| E marte, 23.12.2025, 04:53 PM |

Poetika e reflektimit si lutje kulturore dhe një akt i ndërgjegjjes kritike
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Libri
“Poetika e Reflektimit në poezinë e Prend Buzhalës” i studiuesit Shefqet
Dibrani është një vepër e veçantë e kritikës letrare shqiptare, sepse Dibrani
nuk e trajton poezinë vetëm si tekst për t’u analizuar me rregulla teorike, por
si një përvojë mendore dhe shpirtërore që kërkon vëmendje, ndjeshmëri dhe
reflektim.
Ky
libër i tij dedikuar shkrimtarit Buzhala, i ndihmon sidomos krijuesit që më
konkret ta shohin poezinë jo si diçka të vështirë apo të largët, por si një
mënyrë të natyrshme për të menduar për jetën, njeriun, historinë dhe vlerat
njerëzore.
Ndryshe
nga librat e zakonshëm studimor, që shpesh përdorin gjuhë të rëndë dhe terma të
vështirë, ky libër është shkruar me një stil më të lirë, reflektues dhe
eseistik. Autori Dibrani i ngarkon krijuesut me teori të thata, por e udhëheq
atë drejt kuptimit të poezisë përmes mendimit dhe ndjenjës. Në këtë mënyrë,
kritika dhe poezia ecin bashkë, duke u plotësuar njëra-tjetrën. Kritika nuk
shërben vetëm për të shpjeguar vargjet, por për të na ndihmuar të mendojmë më
thellë për kuptimin e tyre dhe për mesazhet që ato përcjellin.
Libri
në fjalë nuk fillon me një parathënie të zakonshme. Në vend të saj, Shefqet
Dibrani zgjedh ta nisë librin me një poezi dedikuese, me titull “Shenjti ynë me
pranverë e me lule”, kushtuar poetit Prend Buzhala. Kjo poezi shërben si hyrje
dhe si himn për tërë librin. Ajo i tregon lexuesit se si duhet lexuar poezia e
Buzhalës: jo vetëm me mendje, por edhe me zemër dhe ndjeshmëri njerëzore.
Në
këtë poezi-hyrje, Prend Buzhala paraqitet si “shenjti modern”. Ky përkufizim
nuk ka asnjë kuptim fetar, por kuptim njerëzor dhe moral. Poeti shihet si një
njeri me ndërgjegje të lartë, që nuk mbyll sytë para dhimbjes, padrejtësisë dhe
mëkatit njerëzor. Përmes poezisë së tij, ai flet për vuajtjen, historinë e
dhimbshme, gabimet e njeriut, por edhe për shpresën dhe mundësinë e
përmirësimit.
Fjala
poetike bëhet njëkohësisht rrëfim i dhimbjes, lutje për shpresë dhe thirrje për
përgjegjësi morale. Kjo i ndihmon krijuesit të kuptojnë se poezia nuk është
vetëm zbukurim me fjalë të bukura, por edhe mënyrë për të thënë të vërteta të
rëndësishme për jetën dhe shoqërinë.
Në
pjesët e tjera të librit, autori analizon librst dhe poezitë tjera të Prend
Buzhalës duke u ndalur te temat kryesore që përshkojnë krijimtarinë e tij. Ai
flet për kujtesën historike, identitetin kombëtar, flijimin për atdheun,
luftën, dhimbjen dhe jetën shpirtërore të njeriut. Këto tema nuk trajtohen
vetëm si motive letrare, por si pjesë e historisë dhe përvojës sonë kolektive.
Përmes
poezisë, historia nuk mbetet vetëm në libra, por bëhet përjetim dhe reflektim.
Një rëndësi e veçantë në libër i jepet gjuhës poetike. Shefqet Dibrani shpjegon
se përdorimi i fjalëve të rralla, krahinorizmave, dialekteve dhe emrave të
vendeve nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, ai shërben për të ruajtur
kujtesën kulturore dhe historike të popullit shqiptar. Gjuha në poezinë e
Buzhalës është e pasur dhe e thellë, dhe përmes saj ruhen rrënjët, traditat dhe
identiteti kombëtar. Kjo u mëson nxënësve se gjuha nuk është vetëm mjet
komunikimi, por edhe pasuri kulturore që duhet ruajtur dhe çmuar.
Libri
shpjegon gjithashtu simbolet që përdor poeti, psh. Si gjarpri, guri, ora dhe
murimi. Këto simbole lidhen me mitet e lashta dhe me historinë shqiptare. Ato
nuk janë thjesht zbukurime poetike, por mjete për të shprehur ide të thella për
kohën, sakrificën, qëndrueshmërinë dhe fatin e njeriut. Për gjimnazistët, kjo
pjesë e librit është shumë e rëndësishme, sepse i mëson si të lexojnë poezinë
përtej kuptimit të drejtpërdrejtë dhe si të zbulojnë domethëniet e fshehta të
vargjeve.
Në
analizat e librave dhe poezive si “Njeriu i Harruar”, “Lumnitë e Heshtura”,
“Balada nga Kosova” dhe “Dy udhë me i marrë me veti”, libri trajton tema që
lidhen drejtpërdrejt me realitetin tonë shoqëror. Ai flet për luftën dhe
pasojat e saj, për vetminë, dhimbjen dhe humbjen, por edhe për shpresën dhe
qëndresën. “Njeriu i harruar” përfaqëson njeriun që është lënë pas dore nga
shoqëria, por që ende kërkon dinjitet, drejtësi dhe kuptim. Këto poezi i nxisin
të rinjtë të mendojnë për përgjegjësinë ndaj të tjerëve dhe ndaj historisë.
Libri
i autorit Shefqet Dibrani përfundon me poezinë “Lumnitë e Heshtura”, ku kritika
shndërrohet në një urim dhe bekim. Në këtë pjesë, studiuesi nuk flet më vetëm
si kritik, por si bashkëudhëtar shpirtëror i poetit. Poezia shihet si forcë që
ndihmon në ruajtjen e paqes, qetësisë dhe vlerave njerëzore. Pikërisht edhe
këtu mesazhi është konkret dhe tejet i qartë dhe i kuptueshëm edhe për
krijuesit: fjala e bukur, e menduar mirë dhe e thënë me përgjegjësi ka fuqi të
madhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.
Krejt
të fund nga këndvështrimi im e them se libri, “Poetika e Reflektimit në poezinë
e Prend Buzhalës” është një libër që e zgjeron kuptimin e kritikës letrare dhe
e bën atë më të afërt për krijuesit letrarë. Ai tregon se poezia dhe kritika
nuk janë vetëm për libra apo për studiues, por edhe për jetën e përditshme. Ky
libër i ndihmon lexuesve të zhvillojnë mendimin kritik, ndjeshmërinë njerëzore
dhe dashurinë për letërsinë shqipe.
Mirënjohje
për të arriturat tuaja madhore letrare, z. Dibrani dhe z. Buzhala. Suksese!
