Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Kuvendi i Besëlidhjes arbërore është i lidhur në histori me emrin e Gjergj Kastriotit

| E hene, 02.03.2026, 06:59 PM |


Kuvendi i Besëlidhjes arbërore është i lidhur në histori me emrin e Gjergj Kastriotit

Nga Gjon Keka

''Shumica e kombeve të lashta jetonin nën qeveri që e mbanin virtytin si parimin e tyre udhëheqës, dhe kur ky virtyt vepronte fuqishëm midis tyre, kryheshin vepra që janë të padëgjuara sot dhe i mbushin mendjet tona të thjeshta me habi", thoshte Monteskjë (Montesquieu).

Këtë parim në fakt e kishte edhe Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) i cili thoshte në një nga letërkëmbimet e tij në vitin 1460 se:„dua të them edhe një gjë... çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit dhe jo i fatit."

Ky virtyt për të cilin flet Monteskjë, dhe që konsiston në dashurinë për vendin dhe ligjet, zakonet apo traditat ,në një lidhje të gjallë me të mirën e përbashkët, është një triumf i edukimit mbi natyrën. Kështu, shteti i lashtë u themelua mbi edukimin, ose më saktë mbi një edukim të dyfishtë: atë që shteti u ofron qytetarëve të tij përmes mësimdhënies dhe atë që qytetarët i ofrojnë vetes duke i shërbyer shtetit. Diçka e ngjashme mund të gjendej më parë në Arbëri veçanërisht në epokën e Gjergj Kastriotit. Iliro-Arbëria e lashtë, por edhe ajo e kohës mesjetare të Gjergj Kastriotit kaloi nëpër shkollim-edukim dhe shërbim ushtarak, dhe në këtë disiplinë të dyfishtë u mësua ta njohë dhe t'i shërbejë Atdheut të vetë. Nga kjo rrjedh se në këtë komb shumë princa, e mbretër respektivisht shumë feudal mbizotëroi diçka nga fryma republikane e antikitetit: një përkushtim i vetëdijshëm ndaj të mirës së përbashkët, një përzierje e caktuar e habitshme e subjektit dhe qytetarit. Nëse sot Gjergj Kastrioti do të rilindte, ai me siguri nuk do ta njihte Dardaninë e Arbërinë e tij; sepse ajo sot mban vetëm një pjesë të gjurmës së tij, ngase ai do ta gjente popullin tonë shumë të ndryshuar.

Më 2 mars, zemrat e popullit arbëror mblidhen me emocione të thella rreth monumentit, më mirë të themi rreth fronit të tij edhe pse ai nuk është fiziksht në tokën arbërore-dardane e europiane, ai më frymën e tij dhe veprat e tij është në mesin tonë në çdo zemër të vërtetë arbërore.

Populli arbëror kudo që është do ta festojë këtë ditë me festime të gëzueshme ,sepse kjo ditë ka një domethënie të madhe kombëtare, është një datë e shënuar dhe e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar – Bashkimin e arbërorëve në Kuvendin e tyre të Besëlidhjes, pra do të thotë se aty u vu baza e parë - themeli i parë i parlamentarizmit arbëror.

Njëkohësisht kjo ditë nuk është vetëm ditë feste kombëtare, por edhe një ditë e datë reflektimi, zhytje e shpirtit, mendjes, zemrës tonë, vetes tonë në këtë epokë dhe nxjerrjes nga ajo dritën që na nevojitet tepër shumë sot për t'u iluminuar, për të kuptuar thelbin e identitetit tonë, shpirtit tonë të vërtetë, zemrës e mendjes sonë, gjakut tonë ilir-arbëror të cilin e mbajti edhe kryeheroi ynë dhe shokët e tij bashkë që luftuan krah tij e vepruan për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e Arbërisë.

Le ta zhysim secili prej nesh shpirtin tonë, syrin e mendjes e zemrës në këtë jetë qeverisëse e mbretërore nga kryeheroi ynë i pavdekshëm arbëror, i cili edhe në shtrat e i sëmur, ende mbante shpatën e tij arbrore afër tij, dhe ishte ende plotë mend e vullnet për të mos e lënë popullin e tij të binte në robëri dhe në gojë të pushtuesit. Sa e madhe dhe e pasur ishte ajo jetë mbretërore arbërore e këtij gjenerali, strategu, kryeheroi dhe burrështeti arbëror europian.

