E shtune, 28.02.2026, 10:28 PM (GMT)

Kulturë

Rrahman Rrahmani: 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës Dardane u shënua me një mbrëmje madhështore festive në Engelholm të Suedisë

E shtune, 28.02.2026, 06:57 PM


18 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS-DARDANE U SHËNUA ME NJË MBRËMJE MADHËSHTORE FESTIVE NË ENGELHOLM TË SUEDISË

21 shkurt 2026 Munka Ljungby-Engelholm-Suedi

Nga Rrahman Rrahmani, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza”, Engelholm – Suedi

Në Engelholm të Suedisë, Shoqata Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza” organizoi një mbrëmje festive dhe artistike me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës-Dardane, duke mbledhur një numër të madh bashkatdhetarësh nga mërgata shqiptare. Salla e manifestimit ishte e mbushur përplot, ndërsa atmosfera festive dhe emocionale dëshmoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptar në Suedi për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Programi festiv u moderua nga Elea Elshani në gjuhën shqipe dhe Vanesa Kelmendi në gjuhën suedeze.

Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Shoqatës, Rrahman Rrahmani, i cili fillimisht, në emër të tij personal dhe të Kryesisë së Shoqatës, u uroi të pranishmëve 17 Shkurtin Ditën e Pavarësisë së Kosovës-Dardane, si dhe mirëseardhje në këtë mbrëmje festive kushtuar 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës-Dardane.

Ai theksoi se sot jemi mbledhur për të përkujtuar dhe festuar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një datë që përfaqëson kulmin e një sakrifice të gjatë historike, të mbështetur mbi gjakun e dëshmorëve dhe vizionin e prijësve tanë. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi rastësisht. Ajo është rezultat i një përpjekjeje të shumëanshme – politike, diplomatike dhe çlirimtare.

Në këtë ditë kujtojmë me respekt të thellë Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova – arkitektin e shtetit tonë, njeriun që ndërtoi filozofinë e rezistencës paqësore dhe e orientoi Kosovën drejt botës demokratike euro-atlantike. Me urtësinë dhe vizionin e tij, ai e bëri çështjen e Kosovës një çështje ndërkombëtare. Po ashtu, me nderim të përjetshëm përulemi para figurës së Komandantit legjendar të Ushtris Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari. Sakrifica heroike e tij dhe e familjes Jashari në Prekaz u bë simbol i vendosmërisë sonë për liri. Ajo sakrificë tronditi ndërgjegjen e botës dhe dëshmoi se liria ka çmim, por edhe dinjitet. Në dimensionin shpirtëror dhe human, ne krenohemi me figurën universale të Shënë Nënë Tereza – Gonxhe Bojaxhiut. Ajo e ngriti lart emrin shqiptar përmes dashurisë, shërbimit dhe humanizmit. Shoqata jonë, që me krenari mban emrin e saj, përpiqet të ruajë këtë frymë solidariteti dhe bashkimi në mërgatë.

Të nderuar të pranishëm,

Liria e Kosovës u mbështet fuqishëm nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Me mirënjohje të thellë kujtojmë rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit të atëhershëm Bill Clinton, të cilët qëndruan në anën e drejtësisë dhe të popullit tonë në momentet më të vështira. Ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike e Natos ishte moment historik që ndali spastrimin etnik dhe hapi rrugën e lirisë sonë. Po ashtu, falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në proceset shtetndërtuese dhe demokratike.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për Mbretërinë e Suedisë – shtetin mik ku jetojmë dhe veprojmë – për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për njohjen e pavarësisë së saj. Suedia ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm për demokracinë, paqen dhe të drejtat e njeriut.

Të dashur bashkatdhetarë,

Pavarësia nuk është vetëm një akt i shpallur më 2008; ajo është përgjegjësi e përditshme. Është detyrë për të ruajtur unitetin, për të forcuar institucionet dhe për ta zhvilluar vendin tonë me dinjitet. Le të mbetet kjo ditë simbol krenarie, por edhe reflektimi.

Le të punojmë që brezat e ardhshëm ta gjejnë Kosovën më të fortë, më të drejtë dhe më të bashkuar. Gëzuar 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar kudo që gjindet!

Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua poezisë dhe fjalës artistike.

Valltarja e shoqatës Elea Elshani solli një recitim kushtuar jetës dhe veprës së Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili u përcoll me respekt të veçantë nga të pranishmit. Më pas, Ariona Bahtiri interpretoi poezinë “Kisha një ëndërr”, ndërsa motrat Elea Elashani dhe Arnea Elashani recituan poezitë “Unë s’kam faj” dhe “Lamtumirë vendi im”, duke sjellë emocione të forta dhe mesazhe prekëse për mërgimin dhe atdheun. Programi poetik u pasurua edhe nga poeti i njohur Remzi Basha, i cili recitoi poezinë “Për ty, Kosovë”, duke u shpërblyer me duartrokitje të gjata nga publiku.

Në vazhdim, instrumentisti Mustafë Berisha interpretoi me fyell melodinë “Fyelli i Bariut”, një tingull që simbolizon mërgimin, vetminë dhe lidhjen e thellë shpirtërore me atdheun. Këtë moment të veçantë artistik e shoqëruan valltarët e SHKSH “Shën Nënë Tereza” në Engelholm, duke i dhënë interpretimit një dimension të plotë kulturor dhe emocional.

Dalja në skenë e valltarëve të SHKSH “Shën Nënë Tereza” u prit me entuziazëm nga publiku, i cili me duartrokitje të pandërprera përcolli vallet tradicionale të prezantuara gjatë mbrëmjes festive. Të veshur me kostume tradicionale shqiptare, valltarët dëshmuan përkushtimin e mërgatës shqiptare në ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e trashëgimisë sonë kulturore tek brezat e rinj, duke e mbajtur gjallë identitetin kombëtar edhe larg atdheut.

Pas përfundimit të pjesës zyrtare dhe artistike, mbrëmja festive vazhdoi deri në orët e mesnatës me këngë dhe valle popullore nga Lindita Kryeziu dhe Ragip Gipa Kahrimani, të shoqëruar nga Endrit Krasniqi me orkestrën e tij muzikore, ndërsa tingujt e klarinetës nga Rexhep Fuga i dhanë mbrëmjes një atmosferë autentike shqiptare.

Organizatorët shprehën mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, artistët, fëmijët dhe të rinjtë e shoqatës, si dhe për bashkatdhetarët që me praninë e tyre e bënë këtë mbrëmje një festë të vërtetë kombëtare. Kjo ngjarje festive në Ängelholm ishte një dëshmi e gjallë se Pavarësia e Kosovës vazhdon të festohet me krenari edhe në mërgatë, duke ruajtur gjallë lidhjen shpirtërore me atdheun dhe duke përcjellë vlerat kombëtare te brezat e rinj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Don Fran Sopi: Përkujtimi dhe studimi — sot bashkohen në një pikë të vetme: në kërkimin e së vërtetës Fran Gjoka: Mesazh urimi mësuesit dhe drejtuesit, poetit dhe shkrimtarit Mevlud Buci në 75-vjetorin e lindjes Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Sevdail Hyseni: S’ka punë..! Hazir Mehmeti: Filarmonia e Kosovës, koncert festiv në Vjenë Nexhmije Mehmetaj: Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë Lekë Mrijaj: Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës Telegram ngushëllimi i Shoqatës "Trojet e Arbrit" me rastin e kalimit në amshim të Prof. Dr. Ramiz Abdylit Engjëllushe Sheme Koltraka: Po i bashkoj historitë e Kombit Asllan Dibrani – Luani: Kosova në udhëkryqe për president: Koha për një emër që bashkon kombin dhe tejkalon partitë Ndue Dedaj: Fundjavë në Kosovë mes miqsh Edison Ypi: Humba në Vlosh Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Hysen Ibrahimi: Nejra Cej - 'Nejra e zgjuar' Kadri Tarelli: Shoqata “Durrësi Autokton”, pasuri e qytetarisë durrsake Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Sadbere Emshiu: 21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare Albert Vataj: Lina Cavalieri, "Venus mbi Tokë", gruaja që tejkaloi mitin e bukurisë Ndue Dedaj: “Teksti fals” në letërsi – ja pse nuk duhet lejuar! Albert Zholi: Lypësi me zemër të madhe

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx