Kulturë
Ndue Dedaj: “Bija e Minotaurit” ose Dafina e pashmangshme
E marte, 10.02.2026, 06:55 PM
"BIJA E MINOTAURIT” OSE DAFINA E PASHMANGSHME
NGA
NDUE DEDAJ
1
Ka
një si ritual mes lexuesish e krijuesish, për të cilin nuk është folur kurrë.
Nuk janë klubet e afirmuara letrare të shkrimtarëve, nuk janë promovimet
zyrtare të librave, nuk janë konkurset letrare, por ai bashkëbisedimi i
thjeshtë, i natyrshëm për librat, mes miqsh të letërsisë, që nuk shënohet
askund, në asnjë protokoll, por që është mbase me i vërteti diskutim apo debat.
Nëse
do të ishte filmuar nga ndonjë kamër e fshehtë bashkëbisedimi ynë, i një rrethi
shokësh, që mblidhemi vazhdimisht, më së shumti në Lezhë, por dhe në Tiranë,
rreth romanit të Agron Tufës “Bija e Minotaurit”, autori do të kishte ndjerë
kënaqësi të veçantë, pasi është folur lirshëm, ashtu siç na ka ardhur, doemos
me shumë vlerësim për veprën, por jo si në ndonjë promovim, ku vetëm numërohen
vlerat, pasi nuk ka libër të përkryer - të tillë në thelb atë e bën jo autori,
por lexuesi që e “përthyen” me përvojën e tij të njohjes dhe leximeve.
Nga
ana tjetër, është gjë dinjitoze kur flitet për një libër pa praninë e autorit
dhe në mungesë të tij, çka do të thotë se është libri shtysa dhe jo njohja apo
miqësia me shkrimtarin.
Ishte
Alfred Duka që e hapi “siparin” rreth këtij romani, përmes një statusi special
në Facebook, si dhe duke e blerë e dhuruar romanin ndër miq, për ta vazhduar
Ernest Marku, Salvador Gjeçi, Bardhok Pulaj, Viktor Gjikolaj etj.
2
Me
besimin se kritika letrare do ta marrë në shqyrtim këtë roman të vëllimshëm,
gjë që kërkon kohën e vet, po themi ndonjë mendim ashtu si shkarazi.
“Bija
e Minotaurit” i Agron Tufës është një vepër e rëndësishme e prozës moderne
shqiptare, e mbase dhe përtej kësaj, me një strukurë kompozicionale si romanet
klasike dhe me një personazh të pazakontë si Dafina, e cila nga “periferia” e
ngjarjeve, hap pas hapi, në mënyrë të paparashikueshme, arrin të bëhet
mbizotëruesja e tyre. Ajo është një personazh “çelës” për të shpjeguar e
zbërthyer gjithë dramën e një shoqërie të mbërthyer nga darët e hekurta të
Sigurimit të Shtetit.
Në
fund të fundit, romani është ajo dhe ajo është romani, siç na e paralajmëron
dhe titulli.
Vjen
një çast që e gjithë kupola e errët sekrete e kryeqytetit “vërtitet” si gogël
në duart e kësaj vajze të re, që niset drejt një ëndërre të guximshme për t’u
bërë zbuluese dhe shpejt zhgënjehet nga vorbulla ku sapo është përfshirë, në
krye të së cilës qendron i ati. Autori e zhvendos përkohësisht personazhin e
tij në një fshat të Krujës, ku vajza nga agjente zbulon një përmasë tjetër të
shoqërisë, atë të të përndjekurve nga sistemi, me të cilën ajo padashur bie në dashuri.
Po
ashtu përmes saj autori zbulon përversitetin që ka kapluar shoqërinë e “lartë”
(zyrtare) të paprekshme, e cila pa e kuptuar dhe padashjen e saj ka prodhuar të
kundërtën e vet, që mishërohet në personazhin e protagonistes së romanit, e
cila e trondit sistemin si të ishte një “minë me sahat” e vetëkurdisur.
Autori
ka treguar mjeshtri të rrallë në skalitjen e këtij karakteri, duke realizuar
një personazh të munguar në letrat shqipe, që nuk mund të shmanget në analizën
e galerisë së karaktereve më përfaqësuese të saj. Përmes saj shkrimtari i
njohur ka ngritur perden hijerëndë të teatrit absurd të një kohë dramatike për
shqiptarët, që maskohej, survejohet e (për)dhunohej në monstra të përbindshme
si “Shtëpia e Gjetheve”.
I
gjithë diskursi ligjërimor i romanit është pa kurrë një grimë patetikë apo
retorikë të thatë. Gjithçka, çdo ngjarje, skenë, rrethanë, detaj është e
kalkuluar “matematiksht”.
Lexuesit,
lexim të këndshëm të këtij romani emblemë, kurse autorit arritje të tjera të
kësaj lartësie në fushën e Letërsisë.
Meriton
përgëzim dhe botuesi që është i mirënjohuri "Onufri".










