E hene, 12.01.2026, 11:43 PM (GMT)

Mendime

Pilo Zyba: Një zhurmë që nuk shërben për askënd

E hene, 12.01.2026, 06:50 PM


NJË ZHURMË QË NUK  SHËRBEN  PËR ASKËND

- ka ardhur koha të mendojmë ndryshe -

Nga Pilo Zyba

Çdo ditë lexojmë nëpër faqet e internetit njerëz fjalëshumë, të cilët kanë marrë nga një legen në duar dhe e përplasin atë, që të dëgjohet zhurma e mendimeve të tyre. Një zhurmë kjo që, në fakt, nuk i hyn në punë askujt për tematikat që ata ngrejnë me shumë bujë, për t’i lexuar të tjerët dhe për të menduar se janë të mençur, të zgjuar në vëzhgimet e tyre miope dhe filozofë në mendimet e tyre.

Ikën nga Londra një zonjë që quhet filozofe dhe pedagoge, autore e disa librave; lëshon me gojën e saj ca vezë në Tiranë dhe, pasi ajo ikën, të gjithë të tjerët merren me fjalën e saj, mendimin "filozofik " të saj, me veprat e saj, që për fat “të mirë” kanë bërë bujë të madhe në botë nga vlerat dhe vlerësimet.

Njëri e bën kryeministre, kur ajo vetë flet dhe thotë se, nuk ka idenë kush i thotë këto fjalë!

Dikush tjetër e shan për mendimet e saj, se pse ajo, duke qenë e persekutuar në sistemin komunist, sot përqafon dhe bëhet pjesë me armiqtë e familjes së saj, por edhe të shumë të tjerëve që e vuajtën atë sistem.

Pra, në këtë botë, në këtë vend kaq të vogël, ka një urrejtje dhe një luftë kaq të madhe për mendimin që ka gjithkush. Çdo njeri ka të drejtë për mendimet e tij, ashtu si një familje mban një qen dhe një familje tjetër mban një mace. Nuk është e thënë se dikush që kishte një kope me dele në vitin 1940 duhet patjetër që edhe në kohën tonë të ketë një tufë me dele. Dikur njeriu, duke parë historinë e tij, kupton se me ato dele fisi i tij nuk bëri prokopi; prandaj edhe e ndryshon mendimin e vjetër në një mendim dhe veprim më të avancuar. Dhe kjo, për mua, quhet zhvillim dhe kulturë, nëse është në të mirën e individit dhe të shoqërisë.

Ka ardhur koha që të shikojmë ndryshe dhe të veprojmë ndryshe. Interneti na ka dhënë mundësinë t’i hapim sytë, të lexojmë dhe të kuptojmë më shumë nga ato që ndodhin, dhe të marrim mësime prej tyre; jo t’i shikojmë si ngjarje kalimtare dhe t’i përsërisim ato pa pushim.

Shikoj se të gjithë jemi bërë mendimtarë, kemi prehur penat dhe shkruajmë. Shkruajmë vërtet, por unë personalisht nuk shikoj ndonjë mendim të qartë në këto shkrime. Të gjitha shkrimet, në përgjithësi, rrotullohen rreth pellgut të së vërtetave, pa nxjerrë ndonjë konkluzion ose pa ndezur ndonjë dritë jeshile që na çon atje ku duam të shkojmë.

Sot kemi marrë atdheun tonë dhe e kemi vendosur në bezën e ish-filmave të kohës së vjetër. E shikojmë nga të gjitha anët, e kritikojmë, e shajmë, por askush nuk pyet: pse?

Shumë prej këtyre mendimshkruesve vazhdojnë akoma me autopsinë e të vdekurit të para 41 vjetëve. Edhe pse ia bëjnë autopsinë e tyre, nga analizat nuk nxjerrin asgjë. Kjo për paaftësinë e tyre apo për zotësinë e dyerve që mbylli i vdekuri kur iku, nuk e di.

Pasi bëjnë një analizë sipërfaqësore, jo bindëse, mbetemi në llumrat e shekullit të kaluar. Sepse, nëse i bëhet një analizë serioze dhe gjendet sëmundja e duhur, mund të themi se sot, pas 41 vjetësh, do ishim ndryshe dhe nuk do qëndronim 41 vjet pranë të vdekurit: në mendimet e tij, në punën e tij, në idetë dhe në mënyrën e drejtimit të tij.

