Mendime
Shefqet Dibrani: Portret i Mërgimtarit – Fatmir Thaqi
E merkure, 28.01.2026, 06:53 PM
PORTRET MËRGIMTARI: FATMIR THAQI
Nga
Shefqet Dibrani
E
diela, kur nuk kam arsye për të dalë dhe as shkas për të shkruar, di të bëhet e
rëndë, monotone, pothuaj e shurdhët. Janë ato ditë kur koha rri pezull dhe
mendimet vërtiten pa cak. Në çaste të tilla, një telefonatë nga një mik i
vërtetë, nga një bashkëveprimtar i sprovuar, merr vlerën e një dhurate të
rrallë njerëzore. Jo thjesht si lajm, por si kujtesë se ende ekziston fjala e
ngrohtë, shoqëria e pastër dhe virtyti moral. Kështu ndodhi edhe sot. Zëri i
Fatmir Thaqit, veprimtar i kahmotshëm, shok i mirë dhe një nga ata mërgimtarë
me të cilët nuk mund të vësh dorë, ma ndriçoi ditën dhe ma ktheu të zakonshmen
në një përjetim kuptimplotë.
Me
Fatmirin njihemi prej më shumë se tri dekadash. Njohje që nuk është ndërtuar
mbi rastësi, por mbi rrugë të përbashkëta, mbi kohë të vështira, mbi përballje
dhe sakrifica. Ai është nga ata njerëz që nuk i imponohet shoqërisë me zë të
lartë, por që prania e tij ndihet qetësisht, dhe tepër i sigurt, si një shtyllë
ku mund të mbështetesh. Gjithnjë bujar, gjithnjë i buzëqeshur, por mbi të
gjitha i gatshëm për të dhënë nga vetja, pa hesap, pa pritje shpërblimi.
Fatmir
Thaqi është këngëtar dhe dashamirës i flaktë i folklorit, ruajtës i tingullit
dhe frymës shqiptare në mërgim. Njëkohësisht sportist dhe adhurues i sportit,
ai mishëron atë tip mërgimtari që e kupton se trupi dhe shpirti duhen mbajtur
njësoj gjallë. Por mbi këto pasione, për mua ai ka qenë dhe mbetet veprimtar
demokrat, nga ata që çështjen kombëtare nuk e kanë pasur slogan, por përkushtim
jetësor. Me tërë qenien e tij është angazhuar për Kosovën, duke sakrifikuar
kohë, energji dhe..., kur ka qenë mbase e nevojshme, ka bërë edhe sigurinë tonë
fizike. Ka qenë aty ku duhej, pa bujë, e tepër i vendosur! Karakteristikë që ia
njohin të gjithë!
Karakteri
i Fatmirit është i ndërtuar mbi ekuilibër të rrallë, aq sa është tolerant dhe i
dashur, po aq është edhe i rreptë kur duhet; i drejtpërdrejtë në fjalë dhe i
padurueshëm ndaj hiles dhe hileqarëve, për më tepër ndaj atyre që krekosen. Me
të gjithnjë duhet ta matësh veten. Në besë nuk të pret, por as nuk të lë të
humbasësh. Fjala e tij është e prerë, qëndrimi i drejtë, ndërsa shoqëria shumë
e sigurt. Janë këto cilësi që e madhërojnë portretin e tij si mërgimtar i orëve
të para, si veprimtar që ka ditur të qëndrojë drejt edhe kur rrethanat kanë
kërkuar përkulje.
Sot,
përveç tij, u takuam edhe me mikun tonë Gjokë M. Gjoka, që mbetet i njëjtë që
kur e njoha dhe me veprimtarin Sherfi Bellaqa, të cilin e vlerësoj shumë, ai
është nga i njëjti rreth dhe posedon vlera identike me Fatmirin, i dashur dhe
shumë respektues, si dhe një Nipin e Fatmirit, me të cilin kishte kohë që nuk
ishim parë, dhe kur na solli birrë tha për dajen që e kam për qefi e jo të
imponuar.
Rasti
na mblodhi rreth KF “Dardania” në St. Gallen, në turneun tradicional që mbahet
në muajin e parë të çdo viti. Ishte një grumbullim i bukur mërgimtarësh, qindra
bashkatdhetarë nga shumë kantone të Zvicrës, pastaj këngëtarë e valltarë nga
Ansambli “SHARRI”, si dhe këngëtarja e mirënjohur Leonora Jakupi, e cila këndoi
për të pranishmit, duke e kthyer sportin në festë dhe festën në kujtesë
kolektive. Të pranishëm ishin edhe shumë gazetarë, moderatorë televizivë e
analistë që kishin ardhur enkas nga Kosova. U përfol madje se kishte qenë i
ftuar edhe ndonjë zë që zakonisht vjell vrer kundër mërgimtarëve, por siç duket,
nga ndonjë thumbim ai nuk u pa askund. Në fund të fundit, mungesa e tij vetëm
sa e zbukuroi dhe më shumë e shtoi hijeshinë e kësaj dite.
Takime
dhe përshëndetje edhe nga shumë miq e veprimtarë pati pa fund, por biseda ime
me Fatmirin u përqendrua sidomos te fëmijët tanë - te suksesi i tyre, te rruga
që po ndërtojnë. Si prindër, kemi arsye të mburremi, dhe të flas nga del
shpirti nuk na interesonte fjalamania pas shpine. Fatmiri kishte plot të drejtë
për krenarinë e tij, “qoftë me shokët e bërë pelin në ta?!”, për të cilet ka
bër shumë, sepse sikurse për fëmijët, një jetë të tërë ai ua kushtoi atyre dhe
Kosovës, duke dëshmuar se sakrifica personale ka kuptim vetëm kur vendi fiton
lirinë siç e fitoi Kosova, po sidomos suksesi i fëmijëve atij i është shndërruar
në vlerë për të qenë kaq krenar sepse fjala e tij sillej rreth sukseseve të
shumta për brezin që vjen.
Kjo
e diel, falë këtyre çasteve, për mua ishte e bukur dhe e mbushur me domethënie.
Loja dhe suksesi i Dardanëve i gëzuan të gjithë. Mua, veçanërisht, më gëzuan
batutat e Fatmirit me shokët e mirë përreth. E kur bisedat tona u shoqëruan
edhe me disa birra, fitorja në fushë e Dardanëve nuk vihej më në diskutim. Në
shkallët e Sallës së Sportit “Kreuzbleiche” në St. Gallen, u kënaqëm me lojën,
ndërsa tifozët e zhurmshëm na u dukën edhe më të hareshëm dhe më entuziast se
sa Ne...
Një
e diel e thjeshtë në dukje, por e pasur me miqësi, kujtime dhe krenari
mërgimtare. Një ditë që të kujton se mërgimi nuk është vetëm largësi, por edhe
bashkim rreth vlerave të përbashkëta.
Faleminderit,
mik i dashur Fatmir. Paç fat e gëzime, shëndet dhe suksese në familjen tënde.
Rrnofsh
sa malet o Burrë i Dheut!
Shefqet Dibrani
St. Gallen, 25 janar 2026.










