Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dashuria për individin dhe pazotësia për ta njohur fajin
E diele, 08.02.2026, 06:56 PM
Dashuria për individin dhe pazotësia për ta njohur fajin
Nga
Ndue Ukaj
Shqiptarët
ishin nën sundimin e errët otoman, kur Faik Konica thoshte se duhet “të
përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për
individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë - jo për t’i bërë qejfin
këtij apo atij shqiptari”.
Ka
kaluar më shumë se një shekull dhe shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga kjo
sëmundje.
Prandaj,
nuk ka përfunduar ky mision për të cilin fliste Konica e për të cilin janë
angazhuar shumë mendje të kthjellëta në historinë tonë kombëtare.
Këtë
të vërtetë, më së miri e shpjegon realiteti ynë i gjithmbarshëm, i cili është i
stërmbushur me shqiptarë të llojit për të cilët fliste Konica.
Prandaj,
sot, mes nesh, sheh aq shumë shqiptarë që me afsh i përgjërohen një individi,
si të jetë ai i shenjtë, pra sheh aq shumë njerëz që e ngatërrojnë dashurinë
për vendin me dashurinë për individin.
Këtë
sëmundje, të cilën e ka e diagnostikuar Konica, sot e vëren kudo mes nesh: në
mënyrën sesi flasin njerëzit këtu për probleme politike dhe jo vetëm, në
mënyrën sesi reagojnë përballë të vërtetës, përmes një shfaqje infantil, dhe më
tragjikja, në mënyrën sesi besojnë se problemet e tyre zgjidhën, përmes një
njeriu me tipare të shpëtimtarit.
Në
këtë vorbull çmendurie ku është futë vendi ynë, ajo që më shqetëson më së
shumti është fakti se ka plot mendjerobër, që besojnë vërtet se Kosova ka
nevojë për shpëtimtar politik. Dhe sa herë mendoj për këtë fenomen tmerrues, më
kujtohet shkrimtari Gabriel Garcia Marquez dhe novela e tij monumentale,
"Kolonelit s'ka kush t'i shkruajë"
-
S'ka ndonjë shpresë për zgjedhje, - tha koloneli.
-
Mos u bëni kaq naiv, kolonel, - tha mjeku. -
S'jemi
më kalamaj që të presim Mesian.
Me
gjasë, këtu njerëzia vazhdojnë të kenë sjellje prej kalamajsh.
Përballë
këtij realiteti, shqiptarët sot vazhdojnë të ikonizojnë veprimet e tyre të
liga, ata nuk e njohin fajin, një ves të madh, për të cilin, po ashtu,
shkruante Mid’hat Frashëri, në një artikull të vitit 1908, me titull “Të njohim
pak fajin”. Ky atdhetar thoshte se “altruizmi është ajo lëndë, mund të themi,
që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.
Altruizmi!
Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi,
kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin,
fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në
vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!”
Ky
qortim i Frashërit, vlen sot, po aq sa ka pasë vleftë kur është shkruar, në një
kohë kur shqiptarët donin të dilnin prej errësirës në dritën e lirisë, vlen
sot, në Prishtinën e zymtë e të egër politike, ku altruizmi është i panjohur po
aq sa para një shekulli, vlen sot, po aq sa para një shekulli, në mjedisin tonë
egërshan, ku preokupimi për vlera të larta e cilësi, po rrallohet përditë e më
shumë.