Populli ynë ka një fjalë të urtë: “I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët.”

Por jo, në rastin konkret nuk duam t’i ndajmë të vdekurit me të gjallët, sepse, duke u fshehur pas të vdekurit, veprojmë më kollaj duke persekutuar dhe duke luajtur me jetën dhe ndjenjat e të gjallëve.

Unë mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara dhe për ta quajtur këtë epokë të re është që, me një thikë mendimi të pastër, të hedhim poshtë njëherë e mirë të djeshmet; të marrim prej saj dhimbjet dhe vuajtjet, për t’i pasur si etalon të ndryshimeve, dhe të ecim përpara.

Do të thoni ju që më lexoni: “Edhe ju, në shkrimin tuaj, po bëni të njëjtën gjë; thjesht po radhisni faktet e së shkuarës. Po bëni atë që bëjnë të gjithë në shkrimet e tyre.”

Dhe unë u përgjigjem: jo, jo! Unë atë llamarinë propagandë e kam flakur që nga viti 1990, kur u largova nga atdheu im. Veprimet në atdhe i shikoj me gjakftohtësi. Kur dëgjoj se thuhet se në datën 24 dhjetor do të bëhet një demonstratë e madhe, qesh. Qesh, sepse lufta me formën e demonstratës është provuar; ajo është një dështim.

Pse është një dështim?

Është dështim për dy arsye. E para, sepse masa e rinisë në Shqipëri ka ikur; ajo lufton për të ardhmen e saj, sepse e ka jetën përpara. Si mendoni ju, të dashur lexues, a nuk e di masa e gjerë e popullit tim se këta që drejtojnë vjedhin? A nuk e di se fëmijët ua ka përcjellë pas shtatë maleve dhe nuk do t’i shohë më, ndoshta deri në ditën e vdekjes? Të gjitha i di, por hesht; pret.

E dyta, a nuk e shikon populli shqiptar se partia që kërkon pushtetin nuk është parti me vizion të qartë politik? E di shumë mirë. Këtë parti që ra nga pushteti, unë personalisht mendova se do të ishte e përjetshme në drejtimin e kombit tim kur ika, por gabova. Gabova unë, sepse gaboi partia që unë mendoja dhe ëndërroja ardhjen e saj. Ajo vrau, ajo vodhi, ajo shkatërroi industrinë dhe ushtrinë, duke krijuar në Shqipëri anarkinë.

Mbi këto dy këmbë qëndron atdheu im: të dyja këmbët të sëmura, pa forcë, por edhe me një kokë pa ide.

Populli im ka arritur në atë gjendje kritike që pranon më mirë të vidhet sesa të vritet; prandaj hesht dhe mban mbi supe vuajtjen.

Dhe ju, me të drejtë, do të më pyesni: “Dhe sa kohë do të durojë Shqipëria ime, vëllezërit e mi, prindërit, etj.?”

Dhe unë u përgjigjem pa hezitim…

Shqipëria nuk ndryshon sepse vjen me një qeveri të përkohshme Lea Ypi. Shqipëria ime nuk ndryshon nga një artikull apo dhjetëra artikuj të një  Erë-vina Toptani. Top-tani duhet të bëhen ata që kanë vizion për të ardhmen, ose fitojmë topet, thoshte e ndjera gjyshja ime.. Kryeministri, as i përkohshëm, sepse përjetësisht i përkohshëm mbetet; këtë e dimë të gjithë. Sado i mençur dhe filozof të jetë një kryeministër që vjen nga qielli apo e katapultojnë të tjerët tek ne, ai kurrë nuk e bën dot Shqipërinë.

Shqipërinë e bën ai politikan vizionar, kryeministër që del nga lufta e brendshme e lëvizjeve të mëdha shoqërore, duke marrë me vete masën, ashtu si demokracia e mori në vitet 1990.

Populli dhe masa e gjerë e kombit tim e shikojnë se një vizionar i tillë mungon; prandaj, si një plak i mençur, Kombi hesht dhe pret. Dhe në momentin e duhur ai do të bëhet një lumë, që do të përfshijë të gjitha mbeturinat e kohës dhe do t’i derdhë në det, që më pas ta pyllëzojë Shqipërinë time me lisa të rinj dhe me vizione të reja…

Londër...2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx