Mendime
Idriz Zeqiraj: Kuvendi i Punës, parapërgatitje për Kuvendin Zgjedhor
E diele, 01.02.2026, 06:55 PM
KUVENDI I PUNËS PARAPËRGATITJE PËR KUVENDIN ZGJEDHOR
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Stërkeqja
e LDK-së është e hershme. Porosia e kryetarit historik të LDK-së, Dr. Ibrahim
Rugova, se "njerëzit e shantazhuar, nuk duhet lejuar të ngritën në pozita
drejtuese, sepse janë të dëmshëm për Kosovën, u shpërfill deri në harresë.
Është
fatale për një parti politike, kur kreun e saj ia "dhuron"
kundërshtari politik. Kështu i ndodhi LDK-së, kur me skuthëri bizantine, Isa
Mustafa uzurpoi postin e kryetarit. Si mjeshtër i hileve dhe intrigave,
konsolidoi një klan brenda kryesisë të LDK-së. Teza e parë e tij ishte:
"Do ta krijojmë një Lidhje të re demokratike!" Dhe, vazhdoi të
lansohet dhe afishohet kudo në mjediset e LDK-së. LDK-ja në Mërgatë ishte e
para që nuk e pranoi dhe e denoncoi si devijim nga rruga rugoviane.
Ndërrimi
i statutit të LDK-së, ishte përgatitje që kryetari i partisë të kalaveshej me
kompetenca tej mbretërore. Tkurrja e kompetencave të strukturave të partisë,
shpërfillja e kryesisë dhe forcimi i rrethit vicioz rreth kryetarit. Shuarja e
Aktivave të LDK-së, ishte fillimi i çmontimit të rugovizmit në LDK-e.
Anashkalimi i debatit brenda partiak, që nga kryesia, strukturat e partisë, e
deri në bazën e Degëve, Nëndegëve, e degradoi deri në degjenerim LDK-në, dikur
famëmadhe të Presidentit Rugova.
Aklamacioni,
votimi i hapur, e zëvendësoi votimin e fshehtë në të gjitha nivelet e kuvendeve
zgjedhore, garantoi riciklimin e kryetarit të LDK-së në qendër dhe bazë. Kështu
rrjedha e anëtarësisë, me rënie të lirë, nga 47 %, zbriti në 9.8 dhe jo 12%,
siç u tha rrejshëm, sepse në koalicion ishte Pacolli me disa partiza të vogla.
Kuvendi
i 10-të i Jashtëzakonshëm i LDK-së, prodhoi Lumir Abdixhikun kryetar. Në
përballje me Lutfi Hazirin, tashmë, i konsumuar si nënkryetar i dytë, në ekipin
e Mustafës, fitoi bindshëm. Kryetari i ri, përveç disa klanorëve të Isës,
seleksionoi edhe disa nga kundërshtarët e klanit, si balancim. Kjo ngjalli
dyshime, madje edhe habi, sepse ngjasonte me kryetarët pararendës, me goditjen
e rugovistëve të devotshëm, të përkushtuar.
"Do
vazhdojmë zgjedhjet me statutin në fuqi", - tha në fillim të Kuvendit
zgjedhor kryetar Lumiri. Kjo la shije të hidhur. Edhe pse premtoi reforma në
LDK-e, të cilat, realisht, nuk i la në gjysmë. Ai me kryesinë e tij, e shpalli
"Kryetar Nderi" Isa Mustafën "për merita drejtuese të
LDK-së", të cilën e solli në 9.8 %. Një ish ministër i dinjitetshëm, më
tha: "Në vend që ta largonin zvarrë nga salla, turma e delegatëve po e
përcjellin me duartrokitje!"
Duhet
pranuar se kryetari Lumir Abdixhiku punoi shumë, lëvizi në qytete e fshatra, me
fjalime me elokuencë dhe përgatitje solide intelektuale. Por, klani Mustafa,
fort i varur nga PDK-ja, e sabotoi mjaftueshëm, duke vazhduar zanatin, si
patericë e PDK-së. Neutraliteti, asnjanësia e kryetarit Lumir, bllokada 9
mujore e krijimit të institucioneve shtetërore, iu faturua, madje meritueshëm,
LDK-së. Kjo solli edhe humbjen e thellë të saj.
Reagimi
i parë i Abdixhikut, pas rezultatit mjeran zgjedhor, ishte premtimi i vakët i
dorëheqjes nga posti i kryetarit, duke e relativizuar se për këtë do të
vendosin strukturat e partisë. Por, tani, pas caktimit të datës të Kuvendit të
partisë, nuk përmendet dorëheqja, por bëhet fjalë për një votëbesim të Kuvendit,
për vazhdimin e mandatit të kryetar Lumirit. Ose edhe dorëheqje të deklaruar,
me të drejtë të konkurrimit të serishëm për kreun e LDK-së. Pra, shprehja
"dorëheqje e parevokueshme" nuk është thënë asnjëherë nga ai.
Kryetari
Lumir Abdixhiku reagimin e parë e bëri me mendjen e tij, konform realitetit
faktik, sepse përgjegjësia kryesore bie mbi të parin e fajësisë. Ndërsa
ndryshimi i qëndrimit është i imponuar nga shokët që e rrethojnë, sepse janë
palë në bashkëfajësi. Dhe, mbrojtja në grup, gjithsesi, është më e sigurtë, se
sa individualisht.
Ndryshimi
nga dorëheqja në një votëbesim të pa afatizuar, është mjegullnajë dhe jo
zgjidhje. Përfitimi në kohë duhet përdorur me racionalitët, për një këndellje,
përmes analizës, duke vënë pikën mbi -i-. Shkaqet që gremisën LDK-në, duhet
qartësuar në funksion të riorganizimit, për të mos përsëritur një gjëmë tjetër
në LDK-e.
Votëbesimi
duhet të shoqërohet me krijimin e një Komisioni përgatitor të zgjedhjeve të
përgjithshme, që nga Nëndegët e deri tek kryetari i LDK-së. Duke parë
babëzitjen karrieriste të klaneve në LDK-e, por edhe mendësinë provinciale
ballkanike, në përgjithësi, dhe shqiptare, në veçanti, afati duhet të kufizohet
në dy mandate, nëse mandati i parë i kryetarit është i suksesshëm.
Pra,
ndryshimi nuk është vendim personal i Lumirit, por, kryesisht, vendim i
shumicës të kryesisë aktuale. Dhe, vendimi kolegjial, kolektiv, është gjithmonë
më racional, më i studiuar se ai individual. Përmes mbrojtjes grupore, kryesia
mbron edhe partinë nga rrëshqitja drejt humnerës. Ndarjen e Kosovës, me
kamuflimin e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Kancelarja Angela Merkel e
ilustroi me një shprehje gjermane "është shpat i rrëshqitshëm". Dhe,
këtë ua tha tre banditëve: Hashim Thaçit, Edvin Ramës, Aleksander Vuçiq, të
cilët "me thika" mbi hartën e shpalosur të Kosovës, në këndin e një
salle ndërkombëtare, e luten Kancelaren t`ia bëjë "aminin" ndarjes,
por ajo i refuzoi me përbuzje dhe neveritshëm.
Anëtarësia,
elektorati, populli, shqiptarët vendorë dhe botërorë, në shumësinë absolute të
tyre, po e presin me ankth Kuvendin e LDK-së më 31 janar. Arsyeja është se
pavarësisht propagandës të egër korale të vrastarëve të djeshëm të saj, ajo ka
qenë dhe mbetet parti e parë pluraliste demokratike në Ballkan; parti
shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese; parti që bëri rezistencën paqësore aktive,
duke krijuar institucionet paralele, në kushtet e një pushtimi brutal; parti që
vuri bazat e ushtrisë luftarake, duke organizuar edhe luftën për çlirim; parti
që ripërtëriu miqësinë me shtetet e Kuintit dhe Amerikën.
Ky
projekt madhor u realizua mençurisht nga mendimtari atdhetar, Dr. Ibrahim
Rugova, bashkëpunëtorët e Tij. Me filozofinë e Tij urtake unike e bindi botën
përparimtare demokratike, të prirë nga Amerika liridashëse, ta aktivizojë
forcën ushtarake, të bashkuar në NATO-paktin, për ta stopuar dhe përzënë
ushtrinë vrastare serbo-sllave, me apaçet e saj.
Kuvendi
i LDK-së të 31 janarit 2026, nuk duhet të shndërrohet në Kuvend zgjedhor.
Përkundër, duhet të jetë Kuvend pune dhe udhëzime veprimi për Kuvendin e
mirëfilltë zgjedhor, i cili kërkon disa muaj kohë për t`u përgatitur. Sepse,
Kuvendi aktual i LDK-së, me pasivitetin dhe heshtjen qyqare, nuk e ka
kredibilitetin, besueshmërinë për ta zgjedhur as kryetarin, as kryesinë dhe as
Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Sepse në forma të ndryshme, hiç
demokratike, u përzunë nga LDK-ja, vajza dhe djemë, veprimtarë dhe luftëtarë,
besnikë të frymës rugoviane, duke shkelur parimet dhe porositë e themeluesit të
LDK-së, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Humbjes
së thellë të LDK-së, siç duket, përveç PAN-it, i janë gëzuar edhe klani rival
brenda partisë. Ata nxituan të tërhiqen nga kryesia e LDK-së, me qëllim të
presionit ndaj kryetarit Abdixhiku, që edhe ai të japë dorëheqje të
parevokueshme. Shpallja e kandidaturave për kryetar partie, pa qenë Kuvend
zgjedhor, po konsiderohen si veprime të nxituara dhe jo serioze. Klani i Isa
Mustafës, aleat i hershëm i PDK-së, ka ndikuar jo pak në përcaktimet e
aleancave me subjektet politike të kriminalizuara, rrjedhimisht, humbjen sa të
thellë, aq edhe të pritshme!
Është
normale dhe e pritshme të veprojë Komisioni i përgjegjësisë, i domosdoshëm për
disiplinën brenda partiake. Edhe ndryshimet do të jenë pashmangshme, sepse
pauzimet individuale dhe grupore janë të shëndetshme për një parti politike.
Mosha e pretendentve aktual, për kreun e partisë apo kryesinë e saj, i
favorizon për t`u përmbushur. Përçarjet dhe ndarjet, kryesisht, subjektive dhe
karrieriste, e kanë lodhur, deri në molisje dhe varfëruar në anëtarësi LDK-në.
Nuk
mund dhe nuk duhet të mbahet asnjë Kuvend zgjedhor, pa u ftuar në procesin e
madh të analizës dhe debatit demokratik, me të drejtën për të zgjedhur dhe për
t`u zgjedhur, cilido që e dëshmon vetën, nga sot e tutje, qoftë në pjesëmarrjen
aktive të organizimit të Kuvendit zgjedhor, qoftë në prurjet e reja në parti.
LDK-ja
ka qenë dhe mbetet parti e vlerave. Kosova ka nevojë për këtë parti veterane në
moshë, por gjithnjë vitale në veprimtari.









