Mendime
Ndue Dedaj: “Puna e mbarë!” – atyre që punojnë
E shtune, 31.01.2026, 03:57 PM
“PUNA E MBARË”! - ATYRE QË PUNOJNË
-
Përvoja që vijnë nga provinca në kryeqytet -
NGA NDUE DEDAJ
Shkruajmë rregullisht për të këqiat që e kanë mbërthyer
vendin dhe nuk kemi si të mos e bëjmë, pasi mjerisht ato janë bërë “mal”. Por
nuk është vetëm çështja “Balluku”, nuk është vetëm qeveria me disa ministra në
burg, nuk është vetëm politika e mbrapshtë që na e ka zënë diellin. Është dhe
puna, aq sa është, për të cilën dikur populli përdorte shprehjen “Puna e mbarë”
tek ara e mistrit, te vija e ujit, te tufa e dhive etj.
Doemos që Shqipërinë e duan të gjithë shqiptarët, por disa
vetëm me fjalë e gjeste “patriotike” e të tjerë me vepra në dobi të
komunitetit, për më tepër, nga këta të fundit, jo pak sosh që kanë punuar për
vite e vite në emigracion.
“Buk e gjath” nga
Zadrima në Tiranë
Vërtetë i sheh tokat djerr nga Tirana në Lezhë, por është
një njeri që e ka futur në punë Zadrimën, pa qenë ministër i Bujqësisë, që e
njohin të gjithë, Altini i “Mrizit të Zanave”. Falë inkurajimit dhe mbështetjes
së tij, tash në atë zonë nuk është vetëm agroturizmi i tij i famshëm, që mban
emrin e njërës prej veprave letrare të Gjergj Fishtës, por dhe disa agroturizma
të rinj, një rrjet i tërë veprimtarish prodhuese në bujqësi e blegtori. Befas
ai ngrihet e “pushton” dhe Tiranën, duke
e vënë kryeqytetin në radhë për “bukë e djath”.
Kjo është gjë e thjeshtë në dukje, por në të vërtetë diçka e
madhërishme, pasi u kujton njerëzve se janë shkëputur nga rrënjët, kinse në emër
të modernitetit. Ky kthjellim i atyre vjen nga një njeri i shquar i punës, me
vizionin e kohës, që agroturizmin e sheh si biznes përmes risimit të traditës.
Ai nuk eksperimenton në kuzhinën e tij atë çka është e “huaj”, edhe pse e njeh
mirë atë, por i mëshon asaj që është autoktone, thënë në mënyrë të figurshme,
përpiqet të sjellë gjellët e “gjyshes”. Dhe nuk dëshiron që të jetë i “vetmi
trim në luftë”, por “trimi i mirë me shokë shumë”. Thënë ndryshe, i pari ndër
të parët...
“Rapsodia” nga Shëngjini
në Kodrën e Diellit
Çuarjen e biznesit të tij në Tiranë e ka bërë dhe një tjetër
mastershef nga Shëngjini, Alfredi i mirënjohur i “Rapsodisë”, që së fundi ka
hapur një restorant te “Kodra e Diellit”. Prej vitesh restoranti i tij buzë
detit ka tërhequr vëmendjen për risitë dhe cilësinë e gatimit të recetave unike
shqiptare, kulturën e shërbimit etj., përvojë që tash e shpie dhe në kryeqytet
me mjaft sukses.
Të dy këtë bisnesmenë të zot, Afredi dhe Altini nuk kanë
marrë ndonjëherë tendëra nga qeveria, çdo gjë e kanë me mundin e krahëve të
tyre. Ti mund të prisje që të ishte kryeqyteti shembulli i një punë të tillë,
që agrobiznese të Tiranës që kanë bërë përpara dhe me grante të organizmave
qeveritare e donatorë, të shtriheshin në “bazë”, mirëpo ka ngjarë e kundërta.
Njerëz të tillë, të dhënë pas punës, nuk janë oligarkë, nuk
përflitën për afera, nuk “ftohen” në SPAK për t’u pyetur për ndonjë çështje,
këta e kanë lopatën në bagazhin e makinës, se mos në ndonjë rast iu duhet me
mbushë ndonjë gropë në rrugë, sipas shembullit të Dom Antonio Sharrës së
Zadrimës, kumbona e Paqes e të cilit gjendet në Bulevardin “Dëshmorët e
Kombit”, si një kujtesë se paqja, jo lufta, është e mbara e një populli e kombi
dhe se ajo meriton gjithë përkushtimin njerëzor.
Jetëzimi i kullave nga
banorët, para projektit të Qeverisë
Ndërsa kryeqyteti lartëson kullat qiellzënëse e frymëmarrëse
në qendër të tij, shumë dukagjinas, kelmendas, mirditorë, pukjanë, hasjanë,
matjanë, dibranë etj. janë kthyer pa kurrëfarë zhurme në vendlindjen e tyre dhe
kanë rivitalizuar kullat e të parëve, më e pakta që ajo trashëgimi të mos
bjerret më shumë. Dhe nuk janë një e dy për katund, por shumë, që i kemi parë
me sytë tanë, nga Skuraj në Lekbibaj e nga Lëpusha në Shishtavec.
Ndërkohë qeveria ka paraqitur pak kohë më parë “Programin
për Rijetëzimin e Kullave në disa rrethe në bashkëpunim me GIZ Shqipëri, i cili
synon të kthejë kullat tradicionale të veriut në hapësira të gjalla të
turizmit, kulturës dhe ekonomisë lokale, duke i restauruar, përshtatur dhe
përfshirë në itinerare turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët
vendas dhe të huaj”. Edhe pse banorët janë një hap para qeverisë në këtë nismë
të rëndësishme, ka prapë vend për zbatim, veçse duke uruar që të mos ketë fatin
e dështimit të “100 fshatrave”.
Të përfshirë nga përditshmëria, kulisat e politikës, shpesh
jemi të pavëmendshëm ndaj dukurive të reja që lindin në jetën tonë. Duket e
çuditshme kjo që sapo pohuam për kullat, pasi askush nuk i ka bërë objekt
“promovimi” nga ato emisionet televizive shëtitëse lart e poshtë, ngaqë të
zotët nuk paguajnë për reklamimin e asaj që kanë bërë.
Vërtetë kullat e maleve tona mund t’i marrë në mbrojtje
UNESKO një ditë prej ditësh, por kjo do të ishte shumë më pak sesa rikthimi ynë
te kullat, dikush për të ribanuar aty, dikush për t’i kthyer në muze familjar,
dikush për të kaluar fundjavat apo fundvitin atje, dikush për të bërë një
vreshtë rrushi, dikush për të mbarështuar tufat e dhive, dikush për t’i kthyer
në agroturizëm etj. Jo pak kullave në skajet më të largëta të Mirditës iu ka
mundësuar çatinë e re, çisternat me uji shiu etj. shoqata e mirënjohur
Austri-Mirditë, për të cilën kemi shkruar herë pas here. Nuk është fjala për
fshatra turistikë me kulla që ju keni parë nga afër, si Thethi, Tamara,
Vermoshi, Valbona, Katundi i Vjetër, Lura etj. simbole të turizmit malor
shqiptar, por për kulla të “vetmuara” bjeshkësh që janë kthyer në identitet në
katundet e epërme.
Shqipëria kështu punohet, jetëzohet, mbrohet (nga
shëpërdorimi, grabitja), integrohet dhe trashëgohet; e dëgjon përherë e më pak
fjalën shpopullim, braktisje etj.









