E hene, 29.12.2025, 03:25 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Njollat e dritës dhe hapësirat e kujtesës

E diele, 28.12.2025, 06:54 PM


Njollat e dritës dhe hapësirat e kujtesës

Vështrim kritik mbi ekspozitën personale të artistit Alkan Nallbani, e hapur së fundmi në galerinë private “OPEN ART Gallery “ nën drejtimin e artistit Naim Spahiu, me kuratorë Ardian Isufi dhe Elton Koritari

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit

Uniteti i artistit qëndron te streha e kërkimit dhe hulumitmit. Pra të hulumtosh do të thotë të argumentosh, kjo lojë e shkencës me estetikën ndriçon rrugën e krijimit, pra përtej rezultatit momental, përtej kufizimeve aty ku vepra arrinë pjekurinë e saj. Veprat e artistit shqiptar Alkan Nallbani, i cili jeton dhe vepron në New York, janë të ekspozuara në galerinë “Open Art Gallery” në Prishtinë, e udhëhequr nga artisti Naim Spahiu. Ato klithin lartë, zëri i tyre me forcën e dritës, fuqinë e saj estetike, vizive deri në analizën psikologjike krijon një lojë të brendshme drejt objektivit të jashtëm. Arsyeja, pasioni ndihmojnë njëra tjetren dhe artisti përfaqëson thelbin e forcave të tij. “Yellow Spots in the Black Box” ,  nuk është thjesht një cikël punimesh vizuale, është një praktikë arkivore e një gjendjeje perspektive. Puna e  Nallbanit ngrit një laborator të përkohshëm për të përsëritur, testuar dhe ekspozuar mënyrat me të cilat drita  si prani e shpërthyer dhe si njollë e kufizuar ndriçon dhe mpreh hapësirat e brendshme të kujtesës dhe subjektivitetit. Ekspozita lartësohet në një kontrast të dyfishtë, sipërfaqja e errët e “kutisë” si vend i mbyllur dhe njollat e verdha, dritë që shfaqen si rastësi apo emergjencë  si copëza të shpërthyera të afektit dhe njohjes. Filozofia qëndron te koncepti i dritës e cila ka shpejtësi, estetikë, nuancime, siluetë, imazhe, lëvizje, tempo, ritëm, kontraste, baraspeshë në sipërfaqe, tingull,  lojë e hapësirës me veprën, dhe shtigjet konceptuale të këtij arti tregojnë idenë. Muret e errëta, fluksi i ndriçimit dhe ritmi i objekteve të varura krijojnë një itinerar të kontrolluar të shikimit, vizitori udhëhiqet nga njolla drite , nga vija horizontale e kuqe që lidh dy ansamblet  drejt elementeve më intime të punës. Ky trajtim i hapësirës si “kutia e zezë” prodhon një lloj distancimi reflektiv, vizitori hyn brenda një fushë vëmendjeje ku çdo dritë e vogël bëhet ngjarje interpretimi.

Grafika të kornizuara në murin këndor strukturojn një sistem modular ku grafikat e vogla në dimensione  dhe mesatare formojnë një rrjet leximi, një fushë imazhesh që mbështjellin një histori fragmentare. Çdo grafikë, me nuancat e saj të gërvishtjeve, etsheve dhe hijeve, sillet si stigma , gjurmë të një procesi vizual , ku ripërsëritja e formatit dhe mbivendosja përforcojnë idenë e kujtesës si palimpsest. Iluminimi i drejtuar krijon pika fokale ku plani i punës del nga errësira, këto njolla drite aktivizojnë lexime metafizike, drita si moment i zbulesës, si indeksi i pranisë. Drita e Prometheut, zjarri i tij, forca e përjetësisë, pra zotësia,  çveshja e vlerave dhe vazhdimi i krijimit si shkak pasojë i dritës. Dritë jep jetë, është përtej artit rrugëtimi i artit drejt dritës ngacmojnë ndjenjnë e krjimit, siç kishte me thënë Friedrich Nietzsche “Froca krijuese është drejt rrugës së shpirtit”. Figuracionet e grafikave figura, skena të brendshme, trupa apo peizazhe të vogla dialogojnë me idenë e personazheve vuajtës që përshkruhen në tekstin origjinal, figura si shpërthime afektive brenda një fushe të mbushur me heshtje.

Murali i madh në letër kraft, i kombinuar me kollazhe skicash dhe një kub druri, funksionon si një peizazh i brendshëm: monumental në shkallë, por intim në mënyrën e ndërtimit. Letra kraft, me strukturën e saj të papërsosmërisë dhe ngjyrën e ngrohtë, shërben si substrat arkivor një fushë e hapur ku përmbajtja realizohet si grafika çizimore dhe si një topografi e mbivendosur e kujtimeve. Linjat e dendura të vizatimit krijojnë një perspektivë që referon më shumë në trup dhe interior sesa në pamjen e jashtme; druri, shtresimet dhe ritmi i gërvishtjeve bëhen tregues të kohës. Elementët e kolazhuar   fletë të vogla të ngjitura, skica të pavarura dhe një kuti druri e transformuar në “arkë”   prodhojnë efektin e një ekskavacioni: fragmente të ndara të përvojës manifestohet si prova materiale.

Kubi i drurit, i ndriçuar me hijet e forta të dritës, konceptualizohet si hapësira e së fshehtës  një vrimë e  vogël brenda hapësirës së madhe, ku mblidhen objekte personale dhe fragmente. Ndriçimi i orientuar privilegjon detajet dhe transformon fushën e letrës në një peizazh me ishuj instalativë, duke evidentuar se vepra është dëshmi e procesit shumë shtresa vizatimesh që mbeten si stigma afektive.

Në një lexim fenomenologjik, ekspozita synon të bëjë të dukshme mënyrën se si përvoja  konstituon botën e brendshme të subjektit. Përmes marrëdhënieve midis trupit, dritës dhe materialitetit, puna shfaq mënyrat me anë të të cilave vëmendja dhe perceptimi organizojnë, stratifikojnë dhe riformojnë përvojën si kujtesë të ndjeshme. Kutia e zezë, e propozuar si metaforë, funksionon si një dhomë e ndjesisë,  ajo që mbetet e fshehtë fuqizon nënkuptime të shumta sapo një nyjë dritë-vëzhgimi e zbërthen atë fshehtësi. Apertura e vëmendjes, pra pika e vogël e dritës që depërton, nuk është thjesht një efekt optik, por një mjet hermeneutik,  një vend ku materiali dhe objekti transformohen në dëshmi të procesit dhe ku fragmente memorieje shkrihen me aktin e të përceptuarit. Kjo ngritë pyetje të drejtpërdrejta,  çfarë ruhet në arkivat tona personale? Si bëhen ngjarjet gjurmë piktorike, dhe me çfarë mekanizmash transformohen përjetimet në materialitet vizual? Ekspozita paraqet këto gjurmë si prova materiale  fragmente të gërmuara dhe të rindërguara  që dëshmojnë për mënyrën si koha, gërvishtja dhe shtresa vizive konservojnë afektin. Përtej leximit fenomenologjik, puna mund të kuptohet gjithashtu si një praktikë etike e afërsisë në sensin Camusian siç e citon kuratori Ardian Isufi ecja pranë tjetrit si mënyrë bashkëjetese, jo si udhëheqje, por si ndarje hapësinore ku zbulimi dhe kujtesa ndodhin bashkë. Kjo afërsi etike reflektohet në modalitetet e prezencës së vizitorit, i cili, përballë një njolle drite, bëhet bashkëautor i përvojës  vëzhgues dhe aktivizues i kuptimit në të njëjtën kohë.

Ekspozita bashkëvepron me kohën, materialet dhe dritën për të ndërtuar një ekosistem kujtese dhe zbulimi. Alkan Nallbani ndërton një ambient ku procesi vizual është po aq vendimtar sa produkti i përfunduar,  çdo grafikë, çdo skicë e ngjitur dhe çdo kuti druri funksionojnë si fragmente të një arkivi subjektiv që ftojnë vizitorin në një lëvizje reflektive  për të parë, rikthyer dhe mbajtur mend njollat që shpërthejnë nga errësira.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës Asllan Dibrani – Luani: Goditja ndaj Ushtrisë - dhuratë politike për Vetëvendosjen dhe fushatë falas për Albin Kurtin Tahir Bezhani: 'Katër stinët dhimbje e kuqe' Visar Zhiti: Mërmërimë shenjtoreje… mall për fjalë të Nënë Terezës Ajete Zogaj: Një copëz historie nga errësira e burgut Refik Hasani: Itali, Konferencë mbi diskriminimin në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc Albert Zholi: Flet këngëtarja e mirënjohur, "Mjeshtre e Madhe", Paro Ziflaj Cikël me poezi nga Anton Marku Bashkim Saliasi: Të dimë më shumë për vezën Përparim Hysi: Po si mund të mos jetë e madhe, poezia shqipe? Visar Zhiti: Aq herë vritet, sa herë vjen kjo datë Albert Vataj: Rita Petro, laureate e poezisë së shpirtshme, e forcës së fjalës si “një formë e ndërgjegjes që i reziston heshtjes” Asllan Dibrani – Luani: Krishtlindjet 2025 – Zgjim Shpirtëror dhe Vendim për të Ardhmen Gjon Keka: Krishterimi i arbërorizuar (shqiptarizuar) dhe festa e Krishtlindjes Ismet Hasani: Urime për Krishtlindje Mark Palnikaj: Shpërngulja e Popullsisë së Rugovës më 1919 nga dhuna dhe genocidi i Mali të Zi dhe Serbisë Ndue Dedaj: Gjon Gjergjaj, shkrimtari dhe artisti i Kullës-Muze në Krushevë të Vogël Rudolf Marku: Madhësia e një poezie me katër vargje Don Fran Sopi: Krishtlindja është drita e paqes në historinë e njerëzimit mbi tokë Ilir Muharremi: Elegji për Shemin

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx