Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Holokausti
E shtune, 31.01.2026, 03:59 PM

HOLOKAUSTI
Fajësia
është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji
– Franc Kafka
Nga
Prof.
Xhelal Zejneli
* * *
Holokausti ka ndodhur gjatë Luftës së
Dytë Botërore. Në hyrje të shumë kampeve naziste të përqendrimit ndodhej
slogani Arbeit macht frei (Puna të bën të lirë). Holokausti ka
ndodhur në vitet 1941-1945 në Rajhun e Tretë dhe në shtetet evropiane nën
pushtimin nazist. Krimi i kryer prej nazistëve është cilësuar si gjenocid sistematik,
vrasje masive dhe pastrim etnik. Gjatë holokaustit kanë humbur jetën rreth 6
milionë hebrenj. Motiv i vrasjeve kanë qenë antisemitizmi dhe racizmi.
* * *
Në Rajhun e Tretë (Reich), hebrenjtë ishin të detyruar
të mbanin “Yllin Hebraik” të verdhë (gjermanisht: Judenstern).
Holokaust ose shoa (hebraisht:
HaShoah përkthehet si “katastrofë”). Janë terma për përndjekjen shtetërore sistematike dhe për gjenocidin ndaj grupeve të ndryshme etnike, fetare dhe politike
gjatë Luftës së Dytë Botërore nën udhëheqjen e Reich-ut gjermano-madh dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shembuj të hershëm
holokausti janë “Nata e kristaleve” dhe programi eutanazik “Aksioni T4” që më vonë u
shndërruan në veprim të njësive të vdekjes dhe në kampe përqendrimi, si dhe në përpjekje të organizuara masive dhe
qendrore për vrasjen e çdo pjesëtari të mundshëm të grupeve që kanë qenë
shënjestër e nazistëve. Viktimat përfshijnë edhe 1,5 milionë fëmijë. Me
holokaust janë përfshirë rreth dy të tretat e hebrenjve të cilët më herët kanë
jetuar në Evropën kontinentale.
Shënim: “Nata e kristaltë” (Kristallnacht) njihet edhe me
emërtimet Reichskristallnacht dhe Pogromnacht (Nata e xhamave të thyer; Nata e pogromit). Me këta terma
nënkuptohet pogromi i hebrenjve në Gjermaninë naziste dhe në Austri që ka
ndodhur më 9 dhe 10 nëntor të vitit 1938. Me urdhrin e Adolf Hitlerit të datës 28 tetor 1938, mbi 12.000 hebrenj me
prejardhje polake, midis tyre edhe filozofi dhe teologu rabin Abraham Joshua Heshel (Abraham Joshua
Heschel; Varshavë, Poloni, 11.01.1907 – New York City, Nju-Jork, ShBA,
23.12.1972) si dhe kritiku letrar i ardhshëm Marsel Rajh-Ranicki (Marcel Reich-Ranicki; Uloklavek, Poloni,
02.06.1920 – Frankfurt mbi Majnë, Gjermani, 18.09.2013) – dëbohen nga
Gjermania. Ranicki ishte kritik letrar gjerman me prejardhje polake,
përkatësisht hebraike. Konsiderohej si një nga kritikët letrarë bashkëkohorë më
me ndikim në lëmin e letërsisë gjermane. Në Gjermani e quanin edhe Literaturpapst
(Papa i letërsisë).
*
* *
Studiuesit e japin foton e tregtizës së
një pronari hebre në Magdeburg, të shkatërruar gjatë “Natës së Kristaltë” (Natës së xhamave të thyer) në nëntor të viti
1938. Në prill të vitit 1945 japin edhe foto kufomash të viktimave në varrin masiv të kampit të përqendrimit
Bergen-Belsen.
*
* *
Deri në kufirin polak u deportuan
me trena. Kufitarët polakë refuzuan t’i pranojnë. U detyruan të presin ditë të
tëra në kushte të rënda, para se autoritetet polake i lejuan të hyjnë.
Në shenjë hakmarrjeje, 17-vjeçari Hershel Grynspan (Herschel Feibel Grynszpan; Hanover, Gjermani,
28.03.1921 – 08.05.1945), prindërit e të cilit po ashtu ishin deportuar, më 7
nëntor 1938 diplomatin e ambasadës gjermane në Paris, Ernst von Rath (Frankfurt mbi Majnë, Gjermani, 03.06.1909 – i vrarë
në Paris më 09.11.1938). Hershel
Grynspani ishte një emigrant polako-hebre, i lindur dhe i rritur në Weimar
të Gjermanisë. Këtë vrasje, nazistët e shfrytëzuan si pretekst për të ndërmarrë
“Natën e Kristaltë” apo “Natën e xhamave të thyer” (Kristallnacht).
Partia naziste këtë ngjarje e shpalli
vepër të komplotit botëror të hebrenjve dhe e përdori si shkas për organizimin
e pogromit.
*
* *
Përkufizimi i gjerë i holokaustit i përfshin edhe viktimat johebraike të fushatës naziste
të vrasjes masive, siç janë romët, polakët dhe grupet
e tjera etnike sllave dhe pacientët e Aksionit T4 të cilët në pikëpamje mendore dhe fizike kanë qenë të
paaftësuar.
Një përkufizim më i gjerë i përfshin edhe rusët,
të burgosurit e luftës, homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait, zezakët.
disidentët dhe kundërshtarët politikë të
nazistëve, anëtarët e grupeve të tjera minoritare.
Prej vitit 1941 deri në vitin 1945 janë zbatuar
përndjekje dhe vrasje sistematike të pjesëtarëve të popujve të ndryshëm.
Nën bashkërendimin e Schtzstaffel-it (SS-it),
me udhëzime nga udhëheqja më e lartë e Partisë Nacionalsocialiste Punëtore
Gjermane (NSDAP), çdo degë e burokracisë në Gjermaninë e atëhershme ka qenë e
përfshirë në logjistikën dhe zbatimin e vrasjeve masive. Vrasjet janë kryer në
mbarë Evropën që ka qenë nën pushtimin gjerman, si dhe në Gjermaninë naziste.
Vrasje masive janë kryer edhe në të gjitha rajonet që kanë qenë nën
administrimin e aleatëve të saj.
Viktima të tjera të krimeve naziste janë polakët,
ukrainasit dhe popujt e tjerë
sllavë, qytetarët sovjetikë, të burgosurit sovjetikë të luftës, komunistët, homoseksualët, dëshmitarët e
Jehovait dhe të tjerë.
Vlerësohet se në përndjekje kanë qenë të angazhuar
rreth 42.500 institucione arrestimi. Sipas disa vlerësimeve, në zbatimin e
përndjekjeve kanë qenë të përfshirë mbi 200.000 veta.
Hebrenjtë e Evropës kanë qenë viktima kryesore të
holokaustit, kurse planin për gjenocidin sistematik ndaj hebrenjve nazistët e
kanë quajtur “zgjidhje përfundimtare të çështjes hebraike”.
Si pasoja të Luftës së Dytë Botërore si dhe e holokaustit, së pari u mbajtën proceset gjyqësore në Nyrnberg (Nürnberg) gjatë të cilave nazistët përgjegjës u dënuan për krimet gjatë luftës. Si revolucion kulturor, u krye edhe denacifikimi (Entnazifizierung). U arrit marrëveshje edhe për reparacionet midis Izraelit dhe Gjermanisë Perëndimore. Gjatë procesit në Nyrnberg kishte tendenca për mohimin e holokaustit. Disa prej të dënuarve synonin t’i zvogëlonin përmasat e holokaustit apo ta paraqesin atë si “vepër të arsyeshme”.
Etimologjia dhe
përkufizimi – Prejardhja e shprehjes –
Holokaust (greqisht olokauston:
“krejtësisht i djegur”, nga parashtesa olo
dhe kauston – “i djegur”) është
viktimë që digjet për perënditë ose për shpirtrat e të ndjerëve te grekët dhe
te romakët, me ç’rast, për dallim nga llojet e tjera të viktimave, rëndom
digjeshin të gjitha kafshët që viktimizoheshin. Te izraelitët e lashtë ka
ekzistuar rituali i ngjashëm i djegies së të gjithë qengjave. (hebraisht olam kalil:
“asgjësim me djegie”).
Fjalën holokaust i pari për këtë gjenocid e ka përdorur kuvendi kishtar i
kishave protestante të Gjermanisë Perëndimore të atëhershme. Kjo fjalë gradualisht
ka hyrë në përdorim të përgjithshëm dhe sot nënkupton domethënien themelore të
shprehjes. Termi gradualisht ka hyrë në përdorim në gjuhë të ndryshme deri në
vitet 1970 e këndej. Fjalën holokaust
hebrenjtë e shënojnë me shprehjen hebraike shoa, HaShoah që do të thotë “katastrofë”.
Ekzistojnë dallime në masën e përdorimit
të nocionit. Në kuptim të gjerë, përfshin edhe gjenocidin që ka zbatuar shteti
nacionalsocialist ndaj romëve dhe sllavëve, si dhe vrasjen
e gupeve të tjera - homoseksualëve, të sëmurëve shpirtërorë dhe fizikë,
kundërshtarëve politikë, kriminelëve polakë dhe sovjetikë të luftës,
dëshmitarëve të Jehovait etj.
Përkufizimi i holokaustit –
Përkufizimi restriktiv i holokaustit është gjenocidi
nazist ndaj hebrenjve. Përkufizimi i gjerë i holokaustit përfshin disa apo të
gjitha viktimat johebraike të fushatave naziste të vrasjes masive. Manuali kolumbian për holokaustin,
përkufizimin e holokaustit e kufizon te hebrenjtë, te romët dhe te pacientët
e Aksionit T4 të cilët në pikëpamje mendore dhe fizike kanë qenë
me të meta apo invalidë. Autorët e tij i shënojnë “që të tre grupet dhe vetëm
këto grupe kanë qenë viktima të barabarta të racizmit nazist dhe të
gjenocidit”. Ata po ashtu ofrojnë tre përkufizime shtesë që i përfshijnë
pikëpamjet e historianëve të cilët identifikojnë disa grupe të tjera viktimash.
Njëra thotë se holokausti ka të bëjë vetëm em hebrenjtë, tjetra thotë se ka
pasur holokauste të ndryshme ku secili prej tyre ka goditur grup të veçantë
njerëzish, kurse i treti i përfshin të gjitha krimet e nazistëve të motivuara
mbi baza raciste. Historiani amerikan i specializuar për historinë e Evropës
Qendrore dhe Lindore, për historinë e Bashkimit Sovjetik dhe për holokaustin Timoti David Shnajder (Timothy David
Snyder, Ohio, ShBA, 18.08.1969 - ) shkruan: “Ka
raste kur termi holokaust përdoret në dy mënyra të ndryshme: i shënon të gjitha
politika gjermane të vrasjes gjatë luftës, apo i shënon të gjitha represionet e
hebrenjve nga regjimi nazist”.
Përkufizimi i gjerë i të ashtuquajturit “holokaust paralel” i përfshin:
- Të burgosurit sovjetikë të luftës që kanë
vdekur si rezultat i keqtrajtimi të shkaktuar nga politika raciste e nazistëve;
- Pjesëtarët johebraikë polakë që kanë
vdekur për shkak të kushteve tejet të këqija të krijuara si pasojë e pushtimit
nazist të Polonisë;
- Qytetarët sovjetikë të cilët kanë
vdekur për shkak të kushteve të ngjashme në pjesët e pushtuara të Bashkimit
Sovjetik;
- Personat, në pikëpamje mendore dhe
fizike të paaftë të cilët i kanë vrarë në kuadër të programit të eutanazisë të
Reich-it gjermanomadh;
- Romët apo romd-ët dhe sintët,
homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait dhe disidentët e tjerë fetarë.
* * *
Tri motrat
e Franc Kafkës - Gabriele (Ellie, 1889-1944), Valerie (Valli, 1890-1944) dhe Ottilie (Ottla, 1892-1943) vdesin në kampet
naziste. Otla u mbyt në dhomë gazi në
Aushvic, më 7 tetor 1943. Shkrimtari mitik, autor i “Procesit” legjendar, Franc Kafka, po të ishte jetëgjatë, me siguri
do të kishte përfunduar në ferrin nazist, njësoj si tri motrat e veta.
Kafka thotë: “E gjithë
jeta ime është një histori e mbylljes së syve”.
* * *
Albanologu
Norbert Jokli, viktimë e holokaustit - Në kampet naziste të përqendrimit humbi jetën edhe gjuhëtari
austriak me prejardhje hebraike
Norbert Jokli (1877 – 6 maj 1942). Ishte indoevropianist dhe një ndër
themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të Moravisë*. Diplomoi drejtësinë
në Universitetin e Vjenës dhe më pas gjuhësinë (1908). Më 1907, si autodidakt filloi të studiojë shqipen. Në
vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi
Shqipërinë. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, por duke e vendosur djepin e
parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme).
Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste
më 1938, u përndoq. U arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë dhe u
dërgua në një kamp përqendrimi, ku edhe vdiq. Disa studiues austriakë thonë se vdiq në
kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në
kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it, një lokalitetit rreth 12 km në
juglindje të Minskut. Datë zyrtare e vdekjes së tij
konsiderohet 6 maji i vitit 1942.
Shënim: Moravia është rajon historik në
lindje të Republikës Çeke dhe një nga tre tokat historike çeke, bashku me
Boheminë dhe Silezinë çeke.
* * *
Karakteristikat e
holokaustit - “Shteti gjenocidal” – E tërë
shoqëria e atëhershme gjermane ka qenë e përfshirë në veprimtaritë që janë
ndërlidhur me gjenocidin, duke e shndërruar Rajhun e Tretë në atë që hulumtuesi
i holokaustit, Mihael Berenbaum e ka
quajtur “shtet gjenocidal”.
Shënim:
Mihael Berenbaum (Michael Berenbaum;
Newark, New Jersey, ShBA, 31.07.1945 - ) është studiues, profesor, rabin,
shkrimtar dhe regjisor amerikan i specializuar për studimin e holokaustit.
* * *
Burokratët kanë marrë pjesë në gjetjen e
evidencës për identifikimin e hebrenjve, për konfiskimin e pasurisë dhe për
planifikimin e orarit të trenave me të cilët janë deportuar hebrenjtë. Fabrikat
i kanë larguar nga puna punëtorët hebraikë, kurse më vonë i kanë punësuar
hebrenjtë si fuqi punëtore robërish. Prej universiteteve i kanë përjashtuar
studentët dhe profesorët me prejardhje hebraike. Fabrikat gjermane të farmacisë
i kanë testuar barnat te të burgosurit. Fabrikat e tjera kanë ndërtuar krematoriume.
Me rastin e hyrjes së të burgosurve në kampet e vdekjes, u është urdhëruar t’i
dorëzojnë të gjitha gjërat apo pasuritë personale që janë caktuar dhe që janë shënuar
para se të dërgohej në Gjermanin - për përdorim të serishëm dhe për riciklim.
Nëpërmjet llogarive të rrejshme,
Banka Kombëtare Gjermane ka ndihmuar në larjen e gjërave të çmueshme që u janë
konfiskuar viktimave.
Historiani çek me prejardhje hebraike,
profesor emeritus i historisë në UCLA, Saul
Fridlender (Saul Friedländer; Pragë, Çeki, 11.10.1932 - ) shkruan se “asnjë grup shoqëror, asnjë bashkësi fetare,
asnjë institucion shkencor apo asociacion profesional në Gjermani dhe në mbarë
Evropën nuk e ka shpallur solidaritetin e vet me hebrenjtë”. Ai shkruan: “Disa kisha krishtere kanë deklaruar se edhe hebrenjtë e
konvertuar do të duhej konsideruar si pjesë e kopesë, por edhe atëherë me
rezervë”. Fridlender thotë se
kjo e bën holokaustin të veçantë për
arsye se politika e antisemitizmit ka
qenë e mundur “të zbatohet deri në
nivelet më ekstreme të saj pa përfshirjen e pikëpamjeve kompensuese të
rëndësishme”.
* * *
Në vitin 1945 historianët
i paraqesin kufomat e kampit të përqendrimit Buhenvald (Buchenwald). Paraqesin
edhe hartën e getove në Evropë në të cilat hebrenjtë kanë qenë të burgosur para
dërgimit në llogoret e vdekjes.
*
* *
Holokausti bazohej në
ideologji – Historiani çek me prejardhje hebraike
dhe studiues i holokaustit, Jehuda Bauer
(Yehuda Bauer, Pragë, Çeki, 06.04.1926 – Jerusalem, 18.10.2024) thotë se
holokausti ka qenë i bazuar në ideologji
dhe në mite dhe jo në shqyrtime
praktike.
Shënim:
Jehuda Bauer ka qenë profesor i studimeve të holokaustit në Institutin e
Hebrenjve Bashkëkohorë “Avraham Harman” në Universitetin hebraik të
Jerusalemit.
* * *
Historiani gjerman Eberhard
Jackel (Eberhard Jäckel;
Bremahafen, Gjemani, 29.06.1929 – Shtutgart, Gjermani, 15.07.2017) thotë: “Karakteristikë e veçantë e holokaustit
është se për herë të parë një shtet e ka vënë tërë forcën e vet pas deklaratës
se një popull i tërë, pa përjashtim, duhet të asgjësohet sa më parë që të jetë
e mundshme”.
Shënim: Në vitin 1980 e këndej, historiani gjerman Eberhard Jackel (Eberhard Jäckel) ishte
protagonisti kryesor në mosmarrëveshjen e historianëve mbi mënyrën e
përfshirjes së Gjermanisë naziste dhe holokaustit në historiografinë gjermane
dhe për synimet e Adolf Hitlerit.
*
* *
Vrasjet janë zbatuar
sistematikisht pothuajse në të gjitha rajonet e Evropës së pushtuar, në mbi 20
vende të pushtuara. Rreth 3 milionë hebrenj janë vrarë në Poloni, kurse në
Bashkimin Sovjetik janë vrarë midis 700.000 dhe 2,5 milionë hebrenj. Qindra
mijë hebrenj të tjerë janë vrarë në pjesë të tjera të Evropës që ishin nën
pushtimin gjerman. Nga debatet në konferencat në Vanse (Wannse)* shihet qartë se “zgjidhje përfundimtare e
çështjes hebraike” përfshin edhe Mbretërinë
e Bashkuar dhe të gjitha shtetet asnjanëse (neutrale) të Evropës, siç janë Irlanda, Zvicra, Turqia, Suedia, Portugalia
dhe Spanja.
Vlerësohet se numri
i kryerësve të holokaustit ka qenë mbi 200.000.
Shënim: Van-i (frëngjisht: Vannes, anglisht: Gwened)
është qytet në Francën veriperëndimore. Ndodhet në bregun jugor të Bretanjës,
450 km larg Parisit.
*
* *
Vrasje e
industrializuar – Përdorimi i kampeve të përqendrimit
apo i llogoreve të vdekjes, të pajisur me dhoma gazi për shfarosjen masive
sistematike të njerëzve, ka qenë karakteristikë unike e holokaustit. Janë
ndërtuar me qëllim vrasjeje sistematike të miliona njerëzve, në radhë të parë
me ndihmën e gazrave helmuese. Objektet stacionare që janë ndërtuar për
shfarosjen në masë, janë rezultat i eksperimentimit nazist të mëhershëm me gaz
helmues gjatë programit sekret të eutanazisë së pacientëve me të meta
mendore.
Zbatimi i holokaustit në Gjermaninë naziste prej viti
1933 deri në vitin 1942 – Sapo e morën pushtetin në Gjermani, nazistët e
fillojnë realizimin e njërit prej qëllimeve të veta programore më të
rëndësishme: çrrënjosjen e çfarëdo
ndikimi të hebrenjve në politikën, në ekonominë dhe në kulturën gjermane.
Fushata kundër hebrenjve është kryer nëpërmjet radios dhe gazetave,
kurse në të gjitha shkollat dhe në fakultete u përfshi si lëndë e detyrueshme “mësimi mbi racat”. Ky farë mësimi
ishte pseudoshkencor. U miratuan edhe një sërë aktesh nënligjore kundër
hebrenjve që arrijnë kulmin me shpalljen e ligjeve të Nyrnbergut (Ligji
për qytetarët e Perandorisë dhe Ligji
për mbrojtjen e gjakut gjerman dhe të nderit gjerman). Më 15 shtator 1935
hebrenjtë e humbin shtetësinë gjermane, privohen nga e drejta për të ushtruar
çfarëdo shërbimi publik, gjë që i godet sidomos intelektualët dhe shkencëtarët,
profesorët, mjekët, avokatët, gazetarët etj. As fëmijët e tyre nuk kanë të drejtë
të ndjekin shkollat publike. U ndalua qëndrimi i hebrenjve në vende publike –
në parqe, në biblioteka, në muze etj. U ndalua lidhja e martesës midis arianëve
dhe hebrenjve si dhe marrëdhëniet seksuale,. U ndalua punësimi i arianëve nëpër shtëpitë e hebrenjve,
etj. Më vonë këto ligje do të zbatohen
pothuajse në të gjitha vendet e aneksuara dhe në rajonet e pushtuara. Nën
trysninë gjermane, në vitin 1938 edhe Italia filloi të aplikojë
legjislacion antihebraik. Nën trysninë gjermane, masa kundër hebrenjve
ndërmarrin edhe vendet e Evropës Lindore, me përjashtim të Çekosllovakisë të
cilën Gjermania e mori në vitet 1938-1939. Prej këtyre shteteve emigruan një
numër i madh i hebrenjve.
Në vitin 1933
në Gjermani kanë jetuar rreth 500.000 hebrenj. Prej tyre, deri në vitin 1939
rreth 300.000 kanë emigruar.
Me nismën e
presidentit të ShBA-së Franklin Delano Ruzvelt (Franklin Delano
Roosevelt, 30.01.1882 – 12.04.1945), në pranverë të vitit 1938, në Evian (Évian)
të Zvicrës është mbajtur konferencë ndërkombëtare për refugjatët, por pa
rezultate. Asnjë vend nuk i ka hapur dyert e veta për refugjatët hebrenj. Shumë
prej tyre vendosen në Palestinë. Mirëpo, në korrik të vitit 1939 qeveria
britanike, e ballafaquar me qëndresën e
arabëve, e kufizon vendosjen e hebrenjve në Palestinë në jo më shumë se
15.000 në pesë vitet vijuese.
Getoja e Varshavës – Mbajtja e detyrueshme e shenjës në rroba u
caktua për herë të parë për hebrenjtë në Poloni. Kjo ndodhi në nëntor të vitit
1939. Më vonë kjo masë nisi të zbatohet edhe në Gjermani dhe në shtete të
tjera. Hebrenjtë përsëri u vendosën në pjesë të veçanta të izoluara të qyteteve
(geto).
Getoja më e madhe ndodhej në Varshavë. Atje ndodhi edhe e vemja rezistencë e organizuar
dhe masive e hebrenjve.
Në vjeshtë të viti 1941 filloi realizimi
i planit që të gjithë hebrenjtë nga Gjermania dhe nga rajonet e zaptuara të
Evropës Qendrore dhe Perëndimore të deportohen në lindje. Hebrenjtë
grumbulloheshin dhe transportoheshin me vagonë mallrash. Gjatë transportit
vdiqën mijëra prej tyre. Me vendimin për “zgjidhjen
përfundimtare”, ky plan shpejt u ndërpre.
Industrialistit
dhe humanistit gjerman Oskar Shindler (Oscar Schindler; Svitavy,
Çeki; 28.04.1908 – Hildeshaim, Gjermani,
09.10.1974) i njihet merita për shpëtimin e jetës së 1200 hebrenjve gjatë
holokaustit, duke i punësuar ata në fabrikat e tij të enëve të smaltit dhe të
municioneve në Poloninë e pushtuar. Oskar Shindleri ka qenë anëtar i Partisë Naziste. Fëmijë të
tij janë Emily Schlegel dhe Oskar Jr. Schlegel.
Rezistenca ndaj masave kundër hebrenjve – Rezistencë kundër këtyre masave ka pasur në shumë
vende të pushtuara. Qëndresa më e fuqishme ka qenë në Danimarkë, ku, pas masave të para kundër hebrenjve, mbreti deklaron
në radio se vetë ai do të mbajë në rrobat e veta yllin hebraik, po qe se cilido
qytetar e vendit të tij detyrohet për një gjë të tillë. Në vitin 1943 gjermanët
e vendosin administratën e vet të drejtpërdrejtë në këtë vend. Urdhërojnë
arrestimin e të gjithë joarianëve, është
organizuar transferimi sekret me anije i hebrenjve për në Suedi, kështu që të gjithë janë shpëtuar. Në shkurt të vitit 1941,
për ta parandaluar deportimin e hebrenjve, në Holandë është organizuar grevë e përgjithshme. Rezistencë të
fuqishme ndaj përndjekjes së hebrenjve ka pasur në Itali. Janë pranuar refugjatë prej France dhe prej vendeve të Ballkanit.
Mijëra refugjatë hebraikë janë shpëtuar nga ShPK (Shteti i Pavarur Kroat;
akronimet në kroatisht: NDH). Sipas studiuesve, Bullgaria nuk ka
deportuar asnjë hebre, po ashtu edhe Finlanda.
Në Austrinë e aneksuar Perandorisë
Gjermane në vitin 1938 (Anschlus), ka pasur shumë protesta kundër trajtimit të
hebrenjve. Ka pasur edhe thirrje që ndaj ndonjërit prej tyre të ketë
përjashtim.
Në vendet e Lindjes, ku regjimi
pushtues nazist ka qenë shumë më rigoroz (sllavët janë konsideruar racë inferiore, të
përshtatshëm për robër), një lloj i tillë i rezistencës së organizuar
dhe masive ka qenë i pamundur. Persona të caktuar i rezistuan zbatimit të
masave kundër hebrenjve duke shpëtuar ilegalisht një numër të caktuar. Simbol
është bërë Oskar Shindleri (Oskar
Schindler). Më vonë Izraeli, për individët e tillë vuri në përdorim mirënjohjen
Njeriu i drejtë midis popujve. Ndihmë
të tillë kanë dhënë edhe lëvizjet e organizuara antifashiste të
qëndresës në vende të ndryshme.
„Zgjidhja
përfundimtare“ – Suksesi i ekspeditës ushtarake në
BRSS i nxiti nazistët të marrin vendim që në vend të deportimit në Lindje të
planifikuar më herët, të zbatohet “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike”, d.m.th. likuidimi fizik i të gjithë
hebrenjve në Evropë. Në konferencën sekrete në Berlin-Wannse të mbajtur më 20 janar
1942, (Konferenca e Wannse) e paraqiti SS-Obergruppenführer Rajnhard Tristan Eugjen Hedrih (Reinhard
Tristan Eugen Heydrich,
07.03.1904 – 04.06.1942), shef i Policisë së
Sigurisë dhe i Shërbimit të Sigurisë. Ai ka qenë i autorizua personalisht nga Hitleri për ta jetësuar atë plan. Të
gjitha shërbimeve shtetërore u ishte dhënë urdhri të marrin pjesë në shfarosjen
e hebrenjve nën administrimin e SS-it. Ishte dhënë urdhri që të
paaftët për punë të vriten menjëherë, kurse të tjerët të dërgohen në
punë të detyrueshme me kushte minimale jetese, derisa nuk vdesin nga rraskapitja.
Si formë e likuidimeve masive ishte dhënë urdhri i vrasjes me gaz
dhe pushkatim.
Rajnhard Hedrih u vra në atentat në Çeki. Pas vrasjes së tij për zbatimin e
planit u ngarkua Oto Adolf Ajhman (Otto
Adolf Eichmann; Soligen, Gjermani, 19.03.1906 – Ayalon Prison, Ramla, Izrael,
01.06.1962). U kap në Argjentinë nga Mossad-i më 11 maj 1960. U shpall fajtor
për krime lufte në një gjykim të publikuar gjerësisht në Jerusalem. Më 1962 u
ekzekutua me varje.
Në bazë të vendimit për “zgjidhje përfundimtare” u themeluan kampe përqendrimi dhe llogore vdekjeje -
të posaçme. Derisa në llogoret e përqendrimit (të grumbullimit) të burgosurit
punonin, i vetmi funksion i llogoreve të vdekjes ka qenë shfarosja sistematike
e të burgosurve, më së shpeshti me ndihmën e organizimit tejet të sofistikuar.
Për shembull, kanë ekzistuar njësi të burgosurish të cilët do të kujdeseshin që
krematoriumi pandërprerë të djegë
kufoma. Llogore vdekjeje janë ndërtuar më së shumti në rajonin e Polonisë së pushtuar: Aushvic / Auschwitz (Oswiencim), Birkenau (Brzezinka), Treblinka, Mauthausen, Majdanek, Sobibor, Izbica e të tjerë.
Kur ushtria sovjetike gjatë vitit 1944 e
pushton Poloninë, likuidimet kanë vazhduar në llogoret në tokën gjermane: në Dahau (Dachau), në Bergen-Belsen dhe në
Buhenvald (Buchenwald).
Në shtator të vitit 1944, Hajnrih Luitpold Himleri (Heinrich Luitpold
Himmler, Munih, Gjermani, 07.10.1900 – Lyneburg, Gjermani, 23.05.1945) jep
urdhër për ndërprerjen e likuidimeve. Por, deri në çlirimin e kampit të
kryer prej Aleatëve, nga uria dhe nga sëmundjet ngjitëse vdiqën në to edhe
dhjetëra mijë veta. Një pjesë të të deportuarve, kryesisht gra, fëmijë dhe
pleq, i vrisnin sapo mbërrinin në kampe. Një pjesë tjetër, përkohësisht i
mbanin në jetë si fuqi punëtore robërish. Një numër i caktuar vdisnin nga
rraskapitja, kurse të tjerë, më vonë po ashtu i vrisnin. Në fillim viktimat,
nëse nuk i kishin pushkatuar qindra dhe mijëra sish, i vrisnin me ndihmën e
gazeve që lëshonin kamionët në lëvizje: pesëdhjetë viktima i fusnin në hapësirë të
mbyllur hermetikisht. Në atë hapësirë ishte i futur gypi nga ku dilte gazi që
lëshonte kamioni. Si pasojë, të gjithëve u zihej fryma. Më vonë, vrasja masive
u përkrye: fabrika DEGESCH – Shoqëria
gjermane për luftë kundër dëmtuesve – livronte gaz ciklon B që vepronte shpejt.
Shënim:
Himleri ka qenë komandanti kryesor i policisë gjermane, i SS-it, i SD-së, i
Gestapo-së dhe i RSHA-së. ishte njëri prej njerëzve më të fuqishëm të
Gjermanisë naziste. U bë një prej organizuesve kryesorë të holokaustit. Në maj
të viti 1945, me dokumente të rrejshme, zgjoi dyshimin e një njësisë britanike
në Bremen. U arrestua më 22 maj 1945. Duhej të gjykohej në Nurnberg bashkë me
komandantët e tjerë të mëdhenj gjermanë, por bëri vetëvrasje në Lyneburg (Lüneburg),
duke kafshuar ampulën e cianurit të
kaliumit para se të fillonte marrja në pyetje nga hetuesit.
* * *
Me ndihmën e këtij gazi gjakpirësit e
SS-it kanë organizuar vrasje masive “racionale” në vagonët hekurudhorë apo në
hapësirat e kamufluara si banja me dushe. Kjo ka bërë të mundur që viktimat e
mashtruara të zhvishen vetë kështu që u janë marrë edhe rrobat dhe imtësitë e
ndryshme që ende i posedonin. Pas vdekjes, para se t’i hidhnin në furra për t’i
djegur, u janë shkulur dhëmbët e arit. Prej protezave të arit, prej
gjerdanëve dhe unazave nazistët kanë grumbulluar 17 tonë ar.
Përpos vrasjes në llogore, shfarosjen
sistematike të hebrenjve dhe të të tjerëve e kanë zbatuar njësitë e veçanta, të
ashtuquajturit SS-Einsatzgruppen, të organizuar në përbërje
të çdo armate gjermane të posaçme për veprim në prapavijë. Në to kanë marrë
pjesë edhe policët ndihmës lituanë,
letuanezë, bjellorusë dhe ukrainas.
Përveç dërgimit në kampe dhe likuidimit, në zona të ndryshme kanë organizuar
edhe pushkatime individuale dhe masive.
Pas atentatit ndaj Hendrit
(Heyndrich), i tërë
procesi ka qenë në kompetencë të Adolf
Ajhmanit (Adolf Eichmann), i cili tregoi aftësi organizative të mëdha dhe
ndikoi me të madhe që vrasja “të rrjedhë” gjithnjë më shpejt dhe të jetë
gjithnjë më efikas. Pavarësisht përpjekjeve të tij, me kalimin e kohës holokausti
filloi të thithë resurse logjistike të mëdha të Rajhut (Reich), duke
ndikuar tërthorazi në situatën në fushëbetejë. Sipas disa vlerësimeve,
kjo ka qenë një prej arsyeve përse aleatët perëndimorë dhe BRSS-ja, edhe pse
kanë pasur të dhëna për atë se ç’ndodh, nuk kanë bërë përpjekje thelbësore për
ta ndaluar holokaustin që ka vazhduar deri në mbarim të luftës, përkatësisht
deri në shpartallimin e Gjermanisë naziste.
Holokausti në Shtetin e Pavarur Kroat (ShPK) – Në Jasenovac, i
vetmi kamp i vdekjes në Evropë që nuk ka qenë nën administrimin gjerman, sipas të dhënave kroate, janë vrarë
midis 70.000 dhe 100.000 të burgosur serbë,
romë, hebrenj, komunistë. Sipas të dhënave serbe, në Jasenovc janë
vrarë 500.000 veta. Komisioni shtetëror i Kroacisë ka konstatuar në raportin e Gjykatës
Ushtarake Ndërkombëtare në Nyrnberg se numri i viktimave ëashtë midis 500.000 dhe 600.000. Kampi i vdekjes i Jasenovcit u
ndërtua në vitin 1941, për t’u mbyllur në vitin 1945.
Holokausti në Serbi- Karakteristika të kampit
të vdekjes ka pasur edhe kampi Sajmishte afër Beogradit që ka qenë nën
administrimin gjerman. Në hapësirën e ngarkimit të mallrave të njërit prej
kamionëve të lartpërmendur ishte futur gypi që lëshonte gaz. Gazi i mbyste
njerëzit që ndodheshin aty. Kamioni qarkullonte edhe nëpër Beograd.
Tabela
e profesor Dejvid M. Krou (David M. Crowe)*
|
Shteti |
Numri i hebrenjve para luftës |
Numri i viktimave të holokaustit |
|
Austria |
185.000-192.000 |
48.767-65.000 |
|
Bashkimi Sovjetik |
3.020.000 |
700.000-2.500.000 |
|
Belgjika |
55.000-70.000 |
24.000-29.902 |
|
Bullgaria |
50.000 |
7.335 |
|
Çekia dhe Moravia |
92.000-118.310 |
78.150-80.000 |
|
Danimarka |
7.500-7.800 |
60-116 |
|
Estonia |
4.500 |
1.500-2.000 |
|
Finlanda |
2.000 |
0 (7-8 shtetas tëhuaj i janë dorëzuar Gjermanisë) |
|
Franca |
330.000-350.000 |
73.320-90.000 |
|
Greqia |
77.380 |
58.443-67.000 |
|
Gjermania |
523.000-525.000 |
130.000-160.000 |
|
Holanda |
140.000 |
98.800-120.000 |
|
Hungaria |
725.000-825.000 |
200.000-569.000 |
|
Italia |
42.500-44.500 |
5.596-9.000 |
|
Jugosllavia |
78.000-82.242 |
51.400-67.438 |
|
Letonia |
91.500-95.000 |
60.000-85.000 |
|
Lituania |
168.000 |
130.000-200.000 |
|
Luksemburgu |
3.800 |
720-2.000 |
|
Norvegjia |
1.700-1.800 |
758-1.000 |
|
Polonia |
3.300.000-3.500.000 |
2.700.000-3.000.000 |
|
Rumania |
756.000 |
270.000-287.000 |
|
Sllovakia |
136.000 |
68.000-100.000 |
|
Shqipëria |
/ |
! |
|
Gjithsej |
9.702.930 – 10.169.332 |
4.707.056 – 7.442.390 |
Duhet cekur se
në raste të caktuara Tabela e historianit amerikan Dejvid M. Krou (David M.
Crowe) nuk përputhet me të dhënat e studiuesve të tjerë që janë marrë me numrin
e viktimave të holokaustit në vendet e evropiane. Për shembull, sipas disa
studiuesve, Bullgaria nuk ka dorëzuar asnjë hebre, kurse sipas Tabelës së
Dejvid M. Krou, numri i viktimave të holokaustit nga ky vend është 7.335.
Të dhëna për
numrin e viktimave të holokaustit në shtetet evropiane japin edhe studiues të
tjerë. Duhet cekur se të dhënat për numrin e viktimave jo gjithherë përputhen
me njëra-tjetrën.
*
* *
Shqipëria në kohën e antisemitizmit apo të holokaustit
– Për
Shqipërinë jep të dhëna të caktuara edhe historiani amerikan Dejvid M. Krou
(David M. Crowe). Të dhënat, ai i ka paraqitur edhe në Tabelën e tij. Por, ka
studiues që të dhënat e profesorit amerikan lidhur me Shqipërinë në kohën e
holokaustit, i vënë në dyshim. Për këtë arsye, ato nuk janë pasqyruar në
Tabelë.
Gjithë bota e
di se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk u dorëzuan nazistëve
gjermanë as edhe një hebre të vetëm. Shqitarët janë popull me virtyte të larta.
Ata shquhen për be4sën, për
mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, trimërinë, guximin, drejtësinë, vitalitetin
e racës etj. Sipas kodit etik të tyre, shtëpia e shqiptarit
është e Zotit dhe e mikut. Shqiptari rrezikoi jetën e vet, por hebreun nuk ua
dorëzoi GESTAPO-së apo SS-ve. Mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri në kohën e
holokaustit e kanë dëshmuar dhe vazhdojnë ta dëshmojnë edhe vetë hebrenjtë të
cilët kanë qenë të strehuar dhe të fshehur në shtëpitë e shqiptarëve. Kjo
tregon se mbrojtja e hebrenjve prej shqiptarëve gjatë LDB-së nuk legjendë apo
mit. Mikpritja që e kanë gjetur hebrenjtë në Shqipëri dhe gjithandej në trojet
arbërore, është dëshmuar dhe është provuar edhe me fakte apo me argumente
historike, si prej historianëve shqiptarë, ashtu edhe prej studiuesve të huaj.
S’ka hebre në
rruzullin tokësor që nuk e di se gjatë LDB-së, në kohën e antisemitizmit apo të
holokaustit, hebrenjtë në Shqipëri kanë gjetur strehim të sigurt.
Edhe
autoritetet më të larta të Izraelit sot, thonë: “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku numri i hebrenjtë gjatë Luftës
II Botërore është rritur”.
Shënim: Dejvid M. Krou (David M. Crowe, Jr.; lindi
në Norfolk, Virginia, ShBA më 20 shtator.1943) historian amerikan. Ka qenë anëtar
i Kryesisë së Universitetit Chapman dhe profesor emeritus i historisë dhe i
drejtësisë në Universitetin Elon. Ka qenë specialist i të drejtës penale
ndërkombëtare, i holokaustit, i historisë së popullit rom në Evropën Lindore, në
Rusi dhe në Kinë në shekullin XX
* *
*
Holokausti la pas vetes pasoja
afatgjata. Supozohet se në të janë vrarë 5,29 deri 6 milionë hebrenj,
përkatësisht një e treta e të gjithë
hebrenjve që kanë jetuar në botë para Luftës së Dytë Botërore. Pasqyra
demografike e Evropës është ndryshuar dukshëm, sidomos në Evropën Lindore dhe
Qendrore në të cilat bashkësitë hebraike nuk kanë ekzistuar më. Pjesa më e
madhe e të mbijetuarve vendosën të emigrojnë në ShBA, përkatësisht në Palestinë
ku u krijua shteti kombëtar hebraik – Izraeli.
Romët janë grupi i dytë që ka qenë objekt i gjenocidit. Numri i viktimave të
tyre është vështirë të vlerësohet. Jepen shifra midis 200.000 dhe 800.000, që
përbën një të katërtën apo gjysmën e numrit të përgjithshëm të tyre në Evropë.
Me të gjitha grupet e tjera që janë
shfarosur sistematikisht, numri i viktimave të holokaustit, në kuptimin e gjerë
të fjalës, duke mos i përfshirë vetëm hebrenjtë, zakonisht vlerësohet në 9 deri
në 11 milionë. Disa vlerësime shkojnë deri në 26 milionë.
Njësoj si Lufta e Parë Botërore,
Holokausti ka paraqitur shok të madh për qytetërimin perëndimor të atëhershëm.
Shumë njerëz kanë pyetur: “Si është e
mundur që për vrasjet në ato përmasa janë shfrytëzuar arritjet më moderne të
shkencës. Si ka qenë i mundur një nivel i tillë i pandjeshmërisë në shekullin
XX, sidomos kur krimet janë kryer në një shtet kaq të përparuar, të arsimuar
dhe të qytetëruar siç është Gjermania.”
Për këtë arsye holokausti shpesh
përshkruhet si ngjarje unike e historisë së botës, përkatësisht përgjegjësia
për të i përshkruhet një numri të kufizuar njerëzish, kryesisht Adolf Hitlerit dhe rrethit të ngushtë
të ithtarëve të tij si dhe ndërthurjes specifike të rrethanave të cilat nuk
pritet të përsëriten edhe njëherë tjetër.
Mirëpo jepen edhe teza se holokausti nuk
do të kishte qenë i mundur, së paku jo në përmasa aq masive, sikur nazistët të
mos e gëzonin mbështetjen e heshtur apo të hapur të popullatës johebraike,
madje edhe në vendet e pushtuara siç është Polonia, të motivuar nga lakmia dhe nga
antisemitizmi i hapur ose latent.
* * *
Kancelari gjerman Vili
Brant bie në gjunjë – Në dhjetor të vitit 1970,
kancelari gjerman Vili Brant (Willy
Brandt, Lybek, Gjermani, 18.12.1913 – Unkel, Gjermani, 08.10.1992) vizitoi
Poloninë. Kjo ndodhi 25 vjet pas pushtimit gjerman të këtij vendi dhe vrasjeve
gjermane. Më 7 dhjetor 1970, në orët e paradites, para përmendores së
kryengritjes në geton e Varshavës, Branti vuri kurorë. Pasi e vuri kurorën, u
tërhoq nja-dy hapa pas dhe priti një çast. Sakaq, kokulur ra në gjunjë në
granitin e fortë, të lagët. Kjo zgjati jo më shumë se 30 sekonda. E bëri këtë
akt në emër të popullit gjerman. Për gjysmë minute hyri në histori. Fotografia
e kësaj skene përnjëherë e mori dheun. Në Poloni kishte të tillë të cilët këtë
akt të Brantit nuk e mirëpritën. Në vitin 1971 iu dha çmimi “Nobel” për paqe.
* * *
Gjermania ia
ka dhënë njerëzimit kolosët e qytetërimit perëndimor: shkrimtarin Johan
Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, Frankufurt mbi Majnë, 1749 – Weimar,
1832), filozofin e filozofisë idealiste klasike gjermane Georg Vilhelm
Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770 – 1831), filozofin e
filozofisë idealiste klasike gjermane Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724
– 1804), filozofin dhe poetin Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844 –
1900). Është për t’u habitur se si ka qenë e mundur që holokausti të ketë
ndodhur te ky popull.
Adolf Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë
në vitin 1933. Ai ka qenë ideologu kryesor i politikës raciste të Gjermanisë
naziste gjë që e ka paralajmëruar qysh në librin “Mein Kampf” (Lufta ime, 1924).
Nën pushtetin e tij është kryer shfarosja e mbi pesë milionë hebrenjve dhe
romëve në holokaust.
Është për t’u habitur
se si ideologjinë naziste nuk e kundërshtuan sa duhet dhe si duhet edhe një
pjesë e inteligjencies
gjermane. Mund të përmendet rasti i filozofit të famshëm gjerman të drejtimit ekzistencialist Martin Hajdeger (Martin
Heidegger, 1889 - 1976).
Kur filozofi i
madh gjerman Edmund Huserl (Edmund Husserl, 1859 – 1938), për shkak të
prejardhjes hebraike u dëbua
nga universiteti, vendin e tij e zuri Hajdegeri. Këtë akt si dhe disa fjalime
të tij dhe paraqitje publike - sidomos Rektoratsrede
i tij – në të cilat në kohën e daljes në skenë të nazizmit e zmadhonte “kushtrimin historik të Gjermanisë”,
ia kanë zënë për të madhe shumë filozofë të tjerë, pavarësisht nga fakti se më
vonë është tërhequr nga angazhimi i drejtpërdrejtë dhe aktiv për Rajhun e
Tretë.
Përkundër
kësaj, shumë nxënës dhe apologjetë të tij, por edhe filozofë origjinalë,
sidomos në Francë, e konsiderojnë si njërin nga filozofët më të mëdhenj të
botës bashkëkohore.
* *
*
Dita e përkujtimit të holokaustit – Dita e përkujtimit të
holokaustit shënohet në ShBA dhe në të
gjitha shtet evropiane. Rëndësi të madhe ka United States Holocaust Memorial
Museum (Muzeu Memorial i Holokaustit i Shteteve
të Bashkuara) i hapur në
Uashigton në prill të viti 1993, në ditën e fillimit të kryengritjes në geton e
Varshavës.

Hebrenjtë polakë të kapur nga gjermanët gjatë shtypjes së Kryengritjes së Getos së Varshavës (Poloni) – Foto nga Raporti i Jürgen Stroop për Heinrich Himmler, maj 1943.









