Kulturë
Ilir Muharremi: Analizë e ekspozitës personale të piktorit Agron Mulliqi
E diele, 21.12.2025, 06:57 PM

Analizë e ekspozitës personale të piktorit Agron
Mulliqi, e hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve.
“Rrugëtimi
në dialog me kohën”
Në ekspozitë u prezantuan piktura dhe një video
ku imazhet e tyre marrin lëvizje dhe jetë
Shkruan:
Ilir Muharremi, kritik i artit
Hapja
e ekspozitës “Rrugëtimi në dialog me kohën” mbushi hapësirën e Galerisë së
Fakultetit të Arteve të cilën e udhëheq
profesori Xhevdet Pantina. Me një rrymë njerëzish të larmishëm, kolegë arti, studentë, miq e admirues të
punës së Agron Mulliqit. Sytë e tyre lëvizin në heshtje nga një pikturë në
tjetrën, bisedat lindin, ndalen dhe rifillojnë si valë të buta mbi sipërfaqen e
veprave. Veprat në heshtje djersitin valen e ngjyrave, renditjen e formave,
poetikën shpirtërore. Ka një ngrohtësi
kolektive, shenja respekti dhe
kurioziteti, që i jep hapësirës
karakterin e një fillese reflektimi. Një përbërje e tillë të pranishmish, e
cila përzihet lehtë me ambientin, tregon se ekspozita ka tërhequr jo vetëm
shikues të rastësishëm por dhe një audiencë të gatshme të hyjë në dialog kritik
me punën.
Ai
është i butë si drita e mëngjesit që prek butësisht sipër një letre të
vjetër, i sinqertë, i heshtur, me një
zemër që nuk bërtet për t’u dëgjuar. Në atelien e tij koha rrëshqet si bojë në
kanavacë, ditët zhyten në pjatat e ngjyrave dhe dalin përsëri të ndryshuara, të
ngjeshura me kujtime. Duart e tij, të njoma nga ngjyrat, punojnë me një qetësi
të thellë, lëvizjet janë të sakta por të
pafolura, si rrahjet e një zemre që përkthjen ndjesinë në formë. Krijimet
lindin gati pa zë , një rrjedhë e
brendshme që merr konturë, dritë dhe hije pa nevojën e çdo shpjegimi verbal.
Fjalët i ka të rralla, kur i zgjedh,
zëri i tij bie i ulët dhe mbart peshën e asaj që ka parë dhe ndjerë gjatë
viteve në atelie. Por pikturat nuk heshtin, ato flasin në vend të tij, mbrojnë
kujtimet, gjykojnë butësisht dhe dëshmojnë,
janë avokatet e shpirtit të tij, të vendosura në korniza për të dëgjuar
dhe për të vlerësuar.
Në
galerinë e zbardhur, pikturat e Mulliqit flasin si kujtime të përpunuara, jo të
ngrira, por të lëvizshme. Ngjyrat dalin si shtresa kohe, të thella e të buta, të ndërtuara njëra mbi
tjetrën, si memorie që copëtohet dhe ribashkohet. Motivët herë figurative, herë
abstrakte janë si shenjat që trupi i
kohës lë pas , një buqetë e çngjyrosur transformohet në fushë, një vijë
gërvishtet dhe kthehet në rrugë, një sipërfaqe qelqesh ngrihet si horizonte të
harruara. Ekspozita, në këtë kuptim, është një poezi vizuale në vargje të
pandërprerë ku tempo ndryshon , herë shpërthen me intensitet, herë qetësohet në
tonet e arta e të gjelbërta. Dritat e hedhura mbi impastot dhe shtresimet
ngjeshin ajrin me prani , çdo pikturë thotë “kam kaluar dhe jam këtu”. Një
video u jep frymën formave, pikturat zënë frymë dhe dalin nga kornizat personazhe të gjallë që kërcejnë në
dritë.Vajzat në kostume tradicionale lëvizin si kujtime të gjalla, valle që
mbështjellin ngjyrat dhe i japin zë relikteve. Hyjnesha ndryshon në
variacione një prani mitike që
shndërrohet, shpërndahet, rikthehet në çdo kënd të kompozimit. Gjithçka është
në lëvizje: etnoja zgjohet, pulson dhe rrëfen, një histori që bëhet trup dhe
tingull në hapësirën e galerisë.
Mulliqi
përdor një ritëm kompozicional të qëllimshëm, pikturat vendosen në një rrjedhë
që udhëzon shikuesin nëpër galeri si në një itinerar kohor. Shumë prej punimeve
tregojnë ndarje hapësinore të qarta ,
fusha ngjyrash të mëdha që kundërvihen me motive më të imëta , duke
krijuar një tension të balancuar midis sipërfaqes dhe detajit. Ka një kombinim
të suksesshëm ndërmjet formave gjeometrike dhe elementeve organike, që i japin
punimeve një ndjenjë transformimi të vazhdueshëm. Ngjyrat janë zemra e
ekspozitë prej paletave të ngrohta ( të kuqe, të verdha të buta) deri te
tonalitetet e freskëta dhe të qeta (jeshile, vjollcë). Ajo që bie në sy është
përdorimi i shtresave, ngjyrat ndërthuren, fshihen dhe shfaqen sërish.
Temat
qendrore, kujtesa, ndryshimi,
pranimi vijnë si ripërsëritje tematike
dhe ikonografike , peizazhe të stilizuara, elementë bimorë, forma që mund të
lexohen si objekte të përditshme apo si metafora. Nuk është se çdo pikturë
ofron një ngjarje narrative të qartë, më tepër, ato krijojnë atmosferë dhe
përqendrim reflektues. Kjo lë hapësirë për interpretime, disa punime shfaqen si
reflektime personale, të tjera si alegori historike apo sociale. Përmbledhtazi,
temat e kohës dhe transformimit janë të pranishme jo vetëm në subjekt por edhe
në mënyrën se si është ndërtuar piktura.
Stili
i Mulliqit, siç dëshmon ekspozita, është tashmë i formuar dhe i konsoliduar. Ai
kombinon elemente gjeometrike me abstraksionin e kontureve, linja e tij është
shpesh e qartë, por jo e ngurtë. Eksperimenti me transparencë dhe opacitet, me
vështrim të brendshëm drejt materialitetit të bojës, tregon një pjekuri me
gjuhën e pikturës. Nga ana teknike, disa kompozime përfitojnë nga kontraste më
të theksuara valorike për të përmirësuar lexueshmërinë në hapësirë të bardh të
galerisë, megjithatë, zgjidhjet e deritanishme ruajnë një koherencë estetikore.
Vendosja
e punimeve, me hapësirë të bollshme midis tyre dhe me ndriçim të drejtuar,
lejon që secila pikturë të marrë vëmendjen e duhur. Linja e syrit, e ndërtuar
që nga hyrja drejt fundorit, krijon një lëvizje natyrale, kjo qasje kuratoriale përforcon temën e
“rrugëtimit”. Të pranishmit dhe entuziazmi që shfaqet në hapje tregojnë se
prezantimi arriti të krijojë një hapësirë dialoguese gjë që është thelbësore
për artin që kërkon reflektim.
Agron
Mulliqi prezanton në këtë ekspozitë një korpus të qëndrueshëm punimesh që
flasin me siguri artistike mbi kohën dhe memorien. Thellësia qëndron te ndërtimi i shtresave ngjyrash, materiali
taktil dhe koherenca tematikore.
“Rrugëtimi
në dialog me kohën” konsiston në një afrim të ndjeshëm dhe të matur ndaj temave
të kohës dhe kujtesës. Agron Mulliqi tregon pjekuri stilistike dhe një aftësi
për të ndërtuar peizazhe emocionale me mjete piktorike të thjeshta dhe të
efektshme. Ekspozita nuk pretendon të japë përgjigje, por hap pyetje dhe kjo është një meritë e rrallë, ajo thërret për reflektim, për bisedë dhe për
rikthim. Veprat e Agron Mulliqit do të hyjnë në histori të artit.















