| E diele, 08.02.2026, 06:58 PM |
Tetëdhjetë vjet nga martirizimi i Etërve të Kombit
Nga
Romeo Gurakuqi
80
vjet më parë, më, 15 shkurt 1946 u ekzekutuan At Anton Harapi, Lef Nosi dhe
Maliq Beg Bushati, një nga aktet më tragjike dhe kulmore të asaj që regjimi
komunist i sapovendosur në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, e quajti
“drejtësi revolucionare”. Procesi gjyqësor ndaj tyre u zhvillua në Tiranë.
Gjykimi nisi zyrtarisht më 4 janar 1946, por procedurat u zvarritën për disa
javë, gjatë të cilave u ndërmorën përpjekje intensive diplomatike dhe
humanitare për të ndalur një ndjekje penale që, në sytë e shumë bashkëkohësve
vendas dhe ndërkombëtarë, konsiderohej thelbësisht e padrejtë.
Gjatë
kësaj periudhe, Selia e Shenjtë iu drejtua autoriteteve britanike me kërkesën
që të ndërhynin pranë qeverisë shqiptare për të ndalur ekzekutimin e At Anton
Harapit. Kjo kërkesë u mbështet si nga kleri katolik, ashtu edhe nga pjesa më e
gjerë e popullsisë jo-komuniste të Shqipërisë. ( TNA FO 371/48116, R
26538/26538/90, December 5, 1945, From
Holy See to Resident Minister’s Office, Central Mediterranean, Caserta) Interes
të veçantë për çështjen e At Harapit shfaqi edhe zonja Herbert, kryetare e
Shoqatës Anglo-Shqiptare, e cila i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë Sir
Alexander Cadogan-it, në Ministrinë e Jashtme britanike. (TNA FO 371/48116, R
12827/12837/90, 8 August 1945)
Gjyqi
kishte në shënjestër tri figura të spikatura të jetës politike dhe intelektuale
shqiptare: dy personalitete të rëndësishme politike dhe kulturore dhe një
ish-kryeministër.
Dy
prej të pandehurve, At Anton Harapi dhe Lef Nosi, konsideroheshin gjerësisht si
“etër të kombit”, jo vetëm në kuptimin historik, por edhe në atë moral. Ata
ishin figura të njohura dhe të respektuara në qarqet perëndimore që ndiqnin nga
afër çështjen shqiptare, ndër njerëzit më të ndershëm dhe më të ditur të brezit
të tyre. Fati i tyre i afërt nuk mund të linte askënd indiferent.
Në
dhjetor 1945, përmes Major Oakley-Hill, drejtor i UNRRA-s në Shqipëri, Margaret
Hasluck i drejtoi Enver Hoxhës një letër personale, duke kërkuar mëshirë për
Lef Nosin. Kjo letër përbënte jo vetëm një përpjekje të fundit për të shpëtuar
jetën e një prej figurave themeluese të shtetit shqiptar, por edhe një apel
thellësisht humanitar në mbrojtje të një njeriu të pafajshëm, pafajësi e
kuptuar sipas standardeve juridike të vendeve të qytetëruara, në kontrast të
plotë me normat represive që po vendoseshin në Shqipëri.
Hasluck
shkruante: “Shkelqësi, Unë jam ulur me shkrue për t’ju kërkuar Ju, të ndihmoni
mikun më të vlefshëm që unë kam në këtë botë, Lef Nosin. Unë e kam njohur atë
shumë mirë, për më shumë se 15 vite, dhe Zoti e din që ai asnjëherë nuk ka
thënë një fjalë në të mirë të gjermanëve dhe italianëve. Përkundrazi, ai punoi
aktivisht, në bashkëpunim me mua, kundër gjermanëve gjatë kësaj lufte. Unë jam
e gatshme të vij dhe të jap dëshmi në lidhje me këtë pohim, në çdo gjykatë
shqiptare, por unë ende nuk jam ripërtërirë nga një sëmundje serioze që kalova
në Kajro, vitin e shkuar, dhe doktori nuk do të më japë leje për të udhëtuar.
Por pa ardhur unë, ju mund të inspektoni shtëpinë e tij dhe librat e tij. Ju
mund të gjeni orenditë e mia dhe librat e mi atje, të cilat ai i ruajti
përgjatë gjithë pushtimit armik, një sipërmarrje kjo mjaft e rrezikshme. Dhe
unë nuk jam gjermane. Unë mora guximin t’ju shkruaj ju, si një mike e sprovuar
e Shqipërisë. Kur unë të vij në Shqipëri, në qoftë se ju do ma lejoni këtë, unë
do t’ju tregoj disa letra nga shqiptarët, të cilët shprehen se isha unë ajo që
ju sigurova ju, premtimin zyrtar për pavarësinë e Shqipërisë, në dhjetor të
vitit 1942. Pa zotin Lef, unë nuk mund t’i përfundoj librat që jam duke
shkruajtur për Shqipërinë. Kështu që ju lutem, kujdesuni për sigurinë e tij.
Mua më erdhi shumë keq kur ai u bë Regjent, por pas disa ditësh unë u kujtova
se ai u bë kryetar i bashkisë së Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1924, për
të vetmin qellim: për të ndihmue njërëzit e varfër. Unë besoj se është e
vërtetë që e njejta arsye e ka shtyrë edhe kësaj radhe. Ashtu sikurse ju
Shkelqësi e dini më mirë se sa unë, ai ka qenë përherë një patriot shqiptar.
Dhe në të vertetë, çfarë do të bënte Shqipëria pa një kryetar? Ju nuk mundeshit
të vinit sepse ishit në male. Që prej 6 qershorit 1944, ku u ndjeva e sëmurë,
unë nuk kam ndonjë pozicion zyrtar. Për këtë arsye unë po ju shkruaj ju si një
person privat" ( TNA FO 371/48116, R 21173/21173/90, From Resident
Minister’s Office Central Mediterranean Caserta, to Holy See, December 19th,
1945)
Mirëpo
mëshira ishte një ndjenjë e rrallë në ato kohë të ashpra, në një vend të zhytur
në injorancë dhe të qeverisur nga një elitë politike e pakultivuar dhe e
paedukuar me formim kombëtarist. Vendimi i diktatorit ishte marrë tashmë.
Hasluck nuk i mbeti gjë tjetër veçse të përgatiste shënimet nekrologjike për
Lef Nosin dhe At Anton Harapin, duke përshkruar njëkohësisht rrugën pa kthim në
të cilën kishte hyrë regjimi i ri.
Në
atë kohë, Hasluck vështirë se mund ta imagjinonte shkallën në të cilën regjimi
i ri “demokratik” dhe “çlirimtar” kishte depërtuar në jetën private dhe pronën
e çdo individi të shpallur të dyshimtë. Asaj vete iu konfiskua gjithçka qe
kishte ne Elbasan: shtëpia, biblioteka dhe korrespondenca personale e Lef
Nosit, sendet e saj personale të lëna në Elbasan, si dhe pasuritë e pothuajse
gjithë elitës shqiptare të periudhës para komuniste.
Sipas
raportimeve që gjenden në arkiva, gjyqi ndaj Harapit, Nosit dhe Bushatit u
zhvillua në tetë seanca, në një kinema të braktisur në Tiranë, përpara një publiku
të përbërë kryesisht nga anëtarë të Partisë Komuniste. Në dokumentet
diplomatike britanike atmosfera përshkruhet si haptazi armiqësore dhe kaotike.
Seancat ndërpriteshin vazhdimisht nga thirrje tallëse, ndërsa tre gjyqtarët
ushtarakë sulmonin hapur të pandehurit, duke minuar sistematikisht mbrojtjen
ligjore.
Të
akuzuarit u shpallën përgjegjës për pothuajse të gjithë shkatërrimin e luftës
në Shqipëri: 50 mijë të vrarë, 47 mijë shtëpi të djegura, internimin e 18.800
personave, grabitjen e bagëtive, shkatërrimin e urave, tortura dhe masakra.
Avokatët mbrojtës u penguan të flisnin me thirrje të vazhdueshme “fashistë!”
dhe u privuan nga çdo mundësi reale për mbrojtje.
Ndërkohë,
në dokumentet e inteligjencës britanike, të hapura sot për publikun, gjenden regjistrime
mbi interceptimet e komunikimeve te autoriteteve gjermane, që pikërisht Harapi
dhe Nosi kishin refuzuar dhe penguar me mosnenshkrim, ekzekutimet e dhjetra
komunisteve dhe te tjereve te denuar nga gjykata speciale e Tiranës ne vitin
1944. (TNA HW 19/244, Group XIII/89 Tirana to Berlin, to Kleber, No. 133, 0615
GMT, 21/5/44.) ( TNA HW 19/244, Group XIII/89, Klagenfurt to Berlin, to Kleber,
0754 GMT, 8/3/44.)
Gjatë
seancave ndodhi edhe një akt guximi qytetar: një grua u ngrit dhe mbasi thirri
“Liri për popullin! kërkoi të marrë fjalen. Ngaqë u mendua se ajo do të fliste
kundër të akuzuarve, iu dha fjala. Zonja guximtare iu drejtua trupës gjykuese
me fjalët: “Ju po vrisni patriotët e fundit të mëdhenj që i kanë mbetur këtij
vendi”. Ajo u kap menjëherë, u dhunua rëndë.
Dënimi
me vdekje u shpall më 12 shkurt 1946 nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e
kryesuar nga Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, me Misto Treskën
prokuror. (AMPB, RSH, Dosja N-1086-A” dhe 7969)
Po
atë ditë, At Anton Harapi paraqiti kërkesë për falje në Gjykatën e Lartë, duke
kërkuar që, në rast refuzimi, çështja t’i përcillej Asamblesë Kushtetuese. Një
kërkesë të ngjashme depozitoi edhe Maliq Bushati.
Ndërkohë,
prokurori i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Pëllumb Dishnica, rekomandoi ratifikimin
e vendimit.
Më
14 shkurt 1946, Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga Gaqo Floqi, Frederik
Nosi dhe Veliedin Zeneli, la në fuqi dënimin me vdekje, duke konfirmuar
përfundimisht eliminimin e tre figurave që përfaqësonin ndër përfaqësuesit e
fundit të shtetësisë shqiptare para komunizmit.
Para
ekzekutimit, At Anton Harapi iu drejtua trupit gjykues me fjalë që mbetën
emblemë historike:
“Nuk
shembet Shqipnia, se gjykohet për dekë Patër Anton Harapi. Gjithashtu nuk
prishet Shqipnia në se nuk gjykohet për dekë Patër Anton Harapi. Kur para 40
vjetëve në Shkodër përpiqesha me ba
Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk e duem Shqipninë, po na nuk i kena
vu këta n’litar. Nuk kërkoj zoti Kryetar nji tolerancë. Un sipas mundit, kam
derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e
revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali dhe këtë nuk ia njohën për
të keq, por ia njohën për të mirë. Kujtoj se edhe Shqipnia kur gjykon
Regjentat, besoj se sikur t’i falë këta, nuk ka me kenë ligësi për Shqipninë,
por besoj se ka me kenë mirë. Unë, që kur kam hy në gojën e ujkut Hausding-ut,
etj., jam përpjekë me ba mirë e më pshtue ndonji jetë prej egërsinave. Por me
qenë se ishin bisha të egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap me mundin tem kam
pshtue mjaft. A ka pasë shqyptarë të marrë si unë, që me shpëtue njerëz, me
shkue e me u fut vetë në gojë t’ujkut? Ka pasë qi sakrifikohen moralisht. Këtë
e kam thanë edhe në ligjeratën teme. Mua më shtyni marrija me shkue e me u
përpjekë për me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë
morale, sikurse e juaja asht materjale. Gja tjetër nuk kam me thanë: “Rrnoftë
Shqipnija!" (Cituar sipas Fritz Radovanit, At Anton Harapi, Fjalët e
fundit në gjyq dhe rrugës për ekzekutim, Gazeta “Panorama”, 6 janar 2018)
Dokumentacioni
historik dëshmon se si At Anton Harapi, ashtu edhe Lef Nosi, kishin ndërhyrë
gjatë luftës për të shpëtuar jetën e luftëtarëve komunistë, akte mëshire të
njohura deri në qarqet gjermane në Berlin. Ironia tragjike ishte se ata që kishin
shpëtuar do të ishin, vetëm dy vjet më pas, pjesë e mekanizmit që do të
urdhëronte ose miratonte vrasjen e tyre. Në këtë kuptim, profecia e errët e
Xhafer Devës—“ata që fal sot, do të jenë vrasësit e tu nesër”—rezultoi
tragjikisht e saktë.
Ekzekutimi
i Etërve të Kombit në vitin 1946 nuk ishte një akt hakmarrjeje spontane, por
një vendim i qëllimshëm i një shteti në formim,
të drejtuar nga përfaqësuesit
ekstremistë te një krahine të vetme që nuk përfaqësonte Nacioni dhe që
nuk e njihte Nacionin, e që në fund, e ndërtoi legjitimitetin e vet mbi dhunën
politike dhe eliminimin e autoritetit moral dhe mirefilli patriotik të Elitës
Tradicionaliste.
Etërit
e vërtetë të Nacionit, të tjerë para tyre dhe pas tyre, që patën të njëjtin faj
pas varrezave të Rrmajit, mishëronin traditën e nacionalizmit purist, shtetit
të Gegëve dhe Toskëve bashkarisht; shembullin e ligjshmërisë, pluralizmit,
etikës publike dhe përgjegjësisë morale. Eliminimi i tyre nuk ishte vetëm
vrasje fizike, por shkatërrim i një modeli shtetëror nacional të arritun mbas
aq shumë përpjekjesh modernizuese, shekullarizuese dhe formësuese të
identitetit Arbnor.
Prej
vitit 1991, pjesa e shoqerisë shqiptare që kupton, pret një reflektim të
njimendtë që nuk mbërrin asnjëherë i sinqertë,i vërtetë dhe plotë, pavarësisht
se Selia e Shenjtë, EU dhe USA e kanë kërkuar me aq ngulm.
Kur
një shoqëri nuk ballafaqohet me krimet ndaj themeluesve të shtetit të vet, ajo
rrezikon të trashëgojë praktika autoritare, cinizëm institucional dhe
shpërfillje ndaj ligjit, në forma të reja të stërholluara me kinse votë
demokratike , por me të njëjtën logjikë përjashtuese.
Mirëpo,
pa një ndarje të qartë me dhunën komuniste, pa njohjen e fajit shtetëror,
denimin e krimeve te diktatures si krime kunder njerezimit, pa respektimin e vërtetë të të drejtave
komunitare të të gjithëve, pa respektimin dhe rinjohjen e pronave private të
trashëguara dhe komunitare në Malësitë shqiptare (Thethë, Kelmend, Valbonë) dhe
në Bregdet, nga Rrjolli në Himarë, pa
zhbimjen e sistemit të prestanomeve të emëruar nga Oligarkia dhe
Korrupsionistët, pa ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit,
demokracia mbetet formale dhe e brishtë, ndërsa e kaluara që nuk mund të
harrohet asnjëherë, vazhdon të peshojë mbi të tashmen.