallë i forcës dhe
trimërisë e guximit që tregoi Gjergj Kastrioti me arbërorët e tij së cilët së
shpejti do t'i linin në hije të gjitha fuqitë e tjera të mëdha europiane.
Duke
e soditur këtë jetë të shenjtëruar patriotike e humane të kryeheroit tonë
iliro-arbëror Gjergj Kastriotit do të mbushemi deri në palcë me ndjenjën se
hyjnorja e ka mbrojtur dhe bekuar në mënyrë të dukshme dhe besnike këtë jetë,
këtë njeri, këtë udhëhqës vizionar, trim e të urtë të atdheut tonë? Sepse jeta
e tij ishte që nga lindja e më pas rikthmi i tij në atdhe, një jetë e bekuar,
por edhe me shumë rreziqe, pasguri dhe kurthe nga armiqtë e brendshëm e të
jashtëm.
Lavdia
heroike, dashuria amëtare, uniteti dhe madhështia kombëtare iliro-arbërore -
këto kanë qenë gjithmonë akordet më të larta dhe më të shenjta gjatë jetës dhe
veprës së tij, ndërsa më pas edhe të historisë sonë kombëtare, si dhe të
poezisë me të cilën është përshkruar figura e Gjergj Kastriotit dhe epoka e tij
e artë.
Megjithatë,
pas epokës së madhështisë, përpjekjes dhe sakrificave maksimale erdhi një
periudhë rënieje dhe rraskapitjeje. Kjo sidmos pas vdekjes së kryeheroit tonë
Gjergj Kastriotit. Në realitet duket sikur shteti i Gjergj Kastriotit nuk mund
të shpëtohej nga rrënimi me të cilin e kërcënonte në vazhdimësi sulltani i cili
me gjithë artilerin kishte në plan që ta shkatërronte jo vetëm Gjergj
Kastriotin(Skënderbeun) ,por edhe Arbërinë e cila e kishte mbajtur atë dhe
ideologjinë e tij politiko-fetare që të depërtonte në zemër të Europës dhe
civilizimit të saj. Duhet ditur se arbërorët në kohën e Gjergj Kastriotit ishin
martirët e civilizimit europian.
Pothuajse
pa u vënë re, ky shtet i shkëlqyer i Arbërit, kjo mbretëri shembullore, dikur
kaq e lavdishme e kombit tonë iliro-arbëror, u zhduk më pas ,sepse pushtuesi
otoman e kishte pushtuar pothujase tërë vendin Dardaninë, Arbërinë, tërë trojet
iliro-arbërore, dhe ajo Perandori pushtuese sundoi mbi pesqind vjet në trojet e
Gjergj Kastriotit. Askush nuk e vuri re se zhdukja e shtetit të Arbërit, e
emrit Arbëri, e gjuhës dhe identitetit ilir-arbëror kishte krijuar një boshllëk
në sistemin identitar, civilizues, kombëtar e etnopsikologjik, mbretëror e
shtetëror europian.
Ky
boshllëku u bë edhe më i madh pasi nën sundimin e gjatë otoman vendi u nda në
Vilajete e më pas ato iu ndanë dhe iu dhuruan si peshqesh të tjerëve. Ndërsa
pas pushtimit në trojet arbërore të Gjergj Kastriotit gjuha arbërore ishte e
njëjtë por e ndaluar, ndëkaq ideologjia fetare që kishte mbjellë pushtuesi
otoman ishte e ndryshme nga ajo që kishin patur arbërorët dhe shumica e vendeve
europiane të asaj kohe, kjo i ndau edhe vetë shqiptarët në disa ideologji të
ndryshme fetare të cilat sigurisht se lanë pasoja në shumë breza dhe në vetë
ringjalljen e frymës atdhetare të Gjergj Kastriotit, të bashkimit apo unitetit
kombëtar dhe të shtetit të vërtetë arbëror europian. Që atëherë vendi i cili
ishte nën sundim të gjatë otoman kishte qëndruar në kundërshtim me vetë
themelet që i kishte hedh Gjergj Kastriotit dhe arbërorët e tij. Vetëm skeleti
i kishte mbetur trojeve të Gjergj Kastriotit, pra nga jashtë dukej vendi por
emri Arbëri dhe bashkë me të edhe emri i Gjergj Kastrioti ishte zhdukur për
pesqind vjet, më saktësisht nga brenda, e gjithë shkëlqimi dhe lavdia e saj
ishin zhdukur prej kohësh.
Nuk
kishte më nder për kombin arbëror. Për një moment, dikush mund të mendonte se
fuqia elementare e popullit arbëror, e lodhur nga sundimi i gjatë otoman,
makinacionet dhe ideologjia politike e fetar e saj do ta shkatërronte
përgjithmonë atë në një stuhi. Por, jo, jo, edhe pse e sunduar gjatë nga
pushtues të ndryshm, edhe përkundër pasigurive të shumta dhe lëkundjeve
politike, diplomatike etj, një pikë e fortë mbeti e palëkundur, e kjo pikë që
do t'i rimblidhte bijtë e bija e Gjergj Kastrioti ishte flamuri me shqiponjën
dykrenare, figura frymëzuese e vetë kryeheroit tonë, pastaj emri liri e
pavarësi që dilte nga zemrat e etura të bijëve e bijave të tij. Kështu që
veprat dhe luftërat çlirimtare i treguan botës se forca heroike
arbërore-dardane dhe heroizmi Kastriotian(Skënderbegian) nuk ishin shuar
asnjëherë, deri në ditët tona. Besnikërinë që Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) e
tregoi ndaj atdheut të tij iliro-arbëror me rikthimin e tij dhe udhëheqjen e
shkëlqyer të shtetit të Arbërit, ne do ta mbajmë dhe duhet ta mbajmë në çdo
frymëmarrje, në zemër, në mendje, në çdo pikë gjaku që kemi si komb e shtete.
Ndërsa tradhtar është ai që thyen besnikërinë ndaj kryeheroit Gjergj Kastrioti,
ai që thyen besnikërinë ndaj veprës së tij, ndaj identitetit, flamurit dhe
themeleve e rrugës së tij ,ndaj gjakut të tij që rrjedh në venat e secilit
arbëror të vërtetë, ndaj gjuhës iliro-arbërore etj. Nga e gjithë kjo mund të
nënvizojë edhe këtë në fund të këtij shkrimi se askush nuk mund t'ia prejë
rrënjët mijëvjeçare Dardanisë e Arbërisë së Gjergj Kastriotit.









