E hene, 26.01.2026, 10:47 PM (GMT)

Kerko: a

Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës

E hene, 26.01.2026, 06:59 PM


VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI

Nën dënim të përhershëm institucional!

Nga Frank Shkreli

Para do ditësh isha duke lexuar një shkrim në përvjetorin e fillimit të punimeve të Konferencës së Paqës në Paris, (18-20 janar, 1919). Edhe kësaj radhe, për fat të keq, ashtu si zakonisht, zgjoi në mua një zemrim të thellë të radhës: keqtrajtimi historik, harresa ose anashkalimi -- prej pothuaj një shekulli tani, i figurës së Fishtës, e sidomos i rolit të At Gjergj Fishtës në arenën ndërkombëtare, siç ishte Konferenca e Parisit, (1919, Frank Shkreli: 105-vjetori i Konferencës së Paqës – Wilsoni, Fishta, Noli dhe aktualiteti politik në Shqipëri | Gazeta Telegraf --vazhdon të jetë një njollë kombëtare turpi. Heshtja zyrtare edhe sot pas 35 vjet tranzicion vazhdon të jetë një dënim i përherëshëm i Gjergj Fishtës, nga Tirana zyrtare por edhe nga Prishtina zyrtare

Fjalimi i Fishtës me atë rast, në mbrojtje të drejtave historike të shqiptarëve, mbetet një prej fjalimeve më klasikë të historisë shqiptare. Jo vetëm në atë konferencë, por edhe në tubime të tjera ndërkombëtare, ku Fishta ka marrë pjesë: si konferencat ndër-ballkanike në Athinë, e Stambollë, 1930, ndër të tjera. Përfshir këtu rolin e Fishtës në përpjekjet shqiptare në marrëdhëniet fillestare shqiptaro-amerikane, Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf --  Frank Shkreli: Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve kryesorë | Gazeta Telegraf,  pa përmendur kontributet e tija të mëdha e të shumta në fushën e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, në përgjithsi. Sidomos, rolin e tij të pazëvendsueshëm në Kongresin e Manastirit, e shumë aktivitete historike të tij në mbështetje të interesave kombëtare, që në thelb kishin gjithmonë mbrojtjen e ekzistencës së Shqipërisë si shtet dhe të interesave kombëtare të gjithë shqiotarëve pa dallim. Si poet kombëtar, shkrimtar e politikan, të gjithë veprimtarinë e tij Fishta e përdori në mbrojtje të Shqipërisë dhe të drejtave të Kombit Shqiptar, ashtu që Shqipëria të mos zhdukej nga harta politike e Europës, pas 1918-s. Frank Shkreli: “Na thoni kush para shqiptarit i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?” | Gazeta Telegraf

Pjesëmarrja e At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris, 20 janar 1919 ishte një rast historic ku Poeti Kombëtar nuk pranoi vdekjen politike të Shqipërisë në duar të grabitqarve ballkans me miratimin e fuqive të mëdha evropiane.  Më 20 janar 1919, në sallonet e ftohta të Parisit, ku Fuqitë e Mëdha po rishkruanin hartën e Europës sipas interesave të tyre në Ballkan, Shqipëria nuk kishte ushtri, nuk kishte peshë ekonomike, nuk kishte as miq të sigurtë. Kishte, megjithatë, një zë. Dhe një nga zërat më të fortë ishte At Gjergj Fishta.

Mirëpo, të flasësh sot për meritat e Fishtës në Paris Janarin e vitit 1919 dhe në nivel ndërkombëtar, në përgjithsi, është krejtsisht e padëshirueshme për historinë zyrtare aktuale nostalgjike enveriste, që për interesa ideologjike as nuk do t’ia dijë se Fishta veproi si burrë shteti në momentin kur kombi rrezikonte të zhdukej. Si mund të mbrojnë sot historianët nostalgjikë të komunzmit enverian rolin e Gjergj Fishtës në mbrojtje të shtetit shqiptar, kur ky shtet Shqipëria komuniste e kishte shpallur atë armik e tradhtar, për pothuaj një gjysëm shekulli. Sot heshtin, gjithnjë për Fishtën. Por faktet janë kokëforta dhe flasin edhe sot. Më shumë se një shekull më parë, Fishta ishte në Paris, në zemër të diplomacisë botërore, duke mbrojtur Shqipërinë kur ajo trajtohej si monedhë këmbimi.  Ndonëse i njohur si poet kombëtar Fishta nuk shkoi të recitonte poezi në Paris, por të artikulonte një të vërtetë politike: se Shqipëria kishte të drejtë të ekzistonte si komb i plotë.

Fishta u fliste evropianëve në emër të një historie që Evropa bënte sikur nuk e njihte. Ai përdori argumentin kulturor, etnik e gjuhësor – armë që diplomacia cinike  eevropiane e kohës i përçmonte, por që historia i mban mend. Por jo regjimi komunist as historia zyrtare e shqiptarëve e cila edhe sot e kësaj dite nuk i falë “fajin”, Fishtës, se një klerik katolik shqiptar si Gjergj Fishta kishte përfaqësuar Shqipërinë para Perëndimit, si përfaquses i elitave anti totalitare evropiane dhe njëri prej dëshmitarëve më të shquar të Kombit shqiptar që nuk lidhej as me Moskën as me Beogradin. Duket se ky mentalitet për figurën e  Fishtës vazhdon edhe sot në radhët e elitave shqiptare të edukuara në frymën internacionaliste komuniste, që për fta të keq, mbizotëroj ë edhe sot shkrimin e  historisë të shelullit të kaluar

Prandaj Fishta u shpall “reaksionar”, u fshi nga tekstet, u varros për herë të dytë – këtë herë në harresë të organizuar dhe të sanksionuar, zyrtarisht. Janari, 1919 I konferencës së Parisit nuk përmendet --Nuk ka pllaka përkujtimore. Nuk ka akademi solemne. Nuk ka asnjë datë zyrtare që të kujtojë se Janar 1919, Gjergj Fishta ishte aty ku po merreshin fatet e Kombit. Ka vetëm heshtje! Heshtja nuk është rastësi. Ajo është vazhdimësi.  Sepse pranimi i Fishtës si figurë politike ndërkombëtare do të thotë për ta, pranimin e një të vërtete të pakëndshme, por e mohuar nga elitat komuniste të pas 1945-ës: se elita shqiptare e para-komunizmit ishte më europiane, më dinjitoze dhe më largpamëse sesa shumë nga ata që erdhën pas, përfshir këta që ende janë gjallë e vendlsin për fatin e figurave historike si Gjergj Fishta.

Por duan ose nuk duan këta pseudo historian, Gjergj Fishta në Paris nuk është episod anësor; është provë. Provë se Shqipëria kishte zë përpara se t’ia prisnin gjuhën. Dhe çdo përpjekje nga ana e këtyre mohuesve zyrtarë të rolit të Fishtës, qoftë edhe në konferencën e Parisit, Janar, 1919 me qëllim për ta mbajtur Fishtën vetëm brenda kornizës së letërsisë e poezisë, është një akt i qëllimshëm, por një akt politik i vonuar.

Ndonëse me fjalorin e fortë të Gjergj Fishtës, me 20 janar 1919, Shqipëria foli në Paris. Por sot lind pyetja se kush ka interes që ai zë i fortë të mos dëgjohet më? Ka figura të mëdha që historia i nderon me ceremoni, përkujtimore dhe ka figura që historia dhe disa pseudo- historianë frikësohen prej tyre. Gjergj Fishta i përket kësaj të dytës. Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ishte i drejtë në kohë të gabuar për pushtetet. Prandaj u hesht. Prandaj u fshi. Prandaj, edhe sot, trajtohet me një rehabilitim gjysmak, sa për dekor dhe jo për të vërtetën historike. Sipas tyre, Fishta duhet të mbetet poet folklorik, por jo arkitekt orientimi strategjik. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë | Gazeta Telegrafnjë hap para e dy mbrapa.  Në një tubim kushtuar Fishtës pesë vjetë më parë organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, u fol për poezinë e letërsinë. kryesisht.  Por Fishta ishte dhe është më shumë se poet e letrar! Një akademi që hesht përballë padrejtësisë historike, heq dorë nga misioni i saj. Fishta ishte mendimtar i madh politik, aktor diplomatik dhe zë moral i kombit shqiptar në një nga momentet më të rrezikshme të ekzistencës së tij si shtet. Në Paris, më 1919, ai artikuloi çështjen shqiptare në gjuhën që bota perëndimore e kuptonte: gjuhën e parimeve, të drejtës dhe dinjitetit kombëtar. Dhe mbi të gjitha, ai e kuptoi se shpëtimi politik i Shqipërisë nuk mund të vinte nga Lindja, as nga aleancat ballkanike, si “Ballkani i Hapur” I kohëve moderne, por nga Perëndimi demokratik, ku SHBA-ja në fillim shekullit XX, po shfaqej si fuqi morale pas Luftës së Parë Botërore. Ndryshe nga diplomatët rastësorë, përshir ata të sotmit, At Gjergj Fishta e shihte Amerikën jo thjesht si fuqi ushtarake, por si model politik dhe civilizues. Amerikën e konsideronte si shpresën morale dhe politike të shqiptarëve, jo Europa e pazareve.

Por për fat të keq të shqiotaraëve, kjo e vërtetë u bë e papranueshme për regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili ndërtoi legjitimitetin e vet mbi mohimin e çdo tradite perëndimore. Ndërkohë që Fishta u shpall “armik”, e “tradhëtar” u ndalua, u përjashtua nga shkollat dhe nga kujtesa kombëtare për pothuaj një gyjsëm shekulli komunizëm. Por ajo që është edhe më e rëndë: pas rënies së komunizmit, kjo padrejtësi dhe gtradhëti kombëtare nuk u korrigjua, plotësisht. U fol e po flitet për Fishtën por nuk u tha as nuk thuhet e vërteta e plotë, sidomos, për rolin politik dhe ndërkombëtar diplomatik të Fishtës. Është botuar poezia, por shmanget politika. U pranua gjuha, por u refuzua dhe refzohet mendimi i tij.

Në rend të parë, jo vetëm klasa politike e këtyre 35-viteve tranzicion i ashtuquajtur “post-komunist”, por edhe institucionet shqiptare sot si – Akademia e Shkencave, entet kulturore dhe arsimore zyrtare – kanë dështuar të ballafaqohen me këtë borxh historik. Sepse ta pranosh Fishtën siç ishte, do të thotë të pranosh se historiografia zyrtare ka qenë e shtrembëruar për dekada. Do të thotë të pranosh – në kundërshtim me mësimet e komunizmit -- se orientimi natyror i Shqipërisë ka qenë Perëndimi, jo Lindja. Dhe kjo kërkon guxim intelektual e moral, jo vetëm ceremoni. Fishta vazhdon të jetë i pakëndshëm për pushtetin, sepse ai nuk mund të instrumentalizohet. Sepse ai nuk flet gjuhën e kompromisit moral. Ndërsa na kujton se shteti shqiptar u mbrojt nga pena, mendja dhe fjala po aq sa edhe nga pushka. Dhe se pa zëra moral e atdhetar si i tij, Shqipëria do rrezikonte të mos ekzistonte fare.

Sot flasim me të drejtë për ndjenjat pro-perendimore të shqiptarëve, për miqësinë shqiptaro-amerikane, sidomos. Por kjo miqësi nuk lindi dje. Ajo ka rrënjë, madje rrënjë të thella. Dhe një nga rrënjët e saj është Gjergj Fishta i cili ishte ndër ata që besoi Amerikës që në fillim, kur Shqipëria ishte e braktisur nga Evropa kur Fishta i foli botës në Paris, janarin e viti 1919, kur Shqipëria nuk kishte zë. Ta mohosh këtë, do të thotë të mohosh vërtveten historike.

Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për një Fishtë të zbukuruar. Kemi nevojë për Fishtë të vërtetë: ashtu siç është e siç ka qenë: me mendim politik, me qëndrim perëndimor, me guxim moral e trim atdhetar. Vetëm atëherë do të mund të themi se jemi çliruar jo vetëm nga influencat ende të gjalla nga diktatura politike komuniste, por edhe nga trashëgimia e heshtjes ndaj së VËRTETËS ndaj rolit politik e ndërkombltar të Fishtës.   Sepse kombet nuk dëmtohen vetëm nga armiqtë historikë. Dëmtohen edhe nga harresa e qëlimshme, sidomos nga harresa dhe heshtja zyrtare ndaj së vërtetës. Dhe harresa e Gjergj Fishtës ka qenë, për shumë kohë -- edhe në sytë e shumë vezhguesve -- vazhdon të jetë politikë zyrtare e shtetit shqiptar që po dëmton rëndë historiografinë e vërtetë të Kombit shqiptar. Mjaft është mjaftë! Gjergj Fishta nuk ka nevojë për dekorata. Ai ka nevojë për drejtësi historike. Dhe drejtësia historike fillon me një akt të thjeshtë, por të guximshëm e moral: të pranohet se për dekada keni gënjyer veten dhe të gjithë shqiptarët kudo për rolin e At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës të Janarit, 1919, por jo vetëm. Për faktin se keni pranuar dhe po zbatroni gjithnjë një histori të filtruar nga ideologjia komuniste. Duhet të kërkoni falje dhe të pranoni me guxim, trimërisht, se vazhdoni të heshtni për Fishtën jo vetëm nga rehatia, por edhe nga frika ose nga konformizmi akademik, për hir të një vendi pune. Siç e kam thënë shpesh në shkrimet e mia modeste të dekadave të kaluara në lidhje me krimet e komunizmit, një komb që nuk u kërkon falje viktimave të tija dhe nuk kujton të vërtetat e rolit historik që kanë luajtur në historinë kombëtare figurat e mëdha të kombit si At Gjergj Fishta, ai komb, heret ose vonë, është i dënuar të mbetet i vogël.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Ibrahim Rugova - Burrështetasi që e sfidoi dhunën me qytetërim Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare Frank Shkreli: Ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, i urtë por edhe guximtar Frank Shkreli: Nuk mund të anashkalohet roli i Ernest Koliqit në formimin e Martin Camajt Frank Shkreli: Fjala me rastin e vlerësimit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Frank Shkreli: Një reflektim personal në 10-vjetorin e kalimit në amshim të Sh. T. Imzot Rrok Mirditës Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë historik i Dardanisë Frank Shkreli: Albanian BookFest - një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë Frank Shkreli: Gëzuar 28 Nëntori 2025 - Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve! Frank Shkreli: Në nderim të Dom Pjetër Popajt — katër dekada në shërbim të Zotit dhe Kombit Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit” Frank Shkreli: Po legalizohet kisha ilegale ortodokse serbe në majë të Malit të Rumisë Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në Krujë Frank Shkreli: Fjala përshëndetëse në përvjetorin e degës së “Vatrës” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, New York Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar Frank Shkreli: Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt Frank Shkreli: Shkrimi i parë që nisi karrierën time modeste gazetareske Frank Shkreli: Nënë Tereza ''Bijë e Amerikës'' Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx