E marte, 17.02.2026, 11:30 PM (GMT)

Editorial

Gjon Keka: Dita e pavarësisë së Dardanisë (Kosovës), datë e shënuar në kalendarin tonë të historisë

E marte, 17.02.2026, 07:59 PM


Dita e pavarësisë së Dardanisë (Kosovës), datë e shënuar në kalendarin tonë të historisë

Nga Gjon Keka

Në kalendarin e festave tona kombëtare, por edhe shtetërore të historisë moderne, tanimë ka hyrë edhe festa e ditës së Pavarësisë së Kosovës, e cila u vulos më 17 shkurt 2008 pas shumë sakrificave të brezave të shumtë dardano-arbërorë për liri dhe pavarësi të atdheut të tyre.

Kjo datë e shënuar është në fakt një rivulosje e vullnetit të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, sepse ka kohë që Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj dhe vetëm priste njohjen e saj nga bota demokratike dhe e civilizuar.

Populli i shumëvuajtur dardan ka arsye të shumta për ta festuar këtë ditë të shënuar të kalendarit të saj historik, sepse është ditë në të cilën shumë breza donin ta shihnin me sytë e tyre të përmalluar të lirisë këtë gëzim që vetëm një popull që kalon nga robëria në liri mund ta kuptojë, këtë ditë njohjeje nga bota demokratike të shtetit të Kosovës pas deklaratës së saj për pavarësi dhe të ardhmes së saj të palëkundur europiane.

Sot, kur po shënojmë 18-vjetorin e kësaj dite të shënuar e të paharruar të kalendarit tonë kombëtar, shtetëror e historik, na kujtohen bijtë e bijat e popullit dardan (Kosovës) që dhanë djersë e gjak për lirinë dhe pavarësinë; na kujtohet sakrifica e presidentit të pavdekshëm të Dardanisë (Kosovës), ideatorit të rrugës së Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, ai që me tërë qenien e tij donte ta vendoste popullin e Kosovës në tokën e premtuar të lirisë, të pavarësisë dhe të ardhmes së saj europiane. Në fakt, aty ku edhe e ka vendin Dardania jonë, Dardania e Konstantinit të Madh, Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit, Hasan Prishtinës, Adem Demaçit, Ukshin Hotit, Ibrahim Rugovës etj.

Po ashtu, në këtë ditë ne duhet të mos harrojmë se ishin ShBA-ja, NATO-ja dhe vendet mike të kontinentit europian që i dolën në ndihmë, në kohën më të vështirë, popullit të Kosovës, i cili donte t'i këpuste zinxhirët e robërisë dhe të jetonte i lirë dhe i pavarur.

Të gjithë këta dhe shumë patriotë të Arbërisë së Gjergj Kastriotit e kanë kryer detyrën e tyre të vështirë këtu poshtë në tokën arbërore-dardane, duke dhënë gjithçka nga vetja e tyre. Ata e kanë udhëhequr luftën, qoftë me shpatë e me laps, drejt qëllimit të tyre, pra lirisë dhe pavarësisë së Dardanisë (Kosovës). Së pari, disa si në luftë ashtu edhe në paqe, e mbi të gjitha në zemrën e popullit, ata kanë qenë llambat që i bënë dritë dhe orientuan popullin drejt kësaj dite të shënuar të pavarësisë.

Këta patriotë e burrështetas, gjeneralë e ushtarë, bij e bija dardanë u bënë flaka e shenjtë, thesari i kombit tonë; prandaj me të drejtë mund të them: o ju etër, o ju vëllezër, patriotë të gjakut të Gjergj Kastriotit, bij e bija, heronj e burrështetas të Arbërisë, zgjohuni e festoni me ne këtë ditë të ëndërruar të pavarësisë, gëzohuni së bashku ju shpirtra fisnikë të Dardanisë.

Sot, në këtë ditë të shënuar të kalendarit tonë, ne si popull, shoqëri e arbëror-dardan duhet edhe të reflektojmë dhe jo vetëm të festojmë: a jemi duke e përmbushur testamentin e atyre burrave e grave të Dardanisë, a jemi në rrugën e trasuar nga ta dhe a po i ruajmë themelet dhe, mbi të gjitha, lirinë, pavarësinë dhe identitetin tonë kombëtar dardan-arbëror europian?

Nga zemra, gëzuar dita e Pavarësisë, Dardania ime, e bukura e kontinentit europian. Qëndro në rrugën e Gjergj Kastriotit dhe mos devijo, sepse rruga e Gjergj Kastriotit është rruga e vetme e bekuar e kombit tonë drejt të ardhmes dhe bashkimit me familjen e kombeve europiane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lekë Mrijaj: Republika e Kosovës, nga sot, del nga adoleshenca dhe hyn në epokën e pjekurisë shtetërore Asllan Dibrani – Luani: Tapeti i Kuq për Vuçiqin në Ankara – Fabrika për Beogradin, Minare për Kosovën Blerim Latifi: Budallës as në teposhtë mos i zbrit nga shpina! Xhelal Zejneli: Albanologët e huaj dhe Norbert Jokli Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Blerim Latifi: Kur drejtësia harron logjikën - UÇK-ja dhe padrejtësia e Hagës Xhelal Zejneli: Kryekriminelët serbomëdhenj të përgjigjen për masakrën e Reçakut Blerim Latifi: Po vihet në bankën e të akuzuarve vetë lufta çlirimtare e UÇK-së! Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Ilir Çumani: Gjykata Kushtetuese midis vendimit dhe nënshtrimit Ndue Ukaj: Dashuria për individin dhe pazotësia për ta njohur fajin Blerim Latifi: Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Blerim Latifi: Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit Xhelal Zejneli: Holokausti Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Blerim Latifi: Anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, një akt i domosdoshëm Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx