| E hene, 26.01.2026, 06:59 PM |

VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
Nën dënim të përhershëm institucional!
Nga
Frank Shkreli
Para do ditësh isha duke lexuar
një shkrim në përvjetorin e fillimit të punimeve të Konferencës së Paqës në
Paris, (18-20 janar, 1919). Edhe kësaj radhe, për fat të keq, ashtu si
zakonisht, zgjoi në mua një zemrim të thellë të radhës: keqtrajtimi historik,
harresa ose anashkalimi -- prej pothuaj një shekulli tani, i figurës së
Fishtës, e sidomos i rolit të At Gjergj Fishtës në arenën ndërkombëtare, siç
ishte Konferenca e Parisit, (1919, Frank Shkreli: 105-vjetori i
Konferencës së Paqës – Wilsoni, Fishta, Noli dhe aktualiteti politik në
Shqipëri | Gazeta Telegraf --vazhdon
të jetë një njollë kombëtare turpi. Heshtja zyrtare edhe sot pas 35 vjet
tranzicion vazhdon të jetë një dënim i përherëshëm i Gjergj Fishtës, nga Tirana
zyrtare por edhe nga Prishtina zyrtare
Fjalimi i Fishtës me atë rast, në
mbrojtje të drejtave historike të shqiptarëve, mbetet një prej fjalimeve më
klasikë të historisë shqiptare. Jo vetëm
në atë konferencë, por edhe në tubime të tjera ndërkombëtare, ku Fishta ka
marrë pjesë: si konferencat ndër-ballkanike në Athinë, e Stambollë, 1930, ndër
të tjera. Përfshir këtu rolin e Fishtës në përpjekjet shqiptare në marrëdhëniet
fillestare shqiptaro-amerikane, Frank Shkreli: At Gjergj Fishta,
arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në
vendin e vet | Gazeta Telegraf -- Frank Shkreli: Në kuadër të
100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: At Gjergj Fishta, njëri prej
protagonistëve kryesorë | Gazeta Telegraf, pa përmendur
kontributet e tija të mëdha e të shumta në fushën e gjuhës, kulturës dhe
historisë shqiptare, në përgjithsi. Sidomos,
rolin e tij të pazëvendsueshëm në Kongresin e Manastirit, e shumë aktivitete
historike të tij në mbështetje të interesave kombëtare, që në thelb kishin
gjithmonë mbrojtjen e ekzistencës së Shqipërisë si shtet dhe të interesave
kombëtare të gjithë shqiotarëve pa dallim. Si poet kombëtar, shkrimtar e politikan,
të gjithë veprimtarinë e tij Fishta e përdori në mbrojtje të Shqipërisë dhe të
drejtave të Kombit Shqiptar, ashtu që Shqipëria të mos zhdukej nga harta
politike e Europës, pas 1918-s. Frank Shkreli: “Na thoni kush
para shqiptarit i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?” | Gazeta Telegraf
Pjesëmarrja e At Gjergj Fishta në
Konferencën e Paqës në Paris, 20 janar 1919 ishte një rast historic ku Poeti Kombëtar nuk pranoi vdekjen politike të
Shqipërisë në duar të grabitqarve ballkans me miratimin e fuqive të mëdha
evropiane. Më 20 janar 1919, në sallonet
e ftohta të Parisit, ku Fuqitë e Mëdha po rishkruanin hartën e Europës sipas
interesave të tyre në Ballkan, Shqipëria nuk kishte ushtri, nuk kishte peshë
ekonomike, nuk kishte as miq të sigurtë. Kishte, megjithatë, një zë. Dhe një
nga zërat më të fortë ishte At Gjergj Fishta.
Mirëpo, të flasësh sot për meritat e
Fishtës në Paris Janarin e vitit 1919 dhe në nivel ndërkombëtar, në përgjithsi,
është krejtsisht e padëshirueshme për historinë zyrtare aktuale nostalgjike
enveriste, që për interesa ideologjike as nuk do t’ia dijë se Fishta veproi si
burrë shteti në momentin kur kombi rrezikonte të zhdukej. Si mund të mbrojnë
sot historianët nostalgjikë të komunzmit enverian rolin e Gjergj Fishtës në
mbrojtje të shtetit shqiptar, kur ky shtet Shqipëria komuniste e kishte
shpallur atë armik e tradhtar, për pothuaj një gjysëm shekulli. Sot heshtin,
gjithnjë për Fishtën. Por faktet janë
kokëforta dhe flasin edhe sot. Më shumë se një shekull më parë, Fishta ishte në
Paris, në zemër të diplomacisë botërore, duke mbrojtur Shqipërinë kur ajo
trajtohej si monedhë këmbimi. Ndonëse i
njohur si poet kombëtar Fishta nuk shkoi të recitonte poezi në Paris, por të
artikulonte një të vërtetë politike: se Shqipëria kishte të drejtë të
ekzistonte si komb i plotë.
Fishta u fliste evropianëve në emër të
një historie që Evropa bënte sikur nuk e njihte. Ai përdori argumentin
kulturor, etnik e gjuhësor – armë që diplomacia cinike eevropiane e kohës i përçmonte, por që
historia i mban mend. Por jo regjimi komunist as historia zyrtare e shqiptarëve
e cila edhe sot e kësaj dite nuk i falë “fajin”, Fishtës, se një klerik katolik
shqiptar si Gjergj Fishta kishte përfaqësuar Shqipërinë para Perëndimit, si
përfaquses i elitave anti totalitare evropiane dhe njëri prej dëshmitarëve më
të shquar të Kombit shqiptar që nuk lidhej as me Moskën as me Beogradin. Duket
se ky mentalitet për figurën e Fishtës
vazhdon edhe sot në radhët e elitave shqiptare të edukuara në frymën
internacionaliste komuniste, që për fta të keq, mbizotëroj ë edhe sot shkrimin
e historisë të shelullit të kaluar
Prandaj Fishta u shpall “reaksionar”, u
fshi nga tekstet, u varros për herë të dytë – këtë herë në harresë të
organizuar dhe të sanksionuar, zyrtarisht. Janari, 1919 I konferencës së Parisit nuk
përmendet --Nuk ka pllaka përkujtimore. Nuk ka akademi solemne. Nuk ka asnjë
datë zyrtare që të kujtojë se Janar 1919, Gjergj Fishta ishte aty ku po
merreshin fatet e Kombit. Ka vetëm heshtje! Heshtja nuk është rastësi. Ajo
është vazhdimësi. Sepse pranimi i
Fishtës si figurë politike ndërkombëtare do të thotë për ta, pranimin e një të
vërtete të pakëndshme, por e mohuar nga elitat komuniste të pas 1945-ës: se
elita shqiptare e para-komunizmit ishte më europiane, më dinjitoze dhe më
largpamëse sesa shumë nga ata që erdhën pas, përfshir këta që ende janë gjallë
e vendlsin për fatin e figurave historike si Gjergj Fishta.
Por duan ose nuk duan këta pseudo
historian, Gjergj Fishta në Paris nuk është episod anësor; është provë. Provë
se Shqipëria kishte zë përpara se t’ia prisnin gjuhën. Dhe çdo përpjekje nga
ana e këtyre mohuesve zyrtarë të rolit të Fishtës, qoftë edhe në konferencën e
Parisit, Janar, 1919 me qëllim për ta mbajtur Fishtën vetëm brenda kornizës së
letërsisë e poezisë, është një akt i qëllimshëm, por një akt politik i vonuar.
Ndonëse me fjalorin e fortë të Gjergj
Fishtës, me 20 janar 1919, Shqipëria foli në Paris. Por sot lind pyetja se kush
ka interes që ai zë i fortë të mos dëgjohet më? Ka figura të mëdha që historia
i nderon me ceremoni, përkujtimore dhe ka figura që historia dhe disa pseudo-
historianë frikësohen prej tyre. Gjergj Fishta i përket kësaj të dytës. Jo
sepse ishte i gabuar, por sepse ishte i drejtë në kohë të gabuar për pushtetet.
Prandaj u hesht. Prandaj u fshi. Prandaj, edhe sot, trajtohet me një
rehabilitim gjysmak, sa për dekor dhe jo për të vërtetën historike. Sipas tyre,
Fishta duhet të mbetet poet folklorik, por jo arkitekt orientimi strategjik. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta
dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë | Gazeta Telegraf – një hap para e dy mbrapa.
Në një tubim kushtuar Fishtës pesë vjetë më parë organizuar nga Akademia e
Shkencave e Shqipërisë, u fol për poezinë e letërsinë. kryesisht. Por Fishta ishte dhe është më shumë se poet e
letrar! Një akademi që hesht përballë padrejtësisë historike, heq dorë nga
misioni i saj. Fishta ishte mendimtar i
madh politik, aktor diplomatik dhe zë moral i kombit shqiptar në një nga
momentet më të rrezikshme të ekzistencës së tij si shtet. Në Paris, më 1919, ai
artikuloi çështjen shqiptare në gjuhën që bota perëndimore e kuptonte: gjuhën e
parimeve, të drejtës dhe dinjitetit kombëtar. Dhe mbi të gjitha, ai e kuptoi se
shpëtimi politik i Shqipërisë nuk mund të vinte nga Lindja, as nga aleancat
ballkanike, si “Ballkani i Hapur” I kohëve moderne, por nga Perëndimi
demokratik, ku SHBA-ja në fillim shekullit XX, po shfaqej si fuqi morale pas
Luftës së Parë Botërore. Ndryshe nga diplomatët rastësorë, përshir ata të
sotmit, At Gjergj Fishta e shihte Amerikën jo thjesht si fuqi ushtarake, por si
model politik dhe civilizues. Amerikën e konsideronte si shpresën morale dhe
politike të shqiptarëve, jo Europa e pazareve.
Por për fat të keq të shqiotaraëve, kjo
e vërtetë u bë e papranueshme për regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili
ndërtoi legjitimitetin e vet mbi mohimin e çdo tradite perëndimore. Ndërkohë që
Fishta u shpall “armik”, e “tradhëtar” u ndalua, u përjashtua nga shkollat dhe
nga kujtesa kombëtare për pothuaj një gyjsëm shekulli komunizëm. Por ajo që
është edhe më e rëndë: pas rënies së komunizmit, kjo padrejtësi dhe gtradhëti
kombëtare nuk u korrigjua, plotësisht. U fol e po flitet për Fishtën por nuk u tha as nuk thuhet e vërteta
e plotë, sidomos, për rolin politik dhe ndërkombëtar diplomatik të Fishtës. Është
botuar poezia, por shmanget politika. U pranua gjuha, por u refuzua dhe refzohet
mendimi i tij.
Në rend të parë, jo vetëm klasa
politike e këtyre 35-viteve tranzicion i ashtuquajtur “post-komunist”, por edhe
institucionet shqiptare sot si – Akademia e Shkencave, entet kulturore dhe
arsimore zyrtare – kanë dështuar të ballafaqohen me këtë borxh historik. Sepse
ta pranosh Fishtën siç ishte, do të thotë të pranosh se historiografia zyrtare
ka qenë e shtrembëruar për dekada. Do të thotë të pranosh – në kundërshtim me
mësimet e komunizmit -- se orientimi natyror i Shqipërisë ka qenë Perëndimi, jo
Lindja. Dhe kjo kërkon guxim intelektual e moral, jo vetëm ceremoni. Fishta
vazhdon të jetë i pakëndshëm për pushtetin, sepse ai nuk mund të
instrumentalizohet. Sepse ai nuk flet gjuhën e kompromisit moral. Ndërsa na
kujton se shteti shqiptar u mbrojt nga pena, mendja dhe fjala po aq sa edhe nga
pushka. Dhe se pa zëra moral e atdhetar si i tij, Shqipëria do rrezikonte të
mos ekzistonte fare.
Sot flasim me të drejtë për ndjenjat
pro-perendimore të shqiptarëve, për miqësinë shqiptaro-amerikane, sidomos. Por
kjo miqësi nuk lindi dje. Ajo ka rrënjë, madje rrënjë të thella. Dhe një nga rrënjët e saj është Gjergj Fishta
i cili ishte ndër ata që besoi Amerikës që në fillim, kur Shqipëria ishte e
braktisur nga Evropa kur Fishta i foli botës në Paris, janarin e viti 1919, kur
Shqipëria nuk kishte zë. Ta mohosh këtë, do të thotë të mohosh vërtveten
historike.
Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për një
Fishtë të zbukuruar. Kemi nevojë për Fishtë të vërtetë: ashtu siç është e siç
ka qenë: me mendim politik, me qëndrim perëndimor, me guxim moral e trim
atdhetar. Vetëm atëherë do të mund të themi se jemi çliruar jo vetëm nga
influencat ende të gjalla nga diktatura politike komuniste, por edhe nga
trashëgimia e heshtjes ndaj së VËRTETËS ndaj rolit politik e ndërkombltar të
Fishtës. Sepse kombet nuk dëmtohen
vetëm nga armiqtë historikë. Dëmtohen edhe nga harresa e qëlimshme, sidomos nga
harresa dhe heshtja zyrtare ndaj së vërtetës. Dhe harresa e Gjergj Fishtës ka qenë, për
shumë kohë -- edhe në sytë e shumë vezhguesve -- vazhdon të jetë politikë zyrtare
e shtetit shqiptar që po dëmton rëndë historiografinë e vërtetë të Kombit
shqiptar. Mjaft është mjaftë! Gjergj Fishta
nuk ka nevojë për dekorata. Ai ka nevojë për drejtësi historike. Dhe drejtësia
historike fillon me një akt të thjeshtë, por të guximshëm e moral: të
pranohet se për dekada keni gënjyer veten dhe të gjithë shqiptarët kudo për rolin
e At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës të Janarit, 1919, por jo vetëm. Për
faktin se keni pranuar dhe po zbatroni gjithnjë një histori të filtruar nga
ideologjia komuniste. Duhet të kërkoni falje dhe të pranoni me guxim,
trimërisht, se vazhdoni të heshtni për Fishtën jo vetëm nga rehatia, por edhe
nga frika ose nga konformizmi akademik, për hir të një vendi pune. Siç e kam thënë
shpesh në shkrimet e mia modeste të dekadave të kaluara në lidhje me krimet e
komunizmit, një komb që nuk u kërkon falje viktimave të tija dhe nuk kujton të
vërtetat e rolit historik që kanë luajtur në historinë kombëtare figurat e
mëdha të kombit si At Gjergj Fishta, ai komb, heret ose vonë, është i dënuar të
mbetet i vogël.