E marte, 23.12.2025, 08:36 PM (GMT)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Poetika e reflektimit si lutje kulturore dhe një akt i ndërgjegjjes kritike

E marte, 23.12.2025, 04:53 PM


Poetika e reflektimit si lutje kulturore dhe një akt i ndërgjegjjes kritike

Shkruan: Lekë Mrijaj

Libri “Poetika e Reflektimit në poezinë e Prend Buzhalës” i studiuesit Shefqet Dibrani është një vepër e veçantë e kritikës letrare shqiptare, sepse Dibrani nuk e trajton poezinë vetëm si tekst për t’u analizuar me rregulla teorike, por si një përvojë mendore dhe shpirtërore që kërkon vëmendje, ndjeshmëri dhe reflektim.

Ky libër i tij dedikuar shkrimtarit Buzhala, i ndihmon sidomos krijuesit që më konkret ta shohin poezinë jo si diçka të vështirë apo të largët, por si një mënyrë të natyrshme për të menduar për jetën, njeriun, historinë dhe vlerat njerëzore.

Ndryshe nga librat e zakonshëm studimor, që shpesh përdorin gjuhë të rëndë dhe terma të vështirë, ky libër është shkruar me një stil më të lirë, reflektues dhe eseistik. Autori Dibrani i ngarkon krijuesut me teori të thata, por e udhëheq atë drejt kuptimit të poezisë përmes mendimit dhe ndjenjës. Në këtë mënyrë, kritika dhe poezia ecin bashkë, duke u plotësuar njëra-tjetrën. Kritika nuk shërben vetëm për të shpjeguar vargjet, por për të na ndihmuar të mendojmë më thellë për kuptimin e tyre dhe për mesazhet që ato përcjellin.

Libri në fjalë nuk fillon me një parathënie të zakonshme. Në vend të saj, Shefqet Dibrani zgjedh ta nisë librin me një poezi dedikuese, me titull “Shenjti ynë me pranverë e me lule”, kushtuar poetit Prend Buzhala. Kjo poezi shërben si hyrje dhe si himn për tërë librin. Ajo i tregon lexuesit se si duhet lexuar poezia e Buzhalës: jo vetëm me mendje, por edhe me zemër dhe ndjeshmëri njerëzore.

Në këtë poezi-hyrje, Prend Buzhala paraqitet si “shenjti modern”. Ky përkufizim nuk ka asnjë kuptim fetar, por kuptim njerëzor dhe moral. Poeti shihet si një njeri me ndërgjegje të lartë, që nuk mbyll sytë para dhimbjes, padrejtësisë dhe mëkatit njerëzor. Përmes poezisë së tij, ai flet për vuajtjen, historinë e dhimbshme, gabimet e njeriut, por edhe për shpresën dhe mundësinë e përmirësimit.

Fjala poetike bëhet njëkohësisht rrëfim i dhimbjes, lutje për shpresë dhe thirrje për përgjegjësi morale. Kjo i ndihmon krijuesit të kuptojnë se poezia nuk është vetëm zbukurim me fjalë të bukura, por edhe mënyrë për të thënë të vërteta të rëndësishme për jetën dhe shoqërinë.

Në pjesët e tjera të librit, autori analizon librst dhe poezitë tjera të Prend Buzhalës duke u ndalur te temat kryesore që përshkojnë krijimtarinë e tij. Ai flet për kujtesën historike, identitetin kombëtar, flijimin për atdheun, luftën, dhimbjen dhe jetën shpirtërore të njeriut. Këto tema nuk trajtohen vetëm si motive letrare, por si pjesë e historisë dhe përvojës sonë kolektive.

Përmes poezisë, historia nuk mbetet vetëm në libra, por bëhet përjetim dhe reflektim. Një rëndësi e veçantë në libër i jepet gjuhës poetike. Shefqet Dibrani shpjegon se përdorimi i fjalëve të rralla, krahinorizmave, dialekteve dhe emrave të vendeve nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, ai shërben për të ruajtur kujtesën kulturore dhe historike të popullit shqiptar. Gjuha në poezinë e Buzhalës është e pasur dhe e thellë, dhe përmes saj ruhen rrënjët, traditat dhe identiteti kombëtar. Kjo u mëson nxënësve se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe pasuri kulturore që duhet ruajtur dhe çmuar.

Libri shpjegon gjithashtu simbolet që përdor poeti, psh. Si gjarpri, guri, ora dhe murimi. Këto simbole lidhen me mitet e lashta dhe me historinë shqiptare. Ato nuk janë thjesht zbukurime poetike, por mjete për të shprehur ide të thella për kohën, sakrificën, qëndrueshmërinë dhe fatin e njeriut. Për gjimnazistët, kjo pjesë e librit është shumë e rëndësishme, sepse i mëson si të lexojnë poezinë përtej kuptimit të drejtpërdrejtë dhe si të zbulojnë domethëniet e fshehta të vargjeve.

Në analizat e librave dhe poezive si “Njeriu i Harruar”, “Lumnitë e Heshtura”, “Balada nga Kosova” dhe “Dy udhë me i marrë me veti”, libri trajton tema që lidhen drejtpërdrejt me realitetin tonë shoqëror. Ai flet për luftën dhe pasojat e saj, për vetminë, dhimbjen dhe humbjen, por edhe për shpresën dhe qëndresën. “Njeriu i harruar” përfaqëson njeriun që është lënë pas dore nga shoqëria, por që ende kërkon dinjitet, drejtësi dhe kuptim. Këto poezi i nxisin të rinjtë të mendojnë për përgjegjësinë ndaj të tjerëve dhe ndaj historisë.

Libri i autorit Shefqet Dibrani përfundon me poezinë “Lumnitë e Heshtura”, ku kritika shndërrohet në një urim dhe bekim. Në këtë pjesë, studiuesi nuk flet më vetëm si kritik, por si bashkëudhëtar shpirtëror i poetit. Poezia shihet si forcë që ndihmon në ruajtjen e paqes, qetësisë dhe vlerave njerëzore. Pikërisht edhe këtu mesazhi është konkret dhe tejet i qartë dhe i kuptueshëm edhe për krijuesit: fjala e bukur, e menduar mirë dhe e thënë me përgjegjësi ka fuqi të madhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Krejt të fund nga këndvështrimi im e them se libri, “Poetika e Reflektimit në poezinë e Prend Buzhalës” është një libër që e zgjeron kuptimin e kritikës letrare dhe e bën atë më të afërt për krijuesit letrarë. Ai tregon se poezia dhe kritika nuk janë vetëm për libra apo për studiues, por edhe për jetën e përditshme. Ky libër i ndihmon lexuesve të zhvillojnë mendimin kritik, ndjeshmërinë njerëzore dhe dashurinë për letërsinë shqipe.

Mirënjohje për të arriturat tuaja madhore letrare, z. Dibrani dhe z. Buzhala. Suksese!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx