E diele, 01.02.2026, 11:47 PM (GMT)

Faleminderit

Ilir Çumani: Bujar Hudhri, botuesi që mbron me dinjitet fjalën e bukur shqipe

E diele, 01.02.2026, 06:57 PM


BUJAR HUDHRI, BOTUESI QË MBRON ME DINJITET FJALËN E BUKUR SHQIPE

Nga Ilir Çumani

Në gjykimin tim, Bujar Hudhri sot nuk është vetëm një emër i zakonshëm apo thjesht një botues.

Ai është më shumë se një institucion; ose, më saktë, është rojtar i shenjtërisë së fjalës, një prani e palëkundur në kufirin mes shkrimtarit dhe kohës, mes veprës dhe fatit të saj.

Në një epokë kur libri shpesh iu nënshtrua shpejtësisë, tregut dhe sipërfaqësisë, Bujar Hudhri zgjodhi rrugën më të vështirë dhe me rreziqe të mëdha: rrugën e dinjitetit.

Shtëpia Botuese “Onufri” ishte lajmëtari i parë i Fjalës së Shenjtëruar, që nuk u ngrit si ndërmarrje, por si institucion moral i kulturës shqiptare.

Ajo u bë vendi ku fjala shqipe u trajtua me kujdesin e ikonës, ku mendimi u botua pa kompromis dhe ku libri u shpëtua nga banaliteti. Çdo botim i saj mban një vulë të padukshme: seriozitetin, estetikën, besimin në vlerë.

Që Ismail Kadare, shkrimtari ynë i madh i përmasave botërore, ia besoi ekskluzivisht veprën e tij Bujar Hudhrit, padyshim që është një akt që flet më shumë se çdo biografi.

Është njohja më e lartë që një shkrimtar si Kadare mund t’i bëjë një botuesi: t’ia dorëzojë fjalën e tij dikujt për të cilin e di se nuk do ta tradhtojë. Mes tyre u ndërtua një aleancë e rrallë shqiptare, pa kontratë, por me besë kulturore.

Por mirënjohja për Bujar Hudhrin nuk ndalet te Kadareja. Ai ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i shkrimtarëve shqiptarë, si i atyre të njohur, ashtu edhe i atyre që sapo nisin udhën.

Ai u ka dhënë zë autorëve që nuk kishin zë, hapësirë atyre që nuk kishin derë dhe dinjitet, krijuesve që shpesh u nënvlerësuan nga koha.

Në një treg shpesh të pamëshirshëm, ai zgjodhi të jetë i drejtë. I drejtë dhe i ndershëm njëkohësisht!

Kush e njeh nga afër Bujarin, besoj se më kupton dhe më jep të drejtë në këtë fakt që po mëtoj.

Vepra dhe kontributi i çmuar i Bujar Hudhrit nuk maten vetëm me emrat e mëdhenj. Ato shfaqen në mënyrën se si ai u qëndroi pranë shkrimtarëve të heshtur, autorëve të rinj, mendimtarëve të margjinalizuar.

Ai e kuptoi se kultura nuk mbahet vetëm nga majat, por nga ekuilibri i gjithë peizazhit njerëzor. Dhe Bujari zgjodhi të mos lërë askënd në errësirë, për sa kohë fjala është e ndershme.

Në një shoqëri që shpesh harron ata që ndërtojnë themele të forta e të qëndrueshme përballë kohës dhe kujton vetëm ata që ngjiten mbi to, këto pak rreshta mirënjohjeje të sinqertë mbase duken të vonuara, por janë të domosdoshme për të çmuar vlerat e rralla që i kemi në mes tonë, por nuk i shohim përditë…

Sepse, pa njerëz si Bujar Hudhri, letërsia shqipe do të kishte zë, por jo strehën e saj; do të kishte emra, por jo kujtesë; shumë libra, por pak dinjitet.

Bujari i dha fjalës një strehë. I dha shkrimtarit besim. I dha kulturës shqiptare një bosht që nuk u përkul.

Dhe për këtë, falënderimi ynë nuk është formal. Minimalisht, duhet të jetë edhe një përulje për Njeriun që i dha kaq shumë artit dhe kulturës sonë kombëtare në këto dekada të një tranzicioni të çuditshëm.

Tiranë, e shtunë - 31 janar, 2026



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti jeton përgjithmonë në histori Gjekë Gjonaj: Rrugëtimi profesional i Marina Kastratit Florim Zeqa: Nebih Zeneli – hero i gjallë i arsimit shqip Gjekë Gjonaj: Në kujtim të Ali Zekut Pepiq (Pepa) Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne Gani Qarri: Dr. Ibrahim Rugova, Apostulli i Jodhunës së kohës sonë! Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh Bedri Tahiri: Porosia e Gjergjit tonë të Madh Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar Dorian Koçi: Kryezoti Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë Lekë Mrijaj: Ernest Koliqi – Figurë poliedrike e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora Lekë Mrijaj: I amshuari Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi – Bariu epik i Kosovës Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4) Tomë Mrijaj: U nda nga jeta veprimtari Ismet Ukë Sadik Berisha Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (3)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx