Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare
E hene, 23.02.2026, 06:58 PM
ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË
I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ
NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE
Nga
Frank Shkreli
(Fjala e lexuar në aktivitetin e veçantë të
organizuar nga Fondi Humanitar, “Trieshi” në Nju Jork, me 22 shkurt, 2026, për
të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e shquar të Dr. Athanas Gegajt në fushë
të ndryshme të krijimtarinë së tij patriotike dhe publicistike). Përfshirë rolin e tij si editor i gazetës
Dielli dhe bashkëpunëtor i ngushtë i revistës Hylli i Dritës; angazhimin e tij
politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura të diasporës anti-komuniste
shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si françeskan.
-------------------------
Falënderimet
e mia Fondit Humanitar “Trieshi” dhe Kryetarit Gjon Gjokaj për ftesën në këtë
tubim përkujtimor kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr. Athanas
Gegajt në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë dhe kulturës shqiptare. U kërkoj
ndjesë për mos mundësinë e pjesëmarrjes me ju në këtë aktivitet me rëndësi për
komunitetin shqiptaro-amerikan, për Malësinë e Madhe dhe për mbarë shqiptarinë.
Për
fat të keq, unë nuk e kam njohur Dr. Athanas Gegajn, por kam dëgjuar shumë
fjalë të mira për të, kryesisht, nga persona të komunitetit shqiptaro-amerikan
që e kanë njohur mirë Dr Gegajn, disa prej të cilëve edhe kanë bashkpunuar me
të. Sipas tyre, ai ishte i lidhur ngusht
me intelektualët dhe me patriotët më të dalluar shqiptarë në SHBA dhe më gjërë.
Në kontekstin e diasporës, figura e tij shpesh përmendet krahas veprimtarëve më
të dalluar të gazetës Dielli dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, e cila që në
kohën e Nolit e të Konicës ka luajtur rol kyç në artikulimin e interesave
kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara
në Washington. Si redaktor i gazetës Dielli, Athanas Gegaj është dalluar me
shkrime dhe studime në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ka nga ata që thonë se
me kalimin në amshim të Fan Nolit më 1965 dhe me largimin e Athanas Gegajt si
Kryeredaktor i Diellit, Vatra dhe Dielli nuk kanë shkëlqyer më si në kohën e
tyre. Publicistika e tij prej vitesh lidhej ngusht me përpjekjet për
ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi të drejtat e shqiptarëve, në përputhje me
misionin prej disa dekadash të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Të
nderuar pjesëmarrës! Në një kohë kur
historia shqiptare shpesh relativizohet, e më shumë shtrembërohet për arsye
politike, ose lihet në heshtje të qëllimshme, ne shqiptarët e lirë në botën e
lirë, jemi të detyruar moralisht dhe kombtarisht të flasim qartë dhe shpesh për
figura që regjimi komunist i kishte shpallur “armiq”, por që historia
dal-nga-dal, për fat të mirë, po i rehabiliton si patriotë të vërtetë. por jo
siç duhet dhe siç meritoinë. Një ndër ta
është edhe Athanas Gegaj.
Në
vazhdën e figurave si Fan Noli dhe Faik Konica, si Kryeredkator i gazetës
Dielli për nja një dekadë, ai e kishte kuptuar se diplomacia publike dhe
ndikimi në opinionin amerikan ishin thelbësore për mbijetesën e Shqipërisë si
shtet i pavarur. Por ajo që e bën figurën e tij të veçantë, është qëndrimi i
tij i prerë kundër regjimit të vendosur nga Enver Hoxha pas vitit 1944 në
Tiranë. Ndërsa Shqipëria u izolua pas prishjes me Yugoslavinë (1948), me
Bashkimin Sovjetik (1961) dhe më pas edhe me Kinën, Gegaj e denoncoi publikisht
shndërrimin e vendit në një shtet totalitar të izoluar edhe nga bota
perëndimore. Ai nuk e pranonte tezën se
komunizmi ishte “mbrojtje e pavarësisë kombëtare”, siç e paraqiste regjimi. Përkundrazi, ai argumentonte se izolimi
ekstrem, shkatërrimi i elitës intelektuale dhe përndjekja e klerit dhe
kundërshtarëve politikë të komunizmit, ishin goditje direkte ndaj identitetit
historik të Kombit shqiptar. Në këtë kontekst, zëri i tij ishte pjesë e një
rezistencë e fortë intelektuale në mërgim, e cila u përpoq të mbante gjallë
narrativën e Shqipërisë perëndimore dhe demokratike.
Bazuar
në disa prej shkrimeve të Dr. Athanas Gegaj, si Kryeredaktor i gazetës Dielli
për pothuaj një dekadë, Gegaj dallohej si njëri ndër më anti-komunistët qqë ka
shërbyer në atë post. Një element
thelbësor i rolit të tij politik dhe gazetaresk ishte kundërshtimi i hapur ndaj
regjimit komunist të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë
dhe dhe në mbarë trojet shqiptare. Si shumë intelektualë të mërgatës, ai e
konsideronte komunizmin si një deformim të aspiratave kombëtare dhe si një
izolim fatkeq të Shqipërisë nga Perëndimi dhe nga bota. Me gojë dhe shkrime, Athanas Gegaj nuk heshti
përballë padrejtësive të komunizmit. Ai mbrojti me bindje idenë se liria
politike dhe dinjiteti kombëtar janë të pa-ndashme. Në një periudhë kur Shqipëria u izolua nga
regjimi komunist, ai zgjodhi të flasë, të shkruaj dhe të veprojë — duke e
konsideruar heshtjen si bashkëfajësi me regjimin e krimeve në Shqipëri.
Është
fakt historik se historiografia zyrtare e periudhës komuniste, por edhe e
tranzicionit 35-vjeçar, “post-komunist”, pas shembjes së Murit të Berlinit,
vazhdon të heshtë për figura si Athanas Gegaj.
Historiografia zyrtare në Tiranë dhe
në Prishtinë, në shumicën e rasteve, vazhdon të minimizojnë kontributet
e figurave të diasporës, si Athanas Gegaj, ndërsa çdo kritikë ndaj regjimit
komunist -- nga figura të dalluara të diasporës anti-komuniste ndaj regjimit të
Enver Hoxhës -- e kanë etiketuar gjithmonë, si “propagandë armiqësore”, ndaj
Shqipërisë. Në disa qarqe të caktuara si
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës, kjo
heshtje e turpshme institucionale vazhdon edhe sot pas “shembjes”, zyrtare të
komunizmit duke lënë në harresë shumë prej atyre që për dekada punuan për
çështjen shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara: nga Washingtoni, New York-u,
Bostoni e Detroiti dhe anë e mbanë Amerikës. Edhe Athanas Gegaj i përkiste atij
brezi të pas Luftës së II Botërore, që e kuptoi se beteja për Shqipërinë dhe
për shqiptarët nuk zhvillohet vetëm brenda kufijve etnikë të saj, por duhej të
zhvillohej edhe në qendrat e vendim-marrjeve globale, siç ishte Amerika. Megjithse sot klasa politike shqiptare,
kryesisht, e edukuar nën sistemin komunist – ndodh që gjithnjë shpreh nostalgji
për regjimin komunist enverist – ndërsa, njëkohësisht, merr kredinë për
zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë, pas shembjes së Murit të
Berlinit me 1989.
Duhet
bërë e qartë se kur flasim për orientimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe
Kosovës, duhet të pranojmë -- ne këtu në
Shtetet e Bashkuara dhe ata në Tiranë e Prishtinë -- se themelet morale e
politike të këtij orientimi perendimor nuk janë ata, por që idetë e lirisë e të
demokracisë perëndimore janë mbajtur gjallë për dekada, me radhë të parë nga
diaspora anti-komuniste e pas luftës në Amerikë – pikërisht, nga patriotë si
Athanas Gegaj. Ata ruajtën idenë e një
Shqipërie të lirë, demokratike dhe të lidhur me Perëndimin, sidomos, me Shtetet
e Bashkuara të Amerikës, kur brenda Shqipërisë komuniste, kjo ide ishte e
ndaluar për pothuaj një gjysëm shekulli sundim të regjimit sllavo-komunist të
Enver Hoxhës. Athanas Gegaj nuk ishte “armik i Shqipërisë”. Por ai ishte kritik i zoti, i një regjimi të
dështuar e kriminel që zhduku më të mirët dhe më të edukuarit e Kombit. Dhe
sot, kur Shqipëria e Kosova synojnë konsolidimin demokratik, është e padrejtë
që zëri i Athanas Gegajt dhe të tjerëve si ai, të mbetet në hije si në kohën e
Enver Hoxhës.
Zemra
më dhemb si shqiptaro-amerikan – që edhe pas 35-vjet tranzicion – përjetojmë
një anashkalim zyrtar nga historiografia shqiptare të këtyre figurave të
Kombit, si Athanas Gegaj të cilët për një gjysëm shekulli ia kushtuan jetën dhe
veprën e tyre, një Shqipërie të lirë e Demokratike, i njohur edhe për rolin e
tij në historiografinë shqiptare. Nga Frank Shkreli – Dr. Athanas Gegaj: Gjergj
Kastrioti-Skënderbe shembull i pavdekshëm i popullit shqiptar | Gazeta Telegraf
Kjo
deklaratë -- e dij se thirrje të tilla bien në veshë të shurdhët -- nuk është
vetëm një akt kujtese për veprimtarinë dhe kontributin e Dr. Athanas Gegaj. Por
është një thirrje për një rishikim serioz nga entet akademike e historike
shqiptare, të figurave të diasporës antikomuniste shqiptare në përgjithsi:
Hapje të plotë të arkivave dhe trajtim objektiv dhe të paanshëm të debatit
historik mbi kontributin e tyre, duke bërë një vlerësim institucional të
pa-anshëm për ata që mbrojtën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, në
gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Uroj
që ky tubim sot këtu në Nju Jork të shënojë fillimin e një interesimi më serioz
se deri tani të akademikëve dhe historianëve shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë,
jo vetëm për Dr Athanas Gegaj por edhe për të tjera figura të njohura politike
e kulturore të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore,
të harruar dhe të përjashtuar nga historiografia zyrtare shqiptare. Ata duhet
të jenë të ndërgjegjëshëm se heshtja e deritanishme zyrtare e tyre dhe e enteve
shqiptare akademike që ata përfaqësojnë, por edhe e universiteteve në Shqipëri
e Kosovë, d nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e shëmtuar e
padrejtësisë historike dhe bashkfajsi që ato ente ndajnë me ish regjimin
komunist.
Për
ata atje në Atdhe, ashtu siç është edhe për ne këtu në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, kujtesa e këtyre burrave të Kombit, si Dr Athanas Gegaj, është një
akt drejtësie dhe detyrim kombëtar!
Urimet e mia Fondit Humanitar, “Trieshi”, për oganizimin e këtij tubimi
në kujtim të njërit prej burrave më të nderuar të Malësisë së Madhe dhe të
Kombit shqiptar, Dr Athans Gegajt. Qofshi të nderuar ju bashkvendas të tij për
këtë përkujtim dhe ju pjesëmarrës aty në këtë përkujtim historik për jetën dhe
veërimtarinë e Dr Athanas Gegajt. U lumtë!









