E shtune, 20.12.2025, 09:47 PM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Ai ishte një misionar i heshtur i miqësisë midis dy popujve e vendeve

E shtune, 20.12.2025, 06:52 PM


Ai ishte një misionar i heshtur i miqësisë midis dy popujve e vendeve

Nga Shyqyri Fejzo

Friedrich Markgraf. I lindur më 1 shkurt 1897 Berlin-Friedenau , ndërruar jetë më 8 mars 1987 në Zurich, (Deutcher Botaniker.)

Pas maturës, Markgraf kreu studimet në degën e biologjisë në Universitetin Friedrich-Wilhelms të Berlinit dhe i përfundoi ato në vitin 1922 me doktoraturën (Dr. phil.) me një disertacion me titull "Bredoëer Forst pranë Berlinit: një studim botanik-ekologjik".

Si studenti i fundit i doktoratës te Adolf Engleri, ai vazhdoi botimin e Botanische Jahrbücher (Botimet vjetore botanike). Përveç kësaj, ai përfundoi veprën e August von Hayek-ut Prodromus Florae Peninsulae Balcanicae (vëllimet 2 dhe 3). Ai ishte këshilltar rajonal ("Regional Adviser") për Shqipërinë në Flora Europaea dhe mori përsipër rishikimin e vëllimit IV/1 të veprës së Hegi-t Illustrierte Flora von Mitteleuropa.[1]

Në vitin 1939 ai u martua me Ingeborg Dannenberg (1911–1996), një botaniste e diplomuar dhe e specializuar në llojin Festuca (Schëingel).[2]

Pas habilitimit të tij, ai mori fillimisht një profesurë për botanikë në Universitetin Friedrich-Wilhelms në Berlin dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, në Universitetin Ludëig-Maximilian të Mynihut. Atje ishte gjithashtu drejtor i Kopshtit Botanik München-Nymphenburg (1956–1958). Në vitin 1958 Markgraf u bë profesor i rregullt (Ordinarius) për botanikë në Universitetin e Cyrihut dhe deri në pensionimin e tij ishte drejtor i Kopshtit Botanik të Cyrihut dhe i Institutit për Botanikë Sistematike.[3]

Gjatë karrierës së tij akademike dhe shkencore, ai u mor veçanërisht me çështje të sistematikës botanike, me morfologjinë e bimëve, si dhe me gjeobotanikën, duke ndërmarrë edhe udhëtime kërkimore në rajonin e Mesdheut. Friedrich Markgraf (1897–1987) zë një vend të veçantë në historinë e marrëdhënieve kulturore e shkencore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Botanist, fitogjeograf dhe studiues i pasionuar i natyrës ballkanike, ai i përkiste brezit të shkencëtarëve evropianë që nuk mjaftoheshin me studimin nga bibliotekat, por e kërkonin dijen në terren, mes maleve, fshatrave dhe njerëzve.

I formuar në traditën e fortë shkencore gjermane, Markgraf e pa Shqipërinë jo si një hapësirë ekzotike të largët, por si një vend me vlera të mëdha natyrore e kulturore, ende të pashkruara dhe të panjohura për botën shkencore evropiane të kohës. Pikërisht kjo e shtyu që në vitet 1920 të ndërmarrë udhëtime të vështira drejt një vendi që atëherë sapo po formësonte shtetin e vet modern.

Veprimtaria e tij shkencore u shtri më pas në universitete dhe institucione botanike prestigjioze, por Shqipëria mbeti një nga pikat më domethënëse të veprës së tij. Studimet dhe botimet e Markgrafit për florën shqiptare janë sot ndër themelet e botanikës dhe fitogjeografisë së këtij vendi.

Në Shqipëri ai krijoi baza të rëndësishme për studimet e mëvonshme të botës bimore lokale.Me emrin e Markgrafit është quajtur bima ...Viola markgrafii është në fakt një hibrid — jo specie "standarde" — midis dy specieve që Markgraf mblodhi në Shqipëri.

Dietari Gjerman Friedrich Markgraf  është personi nga të parët  që ka ardhur në Shqipëri dhe ka punuar këtu për një kohë relativisht të gjatë.

Ekspeditat në Shqipëri (1924 dhe 1928)

Ekspeditat e Friedrich Markgrafit në Shqipëri, në vitet 1924 dhe 1928, përbëjnë një ndër kapitujt më domethënës të bashkëpunimit shkencor gjermano?shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Ato nuk ishin udhëtime turistike, por misione të mirëfillta shkencore, të ndërmarra në kushte të vështira infrastrukturore dhe natyrore.

Markgraf përshkoi zona malore, lugina të thella, fshatra të izoluara dhe territore ende të paeksploruara nga botanistët evropianë. Ai mblodhi qindra mostra bimësh, regjistroi emërtime popullore në gjuhën shqipe, vëzhgoi shpërndarjen e vegjetacionit dhe lidhjen e tij me klimën, relievin dhe jetën e njeriut.

Ekspedita e parë, në vitin 1924, i shërbeu njohjes së terrenit dhe vendosjes së kontakteve të para me realitetin shqiptar. Ajo e bindi studiuesin gjerman se Shqipëria përfaqësonte një territor kyç për të kuptuar kufijtë dhe ndërthurjet midis botës mesdhetare dhe asaj kontinentale evropiane.

Ekspedita e dytë, në vitin 1928, ishte më e thelluar dhe më sistematike. Ajo solli materiale të shumta shkencore, të cilat u përpunuan dhe u botuan në vitet pasuese në vepra që sot konsiderohen klasike për studimin e florës shqiptare.

Fotografia si dëshmi shkencore dhe njerëzore

Një dimension i veçantë i veprës së Markgrafit janë fotografitë e realizuara gjatë ekspeditave të tij. Këto imazhe nuk kanë vetëm vlerë dokumentare, por edhe një forcë të rrallë artistike dhe humane.

Në to shfaqen peizazhe të egra malore, rrugë të ngushta, fshatra të ndërtuara me gur, burra e gra me veshje tradicionale, fëmijë që shikojnë me kureshtje objektivin e aparatit fotografik. Janë pamje të një Shqipërie që sot jeton vetëm në kujtesën historike.

Markgraf nuk e fotografon Shqipërinë nga lart, me syrin e të huajit superior. Ai e sheh atë nga afër, me respekt dhe vëmendje, si një realitet të gjallë ku natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. Këto fotografi janë sot një pasuri e çmuar për historinë, etnografinë dhe kulturën shqiptare.


Objekt i punës tij ishte studimi i florës spontane të vendit tonë dhe shtrirja gjeografike e saj marrë në relacion me Europën.  Po të shikosh grafikët dhe hartat e udhëtimit të këtij të riu 27 vjecar, herbariumet e bimëve të mbledhura, konkluzionet e dhëna për mbrojtjen e doktoraturës mbetesh pa fjalë për qartësinë e mendimit, dhe forcën argumentuese. Rezultatet e punës së tij shkencore dolën në disertacionin An den Grenzen des Mittelmeergebietes: Pflanzengeographie von Mittelalbanien (Në kufijtë e Mesdheut: gjeografia e bimëve të Shqipërisë qendrore), Berlin 1927, i cili doli në një version të zgjeruar me titullin Pflanzengeographie von Albanien (Gjeografia e bimëve të Shqipërisë), Shtutgart 1932. Në vëllimin Pflanzen aus Albanien, 1928 (Bimët e Shqipërisë, 1928), Vjenë 1931, shënoi edhe emrat shqip të bimëve të gjetura me ekspedita.  Friedrich Markgraf me punën e bërë realizoi synimet e tij për karierën në studime në fushën e vet, ku midis të tjerave, ishte dhe përvoja e fituar në Shqipëri. Nga ky dietar kanë çfarë mësojnë dhe specialistët shqiptarë të fushës, mbasi nga konkluzionet e tij për florën spontane, shtrirjen e saj, llojet e rralla të zbuluara etj, janë udhërrëfyes për punën e mëtejshme, që shkon nga "shinat" e shtruara nga dietari gjerman. Si një shkencëtar që ka ardhur në Shqipëri e punuar këtu, po ndalim në disa aspekte, që bazuuar në fotografitë, konkluzionet, shënimet që ka lënë nuk mund ti anashkalojmë.

-Në gjeografinë e lëvizjes tij përfshihet pothuajse e gjithë sipërfaqja e SHqipërisë, bile duhet thënë pjesa më e vështirë e teritorit të saj. Pa tjetër dietarit i ka rënë në sy prapambetja, varfëria absolute dhe një sërë dukurish të cilat stononin komplet me gjendjen që Markgraf kishte lënë në Gjermani. Por ai, si një njeri me kulturë dhe largpamës, asnjëherë nuk u ndal në këto dukuri dhe ti lakonte apo të fyente njerzit që punonte me ta dhe kontaktonte, apo njësitë që mbulonin organet e organizmat shtetërore të kohës. Vetë varfëria është një vuajtje e madhe, por edhe një turp për ata që e kishin mbi shpinë. Por, Markgraf në asnjë shënim apo publikim nuk u ndal që të lëndonte më tej shqiptarët. Duke qëndruar gjatë në zonat më të thella malore ku ai dhe ekipi që e shoqëronte(me gjermanë e shqiptarë) e preku deri në thelb mënyrën e jetesës shqiptare, ushqyerjen, fjetjen, jetën në familje, shkallën e shoqërizimit, mikpritjen, besën, patriotizmin. Duke gjykuar për këto dukuri, del konkluzioni se ai ka qënë jo vetëm një dietar shkencëtar klasi, si e vërtetoi koha, por edhe njeri që rrezatonte mirësi.

Unë, autor i këtij libri, kërkoj ndjesë se në këtë rast po e hedh për një moment, tutje modestinë. Më ka joshur puna dhe vepra e dietarit gjerman për shumë arësye e fakte.  Nuk po ndalem për rëndësinë, kontributin shkencor etj.të cilat janë përmendur në libër. Po ndalem në një fakt. Në të dy ekspeditat shekcëtari gjerman ka qëndruar gjatë në Shënepremte e Grabovë Sipër. Ai, me syrin e sociologut dhe shkencëtarit shikonte aty sidomos në jetën shoqërore e sociale, dicka sociale autoktone, që reflektonte mardheniet gjysëm patriarkale e feudale të kohës. Këtë, më mirë se çdo leksion, apo  shkrim e flasin 2-3 foto të bëra në atë fshat e zonë. Veçanërisht fotoja me titullim nga vetë Markgraf,"Burrat e Shënepremtes" flet shumë.

Burrat e Shënepremtes.

"Burrat e Shënepremtes", lagja e Qendrës.Foto e bërë në vitin 1924 nga dietari gjerman Friedrich Markgraf.

Kjo foto e zmadhuar dhe e pastruar në një studio, u dha të shikohet nga tre persona nga Shënepremtja, Baki Osmani, Ismail Myftaraj, Asllan Kosturri, të  cilët kanë  jetuar mbi 90 vjet dhe para pak kohe kanë  ndërruar jetë.           .

Të tre këta persona  të pyetur veç  e veç   nga njeri-tjetri, i njohën njerzit e fotografuar. Veçanërisht Ismail Myftaraj këmbëngulte për saktësinë e emrave, mbasi fotoja është bërë ngjitur me trungun e një lisi që ndodhej në pronat e Faik Myftarajt (Babai i Ismailit) pranë shtëpisë tij, ku burrat e Shënepremtes takoheshin shpesh here siç e kishin bërë zakon.

Fotoja me shtatë burra pranë një lisi gjigand flet shumë për "autoritetin" e tyre.Të gjithë së bashku, pinë kafe e duhan, por dyfekët i mbajnë pranë. Tërheq vemendjen dhe fakti e diçiturat e fotove janë të thjeshta, konkrete, reale, pa lënduar njeri apo zona të veçanta. Kjo, flet midis të tjerave dhe për kulturën dhe edukatën e lartë të dietarit të apasionuar gjerman.

Foto e bërë në Grabovën e Sipërme.

Në këtë foto ku janë fotografuar burra dhe gra, dallohet veshje e lehtë pa komplekse, sidomos e grave. Po ashtu, mënyra  e qëndrimit të tyre  flet qartë për shkallën e lirisë dhe emancipimit. Në ato zona, në atë kohë kanë qënë mardhënie gjysëm patriarkale e gjysëm feudale. Edhe si të tilla, gruaja ka qënë zonjë e shtëpisë, pa veshje të rëndë e maskime e ndikime të veshjes të grave turke, pa ferexhe etj. ato ndihen përgjëgjëse kryesore për rritjen e fëmijës, ushqimin e gjithë familjes, pra "zonjë shtëpie".

Stan në male ku shtegëtohej blegtoria.

Nga fotografitë e bëra nga ai në vitin 1924 dhe 1928 mendoj se ato tani kanë shumë vlera etnografike e kulturore për studiues të kulturës dhe ekonomisë të vendit tonë. Ndalin në disa prej tyre:-Për mënyrën e prodhimit dhe shkallën e paisjes të bujqësisë dhe blegtorisë sejcili kur shikon ato fotografi nxjerr konkluzione. Bazë e rëndësishme e prodhimt që ka mbajtur me jetë njerzit e veçanërisht fshatin, ka qënë blegtoria. Kapaciteti kullosor i maleve tona, i kullotave alpine i ra  në sy dhe u vlerësua nga dietari gjerman. Në ekspeditat e bëra u mblodhën dhe identifikuan 60 bimë e specie të rralla të vlefshme për studimin. Në disa kapituj të veprës tij ai ndalet për bimësinë e polifiteve livadhore alpine të Shqipërisë dhe Shënepremten e vargmalin GuriTop-Lenie në studim e cilëson si "arealin e fundit të Europës për 44 lloje bimësh e speciesh.."


Por një përshkrim më të shpejtë autori e ka bërë në hyrje të një raporti që ka paraqitur në seancën dëgjimore në Akademinë e Shkencave të Berlinit dy vjet pas atij udhëtimit, prap po më 1930. Ai është autor edhe i një libri me titull "Nëpër malet e Shqipërisë" ku dhe janë botuar shumë foto nga  të cilat në këtë shkrim futëm 3 prej tyre.

Nga sa thamë më lart, punimet me qartësi të lartë mendimi e profesionalizmi, me këmbëngulje stoike për të përballuar vështirësitë jo të pakta  në këto  nisiativa e ekskursione shkencore, flasin se shkencëtarët e këtyre fushave të Shqpiërisë kanë një model ideal që u ndriçon rrugën e shkencës. Po ashtu, nga sa shikojmë fotot e bëra 100 vite më parë dhe konkluzionet që nxjerrim për gjendjen ekonomike e sociale të vendit e veçanrisht e zonave të thella malore janë kontribut për të njohur anën ekonomike dhe të dhëna të tjera etnografike të cilat çdo fushë e shkencës ka çfarë të thotë. Citojmë disa shënime të dietarit, midis shënimeve të shumta që ai ka lënë.

"Shkuam më në lindje, kaluam Qafën e Gurit të Preres, Zerec e Gopesh nëpër luginën e Devollit, pastaj deri në Shenapremte, Grabovë dhe në Gurin e Topit, ku kishim qenë edhe më 1924. Megjithatë edhe këtu kemi bërë zbulime të habitshme.

Pas mbërritjes në Shënapremte vijuam më në juglindje nëpër luginën e Pronit të Shalësit, nëpër Devoll dhe mbërritëm në Maliq (në jug të Ohrit). Marshimi na nxori në Korçë ditën e madhe të tregut."

Por në tërësi bimësia ende nuk ka shkuar në zhvillimin e saj të zakonshëm sepse ka patur një dimër të pazakontë, fshatarët janë shumë të mërzitur sepse nuk kanë ushqim për të mbajtur bagëtitë. Për kafshët tona qe shumë e vështirë të gjenim fare pak ushqim. Na u desh të kalojmë shumë vështirësi pasi rrugët ishin bërë gati të papërshkrueshme.

Paketës se kafshëve u shtova edhe një të katërt, bleva edhe një gomar. Vetëm ai mund të përballonte rrugët e Shqipërisë veriore, ku ngarkesa nuk mund të jetë shumë e madhe. Kishim me vete edhe një ngarkesë të tërë me bukë, konserva e ushqime, të cilat janë të domosdoshme në një zonë ku uria është shumë e përhapur. Në të njëtën kohë pajtova edhe një shoqërues të dytë, një mirditor, një punë  që rezultoi e dobishme  sepse ai i njihte mirë shtigjet e rrugëve dhe njërëzit.

Edhe pse në kushtet e sotme kjo punë e trashëgimia që la Friedrich Markgraf, mund të duket e vogël, në raport me kohën që u krye dhe efektet  që la, mendoj se kanë qënë të ndjeshme. Ajo ka qënë nga shkëndijat e para të njohjes së ndërsjelltë të kulturës, mënyrës së jetesës florës e faunës si dhe disiplinës shkencore me të cilën duhet të punojnë ata që dashurojnë shkencën. .

Kontributi shkencor

Rezultatet e punës së Markgrafit u përmblodhën në disa vepra themelore, ku Shqipëria zë vend qendror. Studimet e tij mbi gjeografinë bimore dhe florën shqiptare ndihmuan në vendosjen e këtij vendi në hartën shkencore të Evropës. Ai tregoi se Shqipëria është një territor kyç në kuptimin e biodiversitetit ballkanik, një urë natyrore midis zonave mesdhetare dhe atyre kontinentale. Ky vështrim shkencor mbetet aktual edhe sot dhe vazhdon të citohet nga studiues bashkëkohorë.


Përfundim simbolik

Friedrich Markgraf nuk ishte thjesht një botanist që studioi bimët e Shqipërisë. Ai ishte një misionar i heshtur i miqësisë midis dy popujve. Me çantën e mostrave në shpinë dhe aparatin fotografik në dorë, ai ndërtoi ura mirëkuptimi në një kohë kur fjalët dhe traktatet ishin të pakta.

Nëpërmjet shkencës, Markgraf i dha Shqipërisë një zë në Evropë dhe Evropës një pasqyrë të ndershme të Shqipërisë. Vepra e tij dëshmon se miqësia midis popujve nuk ndërtohet vetëm nga politika, por edhe nga dija, respekti dhe përkushtimi njerëzor.

Markgraf nuk e ka humbur rastin që përveçse anës shkencore të studimit të florës shqiptare të sjellë edhe një libër ku përshkruan gjithë udhëtimet e tij. Fjala është për botimin "In Albaniens Bergen" (Në malet shqiptare), që është publikuar në Shtutgard në vitin 1930. Por një përshkrim më të shpejtë autori e ka bërë në hyrje të një raporti që ka paraqitur në seancën dëgjimore në Akademinë e Shkencave të Berlinit dy vjet pas atij udhëtimit, prap po më 1930. Ai është autor edhe i një libri me titull "Nëpër malet e Shqipërisë" ku dhe janë botuar shumë foto nga  të cilat në këtë shkrim futëm 3 prej tyre.

Mardhëniet e ndërsjellta midis vendevve dhe popujve kanë rëndësi të veçantë. Ato kanë fillimet dhe ecurinë e tyre në vartësi të "klimës politke"dhe dëshirës së vetë popujve. Nismëtarët e këtyre mardhënieve dhe puna e tyre është pothuajse e barazvlefshme me ecurinë e mëtejshme të atyre. Nisiatorët e fillimit, siç  është dhe dietari Markgraf, qëndrojnë gjithnjë në piedistalin e miqësisë dhe këtyre mardhënieve.

Shyqyri Fejzo -  Hamburg, Dhjetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx