E merkure, 18.02.2026, 11:55 PM (GMT)

Faleminderit

Prend Buzhala: Gjon Gjergjaj – zë që veproi e krijoi në secilën kohë

E merkure, 18.02.2026, 06:57 PM


GJON GJERGJAJ në 75-vjetorin e lindjes

ZË QË VEPROI E KRIJOI NË SECILËN KOHË

(Letërsia, teatri, skulptura dhe muzeu: katër dimensionet e Gjon Gjergjajt)

Nga Prend Buzhala

Në historinë e kulturës sonë kombëtare, rrallë hasen figura që nuk kufizohen nga koha, rrethanat apo sistemet politike, por që arrijnë të mbeten të gjalla e vepruese në çdo etapë historike. Gjon Gjergjaj është pikërisht një zë i tillë ; zë që nuk heshti në kohë të vështira dhe nuk u tret në kohë lirie; zë që veproi dhe krijoi në secilën kohë, duke e shndërruar jetën në mision artistik dhe atdhetar.

Gjon Gjergjaj ka nisur të botojë shkrime letrare, fillimisht poezi për fëmijë, që në vitet ’60 të shekullit që e lamë pas, në revistën “Pionieri” e në “Rilindja për fëmijë”, kurse më vonë në “Bota e re”, “Zëri” e në gjithë shtypin e kohës.

Figura e Gjon Gjergjajt përbën një ndër personalitetet më të veçanta e më të gjithanshme të kulturës shqiptare jo vetëm në Klinë, por edhe në Kosovë e më gjerë. I lindur e i formuar në një kohë të trazuar historike, ai arriti të ndërtojë një opus të gjerë letrar e kulturor, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë për fëmijë, në dramaturgji, në poezi për të rritur, në veprimtari teatrore, muzeologji dhe në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare. Jeta dhe krijimtaria e tij janë dëshmi se arti, kur buron nga ndërgjegjja e lirë dhe dashuria për atdheun, shndërrohet në mision.

1.

Letërsia e Gjon Gjergjajt, e shkruar, e krijuar dhe e botuar gjatë viteve 90, i ka ato shpërthime e të njëjtat shtrirje artistike, si e gjithë letërsia shqipe e dekadës së fundit të shk XX. Këtë e themi me bindjen e me faktin se tashmë botohen libra letrarë, pa atë diktatin shtetëror të “planifikimit” të letërsisë: botohen libra të shkrimtarëve të ndaluar; botohen libra të letrarëve që “elita” letrare i shikonte krijuesit prej “provincës” nga do lartësi privilegjesh e buxhetesh shtetërore moniste; botohen libra të shkrimtarëve të harruar. Prirjet letrare, gjatë viteve ’90, tashmë nuk ishin privilegje vetëm e qendrave të vendosjes politike-shtetërore, ani se mbretëronte një diktaturë e egër e restrikcioneve, por të cilës i kishin plasur rrathët e shtrëngimit e më nuk mund ta kontrollonte atë që dëshiron. Vijnë pranë librit donatorë e mecenë anonimë të artit.

Epoka e shpërthimeve të reja, në dekadën e fundit të këtij mileniumi, e ka zërin e vet origjinal: pa rrathët e censurës politike, sepse ajo më nuk është pronë e pushtuesit, po pronë, të paktën e shpirtit të çliruar, ani se trupi i kombit ishte ende i robëruar. Por kjo përmasë e vërshimeve botuese nuk do të thotë se letërsia po humbte nga vlerat e saj. Përkundrazi, fiton audiencë të re, lexues të rinj.

2.

Gjon Gjergjajn publiku artdashës e njeh për më shumë se një gjysmëshekulli, jo vetëm nëpërmes shkrimit.

Dimensioni i dytë është teatri. Gjon Gjergjaj nuk mbeti vetëm në tryezën e shkrimit; ai u ngjit në skenë dhe e përjetoi artin si akt të gjallë. Që në rini ai ishte pjesë e Teatrit Amator “Jehona e Dukagjinit”, ku interpretoi role që mbetën gjatë në kujtesën e publikut. Teatri për të ishte hapësirë komunikimi dhe rezistence kulturore. Angazhimi i tij në skenë nuk ishte vetëm artistik, por edhe shoqëror. Ai e kuptonte teatrin si formë komunikimi dhe si mjet ndërgjegjësimi kombëtar. Më vonë, kjo përvojë u shndërrua në krijimtari dramaturgjike, ku ai botoi dhjetëra drama e komedi, duke trajtuar tema shoqërore, historike e morale.

Më vonë, si dramaturg, ai krijoi drama e komedi që trajtonin tema shoqërore, historike dhe morale. Në veprat e tij shpesh hasim alegori dhe simbolikë, përmes të cilave kritikon padrejtësinë, korrupsionin dhe deformimet shoqërore. Satira e tij nuk është vetëm për të qeshur; ajo është mjet për të zgjuar ndërgjegjen.

Pas luftës, ai vazhdoi angazhimin artistik edhe në film, duke dëshmuar se pasioni për skenën nuk shuhet me kalimin e viteve. Teatri për Gjergjajn është fjala që bëhet trup, emocion dhe veprim – është arti që prek drejtpërdrejt shpirtin e publikut.

Publkiku e njeh nëpërmes roleve të luajtura teatrore nëpër skenat e Kosovës e jashtë Kosovës, që kur ishte gjimnazist, te drama “Plaku i maleve” e vitit 1969, që la mbresa për shumë vite. E mban mend nëpërmes një serie rolesh që i luajti në kuadër të Teatrit Amator “Jehona e Dukagjinit”. Dhe vlerësimet, mirënjohjet e çmimet e asaj periudhe, nuk ishin të pakta. Gjatë atyre viteve ai ishte pothuajse ndër të rrallët që drejtoi Klubin letrar “Jehona e Dukagjinit”, i themeluar që më 1969, klub që nxori revistën po me emrin “Jehona e Dukagjinit” dhe ku botonte shkrimet e tij edhe Gjoni, krahas Osman R. Gashit, Tahir Foniqit, Jetish Kadishanit, Mikel Gojanit, Prend Buzhalës etj.

3.

Veprimtaria e tij gjatë viteve ’80 e ’90 dëshmon edhe për një dimension tjetër, atë të atdhetarit të përkushtuar. Zyra e tij në Klinë u bë vatër e kulturës, e shpërndarjes së librave dhe e veprimtarisë ilegale në shërbim të çështjes kombëtare. Për këtë angazhim ai u përball me survejim, arrestime dhe përjashtim nga puna. Megjithatë, ai nuk u tërhoq, duke dëshmuar se krijuesi i vërtetë nuk ndahet nga përgjegjësia qytetare.

Publiku klinas dhe miqtë e tij krijues, gjatë viteve ’80 e njohin edhe për diçka tjetër. Zyra ku punonte në Lidhjen e të Verbërve të Klinës, gjendej në sheshin e sotëm “Mujë Krasniqi”. Vitrina e kësaj zyre ishte mbushur me eksponate arkeologjike e etnografike. Aty zë fill edhe muzeu i Gjonit, te një vitrinë zyre. Dihet se Gjoni i pati dhuruar një rimorkio përplot eksponate të tilla Muzeut të Kosovës, të cilave u humbi nami e nishani, jo vetëm nga regjimi serb, por edhe nga njerëz antikulturorë të Kosovës që punonin në hapësira të tilla e që fatkeqësisht, kështu veprojnë edhe sot.

Por ajo zyre, përpos hallexhinjve që trajtoheshin zyrtarisht për shkak të shikimit, vinin edhe tri grupe njerëzish. Ishte vendtakim edhe i krijuesve letrarë gjatë atyre viteve, të cilët, për shkak të regjimit të kohës, që mund të lexonin nëpër orë letrare dhe aty flitej për letërsinë, këmbeheshin libra. Ishte vendtakim edhe i shokëve të ilegales atdhetare, ku te Gjoni gjetën gjithnjë gatishmërinë për ndihmë. Te kjo zyre merreshe e lexohej shtypi i fshehtë ilegal dhe librat ilegalë. Nuk është e rastit, prandaj, pse Gjon Gjergjaj qe arrestuar që në fillim të viteve ’80, qe mbajtur disa ditë e net në tortura të milicisë serbiane-kosovare. Por ai nuk pushoi dhe ka kryer jo vetëm angazhimin në shpërndarjen e shtypit atdhetar, por kreu aksione të drejtpërdrejta, qoftë me shkrime parullash atdhetare që e trembnin Serbinë, qoftë dhe me forma të tjera, madje duke u angazhuar drejtpërdrejtë në organizimin e tubimeve masive, kur Klina ia mësyu këmbë Prishtinës e ku Gjoni gjendej në ballë.

Kah fundi i viteve ’80, kjo zyre mbahet mend edhe për diçka tjetër. Sikundër dihet, ishin shkrimtarët ata që ndërmorën legalizimin e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Kur u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, në atë dhjetor të vitit 1989, krijuesit e Klinës ishin ndër të parët që vunë kontakt me krijuesit e Prishtinës, sepse ata njiheshin në mes veti për më shumë se dy dekada. Kështu, Gjon Gjergjaj, Skënder Rracaj, Mikel Gojani dhe Jetish Kadishani, nga kjo zyre merrnin fletëregjistrimet e anëtarësimit në LDK dhe i dërgonin në Prishtinë vetë këta krijues. Dhe vatra e aprë e anëtarësimit të saj u bë nga këtu masivisht. Mandej erdhën të tjerët që e gjetën të gatshëm organizimin nga shkrimtarët dhe vepruan më tutje, ani se Gjoni asnjëherë nuk ka qenë anëtar i ndonjë partie.

Si rezultat i këtij angazhimi, survejimet policore ndaj Gjonit nuk pushuan asnjëherë, ani se krijuesit nuk kishin se çka të fshihnin. Kësisoj, Gjon Gjergjaj përjashtohet nga puna që në fillim të viteve ’90. Dhe prej vitit 1990 e deri më sot janë plot 26 vjet. Ai qe 26 vjet është i papunë. Në pension del si krijuesi e njeriu që nuk i gëzoi më frytet e angazhimit të tij, sepse, fatkeqësisht, ato u uzurpuan nga elementë antiprofesionistë, nga zyrtarë të ish-regjimit millosheviçian e nga injorantë të tjerë sojsorollopësh.

4

Dimensioni i tretë, ndoshta më simboliku, është muzeu. Në kohë të vështira, kur institucionet kulturore ishin të mbyllura ose të kontrolluara, ai e ktheu hapësirën e tij personale në një vatër kulture. Duke mbledhur eksponate arkeologjike dhe etnografike, ai ngriti një muze që ishte jo vetëm koleksion objektesh, por një akt rezistence kulturore.

Ky muze, i njohur si “Agimi i qytetnisë”, dëshmon për vetëdijen e tij se pa kujtesë nuk ka identitet. Nëpërmjet ruajtjes së objekteve të trashëgimisë, ai mbrojti historinë dhe kulturën shqiptare nga harresa dhe shkatërrimi. Kjo veprimtari e vendos atë jo vetëm si shkrimtar e artist, por edhe si mbrojtës të kulturës materiale kombëtare.

Atë që nuk e ka komplet një komunë e tërë (Klina), e ka Gjon Gjergjaj: një muze të trashëgimisë sonë, të cilin, prej vitit 2004 e quan Qendra e Ruajtjes së Trashëgimisë "Agimi i Gjytetnis". Është kulla e vjetër njëshekullore e Gjon Gjergjajt nga Krusheva e Vogël e Klinës.

Peizazhin kulturor e stolisin edhe shtëpitë muze.

A kemi ne “peizazh” të tillë”?

Dhe çka do ta ’përbënte peizazhin e tillë?

Si duket kjo “hapësirë” me shenjat e veta specifike?

Si duket një etno-hapësirë e tillë?

Udhëzim: shkoni në etno-fshatin Kukaj e në Zym të shihet se si punohet... se si duket ky peizazh...

"Duhet të përshëndetet iniciativa e tillë e të jetë frymëzim edhe për të tjerët. Këtu takojmë vazhdimësinë tonë historike. Shprehim respekt për këtë iniciativë që të jetë frymëzim edhe për meset tjera", pati thënë në fjalën e tij të rastit në përurimin e këtij muzeu më 2004 arkeologu i njohur kosovar, Kemal Luci.

Profesor Fatmir Peja: "Këtu takojmë vazhdimësinë tonë historike që nga kohët e vjetra e deri te lufta e fundit. Klina është e pasur me qendra arkeologjike, siç janë Përqeva, Rixheva e meset tjera".

Shumë vizitorë kanë pasur rastin të shkojnë e ta vizitojnë kullën e Gjon Gjergjajt, të shndërruar në muze dhe galeri skulpturash. Janë vizitorë nga trojet shqiptare, nxënës të dhjetëra shkollave fillore, pjesëtarë të KFOR-it e ndërkombëtarë, e sidomos njerëz të arteve, që vërehen tek shkojnë për ta vizituar këtë muze të rrallë, qe afro katër dekada.

Investimet janë familajre dhe eprsonale në ngritjen e këtij muzeu.

Megjithatë po me atë energji të pashtershme krijuese ky vokacion gjen shprehjen e vet edhe në fushën e skulpturës qe disa dekada. Aktualisht është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve "VOREA UJKO" të Klinës.

Te kjo kullë, gjatë viteve '90, mbaheshin tubime të shumta kulturore të shkrimtarëve, dashamirëve të librit, tribuna, manifestime nga arti figurativ, promovime librash etj. Manifestime vjetore si DITËT E LIBRIT, JAVA E KULTURËS KLINASE e ndonjë tjetër, ishin forma të rezistencës në fushën e kulturës. Kurse pas luftës aty me sukses u mbajt manifestimi i parë DITA E PLISIT. Për punën që ka bërë përkitazi me këtë kullë-muze, Gjoni ka marrë mirënjohje e çmime nga institucione vendore e të jashtme.

Gjon Gjergjaj është ndër ata zelltarë të rrallë, të ruajtjes së trashëgimisë sonë materiale, krijuese, kulturore, shoqërore e shpirtërore. Këtë gjen të krijimit, bartjes e ruajtjes së kësaj trashëgime ai e ka marrë po nga ky truall, po nga kjo përvojë e brezave të panumërt të këtyre njerëzve e po nga ky ambient i rrallë që dhuron kaq e kaq të mira...

Në hapësirat e kësaj kulle janë të grumbulluara e të sistemuara nëpër rafte e vitrina, vlera trashëgimie, eksponate e njësi të shumta etnografike e arkeologjike, numizmatike e dokumentare-historike.

5.

Gjatë viteve ’90 Kulla e tij shndërrohet në ngadalë në muze. Kur pushtuesit serbë gjatë viteve të 90-ta i kishin mbyllur të gjitha institucionet për shqiptarët e Kosovës, odat shqiptare u shndërruan në klasë mësimore dhe në vatra kulturore.

Një prej vatrave kulturore ishte Oda e Burrave e mixhës Nikë (baba i Gjonit) në Krushevë të Vogël, ku aktivitetet e veta kulturore i mbante Forumi i Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi”, në Klinë dhe më vonë edhe Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”. Ishin vite të vrullshme, kur edhe kullat u shndërruan në vatra kuture... kullë, e cila është shndërruar dhe në një tempull tjetër - në muze.

Krijuesi Hajdin Morina thekson: “Në këtë shtëpi fisnike që kishte funksionin e institucionit, Klina bënte prezantimin dhe promovimin e vlerave kulturore, njëkohësisht luftohej kështu pushteti okupues serbian nga intelektualët, mësuesit dhe krijuesit e komunës së Klinës. Edhe mikpritja e familjes Gjergji pati madhështinë dhe domethënien e veçantë. I shpreh respekt dhe mirënjohje te sinqertë kësaj dere të fisme.”

Ndërsa Mikel Gojani do të shprehet: “Një kujtim i mrekullueshëm, qoftë edhe përmes një fotoje të atyre viteve, edhe pse ishin vite tepër të stuhishme ku angazhimi i gjithëmbarshëm (edhe në kulturë), bënte jetën shqiptare. Oda e plakut të urtë dhe fisnik, Nikë Gjergji, u shndërrua në tempull të artit dhe kulturës kombëtare në ato vite, kur kishte nevojë të mbahej gjallë jeta letrare, artistike dhe kulturore. Kjo kullë pas luftës ësht shndërruar në objekt mbrojtës dhe pllaka që mbante mbishkrimin e trashëgimisë së mbrojtur kulturore nga republika e Kosovës, u hoq nga një dorë injorantësh me mendje kriminale.

Do theksuar se Gjon Gjergjaj, pas luftës, u angazhua edhe në një veprimtari tjetër të lojës së aktrimit, siç është pjesëmarrja e tij në disa filma, të xhiruar viteve të fundit.  E që janë dëshmi e një angazhimi të gjithanshëm në lëmin e kulturës dhe arteve.

6.

Pas luftës së vitit 1999, krijimtaria e Gjergjajt mori përmasa edhe më të gjera. Numri i veprave të botuara është i jashtëzakonshëm: dhjetëra libra me poezi për fëmijë, romane, drama, komedi, satira, përmbledhje të letërsisë gojore dhe skenarë filmikë. Veçanërisht letërsia për fëmijë zë një vend qendror në opus-in e tij. Nëpërmjet vargjeve të thjeshta, plot ngjyra e imagjinatë, ai i flet botës së fëmijëve me dashuri, moral, humor dhe edukatë kombëtare. Poezia e tij është e ngrohtë, e kuptueshme dhe e pasur me figura që e bëjnë fëmijën bashkëudhëtar në ëndërrim.

Krijimtaria e Gjon Gjergjajt deri më tash përbëhet nga vëllime të tëra të letërsisë për fëmijë (poezi, drama, romane), nga dramaturgjia (ka botuar disa vëllime), nga poezia për të rritur (libri i parë i tij, “Lista e Nakllit”, 1989, i redaktuar e i botuar te shtëpia botuese “Rilindja”), i satirës, i letërsisë gojore, si dhe, kohëve të fundit, edhe i prozës për të rritur. Libri i tij i parë i poezive për të rritur (“Lisat e Nakllit” , u botua nga shtëpia prestigjioze botuese “Rilindja”, me redaktor Ali Podrimjen, libër që ia siguroi na anëtarësimin në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Vitet ’90 shënojnë vrullin e krijimtarisë së tij. Shumë dorëshkrime, që gjatë viteve {70 e ’80, nisin të shohin dritën e botimit.

Gjatë dekadë së fundit që shekullit që e lamë pas, krijimtaria e Gjon Gjergjajt pasurohet edhe botime të tjera. Kështu, depërtimin e parë në skenën e letërsisë për fëmijë, e bëri me librin peotik “Bukuroshja e detit”,  i botuar po ashtu te “Rilindja”. Në këtë vit ai themelon shtëpinë e vet botuese, me titullin kuptimplotë “Gurakuqi” dhe ku boton librat poetikë për fëmijë “Kroje ëndrrash trëndafili” 1992, dhe “Lulja që i priu detit” 1994.  Në bashkëpunim tashmë me Klubin letrar të formuar me emrin “Vorea Ujko”. Para luftës ai botoi edhe disa libra të tjerë, kur nis dhe një tjetër veprimtari që shënoi rezultate, me veprat dramaturgjike. Kjo veprimtari nis me botimin e dramës “Shembje sfinksash” , “Ninullë e blertë” (poezi për fëmijë, 1997), “Përralla ka atdhe”, (poemë për fëmijë, 1997)  dhe dramën “Kali i Shtrigës” (1998).

Me tre librat poetikë për fëmijë (“Lulja që i priu detit”, “Ninullë e blertë” dhe “Përralla ka atdhe”, Gjon Gjergjaj dëshmon emrin e tij prej një krijuesi të mirëfilltë e të talentuar në fushën e letërsisë për fëmijë. Këto tri vëllime përbëjnë një tërësi të bukur poetike dhe diagonalja e vlerës artistike të tyre ka shkuar gjithnjë duke shënuar ngritje, nga njëra anë, si dhe zgjerim tematiko-motivor, nga ana tjetër.

7.

Le ta theksojmë këltu edhe një dimension tjetër krijues të Gjon Gjergjajt: krijimnatrinë së fushën e skulptuës. Arti është një botë e vetme që shfaqet në forma të ndryshme. Kur një poet merret edhe me skulpturë e pikturë, ai nuk e braktis poezinë, por e zgjeron atë. Fjala shndërrohet në figurë, metafora merr formë konkrete, ndërsa ndjenja gjen trup në ngjyrë dhe në gur. Në këtë mënyrë, krijimtaria e tij bëhet më e plotë dhe më e thellë.

Poeti, në thelb, është krijues i imazheve. Ai ndërton pamje me fjalë, krijon dritë e hije me vargje, skalit ndjenja në mendjen e lexuesit. Kur ai merr penelin ose daltën, ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë, por me mjete të tjera. Në pikturë, metafora shndërrohet në ngjyrë; në skulpturë, ideja bëhet formë tridimensionale. Kështu, arti nuk kufizohet më vetëm në letër, por merr hapësirë dhe materialitet.

Historia e artit njeh figura të tilla shumëdimensionale. Michelangelo ishte skulptor e piktor i madh, por shkroi edhe poezi me ndjeshmëri të thellë. William Blake bashkoi poezinë me ilustrimin, duke krijuar një harmoni mes fjalës dhe figurës. Këta shembuj tregojnë se arti nuk ndahet në kufij të ngurtë; ai është një energji krijuese që rrjedh në forma të ndryshme. Kur poeti merret me skulpturë dhe pikturë, ai e pasuron gjuhën e tij artistike. Ai mëson të shohë formën, dritën, proporcionin dhe heshtjen e hapësirës. Këto përvoja ndikojnë edhe në vargun e tij, duke e bërë më të gjallë, më figurativ dhe më të ndjeshëm ndaj detajit. Në këtë mënyrë, arti bëhet një dialog mes fjalës dhe figurës, mes mendimit dhe materies.

8.

Këto shpërthime krijuese vazhdojnë edhe pas vitit 1999, kur Kosova fiton lirinë që i takonte.

Ja botimet e kësaj periudhe prej 37 vjetësh:

1. Përralla ka grevë urie, (poezi për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2000,

2. Karazuzari, (burleskë dramatike në pesë akte), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,

3. Edhe dhia do tagji, (poemë satirike), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,

4. Një pelë partie, poezi satirike,  2012

5. Rrugën e diellit, dallëndyshe, e more, (drama dhe pjesë teatrale për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,

6. Kameleonët zbresin Shkallëve të Parajsës, zoon komedi, botoi Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2004),

7. Lepurushi i gjyshit,  poezi për fëmijë, botoi Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2005,

8. Feniksi i zjarreve, dramë, Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2005,

9. Lepurushi i gjyshit, poezi për fëmijë, 2005

10. Vjersha me mjaltë, poezi e poema për fëmijë, 2008,

11. Një motër e vogël, poezi për fëmijë 2011,

12. Fshija lotin rrushit, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2012,

13. Ëndrra e dritës, dramë për fëmijë, 2013

14. Lëngu i fikut, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2013,

15. Dy komedi (“Mbreti është i sëmurë” dhe “Rrum Zgumi”), “Vatra”, Shkup, 2014,

16. Dashuria e ka rrugën me dritë, poezi për fëmijë, 2014,

17. Doruntina shtigjeve të pikëllimit, dramë, 2014,

18. Proza popullore nga Lugu i Drinit (letërsi gojore), 2015 ,

19. Lodra në lojë”, dramë, 2015

20. Ngatërrimi i stinëve, dramë 2015

21. Loja e zezë, dramë, 2016

22. Liza, roman për të rritur, 2016

23. Martja, roman, 2016,

24. Mana, roman, 2016

25. Çka pyet motra Verë, Poezi për fëmijë, 2016

26. Flutura e bardhë, roman për fëmijë, 2016,

27. Tara tu-tu, poemë humoristike për fëmijë, 2016

28, Me falë asht trimni, roman për fëmijë e të rinj

29. Bëhu diell si unë, poezi për fëmijë e të rinj, 2016

30. U shtua edhe një rreze, poezi për fëmijë, 2017.

31. A ma fal detin e madh, Poezi për fëmijë, 2017

32. Urime, babi, ditëlindjen, Poezi për fëmijë, 2017

33. Çaka rraka buburraka, Poezi për fëmijë, 2018,

34. Tiri tiri nakatiri, Poezi për fëmijë, 2018,

35. Gonxhja çel e para, Poezi të shkrimtarëve  për fëmijë dhe të nxënësve kushtuar Nënës Tereze, 2019

36. Engjëlli i bardhë, poemë për fëmijë kushtuar Skënderbeut, 2019

37. Lulet e mjaltit, Poezi për fëmijë, 2019

38. Marie Shllaku, amazona shqiptare, dramë, 2019,

39. Vargje me trëndafile poetësh, (Poezi përkushtimore: portrete shkrimtarësh për fëmijë)

40. Turr gjah turr gjah, poezi për fëmijë, 2021

41. Puthjet janë akullore,  poezi për fëmijë, 2021

42. Luledija dhe zemërjona, poezi për fëmijë, 2021

43. Lodra e zezë, roman për fëmijë, 2021

44. Ktheje uratën në dashuri, poezi të përshpirtshme, 2024

45. Pas hijeve hijet, dramë  2024

46. Rrëfimi për nënën, dramë 2024

47. trokitje, dramë, 2024

48. Ferrin e kaluam, dramë  2024

49. Mjegulalt e treishtimit, dramë 2024

50. Bardh Kosova, dramë  2024

51. RRULI, komedi, dramë 2024

52  Ali Dredha, dramë  2024

53. Varri pa kryq (dramë)

54. Lakuriqët e natës (dramë)

55. Zogjtë e zemrës, poezi për fëmijë, 2018

56. Drenusha e Lugut të Drinit, poezi për fëmijë

57. Gjëegjëzat e dashurisë, poezi për fëmijë

58. Deti i dashurisë, poezi për fëmijë

59. Tokshi e Bokshi, poezi për fëmijë

60. Hape një dritare, poezi për fëmijë

61. I ëmbël është rrushi, poezi për fëmijë

62. Liqeni përrallor, poezi për fëmijë

63. Mësuesi rrit lule, poezi për fëmijë

64. Përrallë e vjetër, poezi për fëmijë

65. Portrete enciklopedike, poezi për fëmijë

66. Mbretëresha trëndafile, roman për fëmijë

67. Duartrokitjet, dramë

68. KUR KA DASHURI EDHE DIELLI   RREZON, dramë për fëmijë,

69. MAJET E SHPIFURA, monodramë,

70. Kallja e shtrigës, dramë

71. Krokodili, dramë

72. Kur bien gjethet, dramë

73. Lumi i palarë, skenar filmi

74. Njeriu i urave, skenar filmi

75. Ndryshe kam ëndërruar, dramë

76. Një nmal kujtime, dramë,

77. Njeriu me miza, skenar filmi

78.Parajsa e zezë, dramë

79. Rrëfimi oara pasqyrës, monodramë

80. Sekretaresha rrospi mashkull, komedi satirike

81. Shoku im shtrigan, komedi

82. Thesi, dramë,

83. Ujku i zi, dramë

84. Zagarët e Zhuikës, dramë

85. Një pelë partie, fabula dhe satira

86. Dy familje, roman për të rritur

87. Mara e Lekë Dukagjinit, novelë

88. Bukuria kishte humbur, vëllim me tregime për të rritur

89. Këlyshët e Buqes, komedi

90. Zog, mos ik, poezi për fëmijë

91. Po bie zilja e shpëtimit, dramë për fëmijë

92. Shtigje trëndafilash, poezi për fëmijë

93. Zemra e fëmijëve

94. Trokitje në derë të dashurisë

95. Mos gabo, poezi për fëmijë

96. Në vargjet e mia, poezi për fëmijë

97. PAS HIJEVE (nëntë drama), Lena, Prishtinë, 2025

NGA TË TJERËT PËR GJON GJERGJAJN:

Prend Buzhala: "HARPA E EOLIT" (Gjon Gjergjaj: letërsia, arti, kultura, teatri, arti, filmi, muzeu), 2016. Botohet në 65-vjetorin e lindjes së Gjon Gjergjajt.

PËRFAQËSIMI NË ANTOLOGJI

1. Odhise Grillo, Me xhaketën kuq e zi, antologji poetike, botimet OMSCA1-, Tiranë, 2001, fq 278-281

2. Grup autorësh, Lule për lule, antologji e letërsisë shqipe për fëmijë, 2000-2014; Tiranë 2015.

3. Xhevat Syla, Kuvendim poetik, antologji e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, Libri shkollor, Prishtinë 2010.

DISA NGA SHKRIMET KRITIKE LETRARE MBI KRIJIMTARINË E GJON GJERGJAT

Xhevat Syla: në Kush e shkruan poezinë,

Astri Bishqemi, Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj (1886 - 2009)

Astrit Bishqemi: Hisstori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, Elbasan,. 2008. SHLBSH e Re, Tiranë 2015.

Nebi Islami: Historia e dramës shqipe (1886-1996, I e II, Prishtinë I, II, ARTC, Prishtinë, 2003.

Dr. Xhavit Aliçkaj: Kumtesë (promovuese) për librin “Bukuroshja e detit”, Pejë 1991.

Sejdi Berisha, disa kumtesa në promovime veprash gjatë viteve ‘90.

Mexhid Mehmeti, gazeta Rilindja, për dramën Kali i shtrigës, dhjetor 2000).

Halil Haxhosaj, për dramën Feniks zjarresh, Gazeta ILIRIA POST, Prishtinë 2005)

Rexhep Rifati, për ekspozitën e Gjon Gjergjajt në Luzern e nëpër Zvicër, “Bota sot”, 10 prill 2007.

Gani Xhafolli; te revista Pionieri, Prishtinë 2000.

Zejnullah Halili, te Gazeta “Rilindja”, për librin poetik LISAT E NAKLLIT, 22 prill 1989.

Ragip Syla, për dramën FENIKS ZJARRESH, “Zëri, 11 mars 2006 dhe për librin LEPURUSHI I GJYSHIT 22 shtator 2005, f. 27.

Në vitet 1970-2015, janë të shumtë artikujt e shkrimet nëpër mediet e shkruara kushtuar roleve të luajtura të Gjon Gjergjajt në teatër e film e sidomos emisionet televizive e shkrimet për Muzeun e tij “Agimi i gjytetnisë”.

9.

Gjithë kjo veprimtari, e shtrirë në zhanret e poezisë, poemës, humorit dhe romanit te letërsia për fëmijë; në atë të poezisë, dramës, komedisë, poezisë satirike, poemës satirike dhe romanit te letërsia për të rritur; si dhe në vjeljen e thesarit popullor, te letërsia gojore; është dëshmi e një energjie krijuese me diapazon te gjerë dhe me frymëzime të pasura. Gjon Gjergjaj në secilën kohë e ka pasur zërin e tij krijues dhe veprues, duke lënë gjurmët e tij të artit, kulturës, trashëgimisë, teatrit, filmit, muzeologjisë, letërsisë gojore dhe veprimtarive të llojllojshme kulturore. Përpos me livrimin e llojeve të ndryshme letrare, Gjoni merret edhe me aktrim, skulpturë dhe me ruajtjen të trashëgimisë sonë etnokulturore. Kohëve të fundit është angazhuar në disa role të filmave artistikë në Kosovë. Gjon Gjergjaj është kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko” në Klinë që nga viti 1998.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Don Fran Sopi: Të vërteta historike dhe përgjegjësi morale, përballë thënieve shpifëse dhe të pa baza ndaj Shën Nënë Terezës Gjekë Gjonaj: Njeriu, fjala e të cilit ishte ligj Ilir Çumani: Ai zë ishte Vaçe Zela Ilir Çumani: Bujar Hudhri, botuesi që mbron me dinjitet fjalën e bukur shqipe Gjon Keka: Gjergj Kastrioti jeton përgjithmonë në histori Gjekë Gjonaj: Rrugëtimi profesional i Marina Kastratit Florim Zeqa: Nebih Zeneli – hero i gjallë i arsimit shqip Gjekë Gjonaj: Në kujtim të Ali Zekut Pepiq (Pepa) Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne Gani Qarri: Dr. Ibrahim Rugova, Apostulli i Jodhunës së kohës sonë! Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh Bedri Tahiri: Porosia e Gjergjit tonë të Madh Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar Dorian Koçi: Kryezoti Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë Lekë Mrijaj: Ernest Koliqi – Figurë poliedrike e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora Lekë Mrijaj: I amshuari Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi – Bariu epik i Kosovës Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx