Faleminderit
Shyqyri Fejzo: Një konsull i kudo ndodhur, dinamik e i palodhur
E diele, 04.01.2026, 06:55 PM

Një konsull i kudo ndodhur, dinamik e i palodhur
Nga
Shyqyri Fejzo
Në pjesën veriore të Gjermanisë, aty ku ritmi i përditshëm ecën me saktësinë e një ore zvicerane, si në gjithë vendin, rri si një dritë e qetë shqiptare një Konsull Nderi, njeri që Atdhetarizmi dhe diplomacia eshte pjesë të frymës së tij. Kolë Gjoka e ka vitin e 6 që kryen këtë punë dhe prej 12 vitesh përfaqësues i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës në veriun e Gjermanisë. Ai është prej atyre që nuk flasin me zë të lartë; përkundrazi, ai flet me qetësinë e njeriut që e njeh peshën e fjalës dhe vlerën e veprës.
Zyra,
telefoni dhe emaili i tij jane bërë derë e hapur për çdo shqiptar që shkel në
Gjermani: studentë me ëndrra të freskëta, punëtorë me halle të përditshme,
familje që kërkojnë orientim, shkrimtarë që kërkojnë promovim, artistë që duan
të shpërndajnë dritën e tyre. Te ai gjejnë jo vetëm procedurë dhe ligj, por
edhe buzëqeshje, durim dhe një qasje njerëzore që nuk të lejon të ndihesh i
huaj në këtë vend të huaj.
Në
një takim që bëmë në Hamburg, mësova shumë nga veprimtaria e tij. Në moment erdhi
një telefonatë. Mbasi i ktheu përgjigje, m'u drejtua i qeshur, "Unë
gëzohem kur ky person nuk me telefonon më. E pyes: --Edhe kur nuk te telefonon
më? - Po. A e di pse? Sepse problemin e tij u zgjidh dhe nuk ka pse më merr
prap në telefon, ndaj gëzohem.-
Puna
dhe veprimtaria e Konsullit të Nderit, për vet vecorinë është e shumëllojshme
dhe tepër komplekse. Për punë që kanë specifika të tilla është e vështirë të
bësh edhe pyetje. Megjithëatë, kur vura re se me sa pasion fliste për punën, e
pyeta nga një kënd tjetër.
-Kolë,
të lutem më thuaj dy raste që në veprimtarinë tuaj të kanë lënë përshtypje dhe
ndjenja të pa shlyeshme.Vec, dëshëroj një ngjarje të gëzueshme dhe një tjetër
që mund të ketë mërzitur dhe trishtuar.-
Krojti
pak në rrëzë të veshit, u mendua pak me sy të pulitur dhe filloi.
-Po
e nis nga një ngjarje që më ka trishtuar shumë, jo vetëm mua. Këtu, në Hamburg,
sic e di, pati një aksident tragjik në ndërtim. Ranë nga skela nga kati i 8-të
5 puntorë të rinj shqiptarë dhe fatkeqësisht të gjithë ndërruan jetë. Kuptohet,
konsulli në këto raste le cdo punë dhe prioritet, duhej ndjekur ndodhia,
aksidenti dhe procedurat. Fatkeqësisht asnjeri nga ata nuk kishte dokumentacion
e sigurim jete. Kishin punuar në të zezë.
Në
këto raste njeriu shtrydh cfarë ka në mendje dhe në zemër, për të gjetur ndonjë
mundësi ndihme për fatkeqët tanë shqipëtarë. Duhej bërë kërkim, se populli ynë
ka fjalën e urtë popullore "ai që kërkon gjen, por ai që këmbëngul, gjen
dhe merr." Duke kërkuar e gjetëm një nen të një ligji që na cliroi nga
ankthi e meraku.
-Ai
ligj theksonte në një nen: "çdo njeri qe punton është i siguruar!" ,
Ceshtja e dokumentacionit eshte dicka tjeter. Kuptohet, duheshin përpjekje,
kohë ec-ejake derisa problemi u zgjidh së mbari. Trishtimi dhe keqardhja pati
një farë neutralizimi, kur familjet e fëmijët e tyre muarën pensionet. Në
kontaktet dhe bisedat që bëmë në Shqipëri me pjestarët e familjeve të tyre, jam
ndjerë më keq, më trishtueshëm se kudo gjatë jetës time.
Kurse,
përsa i përket ngjarjeve që kanë cliruar energji pozitive, ka disa, por unë do
të përqëndrohem vetëm në njërën prej tyre.-Vura re se dhe tani që tregoi për
fatkeqët e aksidentuar, ndihej i prekur thellë. Pastaj vazhdoi:-Unë jam krenar
që komuniteti shqiptar në veriun e Gjemanisë është i integruar në jetën
shoqërore gjermane, por kurrsesi e asimiluar. Për këtë punojmë shumë. Midis
morisë së problemeve që jeta na vuri përpara për zgjidhje, për mua, problem i
shkollimit të fëmijëve ka qënë dhe mbetet më kryesori.
-Në
shpjegimin e tij Konsulli u ndal në faktin se këtë detyrë themelore e cila
kërkon vemendje e kujdes të vazhdueshëm ai e ka parë në dy plane.
-Në
atë se cfarë mund të bënte për vendin e tij, Shqipërinë dhe si kishte punuar
këtu në Gjermani që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e bukur shqipe.
Pas
studimit të gjendjes, duke analizuar thellë të gjithë faktorët e mundësishëm,
në bashkëpunim me organet shtetërore shqiptare dhe gjermane, i u dha një
rezultante që të bashkëpunonin për mbështetjen e një shkolle profesionale (disa
profesionesh) në rrethin e Mirditës dhe realizimin e financimit e mbarëvajtjes
së projekteve të saj për përgatitjen e specialistëve të profileve të ndryshme
me arsimin e mesëm. Pas një "odiseje" të gjatë propozimesh,
ndërhyrjesh, programesh etj. të cilat nuk po i përshkruajmë në këtë bisedë, u
arrit sipas shpjegimeve të zotit Kolë, që "shkolla Profesionale Shen
Jozefi Punëtor në Mirditë" të ngrihet profesionalisht në një nga shkollat
profesionale më cilsore në Shqipëri, e cila prej mëse 25 vitesh ka nxjerrë
qindra specialist të mesëm të kualifikuar.
Në
këtë drejtim ai është ndjerë i kënaqur dhe i lumturuar, mbasi në zbatim të
detyrave dhe programeve që ndjek, i'u dha mundësia, ti shërbej edhe
vendlindjes, Mirditës. Aktualisht po punon per te realizuar një Projekt me katër
shkolla profesionale të Mirditës, Lezhës, Kamzës dhe Pogradecit. Me sa vihet
re, shkollimi i fëmijëve në gjuhën e bukur shqipe është renditur në problemet
kryesore të funksionit të tij. Në vazhdim ai shpjegon se një drejtim tjetër
edhe më i madh, është ai që lidhet me shkollimin e fëmijëve të emigrantëve
shqiptarë për mësimin e gjuhës shqipe, u ka dalë këtu për Gjermaninë Veriore në
Schlesëig-Holstein, Hamburg, Bremen etj. ku kanë arritje por jo vetkënaqësi.
Flet shpenguar dhe me krenari se ka ngritur 17 shkolla shqipe me një model
bashkëpunimi të qëndrueshëm me landet. Është arritur që mësimi i gjuhës shqipe
nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë të institucionalizohet, mësimi të
zhvillohet në shkollat shtetërore gjermane, mësuesit e gjuhës shqipe të paguhen
nga Ministria e Arsimit Gjermane, materialet mësimore i siguron shteti
Shqiptar. Eshtë arritur e po përsoset më tej bashkëpunim më i hapur dhe i gjërë
me komunitetin. Vemendje po i kushtohet përgjithësimit të përvojave pozitive si
dhe organizimit të seminareve e veprimtarive përgjithësuese në dobi të punës.
Është detyra e mësuesëve tanë të talentuar që fëmijëve shqiptarë përvec gjuhës
shqipe tju mësojnë historinë dhe gjeografinë, kulturën dhe traditat e kombit
tonë. Kur unë vizitoj këto shkolla i pyes vazhdimisht femijt se nga cili qytet
apo fshat i Shqipërisë kanë ardhur prinderit e tyre. Shumica e dinë, pjesa
tjetër do ta mësojnë shumë shpejt.
Çdo
dokument që ai nënshkruan ka mbi vete qetësinë e mendimit, saktësinë e ligjit
dhe ngrohtësinë e një zemre që e di se shërbimi ndaj njerëzve është detyrë e
lartë. Në pritjet e tij s'ka formë pa përmbajtje: ka kujdes, respekt, dhe një
vështrim që të dëshmon se secili ka vlerë. Nuk është rastësi që shumë e
kërkojnë, shumë e vlerësojnë, dhe edhe më shumë e respektojnë. Ai ka sjellë me
vete një përvojë të gjatë nga vitet e punës me njerzit, që nga Shkodra apo nga
Kina e largët, një horizont të gjerë kulturash, një art komunikimi që ndërton
ura, jo barriera. Aty dhe nga jeta ka mësuar se diplomacia nuk është vetëm protokoll,
por mbi të gjitha, është durim, dëgjim dhe aftësi për t'i bërë njerëzit të
ndihen të parët dhe të vlerësuar.
Në
Gjermani ai ka kultivuar një profil të qartë: një konsull që nuk qëndron mbi
njerëzit, por pranë tyre. Ai ndjek dhe organizon aktivitete kulturore, përkrah
promovimin e librave, mbështet çdo nismë që i jep emër të mirë Shqipërisë dhe i
lidh më fort dy vendet që ai ju shërben me devotshmëri. Në çdo aktivitet që
organizohet, ai shfaqet jo si figurë zyrtare e ftohtë, por si një njeri që e përjeton
me shpirt përfaqësimin e kombit. Atë e dallon thjeshtësia e karakterit, zotësia
profesionale, dhe mbi të gjitha dashuria për njerëzit. Ku shfaqet ai, shfaqet
pa zhurmë, por lë gjithmonë gjurmë. Gjurmë pune, mirësie, dhe respekti që nuk
blihet me tituj, por fitohet me përkushtim.
Kështu,
në udhën e gjatë të diasporës shqiptare në Gjermani, ai qëndron si një urë e
qëndrueshme: midis kulturave, midis njerëzve, midis halleve dhe zgjidhjeve. Dhe
si çdo njeri që punon me zemër, ai nuk ka nevojë të flasë për vete; flasin
veprat, njerëzit, dhe mirënjohja që e shoqëron kudo. Duhet detyrimisht të
kthehemi në retrospektivë në një kohë tjetër, konkretisht në fundin e janarit
të vitit 1996 për të hedhur dritë mbi ardhjen e Kolë Gjokës në Gjermani dhe
veprimtaria e tij.
"Odiseja"
e lëvizjes së Kolë Gjokës nga Shqipëria, nga Mirdita e tij e dashur, është
pothuajse e njëllojtë me ato të qindra e mijra emigrantëve të tjerë shqiptarë.
Arësye e lëvizjes, e deklaron vetë Kola; "Është se nuk shikon ndonjë
mundësi reale për përmirësimin e jetës, për mundësinë e punës dhe
sigurinë." Edhe pse i qëndronte mbi kokë si një cekan i rëndë thënia e
Horacit të lashtësisë: "Kur shkoni në një vend të huaj, ndërrohen vetëm
qiejt jo trojet." Ai nuk ktheu mendje e rrugë. "Në fund të fundit
trojet aty janë, nuk lëvizin. Kur ta shikoj të arësyeshme dhe unë aty do të jem
e mund të kthehem një ditë."
Ishte
me fat që pasi siguroi vizën gjermane, mori avionin në fund të janarit 1996 dhe
u ndodh në Gjermani, në qytetin metropol të Hamburgut. Aty i ra menjëherë në sy
kontrasti i madh, kontrast i dy botëve. Shpresa në këtë mes ishte e madhe. Kola
tregon se në fillim ka kryer punët nga më të ndryshmet, pa qibarllëk e sqimë.
Shpesh kërkonim punë ku të mundnim, por jo gjithnjë gjenim. "Ne, emigrantët
e parë shqiptarë na ka munguar shumë mundësia e përshtatjes, mungesa e gjuhës,
por të flasim drejt, për ne shqiptarët atëhere nuk ka qënë një opinion
pozitiv."
Që
në fillim punën, e cila është babai i të gjithave, e ka dashur. Nëpërmjet saj
arriti të ndryshoj opinion në ambientet gjermane dhe në vitin 2002 mundën të
blejnë bisnesin ku kishim punuar, duke u bërë vet pronarë të tij, që funksionon
edhe sot i tillë. Po ashtu, me gjuhën gjermane tregon për peripecitë e
përpjekjet maksimale e vetëm dy fjalë dinte kur erdhi. "Në këto kushte e
konsideroja trurin "sfungjer" për të thithë cfarë më duhej për
gjuhën, si dhe njohjen e zakoneve, traditave, disiplina e korrektesa etj."
kujton ai. Synimin e ka arritur, përshtatja me këtë gjuhë, këto zakone e
tradita, me ligjet për bisnesin e punën. Në shtetin gjerman gjithësekujt që ka
vullnet, e zotësi për të vepruar, i hapen rrugë dhe perspektiva për të ecur
përpara, brenda kuadrit ligjor të këtij shteti. Kjo këtu është provuar
plotësisht për mërgatën e shqiptarëve e cila për landin e Hamburgut i afrohet
shifrës të 50 mijë njerëz.
Në
konceptin filozofik, theksojnë njerëz të shquar, si Hygoi, Tolstoi, Heminguej
apo dhe Lasgushi ynë, bazën e një ecurie normale dhe të suksesëshme të njeriut
në jetë përcaktojnë edhe një fëmijëri të vuajtur dhe e trishtuar. Skamja,
varfëria, pasiguria për punë është një shkollë dhe faktor për të ecur përpara
saktë dhe shpejt. Kjo dukuri në fjalorin popullor të Shqipërisë gjen vend në
thënien "Më mirë pyet të vuajturin se të diturin." Nga ky koncept dhe
reflektimet e tij në jetë, nuk ka bërë përjashtim edhe Kola. Ai, shkallët e
përshtatjes dhe afirmimit i ngjitëte, ngadalë dhe tepër i sigurtë këtu në
shtetin gjerman. Por, duhet theksuar se edhe "emigracioni është një
shkollë mbi shkollat." Nuk është rastësi që gjendja dhe statusi i tij sot,
njihet si "Konsulli i Nderit" i shtetit shqiptar në Gjermaninë e
Veriut. Në saje të punës, korrektesës ndaj ligjeve e rregullave, ai ngjiti një
nga një shkallët për vëndin që i takonte në shoqërinë gjermane.
Kështu,
viti 2011 e gjen anëtar të CDU. Ky moment për Kolën ka pasur një rëndësi të
madhe. Më pas, në saje të qartësisë së mendimit për çdo problem që dilte për të
dhe shoqërinë, si dhe të këmbënguljes në punë dhe çdo detyrë që ngarkohej, në
vitin 2017 ishte kandidati i pare Shqiptar për në Bundestagun Gjerman. Edhe në
vitet 2021 e 2025 ka rikandiduar për në Bundestagun Gjerman. Nga viti
2016-2021, është nënkryetar i CDU Elmshorn, ndërsa nga viti 2021 vazhdon të
jetë kryetar i CDU Elmshorn. Po ashtu, nga viti 2017 antar i këshillit Bashkiak
dhe nga viti 2019 Deputet i Qarkut Pinneberg.
Ky
status i bukur dhe i merituar ka bërë atë që sot ai të jetë shumë i vlerësuar
nga gjermanët. Ndërkohë Kola, nuk shkëputet nga Shqipëria, nga Mirdita e tij e
dashur. Ai sot është Kryetari i shqatës gjermano-shqiptare Alb-Diaspora
e.V.-Antar i kryersisë së Dhomës së Tregtisë gjermani-shqipëri DAË e.V.
Gjermanët, atë person që e do atdheun e vet e duan dhe e afrojnë shumë, mbasi
në atë mënyrë ai do edhe Gjermaninë.
Në
tërë veprimtarinë dhe punën e tij, Kola i ruhet shumë shterpësisë së shpirtit
dhe heshtjes së fjalës. Ai absolutizmin e ka fituar jo si titull, e të mbahet
pas tij, por si substancë. Kjo gjendje dhe ky status sot atë e ka bërë të rritë
besimin në forcat e veta dhe sigurinë të bëjë të gjitha detyrat shtetrore e
shoqërore. Ai mundohet të bëjë edhe gjera të vogla por me dashurinë
shpirtërore. Prandaj edhe shumë shqiptarë e kerkojnë për ndihmë.
Njëri
nga ata që e kërkonte, para një viti, një mbrëmje pak vonë e merr në telefon.
"Ju jinni Kola?" ishte pyetja. "Po", unë jam, po ju kush
jeni? Zëri që vinte nga telefoni sqaron: "Jam një shqiptar nga x fshat. Ju
nuk më njihni. Kam ndier për ty dhe diku gjeta dhe numurin tuaj të telefonit.
Jam në München dhe po flas nga një kabinë. Kam ardhur me vizë të rregullt, me
një kopje kontratë pune me vete, por ai që më dha kontratën, nuk përgjigjet me
në telefon. A ke ndonjë mundësi të më ndihmoni të paktën sa të kaloj natën
sonte? Bën ftohtë, në vend të panjohur. Gjuhën nuk e di."
"Mirë.
Të kuptova. Do të qëndrosh aty ku je afër asaj kabinës dhe një gjysëm ore. E
kuptove?" – "Po, kuptova" m'u përgjigj. Unë i ruaj kontaket për
ditë të tilla. Në München, prej ku mori telefon ai person, kisha kontaktin e
një personi qe e kisha ndihmuar disa muaj më përpara, por që nuk e njihja
personalisht. E mora menjherë në telefon dhe e luta ta ndihmonte personin. U
tregua shume i gatshem. Ai që unë i telefonova, pas një gjysëm ore më njoftoi
se e kishte takuar dhe e kishte marrë në shtëpi. Do të merrem unë me të, une
nuk ta harroj ndihmen tende, më tha. Të nesërmen dhe më pas nuk lindi nevoja të
merrem me atë, mbasi ai që e strehoi e kishte rekomanduar për një firmë ku ai
atje punon ende.
Tani,
numri i shqiptarëve në Gjermaninë e Veriut është rritur shumë, tregon Kola.
Deri tani kemi biseduar për një veprimtari normale edhe pse ka shumë punë. Pa u
vetkënaqur edhe në këtë veprimtari ka raste që ndonjëherë "na vret
veshin" edhe ndonjë mendim fatalist si "vendi ynë nuk bëhet." Ka
diçka thellësisht të dhimbshme në mënyrën se si, sot, përmes disa gazetave,
portaleve dhe platformave digjitale, trajtohen personalitete historike e
kulturore të kombit tonë. Shpesh, përmendja e emrave të tyre shoqërohet me
gjykime të nxituara, riprodhime të cekëta, apo me qasje të ngarkuara me
paragjykime dhe interesa të momentit, larg shërbimit ndaj së vërtetës historike
dhe respektit institucional. Në këto mardhënie, dukuri të tilla, edhe pse të
rralla, i vlerësojmë dhe gjithnjë argumenta kemi modelet pozitive të punës,
përshtatjen e shqiptarëve cdo ditë e më tepër.
Në
përvojën e tij shumëvjeçare si Konsull Nderi në vendet e Gjermanisë Veriore,
Kolë Gjoka ka dëshmuar se diplomacia nuk është vetëm çështje protokolli apo
dokumentesh zyrtare, por mbi të gjitha qëndrim qytetar, kulturë dialogu dhe
përgjegjësi morale ndaj fjalës publike. Shembujt konkretë të veprimtarisë së
tij, të vlerësuar jo vetëm nga bashkëkombësit, por edhe nga institucionet dhe
opinioni gjerman, flasin për një qasje konstruktive, që ndërton ura dhe jo
ndarje. Këtë rol të rëndësishëm, kontributin që ka dhënë e jep si misionar i
rëndësishëm në forcimin e mardhëënieve dhe miqësisë midis popullit dhe shteteve
shqiptar e gjerman, organet e pushtetit qendror dhe lokal e kanë vlerësuar
lart.
Kështu,
Këshilli i Qarkut Lezhë e ka nderuar Kolën me titullin "Nderi i Qarkut
Lezhë", ndërsa institucioni i Presidentit i akordon titullin "Për
Merita të Vecanta Civile". Gjithës kush e ka të qartë se njeriun nuk e
nderojnë dekoratat e titujt. Përkundrazi. Në këtë rast Kolë Gjoka nderon këta
tituj.

Konsulli
i Nderit Kolë Gjoka në një takim me të rinj në Gjermani

Konsulli
i Nderit Kolë Gjoka në CDU

Konsulli Kolë Gjoka me nxënës shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria që mësojnë gjuhën shqipe në Gjermani









