E enjte, 25.12.2025, 10:14 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Gjon Gjergjaj, shkrimtari dhe artisti i Kullës-Muze në Krushevë të Vogël

E enjte, 25.12.2025, 04:27 PM


GJON GJERGJAJ, SHKRIMTARI DHE ARTISTI I KULLËS MUZE NË KRUSHEVË TË VOGËL

Nga Ndue Dedaj

Nuk mund të formuloja një titull me pak fjalë për këtë shënim të shkurtën kushtue Gjon Gjergjajt (1951), që nuk e takova dot fundjavën e shkueme në Kosovë, por i nisa librin tim të fundit përmes miqve të përbashkët.

Kam qenë në kullën e tij, në Krushëve të Vogël të Klinës shumë vite ma parë, me një grup të madh miqsh mirditorë, ku jemi mahnitun me pasuninë e pashoqe etnografike dhe muzeale që ai ruen brenda mureve të kullës dhe në mjedise të tjera jashtë saj, ashtu si te Shtjefën Ivezaj në Tuz, që dhe shtratin e ka mes relikteve dhe artefakteve. Në këtë mënyrë kulla e Gjonit nuk asht ma veç e tij, por e krejt Kosovës e ma gjanë.

Mirëpo Gjon Gjergjaj asht ma së pari poet dhe shkrimtar prej gjysmë shekulli, autor i mbi 20 librave poetikë për të rritun e fëmijë, dy dramave, një romani etj. Vëllimi tij i parë poetik mban titullin “Lisat e Nakllit” dhe asht botue nga “Rilindja” më 1989. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Librat e tij janë botue në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Drejton prej vitesh Klubin Letrar “Vorea Ujko” në Klinë.

Ai asht njiherësh dhe aktor, piktor e skulptor. Një artist i talentuem në disa lamije. Duhet me e njoft nga afër Gjonin, me i pa punët e tij në letër, në film, në pëlhurë, në dru etj., për me u bind për proflin e tij të gjithanshëm krijues, që e pengon modestia të shfaqet, shenjë dhe kjo e një artisti të vërtetë. Nuk asht me u habit se si nji njeri lëshon penën nga dora dhe merr daltën për me gdhend shëmbëlltyra dhe figura të kombit, le ato dhe vesh rrobat e aktorit për me luejt role në film a teatër.

Një artist bohemë, që shpesh zyrat nuk i kanë afrue punë, edhe pse ai nderon çdo institucion arsimor, kulturor dhe artistik.

Jemi takue disa herë me Gjonin, gjithandej, por do të ruej në kujtesë sidomos çastin kur në oborrin e kullës së tij këputa një kokërr mollë, ndërkohë që ai po i qeraste vllaznit e ardhun prej Mirdite me raki, venë, fruta dhe natyrisht... libra.

Për shumë mot Këshnellat, i dashtun Gjon Gjergjaj - Lyra, që siç e dimë ne të dy, të parët tanë i kanë pasë kremtue së bashku rreth Çinarit tonë të origjinës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx