Editorial
Lekë Mrijaj: Republika e Kosovës, nga sot, del nga adoleshenca dhe hyn në epokën e pjekurisë shtetërore
E marte, 17.02.2026, 07:58 PM
Republika e Kosovës, nga sot, del nga adoleshenca dhe hyn në epokën e pjekurisë shtetërore
(Në
vend të urimit për ditëlindjen e 18-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Historia
e Kosovës dardane nuk është thjeshtë një varg datash dhe ngjarjesh të renditura
nëpër libra historik dhe libra të tjera kronikash. Ajo është një rrëfim i gjatë
qëndrese, apo më konkret një udhëtim i vështirë nëpër shekuj, ku sakrifica dhe
shpresa kanë ecur gjithmonë krah për krah njëra tjetrës. Pikërisht është
historia e një toke që ka përjetuar pushtime, përplasje civilizimesh,
padrejtësi e dhunë, por që kurrë nuk e humbi thelbin e vet - identitetin
kombëtar, gjuhën shqipe, kujtesën historike dhe aspiratën për liri. Për më
shumë se pesë shekuj, Kosova ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ishte një
periudhë e gjatë dhe e ndërlikuar, që solli ndryshime të thella shoqërore,
ekonomike, fetare dhe kombëtare. Megjithatë, në ndërgjegjen e popullit shqiptar
u ruajt vazhdimësia e identitetit. Në odat e burrave, në këngët e tyre epike,
në lahutë e në çifteli, në besën si institucion moral, mbijetoi fryma e lirisë.
Kosova mësoi të jetojë nën sundim, por kurrë të pajtohet me robërinë
shpirtërore.
Në
tetor të vitit 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike. Ushtria serbosllave hyri
në Kosovë dhe pushtoi qytetet kryesore: Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën
dhe shumë qendra të tjera të saj. Ndërkohë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, nën
udhëheqjen e Ismail Qemalit, është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Por në atë
moment historik për kombin shqiptar, Kosova padrejtësisht nga fuqitë e mëdha
ndodhej nën pushtim ushtarak serb. Ndërsa në Vlorë ngrihej flamuri i lirisë,
Kosova mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Në
vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vulosi këtë ndarje. Kufijtë e
Shqipërisë u përcaktuan pa përfshirë Kosovën, e cila mbeti nën administrimin e
Serbisë. Ky vendim i Fuqive të Mëdha ndikoi thellë në fatin historik të Kosovës
gjatë gjithë shekullit XX, duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë
politike dhe kombëtare.
Pas
vitit 1918, me krijimin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, Kosova hyri në një
periudhë të re represioni. U zbatuan politika e kolonizimit, konfiskimi i
pronave dhe përpjekje të tjera të ndryshime demografike. Identiteti shqiptar u
vu në shënjestër dhe e drejta për vetëvendosje u mohua.
Kosova
në Luftën e Dytë Botërore përjetoi një periudhë dramatike ndryshimesh politike,
ushtarake dhe shoqërore me çrast edhe shpërtheu lufta në shtator të vitit 1939,
ndikimi i saj në Kosovë u ndie drejtpërdrejt pas prillit 1941, kur Mbretëria
Jugosllave e asaj kohe u pushtua nga Fuqitë e Boshtit. Pas kapitullimit të
Jugosllavisë, territoret e saj u copëtuan midis shteteve fqinje dhe aleatëve të
Gjermanisë administruese të asaj kohe.
Kjo periudhë ishte tejet dramatike, pasi rryma të ndryshme politike dhe
ushtarake përplaseshin pikërisht në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme
brenda saj. Konfliktet ideologjike, interesat kombëtare dhe përplasjet ndërmjet
forcave të ndryshme krijuan një realitet të ndërlikuar e të paqëndrueshëm.
Luftën
e ashtuquajtur Nacionalçlirimtare në Kosovë e udhëhoqën partizanët shqipfolës
dhe jugosllavë, të cilët luftuan kundër Gjermanisë dhe aleatëve të tij.
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore, Kosova përjetoi një tjetër periudhë dramatike
ndryshimesh politike e ushtarake. Pas vitit 1945, ajo u përfshi në Federatën
Jugosllave të udhëhequr nga Josip Broz Tito dhe klika e tij komuniste.
Fillimisht
u vendos administrim ushtarak, e më pas Kosova u shpall krahinë autonome brenda
Serbisë. Megjithëse autonomia u zgjerua në vitin 1974, ajo edhe atëherë në një
farë mënyre mbeti e brishtë. Në fund të viteve ’80, autonomia u suprimua me
forcë, duke sjellë përjashtime nga puna, mbyllje shkollash, segregacion dhe
represion institucional.
Lufta
e Kosovës ishte një luftë e armatosur në Kosovë (atëherë pjesë e okupuar nga
Serbia dhe Malit i Zi), ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe
Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbështetur nga Policia e Serbisë (MUP-Serb). Ajo
filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmeve jugosllave në fshatrat Likoshan, Qirez
dhe Prekaz të rajonit të Drenicës dhe në të gjitha rajonet tjera të Kosovës,
dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999.
Lufta
mori fund pas ndërhyrjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut
(NATO-s), ku drejtohej nga SHBA-të, e cila nisi sulmet ajrore kundër Serbisë më
24 mars 1999, duke çuar në tërheqjen e forcave serbo-jugosllave nga Kosova.
Vitet
1998–1999 shënuan kulmin e përballjes historike. Lufta çlirimtare e Kosovës
ishte një nga sakrificat më të mëdha të kohës moderne. Qytete dhe fshatra të
djegura, më mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të dëbuar – kjo
ishte kostoja e lirisë.
Ndërhyrja
ndërkombëtare i dha fund luftës dhe hapi rrugën drejt një kapitulli të ri:
administrimit ndërkombëtar dhe procesit të shtetformimit.
Më
17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, u shpall Pavarësia e Republikës së
Kosovës. Ishte një moment historik – kulmi i një sakrifice të gjatë shekullore.
Kosova u bë shtet sovran dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Mbi njëqind
shtete të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke forcuar pozitën e saj
në arenën ndërkombëtare.
Sot,
në 18-vjetorin e Pavarësisë, nuk mjafton një urim ceremonial. Tetëmbëdhjetë
vite për një shtet janë si tetëmbëdhjetë vite për një njeri, është fundi i
adoleshencës dhe fillimi i pjekurisë. Gjatë këtyre viteve, Republika e Kosovës
është përballur me sfida të shumta – kriza politike, vështirësi ekonomike dhe
procese të ndërlikuara diplomatike. Megjithatë, ajo qëndroi. Qëndroi sepse
ishte ndërtuar mbi sakrificë. Qëndroi sepse kishte një popull që besonte në
shtetin e vet.
Tashme
nga sot edhe fillon një fazë e re apo epoka e pjekurisë shtetërore, ku ajo
pjekuri kërkon institucione të forta, drejtësi të paanshme dhe ekonomi të
qëndrueshme. Kërkon arsim cilësor që nxit dijen dhe inovacionin. Kërkon
administratë të ndershme dhe kulturë demokratike të konsoliduar. Kërkon që
liria politike të shndërrohet në mirëqenie për çdo qytetar të saj.
Prandaj,
në vend të një urimi të zakonshëm, sot e themi me vetëdije të plotë historike
dhe me përgjegjësi qytetare, Republika e Kosovës, si shtet, tashmë e ka kaluar
moshën e adoleshencës. Ajo hyn në epokën e pjekurisë së saj shtetërore. Me
histori në themel, me sakrificë në kujtesë dhe me të ardhmen në horizont,
Kosova ecën dhe do të ecë përpara drejt integrimit të saj euroatlantik.
Lavdi
veprës së të gjithë atyre që dhanë jetën për Republikën e Kosovës.
Rroftë
Republika e Kosovës!
Klinë, më 17 shkurt 2026