Kuvendi i Lezhës në esencën e tij ishte jo vetëm një kuvend i bashkimit politik ndërarbëror, por edhe një institucion mbrojtës me efektivitet të pamohueshëm.

Arbëria dhe Europa në atë kohë kishte dy mbrojtës të fuqishëm që vepronin gjithmonë në unison kur vinte puna për të mbrojtur atdheun kundër pushtuesit otoman dhe secilit armik; Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) dhe populli i cili ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për lirinë e tij, identitetin e tij, besimin e tij etj, dhe të ishte një ushtar i denjë e besnik i ushtrisë arbërore në krye me Gjergjin e Madh.

Kjo ishte qartësisht e dukshme nga viti 1443 deri në vitin 1468.

Armiqtë në atë kohë jo vetëm që donin ta bënin Arbërinë e Gjergj Kastriotit të pafuqishme, të ndarë, të përçarë , në kurthe ndërvllazërore vllavërasëse e xhelozi ,por edhe ta zkdunin nga harta e botës duke mos i lënë asnjë shenjë trashëgimie për ta kujtuar dhe trashëguar atë. Duke parë intrigat e armiqëve dhe tradhëtarët e brendshëm që iu bënë krah sulltanit, Gjergj Kastrioti e pa si qëllim dhe prioritet të parë bashkimin e arbërorëve të tij në një Kuvend që do të mbetej gurthemel i përjetshëm i idealit të të gjithë arbërorëve kudo që janë ata.

Arbëria pas konstituimit të Kuvendit të Lezhës gëzonte siguri në tokën e vet; por fortesat e interesit vetjak iu mohuan dhe në fund ajo arriti të shpërfillte fatin e saj të mirë. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit vendi nuk arriti të ruajë këtë pozicion të saj ,sepse koka gjeniale që e kishte mbajtë Arbërinë dhe Europën të mbrojtura nga rreziqet tanimë nuk ishte fizikisht, edhe pse emri dhe fryma e tij ende ishte në disa nga ushtarët e tij besnik ,vendi ra në duart të sulltanit dhe perandorisë së tij për shkak të mungesës së pari të Gjergj Kastriotit dhe së dyti për shkak të mosdaljes në ndihmë të disa princave e mbretërve ,por edhe të vetë papës me disa ndihma simbolike të cilat nuk kishin asnjë vlerë, sepse Arbëria tanimë ishte në rrezikun më të madh dhe vendi kishte pësuar humbje të vazhdueshme duke e mbrojtur jo vetëm atdheun e tyre arbëror por edhe civilizimin e përbashkët europian.

Unë e mbajë bindjen time edhe sot dhe e shprehi haptas se populli apo kombi ynë në përgjithësi mund të arrijë unitet më të madh vetëm duke mbetur plotësisht i lidhur me Gjergj Kastriotin dhe përmes Gjergj Kastriotit,sepse ai na ka lënë testament që nëse qëndrojmë të bashkuar fortë askush nuk mund të na gjunjëzoj. Prandaj ashtu si nervat kryesore në trupin e njeriut bashkohen në degët e tyre për të formuar një kompleks nervor, ose ashtu sikur arteriet,venat dhe kapilarët bashkohen apo lidhen me zemër si qendra e saj dhe vetëm sëbashku enët e gjakut e bëjnë të mundur funksionimin e saj kështu edhe në Arbëri nëse rrënjët ilire-dardane- epirote janë të lidhura në degët e tyre. Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) e kishte kuptuar tashmë këtë shumë më thellë se sa ne mund ta mendojmë sot këtë bashkim, pra këtë lidhje të natyrshme e të bekuar të kombit tonë.

Ajo që Arbëia kishte arritur në forcën dhe unitetin ndërarbëror do të jetë e lidhur në histori me emrin e Gjergj Kastriotit(Skënderbeut). Shteti i Arbërit në udhëheqjen e Skënderbeut ishte dhe do të mbetet një shkëmb i fortë dhe qendër e popullit dhe kombit tonë arbëror, një themel i pathyeshëm i unitetit arbëror, një mburojë e jetës, identitetit arbëror europian. Mbretëria apo shteti i Gjergj Kastriotit ishte pothujase bashkimi i parë historik e politik iliro-arbëror.

Kur i Madhi, mbreti legjendar iliro-arbëror Gjergj Kastrioti, një nga ato figura të hallkës së të mëdhenjëve në historinë iliro-arbërore vdiq, edhe mbretëria apo shteti i tij u shpërbë. Nga elementët e Shtetit të tij të Arbërit u zhvillua sistemi shtetëror, kombëtar e politik i Shqipërisë e Kosovës deri më sot. P.sh.,flamuri i tij, emri i tij, figura e tij, udhëheqja e tij u bënë jo vetëm themele, por edhe simbole të pavdekshme të kombit tonë dhe të ardhmes së tij. Në fakt kulmi i zhvillimit tonë iliro-arbëror është shteti i Arbërit, i pari i së cilës është figura heroike e Gjergj Kastriotit, froni të të cilit iu dha nga Providenca të mblidhte e t'i bashkonte në kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444 iliro-arbërorët e tij. Farat e mira të asaj epokë të artë do të duhej të jepnin fryte në vijimësi deri në ditët tona ,por ato fryte më së tepërmi u shumëzuan nga arbëreshët, sepse ata ishin dhe mbetën deri më sot pastërtisht vijimësia e asaj lidhje të pandshme të frymës dhe gjakut të Gjergj Kastriotit dhe arbërorëve të tij, të cilët e ruajtën traditën,gjuhën dhe zjarrin e atdhedashurisë ,lirisë e identitetit kombëtar europian e të pashuar të asa kohe.

Gjergj Kastrioti dhe shokët e tij që udhëhoqën në atë epokë janë një fenomen vërtet unik në historinë tonë iliro-arbërore ,sepse ata burra e gra ishin jashtëzakonisht të mëdhenj si burra shteti, komandantë, ushtar e diplomat. Arbëria dhe Gjergj Kastrioti në atë kohë u shfaq për herë të parë si një faktor i rëndësishëm në politik, diplomaci dhe artin ushtarak europian. Në fakt Arbëria u bë një fuqi e madhe europiane, zhvillimi i gjallë i forcës dhe trimërisë e guximit që tregoi Gjergj Kastrioti me arbërorët e tij së cilët së shpejti do t'i linin në hije të gjitha fuqitë e tjera të mëdha europiane.

Duke e soditur këtë jetë të shenjtëruar patriotike e humane të kryeheroit tonë iliro-arbëror Gjergj Kastriotit do të mbushemi deri në palcë me ndjenjën se hyjnorja e ka mbrojtur dhe bekuar në mënyrë të dukshme dhe besnike këtë jetë, këtë njeri, këtë udhëhqës vizionar, trim e të urtë të atdheut tonë? Sepse jeta e tij ishte që nga lindja e më pas rikthmi i tij në atdhe, një jetë e bekuar, por edhe me shumë rreziqe, pasguri dhe kurthe nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm.

Lavdia heroike, dashuria amëtare, uniteti dhe madhështia kombëtare iliro-arbërore - këto kanë qenë gjithmonë akordet më të larta dhe më të shenjta gjatë jetës dhe veprës së tij, ndërsa më pas edhe të historisë sonë kombëtare, si dhe të poezisë me të cilën është përshkruar figura e Gjergj Kastriotit dhe epoka e tij e artë.

Megjithatë, pas epokës së madhështisë, përpjekjes dhe sakrificave maksimale erdhi një periudhë rënieje dhe rraskapitjeje. Kjo sidmos pas vdekjes së kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit. Në realitet duket sikur shteti i Gjergj Kastriotit nuk mund të shpëtohej nga rrënimi me të cilin e kërcënonte në vazhdimësi sulltani i cili me gjithë artilerin kishte në plan që ta shkatërronte jo vetëm Gjergj Kastriotin(Skënderbeun) ,por edhe Arbërinë e cila e kishte mbajtur atë dhe ideologjinë e tij politiko-fetare që të depërtonte në zemër të Europës dhe civilizimit të saj. Duhet ditur se arbërorët në kohën e Gjergj Kastriotit ishin martirët e civilizimit europian.

Pothuajse pa u vënë re, ky shtet i shkëlqyer i Arbërit, kjo mbretëri shembullore, dikur kaq e lavdishme e kombit tonë iliro-arbëror, u zhduk më pas ,sepse pushtuesi otoman e kishte pushtuar pothujase tërë vendin Dardaninë, Arbërinë, tërë trojet iliro-arbërore, dhe ajo Perandori pushtuese sundoi mbi pesqind vjet në trojet e Gjergj Kastriotit. Askush nuk e vuri re se zhdukja e shtetit të Arbërit, e emrit Arbëri, e gjuhës dhe identitetit ilir-arbëror kishte krijuar një boshllëk në sistemin identitar, civilizues, kombëtar e etnopsikologjik, mbretëror e shtetëror europian.

Ky boshllëku u bë edhe më i madh pasi nën sundimin e gjatë otoman vendi u nda në Vilajete e më pas ato iu ndanë dhe iu dhuruan si peshqesh të tjerëve. Ndërsa pas pushtimit në trojet arbërore të Gjergj Kastriotit gjuha arbërore ishte e njëjtë por e ndaluar, ndëkaq ideologjia fetare që kishte mbjellë pushtuesi otoman ishte e ndryshme nga ajo që kishin patur arbërorët dhe shumica e vendeve europiane të asaj kohe, kjo i ndau edhe vetë shqiptarët në disa ideologji të ndryshme fetare të cilat sigurisht se lanë pasoja në shumë breza dhe në vetë ringjalljen e frymës atdhetare të Gjergj Kastriotit, të bashkimit apo unitetit kombëtar dhe të shtetit të vërtetë arbëror europian. Që atëherë vendi i cili ishte nën sundim të gjatë otoman kishte qëndruar në kundërshtim me vetë themelet që i kishte hedh Gjergj Kastriotit dhe arbërorët e tij. Vetëm skeleti i kishte mbetur trojeve të Gjergj Kastriotit, pra nga jashtë dukej vendi por emri Arbëri dhe bashkë me të edhe emri i Gjergj Kastrioti ishte zhdukur për pesqind vjet, më saktësisht nga brenda, e gjithë shkëlqimi dhe lavdia e saj ishin zhdukur prej kohësh.

Nuk kishte më nder për kombin arbëror. Për një moment, dikush mund të mendonte se fuqia elementare e popullit arbëror, e lodhur nga sundimi i gjatë otoman, makinacionet dhe ideologjia politike e fetar e saj do ta shkatërronte përgjithmonë atë në një stuhi. Por, jo, jo, edhe pse e sunduar gjatë nga pushtues të ndryshm, edhe përkundër pasigurive të shumta dhe lëkundjeve politike, diplomatike etj, një pikë e fortë mbeti e palëkundur, e kjo pikë që do t'i rimblidhte bijtë e bija e Gjergj Kastrioti ishte flamuri me shqiponjën dykrenare, figura frymëzuese e vetë kryeheroit tonë, pastaj emri liri e pavarësi që dilte nga zemrat e etura të bijëve e bijave të tij. Kështu që veprat dhe luftërat çlirimtare i treguan botës se forca heroike arbërore-dardane dhe heroizmi Kastriotian(Skënderbegian) nuk ishin shuar asnjëherë, deri në ditët tona. Besnikërinë që Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) e tregoi ndaj atdheut të tij iliro-arbëror me rikthimin e tij dhe udhëheqjen e shkëlqyer të shtetit të Arbërit, ne do ta mbajmë dhe duhet ta mbajmë në çdo frymëmarrje, në zemër, në mendje, në çdo pikë gjaku që kemi si komb e shtete. Ndërsa tradhtar është ai që thyen besnikërinë ndaj kryeheroit Gjergj Kastrioti, ai që thyen besnikërinë ndaj veprës së tij, ndaj identitetit, flamurit dhe themeleve e rrugës së tij ,ndaj gjakut të tij që rrjedh në venat e secilit arbëror të vërtetë, ndaj gjuhës iliro-arbërore etj. Nga e gjithë kjo mund të nënvizojë edhe këtë në fund të këtij shkrimi se askush nuk mund t'ia prejë rrënjët mijëvjeçare Dardanisë e Arbërisë së Gjergj Kastriotit.