E hene, 09.02.2026, 12:28 PM (GMT)

Mendime

Romeo Gurakuqi: Tetëdhjetë vjet nga martirizimi i Etërve të Kombit

E diele, 08.02.2026, 06:58 PM


Tetëdhjetë vjet nga martirizimi i Etërve të Kombit

Nga Romeo Gurakuqi

80 vjet më parë, më, 15 shkurt 1946 u ekzekutuan At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Beg Bushati, një nga aktet më tragjike dhe kulmore të asaj që regjimi komunist i sapovendosur në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, e quajti “drejtësi revolucionare”. Procesi gjyqësor ndaj tyre u zhvillua në Tiranë. Gjykimi nisi zyrtarisht më 4 janar 1946, por procedurat u zvarritën për disa javë, gjatë të cilave u ndërmorën përpjekje intensive diplomatike dhe humanitare për të ndalur një ndjekje penale që, në sytë e shumë bashkëkohësve vendas dhe ndërkombëtarë, konsiderohej thelbësisht e padrejtë.

Gjatë kësaj periudhe, Selia e Shenjtë iu drejtua autoriteteve britanike me kërkesën që të ndërhynin pranë qeverisë shqiptare për të ndalur ekzekutimin e At Anton Harapit. Kjo kërkesë u mbështet si nga kleri katolik, ashtu edhe nga pjesa më e gjerë e popullsisë jo-komuniste të Shqipërisë. ( TNA FO 371/48116, R 26538/26538/90, December 5,  1945, From Holy See to Resident Minister’s Office, Central Mediterranean, Caserta) Interes të veçantë për çështjen e At Harapit shfaqi edhe zonja Herbert, kryetare e Shoqatës Anglo-Shqiptare, e cila i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë Sir Alexander Cadogan-it, në Ministrinë e Jashtme britanike. (TNA FO 371/48116, R 12827/12837/90, 8 August 1945)

Gjyqi kishte në shënjestër tri figura të spikatura të jetës politike dhe intelektuale shqiptare: dy personalitete të rëndësishme politike dhe kulturore dhe një ish-kryeministër.

Dy prej të pandehurve, At Anton Harapi dhe Lef Nosi, konsideroheshin gjerësisht si “etër të kombit”, jo vetëm në kuptimin historik, por edhe në atë moral. Ata ishin figura të njohura dhe të respektuara në qarqet perëndimore që ndiqnin nga afër çështjen shqiptare, ndër njerëzit më të ndershëm dhe më të ditur të brezit të tyre. Fati i tyre i afërt nuk mund të linte askënd indiferent.

Në dhjetor 1945, përmes Major Oakley-Hill, drejtor i UNRRA-s në Shqipëri, Margaret Hasluck i drejtoi Enver Hoxhës një letër personale, duke kërkuar mëshirë për Lef Nosin. Kjo letër përbënte jo vetëm një përpjekje të fundit për të shpëtuar jetën e një prej figurave themeluese të shtetit shqiptar, por edhe një apel thellësisht humanitar në mbrojtje të një njeriu të pafajshëm, pafajësi e kuptuar sipas standardeve juridike të vendeve të qytetëruara, në kontrast të plotë me normat represive që po vendoseshin në Shqipëri.

Hasluck shkruante: “Shkelqësi, Unë jam ulur me shkrue për t’ju kërkuar Ju, të ndihmoni mikun më të vlefshëm që unë kam në këtë botë, Lef Nosin. Unë e kam njohur atë shumë mirë, për më shumë se 15 vite, dhe Zoti e din që ai asnjëherë nuk ka thënë një fjalë në të mirë të gjermanëve dhe italianëve. Përkundrazi, ai punoi aktivisht, në bashkëpunim me mua, kundër gjermanëve gjatë kësaj lufte. Unë jam e gatshme të vij dhe të jap dëshmi në lidhje me këtë pohim, në çdo gjykatë shqiptare, por unë ende nuk jam ripërtërirë nga një sëmundje serioze që kalova në Kajro, vitin e shkuar, dhe doktori nuk do të më japë leje për të udhëtuar. Por pa ardhur unë, ju mund të inspektoni shtëpinë e tij dhe librat e tij. Ju mund të gjeni orenditë e mia dhe librat e mi atje, të cilat ai i ruajti përgjatë gjithë pushtimit armik, një sipërmarrje kjo mjaft e rrezikshme. Dhe unë nuk jam gjermane. Unë mora guximin t’ju shkruaj ju, si një mike e sprovuar e Shqipërisë. Kur unë të vij në Shqipëri, në qoftë se ju do ma lejoni këtë, unë do t’ju tregoj disa letra nga shqiptarët, të cilët shprehen se isha unë ajo që ju sigurova ju, premtimin zyrtar për pavarësinë e Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1942. Pa zotin Lef, unë nuk mund t’i përfundoj librat që jam duke shkruajtur për Shqipërinë. Kështu që ju lutem, kujdesuni për sigurinë e tij. Mua më erdhi shumë keq kur ai u bë Regjent, por pas disa ditësh unë u kujtova se ai u bë kryetar i bashkisë së Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1924, për të vetmin qellim: për të ndihmue njërëzit e varfër. Unë besoj se është e vërtetë që e njejta arsye e ka shtyrë edhe kësaj radhe. Ashtu sikurse ju Shkelqësi e dini më mirë se sa unë, ai ka qenë përherë një patriot shqiptar. Dhe në të vertetë, çfarë do të bënte Shqipëria pa një kryetar? Ju nuk mundeshit të vinit sepse ishit në male. Që prej 6 qershorit 1944, ku u ndjeva e sëmurë, unë nuk kam ndonjë pozicion zyrtar. Për këtë arsye unë po ju shkruaj ju si një person privat" ( TNA FO 371/48116, R 21173/21173/90, From Resident Minister’s Office Central Mediterranean Caserta, to Holy See, December 19th, 1945)

Mirëpo mëshira ishte një ndjenjë e rrallë në ato kohë të ashpra, në një vend të zhytur në injorancë dhe të qeverisur nga një elitë politike e pakultivuar dhe e paedukuar me formim kombëtarist. Vendimi i diktatorit ishte marrë tashmë. Hasluck nuk i mbeti gjë tjetër veçse të përgatiste shënimet nekrologjike për Lef Nosin dhe At Anton Harapin, duke përshkruar njëkohësisht rrugën pa kthim në të cilën kishte hyrë regjimi i ri.

Në atë kohë, Hasluck vështirë se mund ta imagjinonte shkallën në të cilën regjimi i ri “demokratik” dhe “çlirimtar” kishte depërtuar në jetën private dhe pronën e çdo individi të shpallur të dyshimtë. Asaj vete iu konfiskua gjithçka qe kishte ne Elbasan: shtëpia, biblioteka dhe korrespondenca personale e Lef Nosit, sendet e saj personale të lëna në Elbasan, si dhe pasuritë e pothuajse gjithë elitës shqiptare të periudhës para komuniste.

Sipas raportimeve që gjenden në arkiva, gjyqi ndaj Harapit, Nosit dhe Bushatit u zhvillua në tetë seanca, në një kinema të braktisur në Tiranë, përpara një publiku të përbërë kryesisht nga anëtarë të Partisë Komuniste. Në dokumentet diplomatike britanike atmosfera përshkruhet si haptazi armiqësore dhe kaotike. Seancat ndërpriteshin vazhdimisht nga thirrje tallëse, ndërsa tre gjyqtarët ushtarakë sulmonin hapur të pandehurit, duke minuar sistematikisht mbrojtjen ligjore.

Të akuzuarit u shpallën përgjegjës për pothuajse të gjithë shkatërrimin e luftës në Shqipëri: 50 mijë të vrarë, 47 mijë shtëpi të djegura, internimin e 18.800 personave, grabitjen e bagëtive, shkatërrimin e urave, tortura dhe masakra. Avokatët mbrojtës u penguan të flisnin me thirrje të vazhdueshme “fashistë!” dhe u privuan nga çdo mundësi reale për mbrojtje.

Ndërkohë, në dokumentet e inteligjencës britanike, të hapura sot për publikun, gjenden regjistrime mbi interceptimet e komunikimeve te autoriteteve gjermane, që pikërisht Harapi dhe Nosi kishin refuzuar dhe penguar me mosnenshkrim, ekzekutimet e dhjetra komunisteve dhe te tjereve te denuar nga gjykata speciale e Tiranës ne vitin 1944. (TNA HW 19/244, Group XIII/89 Tirana to Berlin, to Kleber, No. 133, 0615 GMT, 21/5/44.) ( TNA HW 19/244, Group XIII/89, Klagenfurt to Berlin, to Kleber, 0754 GMT, 8/3/44.)

Gjatë seancave ndodhi edhe një akt guximi qytetar: një grua u ngrit dhe mbasi thirri “Liri për popullin! kërkoi të marrë fjalen. Ngaqë u mendua se ajo do të fliste kundër të akuzuarve, iu dha fjala. Zonja guximtare iu drejtua trupës gjykuese me fjalët: “Ju po vrisni patriotët e fundit të mëdhenj që i kanë mbetur këtij vendi”. Ajo u kap menjëherë, u dhunua rëndë.

Dënimi me vdekje u shpall më 12 shkurt 1946 nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e kryesuar nga Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, me Misto Treskën prokuror. (AMPB, RSH, Dosja N-1086-A” dhe 7969)

Po atë ditë, At Anton Harapi paraqiti kërkesë për falje në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që, në rast refuzimi, çështja t’i përcillej Asamblesë Kushtetuese. Një kërkesë të ngjashme depozitoi edhe Maliq Bushati.

Ndërkohë, prokurori i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Pëllumb Dishnica, rekomandoi ratifikimin e vendimit.

Më 14 shkurt 1946, Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga Gaqo Floqi, Frederik Nosi dhe Veliedin Zeneli, la në fuqi dënimin me vdekje, duke konfirmuar përfundimisht eliminimin e tre figurave që përfaqësonin ndër përfaqësuesit e fundit të shtetësisë shqiptare para komunizmit.

Para ekzekutimit, At Anton Harapi iu drejtua trupit gjykues me fjalë që mbetën emblemë historike:

“Nuk shembet Shqipnia, se gjykohet për dekë Patër Anton Harapi. Gjithashtu nuk prishet Shqipnia në se nuk gjykohet për dekë Patër Anton Harapi. Kur para 40 vjetëve në Shkodër  përpiqesha me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk e duem Shqipninë, po na nuk i kena vu këta n’litar. Nuk kërkoj zoti Kryetar nji tolerancë. Un sipas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali dhe këtë nuk ia njohën për të keq, por ia njohën për të mirë. Kujtoj se edhe Shqipnia kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falë këta, nuk ka me kenë ligësi për Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë, që kur kam hy në gojën e ujkut Hausding-ut, etj., jam përpjekë me ba mirë e më pshtue ndonji jetë prej egërsinave. Por me qenë se ishin bisha të egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap me mundin tem kam pshtue mjaft. A ka pasë shqyptarë të marrë si unë, që me shpëtue njerëz, me shkue e me u fut vetë në gojë t’ujkut? Ka pasë qi sakrifikohen moralisht. Këtë e kam thanë edhe në ligjeratën teme. Mua më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë për me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e juaja asht materjale. Gja tjetër nuk kam me thanë: “Rrnoftë Shqipnija!" (Cituar sipas Fritz Radovanit, At Anton Harapi, Fjalët e fundit në gjyq dhe rrugës për ekzekutim, Gazeta “Panorama”, 6 janar 2018)

Dokumentacioni historik dëshmon se si At Anton Harapi, ashtu edhe Lef Nosi, kishin ndërhyrë gjatë luftës për të shpëtuar jetën e luftëtarëve komunistë, akte mëshire të njohura deri në qarqet gjermane në Berlin. Ironia tragjike ishte se ata që kishin shpëtuar do të ishin, vetëm dy vjet më pas, pjesë e mekanizmit që do të urdhëronte ose miratonte vrasjen e tyre. Në këtë kuptim, profecia e errët e Xhafer Devës—“ata që fal sot, do të jenë vrasësit e tu nesër”—rezultoi tragjikisht e saktë.

Ekzekutimi i Etërve të Kombit në vitin 1946 nuk ishte një akt hakmarrjeje spontane, por një vendim i qëllimshëm i një shteti në formim,  të drejtuar nga përfaqësuesit  ekstremistë te një krahine të vetme që nuk përfaqësonte Nacioni dhe që nuk e njihte Nacionin, e që në fund, e ndërtoi legjitimitetin e vet mbi dhunën politike dhe eliminimin e autoritetit moral dhe mirefilli patriotik të Elitës Tradicionaliste.

Etërit e vërtetë të Nacionit, të tjerë para tyre dhe pas tyre, që patën të njëjtin faj pas varrezave të Rrmajit, mishëronin traditën e nacionalizmit purist, shtetit të Gegëve dhe Toskëve bashkarisht; shembullin e ligjshmërisë, pluralizmit, etikës publike dhe përgjegjësisë morale. Eliminimi i tyre nuk ishte vetëm vrasje fizike, por shkatërrim i një modeli shtetëror nacional të arritun mbas aq shumë përpjekjesh modernizuese, shekullarizuese dhe formësuese të identitetit Arbnor.

Prej vitit 1991, pjesa e shoqerisë shqiptare që kupton, pret një reflektim të njimendtë që nuk mbërrin asnjëherë i sinqertë,i vërtetë dhe plotë, pavarësisht se Selia e Shenjtë, EU dhe USA e kanë kërkuar me aq ngulm.

Kur një shoqëri nuk ballafaqohet me krimet ndaj themeluesve të shtetit të vet, ajo rrezikon të trashëgojë praktika autoritare, cinizëm institucional dhe shpërfillje ndaj ligjit, në forma të reja të stërholluara me kinse votë demokratike , por me të njëjtën logjikë përjashtuese.

Mirëpo, pa një ndarje të qartë me dhunën komuniste, pa njohjen e fajit shtetëror, denimin e krimeve te diktatures si krime kunder njerezimit,   pa respektimin e vërtetë të të drejtave komunitare të të gjithëve, pa respektimin dhe rinjohjen e pronave private të trashëguara dhe komunitare në Malësitë shqiptare (Thethë, Kelmend, Valbonë) dhe në  Bregdet, nga Rrjolli në Himarë, pa zhbimjen e sistemit të prestanomeve të emëruar nga Oligarkia dhe Korrupsionistët, pa ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, demokracia mbetet formale dhe e brishtë, ndërsa e kaluara që nuk mund të harrohet asnjëherë, vazhdon të peshojë mbi të tashmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Idriz Zeqiraj: Opozita bllokuese imponoi zgjedhjet, por e pësoi keqas Isuf B. Bajrami: Vështrim juridik dhe faktik mbi ICC-në, OKB-në dhe Këshillin e Evropës Florim Zeqa: Referendum për kryetar të LDK-së! Ilir Çumani: Diagnoza koniciane e një kombi që refuzon pjekurinë Vladimir Shyti: Politikantët shqiptarë dalin nga hiçi Kristaq Turtulli: Letër e hapur për Kryeministrin Edi Rama Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (4) Kalosh Çeliku: Hajdutët e shtetit “të përbashkët” Idriz Zeqiraj: Shpifjet denigruese ndaj Presidentes Vjosa, normë e opozitës çoroditëse Asllan Dibrani (Luani): Përçarja e kombit po shkatërron gjithçka - Dorëheqja e Naim Tërnavës dhe Bashkësisë Islame te Kosovës është urgjente Kalosh Çeliku: Im atë ishte burrë i natës, jo i ditës së sotme Florim Zeqa: Fitoi 'minihamburgeri' antirugovist në LDK! Sadbere Emshiu: Zinxhiri i dritës profetike dhe devijimet e tij moderne Lëvizja për Rikthim: Gënjeshtra islamike si projekt i trysnisë fetare dhe politike Florim Zeqa: Vazhdimi i klaneve, kulmi i katandisjes së LDK-së! Idriz Zeqiraj: Kuvendi i Punës, parapërgatitje për Kuvendin Zgjedhor Lazim Miftari: Termi "Perandoria Turke" Nue Oroshi: Shumica nuk është gjithmonë e vërtetë por e vërtetë është se shumica vendos Ndue Dedaj: “Puna e mbarë!” – atyre që punojnë Isuf B. Bajrami: Në Kosovë, duhet mbisundimi i ligjit si mbizotërim i normës juridike mbi arbitraritetin dhe presionin jashtëinstitucional

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx