Faleminderit
Prend Buzhala: Gjon Gjergjaj – zë që veproi e krijoi në secilën kohë
E merkure, 18.02.2026, 06:57 PM

GJON GJERGJAJ në 75-vjetorin e lindjes
ZË QË VEPROI E KRIJOI NË
SECILËN KOHË
(Letërsia,
teatri, skulptura dhe muzeu: katër dimensionet e Gjon Gjergjajt)
Nga
Prend Buzhala
Në
historinë e kulturës sonë kombëtare, rrallë hasen figura që nuk kufizohen nga
koha, rrethanat apo sistemet politike, por që arrijnë të mbeten të gjalla e
vepruese në çdo etapë historike. Gjon Gjergjaj është pikërisht një zë i tillë ;
zë që nuk heshti në kohë të vështira dhe nuk u tret në kohë lirie; zë që veproi
dhe krijoi në secilën kohë, duke e shndërruar jetën në mision artistik dhe
atdhetar.
Gjon
Gjergjaj ka nisur të botojë shkrime letrare, fillimisht poezi për fëmijë, që në
vitet ’60 të shekullit që e lamë pas, në revistën “Pionieri” e në “Rilindja për
fëmijë”, kurse më vonë në “Bota e re”, “Zëri” e në gjithë shtypin e kohës.
Figura
e Gjon Gjergjajt përbën një ndër personalitetet më të veçanta e më të
gjithanshme të kulturës shqiptare jo vetëm në Klinë, por edhe në Kosovë e më
gjerë. I lindur e i formuar në një kohë të trazuar historike, ai arriti të
ndërtojë një opus të gjerë letrar e kulturor, duke lënë gjurmë të pashlyeshme
në letërsinë për fëmijë, në dramaturgji, në poezi për të rritur, në veprimtari
teatrore, muzeologji dhe në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare. Jeta dhe
krijimtaria e tij janë dëshmi se arti, kur buron nga ndërgjegjja e lirë dhe
dashuria për atdheun, shndërrohet në mision.
1.
Letërsia
e Gjon Gjergjajt, e shkruar, e krijuar dhe e botuar gjatë viteve 90, i ka ato
shpërthime e të njëjtat shtrirje artistike, si e gjithë letërsia shqipe e
dekadës së fundit të shk XX. Këtë e themi me bindjen e me faktin se tashmë
botohen libra letrarë, pa atë diktatin shtetëror të “planifikimit” të
letërsisë: botohen libra të shkrimtarëve të ndaluar; botohen libra të letrarëve
që “elita” letrare i shikonte krijuesit prej “provincës” nga do lartësi
privilegjesh e buxhetesh shtetërore moniste; botohen libra të shkrimtarëve të
harruar. Prirjet letrare, gjatë viteve ’90, tashmë nuk ishin privilegje vetëm e
qendrave të vendosjes politike-shtetërore, ani se mbretëronte një diktaturë e
egër e restrikcioneve, por të cilës i kishin plasur rrathët e shtrëngimit e më
nuk mund ta kontrollonte atë që dëshiron. Vijnë pranë librit donatorë e mecenë
anonimë të artit.
Epoka
e shpërthimeve të reja, në dekadën e fundit të këtij mileniumi, e ka zërin e
vet origjinal: pa rrathët e censurës politike, sepse ajo më nuk është pronë e
pushtuesit, po pronë, të paktën e shpirtit të çliruar, ani se trupi i kombit
ishte ende i robëruar. Por kjo përmasë e vërshimeve botuese nuk do të thotë se
letërsia po humbte nga vlerat e saj. Përkundrazi, fiton audiencë të re, lexues
të rinj.
2.
Gjon
Gjergjajn publiku artdashës e njeh për më shumë se një gjysmëshekulli, jo vetëm
nëpërmes shkrimit.
Dimensioni
i dytë është teatri. Gjon Gjergjaj nuk mbeti vetëm në tryezën e shkrimit; ai u
ngjit në skenë dhe e përjetoi artin si akt të gjallë. Që në rini ai ishte pjesë
e Teatrit Amator “Jehona e Dukagjinit”, ku interpretoi role që mbetën gjatë në
kujtesën e publikut. Teatri për të ishte hapësirë komunikimi dhe rezistence
kulturore. Angazhimi i tij në skenë nuk ishte vetëm artistik, por edhe
shoqëror. Ai e kuptonte teatrin si formë komunikimi dhe si mjet ndërgjegjësimi
kombëtar. Më vonë, kjo përvojë u shndërrua në krijimtari dramaturgjike, ku ai
botoi dhjetëra drama e komedi, duke trajtuar tema shoqërore, historike e
morale.
Më
vonë, si dramaturg, ai krijoi drama e komedi që trajtonin tema shoqërore,
historike dhe morale. Në veprat e tij shpesh hasim alegori dhe simbolikë,
përmes të cilave kritikon padrejtësinë, korrupsionin dhe deformimet shoqërore.
Satira e tij nuk është vetëm për të qeshur; ajo është mjet për të zgjuar
ndërgjegjen.
Pas
luftës, ai vazhdoi angazhimin artistik edhe në film, duke dëshmuar se pasioni
për skenën nuk shuhet me kalimin e viteve. Teatri për Gjergjajn është fjala që
bëhet trup, emocion dhe veprim – është arti që prek drejtpërdrejt shpirtin e
publikut.
Publkiku
e njeh nëpërmes roleve të luajtura teatrore nëpër skenat e Kosovës e jashtë
Kosovës, që kur ishte gjimnazist, te drama “Plaku i maleve” e vitit 1969, që la
mbresa për shumë vite. E mban mend nëpërmes një serie rolesh që i luajti në
kuadër të Teatrit Amator “Jehona e Dukagjinit”. Dhe vlerësimet, mirënjohjet e
çmimet e asaj periudhe, nuk ishin të pakta. Gjatë atyre viteve ai ishte
pothuajse ndër të rrallët që drejtoi Klubin letrar “Jehona e Dukagjinit”, i
themeluar që më 1969, klub që nxori revistën po me emrin “Jehona e Dukagjinit”
dhe ku botonte shkrimet e tij edhe Gjoni, krahas Osman R. Gashit, Tahir
Foniqit, Jetish Kadishanit, Mikel Gojanit, Prend Buzhalës etj.
3.
Veprimtaria
e tij gjatë viteve ’80 e ’90 dëshmon edhe për një dimension tjetër, atë të
atdhetarit të përkushtuar. Zyra e tij në Klinë u bë vatër e kulturës, e
shpërndarjes së librave dhe e veprimtarisë ilegale në shërbim të çështjes
kombëtare. Për këtë angazhim ai u përball me survejim, arrestime dhe përjashtim
nga puna. Megjithatë, ai nuk u tërhoq, duke dëshmuar se krijuesi i vërtetë nuk
ndahet nga përgjegjësia qytetare.
Publiku
klinas dhe miqtë e tij krijues, gjatë viteve ’80 e njohin edhe për diçka
tjetër. Zyra ku punonte në Lidhjen e të Verbërve të Klinës, gjendej në sheshin
e sotëm “Mujë Krasniqi”. Vitrina e kësaj zyre ishte mbushur me eksponate
arkeologjike e etnografike. Aty zë fill edhe muzeu i Gjonit, te një vitrinë
zyre. Dihet se Gjoni i pati dhuruar një rimorkio përplot eksponate të tilla
Muzeut të Kosovës, të cilave u humbi nami e nishani, jo vetëm nga regjimi serb,
por edhe nga njerëz antikulturorë të Kosovës që punonin në hapësira të tilla e
që fatkeqësisht, kështu veprojnë edhe sot.
Por
ajo zyre, përpos hallexhinjve që trajtoheshin zyrtarisht për shkak të shikimit,
vinin edhe tri grupe njerëzish. Ishte vendtakim edhe i krijuesve letrarë gjatë
atyre viteve, të cilët, për shkak të regjimit të kohës, që mund të lexonin
nëpër orë letrare dhe aty flitej për letërsinë, këmbeheshin libra. Ishte
vendtakim edhe i shokëve të ilegales atdhetare, ku te Gjoni gjetën gjithnjë
gatishmërinë për ndihmë. Te kjo zyre merreshe e lexohej shtypi i fshehtë ilegal
dhe librat ilegalë. Nuk është e rastit, prandaj, pse Gjon Gjergjaj qe arrestuar
që në fillim të viteve ’80, qe mbajtur disa ditë e net në tortura të milicisë
serbiane-kosovare. Por ai nuk pushoi dhe ka kryer jo vetëm angazhimin në
shpërndarjen e shtypit atdhetar, por kreu aksione të drejtpërdrejta, qoftë me
shkrime parullash atdhetare që e trembnin Serbinë, qoftë dhe me forma të tjera,
madje duke u angazhuar drejtpërdrejtë në organizimin e tubimeve masive, kur
Klina ia mësyu këmbë Prishtinës e ku Gjoni gjendej në ballë.
Kah
fundi i viteve ’80, kjo zyre mbahet mend edhe për diçka tjetër. Sikundër dihet,
ishin shkrimtarët ata që ndërmorën legalizimin e kërkesave të shqiptarëve të
Kosovës. Kur u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, në atë dhjetor të vitit
1989, krijuesit e Klinës ishin ndër të parët që vunë kontakt me krijuesit e
Prishtinës, sepse ata njiheshin në mes veti për më shumë se dy dekada. Kështu,
Gjon Gjergjaj, Skënder Rracaj, Mikel Gojani dhe Jetish Kadishani, nga kjo zyre
merrnin fletëregjistrimet e anëtarësimit në LDK dhe i dërgonin në Prishtinë
vetë këta krijues. Dhe vatra e aprë e anëtarësimit të saj u bë nga këtu
masivisht. Mandej erdhën të tjerët që e gjetën të gatshëm organizimin nga
shkrimtarët dhe vepruan më tutje, ani se Gjoni asnjëherë nuk ka qenë anëtar i
ndonjë partie.
Si
rezultat i këtij angazhimi, survejimet policore ndaj Gjonit nuk pushuan
asnjëherë, ani se krijuesit nuk kishin se çka të fshihnin. Kësisoj, Gjon Gjergjaj
përjashtohet nga puna që në fillim të viteve ’90. Dhe prej vitit 1990 e deri më
sot janë plot 26 vjet. Ai qe 26 vjet është i papunë. Në pension del si krijuesi
e njeriu që nuk i gëzoi më frytet e angazhimit të tij, sepse, fatkeqësisht, ato
u uzurpuan nga elementë antiprofesionistë, nga zyrtarë të ish-regjimit
millosheviçian e nga injorantë të tjerë sojsorollopësh.
4
Dimensioni
i tretë, ndoshta më simboliku, është muzeu. Në kohë të vështira, kur
institucionet kulturore ishin të mbyllura ose të kontrolluara, ai e ktheu
hapësirën e tij personale në një vatër kulture. Duke mbledhur eksponate
arkeologjike dhe etnografike, ai ngriti një muze që ishte jo vetëm koleksion
objektesh, por një akt rezistence kulturore.
Ky
muze, i njohur si “Agimi i qytetnisë”, dëshmon për vetëdijen e tij se pa
kujtesë nuk ka identitet. Nëpërmjet ruajtjes së objekteve të trashëgimisë, ai
mbrojti historinë dhe kulturën shqiptare nga harresa dhe shkatërrimi. Kjo
veprimtari e vendos atë jo vetëm si shkrimtar e artist, por edhe si mbrojtës të
kulturës materiale kombëtare.
Atë
që nuk e ka komplet një komunë e tërë (Klina), e ka Gjon Gjergjaj: një muze të
trashëgimisë sonë, të cilin, prej vitit 2004 e quan Qendra e Ruajtjes së
Trashëgimisë "Agimi i Gjytetnis". Është kulla e vjetër njëshekullore
e Gjon Gjergjajt nga Krusheva e Vogël e Klinës.
Peizazhin
kulturor e stolisin edhe shtëpitë muze.
A
kemi ne “peizazh” të tillë”?
Dhe
çka do ta ’përbënte peizazhin e tillë?
Si
duket kjo “hapësirë” me shenjat e veta specifike?
Si
duket një etno-hapësirë e tillë?
Udhëzim:
shkoni në etno-fshatin Kukaj e në Zym të shihet se si punohet... se si duket ky
peizazh...
"Duhet
të përshëndetet iniciativa e tillë e të jetë frymëzim edhe për të tjerët. Këtu
takojmë vazhdimësinë tonë historike. Shprehim respekt për këtë iniciativë që të
jetë frymëzim edhe për meset tjera", pati thënë në fjalën e tij të rastit
në përurimin e këtij muzeu më 2004 arkeologu i njohur kosovar, Kemal Luci.
Profesor
Fatmir Peja: "Këtu takojmë vazhdimësinë tonë historike që nga kohët e
vjetra e deri te lufta e fundit. Klina është e pasur me qendra arkeologjike,
siç janë Përqeva, Rixheva e meset tjera".
Shumë
vizitorë kanë pasur rastin të shkojnë e ta vizitojnë kullën e Gjon Gjergjajt,
të shndërruar në muze dhe galeri skulpturash. Janë vizitorë nga trojet
shqiptare, nxënës të dhjetëra shkollave fillore, pjesëtarë të KFOR-it e
ndërkombëtarë, e sidomos njerëz të arteve, që vërehen tek shkojnë për ta
vizituar këtë muze të rrallë, qe afro katër dekada.
Investimet
janë familajre dhe eprsonale në ngritjen e këtij muzeu.
Megjithatë
po me atë energji të pashtershme krijuese ky vokacion gjen shprehjen e vet edhe
në fushën e skulpturës qe disa dekada. Aktualisht është kryetar i Klubit të
Shkrimtarëve "VOREA UJKO" të Klinës.
Te
kjo kullë, gjatë viteve '90, mbaheshin tubime të shumta kulturore të
shkrimtarëve, dashamirëve të librit, tribuna, manifestime nga arti figurativ,
promovime librash etj. Manifestime vjetore si DITËT E LIBRIT, JAVA E KULTURËS
KLINASE e ndonjë tjetër, ishin forma të rezistencës në fushën e kulturës. Kurse
pas luftës aty me sukses u mbajt manifestimi i parë DITA E PLISIT. Për punën që
ka bërë përkitazi me këtë kullë-muze, Gjoni ka marrë mirënjohje e çmime nga
institucione vendore e të jashtme.
Gjon
Gjergjaj është ndër ata zelltarë të rrallë, të ruajtjes së trashëgimisë sonë materiale,
krijuese, kulturore, shoqërore e shpirtërore. Këtë gjen të krijimit, bartjes e
ruajtjes së kësaj trashëgime ai e ka marrë po nga ky truall, po nga kjo përvojë
e brezave të panumërt të këtyre njerëzve e po nga ky ambient i rrallë që dhuron
kaq e kaq të mira...
Në
hapësirat e kësaj kulle janë të grumbulluara e të sistemuara nëpër rafte e
vitrina, vlera trashëgimie, eksponate e njësi të shumta etnografike e
arkeologjike, numizmatike e dokumentare-historike.
5.
Gjatë
viteve ’90 Kulla e tij shndërrohet në ngadalë në muze. Kur pushtuesit serbë
gjatë viteve të 90-ta i kishin mbyllur të gjitha institucionet për shqiptarët e
Kosovës, odat shqiptare u shndërruan në klasë mësimore dhe në vatra kulturore.
Një
prej vatrave kulturore ishte Oda e Burrave e mixhës Nikë (baba i Gjonit) në
Krushevë të Vogël, ku aktivitetet e veta kulturore i mbante Forumi i
Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi”, në Klinë dhe më vonë edhe Klubi i
Shkrimtarëve “Vorea Ujko”. Ishin vite të vrullshme, kur edhe kullat u
shndërruan në vatra kuture... kullë, e cila është shndërruar dhe në një tempull
tjetër - në muze.
Krijuesi
Hajdin Morina thekson: “Në këtë shtëpi fisnike që kishte funksionin e
institucionit, Klina bënte prezantimin dhe promovimin e vlerave kulturore,
njëkohësisht luftohej kështu pushteti okupues serbian nga intelektualët,
mësuesit dhe krijuesit e komunës së Klinës. Edhe mikpritja e familjes Gjergji
pati madhështinë dhe domethënien e veçantë. I shpreh respekt dhe mirënjohje te
sinqertë kësaj dere të fisme.”
Ndërsa
Mikel Gojani do të shprehet: “Një kujtim i mrekullueshëm, qoftë edhe përmes një
fotoje të atyre viteve, edhe pse ishin vite tepër të stuhishme ku angazhimi i
gjithëmbarshëm (edhe në kulturë), bënte jetën shqiptare. Oda e plakut të urtë
dhe fisnik, Nikë Gjergji, u shndërrua në tempull të artit dhe kulturës
kombëtare në ato vite, kur kishte nevojë të mbahej gjallë jeta letrare,
artistike dhe kulturore. Kjo kullë pas luftës ësht shndërruar në objekt
mbrojtës dhe pllaka që mbante mbishkrimin e trashëgimisë së mbrojtur kulturore
nga republika e Kosovës, u hoq nga një dorë injorantësh me mendje kriminale.
Do
theksuar se Gjon Gjergjaj, pas luftës, u angazhua edhe në një veprimtari tjetër
të lojës së aktrimit, siç është pjesëmarrja e tij në disa filma, të xhiruar
viteve të fundit. E që janë dëshmi e një
angazhimi të gjithanshëm në lëmin e kulturës dhe arteve.
6.
Pas
luftës së vitit 1999, krijimtaria e Gjergjajt mori përmasa edhe më të gjera.
Numri i veprave të botuara është i jashtëzakonshëm: dhjetëra libra me poezi për
fëmijë, romane, drama, komedi, satira, përmbledhje të letërsisë gojore dhe
skenarë filmikë. Veçanërisht letërsia për fëmijë zë një vend qendror në opus-in
e tij. Nëpërmjet vargjeve të thjeshta, plot ngjyra e imagjinatë, ai i flet
botës së fëmijëve me dashuri, moral, humor dhe edukatë kombëtare. Poezia e tij
është e ngrohtë, e kuptueshme dhe e pasur me figura që e bëjnë fëmijën
bashkëudhëtar në ëndërrim.
Krijimtaria
e Gjon Gjergjajt deri më tash përbëhet nga vëllime të tëra të letërsisë për
fëmijë (poezi, drama, romane), nga dramaturgjia (ka botuar disa vëllime), nga
poezia për të rritur (libri i parë i tij, “Lista e Nakllit”, 1989, i redaktuar
e i botuar te shtëpia botuese “Rilindja”), i satirës, i letërsisë gojore, si
dhe, kohëve të fundit, edhe i prozës për të rritur. Libri i tij i parë i
poezive për të rritur (“Lisat e Nakllit” , u botua nga shtëpia prestigjioze
botuese “Rilindja”, me redaktor Ali Podrimjen, libër që ia siguroi na
anëtarësimin në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Vitet ’90 shënojnë vrullin
e krijimtarisë së tij. Shumë dorëshkrime, që gjatë viteve {70 e ’80, nisin të
shohin dritën e botimit.
Gjatë
dekadë së fundit që shekullit që e lamë pas, krijimtaria e Gjon Gjergjajt
pasurohet edhe botime të tjera. Kështu, depërtimin e parë në skenën e letërsisë
për fëmijë, e bëri me librin peotik “Bukuroshja e detit”, i botuar po ashtu te “Rilindja”. Në këtë vit
ai themelon shtëpinë e vet botuese, me titullin kuptimplotë “Gurakuqi” dhe ku
boton librat poetikë për fëmijë “Kroje ëndrrash trëndafili” 1992, dhe “Lulja që i priu detit” 1994. Në bashkëpunim tashmë me Klubin letrar të
formuar me emrin “Vorea Ujko”. Para luftës ai botoi edhe disa libra të tjerë,
kur nis dhe një tjetër veprimtari që shënoi rezultate, me veprat dramaturgjike.
Kjo veprimtari nis me botimin e dramës “Shembje sfinksash” , “Ninullë e blertë”
(poezi për fëmijë, 1997), “Përralla ka atdhe”, (poemë për fëmijë, 1997) dhe dramën “Kali i Shtrigës” (1998).
Me
tre librat poetikë për fëmijë (“Lulja që i priu detit”, “Ninullë e blertë” dhe
“Përralla ka atdhe”, Gjon Gjergjaj dëshmon emrin e tij prej një krijuesi të
mirëfilltë e të talentuar në fushën e letërsisë për fëmijë. Këto tri vëllime
përbëjnë një tërësi të bukur poetike dhe diagonalja e vlerës artistike të tyre
ka shkuar gjithnjë duke shënuar ngritje, nga njëra anë, si dhe zgjerim
tematiko-motivor, nga ana tjetër.
7.
Le
ta theksojmë këltu edhe një dimension tjetër krijues të Gjon Gjergjajt:
krijimnatrinë së fushën e skulptuës. Arti është një botë e vetme që shfaqet në
forma të ndryshme. Kur një poet merret edhe me skulpturë e pikturë, ai nuk e
braktis poezinë, por e zgjeron atë. Fjala shndërrohet në figurë, metafora merr
formë konkrete, ndërsa ndjenja gjen trup në ngjyrë dhe në gur. Në këtë mënyrë,
krijimtaria e tij bëhet më e plotë dhe më e thellë.
Poeti,
në thelb, është krijues i imazheve. Ai ndërton pamje me fjalë, krijon dritë e
hije me vargje, skalit ndjenja në mendjen e lexuesit. Kur ai merr penelin ose
daltën, ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë, por me mjete të tjera. Në pikturë,
metafora shndërrohet në ngjyrë; në skulpturë, ideja bëhet formë
tridimensionale. Kështu, arti nuk kufizohet më vetëm në letër, por merr
hapësirë dhe materialitet.
Historia
e artit njeh figura të tilla shumëdimensionale. Michelangelo ishte skulptor e
piktor i madh, por shkroi edhe poezi me ndjeshmëri të thellë. William Blake
bashkoi poezinë me ilustrimin, duke krijuar një harmoni mes fjalës dhe figurës.
Këta shembuj tregojnë se arti nuk ndahet në kufij të ngurtë; ai është një
energji krijuese që rrjedh në forma të ndryshme. Kur poeti merret me skulpturë
dhe pikturë, ai e pasuron gjuhën e tij artistike. Ai mëson të shohë formën,
dritën, proporcionin dhe heshtjen e hapësirës. Këto përvoja ndikojnë edhe në
vargun e tij, duke e bërë më të gjallë, më figurativ dhe më të ndjeshëm ndaj
detajit. Në këtë mënyrë, arti bëhet një dialog mes fjalës dhe figurës, mes
mendimit dhe materies.
8.
Këto
shpërthime krijuese vazhdojnë edhe pas vitit 1999, kur Kosova fiton lirinë që i
takonte.
Ja botimet e kësaj
periudhe prej 37 vjetësh:
1.
Përralla ka grevë urie, (poezi për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2000,
2.
Karazuzari, (burleskë dramatike në pesë akte), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,
3.
Edhe dhia do tagji, (poemë satirike), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,
4.
Një pelë partie, poezi satirike, 2012
5.
Rrugën e diellit, dallëndyshe, e more, (drama dhe pjesë teatrale për fëmijë),
KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,
6.
Kameleonët zbresin Shkallëve të Parajsës, zoon komedi, botoi Klubi letrar
“Vorea Ujko”, Klinë 2004),
7.
Lepurushi i gjyshit, poezi për fëmijë,
botoi Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2005,
8.
Feniksi i zjarreve, dramë, Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2005,
9.
Lepurushi i gjyshit, poezi për fëmijë, 2005
10.
Vjersha me mjaltë, poezi e poema për fëmijë, 2008,
11.
Një motër e vogël, poezi për fëmijë 2011,
12.
Fshija lotin rrushit, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2012,
13.
Ëndrra e dritës, dramë për fëmijë, 2013
14.
Lëngu i fikut, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2013,
15.
Dy komedi (“Mbreti është i sëmurë” dhe “Rrum Zgumi”), “Vatra”, Shkup, 2014,
16.
Dashuria e ka rrugën me dritë, poezi për fëmijë, 2014,
17.
Doruntina shtigjeve të pikëllimit, dramë, 2014,
18.
Proza popullore nga Lugu i Drinit (letërsi gojore), 2015 ,
19.
Lodra në lojë”, dramë, 2015
20.
Ngatërrimi i stinëve, dramë 2015
21.
Loja e zezë, dramë, 2016
22.
Liza, roman për të rritur, 2016
23.
Martja, roman, 2016,
24.
Mana, roman, 2016
25.
Çka pyet motra Verë, Poezi për fëmijë, 2016
26.
Flutura e bardhë, roman për fëmijë, 2016,
27.
Tara tu-tu, poemë humoristike për fëmijë, 2016
28,
Me falë asht trimni, roman për fëmijë e të rinj
29.
Bëhu diell si unë, poezi për fëmijë e të rinj, 2016
30.
U shtua edhe një rreze, poezi për fëmijë, 2017.
31.
A ma fal detin e madh, Poezi për fëmijë, 2017
32.
Urime, babi, ditëlindjen, Poezi për fëmijë, 2017
33.
Çaka rraka buburraka, Poezi për fëmijë, 2018,
34.
Tiri tiri nakatiri, Poezi për fëmijë, 2018,
35.
Gonxhja çel e para, Poezi të shkrimtarëve
për fëmijë dhe të nxënësve kushtuar Nënës Tereze, 2019
36.
Engjëlli i bardhë, poemë për fëmijë kushtuar Skënderbeut, 2019
37.
Lulet e mjaltit, Poezi për fëmijë, 2019
38.
Marie Shllaku, amazona shqiptare, dramë, 2019,
39.
Vargje me trëndafile poetësh, (Poezi përkushtimore: portrete shkrimtarësh për
fëmijë)
40.
Turr gjah turr gjah, poezi për fëmijë, 2021
41.
Puthjet janë akullore, poezi për fëmijë,
2021
42.
Luledija dhe zemërjona, poezi për fëmijë, 2021
43.
Lodra e zezë, roman për fëmijë, 2021
44.
Ktheje uratën në dashuri, poezi të përshpirtshme, 2024
45.
Pas hijeve hijet, dramë 2024
46.
Rrëfimi për nënën, dramë 2024
47.
trokitje, dramë, 2024
48.
Ferrin e kaluam, dramë 2024
49.
Mjegulalt e treishtimit, dramë 2024
50.
Bardh Kosova, dramë 2024
51.
RRULI, komedi, dramë 2024
52 Ali Dredha, dramë 2024
53.
Varri pa kryq (dramë)
54.
Lakuriqët e natës (dramë)
55.
Zogjtë e zemrës, poezi për fëmijë, 2018
56.
Drenusha e Lugut të Drinit, poezi për fëmijë
57.
Gjëegjëzat e dashurisë, poezi për fëmijë
58.
Deti i dashurisë, poezi për fëmijë
59.
Tokshi e Bokshi, poezi për fëmijë
60.
Hape një dritare, poezi për fëmijë
61.
I ëmbël është rrushi, poezi për fëmijë
62.
Liqeni përrallor, poezi për fëmijë
63.
Mësuesi rrit lule, poezi për fëmijë
64.
Përrallë e vjetër, poezi për fëmijë
65.
Portrete enciklopedike, poezi për fëmijë
66.
Mbretëresha trëndafile, roman për fëmijë
67.
Duartrokitjet, dramë
68.
KUR KA DASHURI EDHE DIELLI RREZON,
dramë për fëmijë,
69.
MAJET E SHPIFURA, monodramë,
70.
Kallja e shtrigës, dramë
71.
Krokodili, dramë
72.
Kur bien gjethet, dramë
73.
Lumi i palarë, skenar filmi
74.
Njeriu i urave, skenar filmi
75.
Ndryshe kam ëndërruar, dramë
76.
Një nmal kujtime, dramë,
77.
Njeriu me miza, skenar filmi
78.Parajsa
e zezë, dramë
79.
Rrëfimi oara pasqyrës, monodramë
80.
Sekretaresha rrospi mashkull, komedi satirike
81.
Shoku im shtrigan, komedi
82.
Thesi, dramë,
83.
Ujku i zi, dramë
84.
Zagarët e Zhuikës, dramë
85.
Një pelë partie, fabula dhe satira
86.
Dy familje, roman për të rritur
87.
Mara e Lekë Dukagjinit, novelë
88.
Bukuria kishte humbur, vëllim me tregime për të rritur
89.
Këlyshët e Buqes, komedi
90.
Zog, mos ik, poezi për fëmijë
91.
Po bie zilja e shpëtimit, dramë për fëmijë
92.
Shtigje trëndafilash, poezi për fëmijë
93.
Zemra e fëmijëve
94.
Trokitje në derë të dashurisë
95.
Mos gabo, poezi për fëmijë
96.
Në vargjet e mia, poezi për fëmijë
97.
PAS HIJEVE (nëntë drama), Lena, Prishtinë, 2025
NGA
TË TJERËT PËR GJON GJERGJAJN:
Prend
Buzhala: "HARPA E EOLIT" (Gjon Gjergjaj: letërsia, arti, kultura,
teatri, arti, filmi, muzeu), 2016. Botohet në 65-vjetorin e lindjes së Gjon
Gjergjajt.
PËRFAQËSIMI NË ANTOLOGJI
1.
Odhise Grillo, Me xhaketën kuq e zi, antologji poetike, botimet OMSCA1-,
Tiranë, 2001, fq 278-281
2.
Grup autorësh, Lule për lule, antologji e letërsisë shqipe për fëmijë,
2000-2014; Tiranë 2015.
3.
Xhevat Syla, Kuvendim poetik, antologji e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj,
Libri shkollor, Prishtinë 2010.
DISA NGA SHKRIMET
KRITIKE LETRARE MBI KRIJIMTARINË E GJON GJERGJAT
Xhevat
Syla: në Kush e shkruan poezinë,
Astri
Bishqemi, Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj (1886 - 2009)
Astrit
Bishqemi: Hisstori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, Elbasan,. 2008.
SHLBSH e Re, Tiranë 2015.
Nebi
Islami: Historia e dramës shqipe (1886-1996, I e II, Prishtinë I, II, ARTC,
Prishtinë, 2003.
Dr.
Xhavit Aliçkaj: Kumtesë (promovuese) për librin “Bukuroshja e detit”, Pejë
1991.
Sejdi
Berisha, disa kumtesa në promovime veprash gjatë viteve ‘90.
Mexhid
Mehmeti, gazeta Rilindja, për dramën Kali i shtrigës, dhjetor 2000).
Halil
Haxhosaj, për dramën Feniks zjarresh, Gazeta ILIRIA POST, Prishtinë 2005)
Rexhep
Rifati, për ekspozitën e Gjon Gjergjajt në Luzern e nëpër Zvicër, “Bota sot”, 10
prill 2007.
Gani
Xhafolli; te revista Pionieri, Prishtinë 2000.
Zejnullah
Halili, te Gazeta “Rilindja”, për librin poetik LISAT E NAKLLIT, 22 prill 1989.
Ragip
Syla, për dramën FENIKS ZJARRESH, “Zëri, 11 mars 2006 dhe për librin LEPURUSHI
I GJYSHIT 22 shtator 2005, f. 27.
Në
vitet 1970-2015, janë të shumtë artikujt e shkrimet nëpër mediet e shkruara
kushtuar roleve të luajtura të Gjon Gjergjajt në teatër e film e sidomos
emisionet televizive e shkrimet për Muzeun e tij “Agimi i gjytetnisë”.
9.
Gjithë
kjo veprimtari, e shtrirë në zhanret e poezisë, poemës, humorit dhe romanit te
letërsia për fëmijë; në atë të poezisë, dramës, komedisë, poezisë satirike, poemës
satirike dhe romanit te letërsia për të rritur; si dhe në vjeljen e thesarit
popullor, te letërsia gojore; është dëshmi e një energjie krijuese me diapazon
te gjerë dhe me frymëzime të pasura. Gjon Gjergjaj në secilën kohë e ka pasur
zërin e tij krijues dhe veprues, duke lënë gjurmët e tij të artit, kulturës,
trashëgimisë, teatrit, filmit, muzeologjisë, letërsisë gojore dhe veprimtarive
të llojllojshme kulturore. Përpos me livrimin e llojeve të ndryshme letrare,
Gjoni merret edhe me aktrim, skulpturë dhe me ruajtjen të trashëgimisë sonë
etnokulturore. Kohëve të fundit është angazhuar në disa role të filmave
artistikë në Kosovë. Gjon Gjergjaj është kryetar i Klubit të shkrimtarëve
“Vorea Ujko” në Klinë që nga viti 1998.











