E enjte, 25.12.2025, 10:12 PM (GMT)

Kulturë

Rudolf Marku: Madhësia e një poezie me katër vargje

E enjte, 25.12.2025, 04:23 PM


MADHËSIA E NJË POEZIE ME KATËR VARGJE

Nga Rudolf MARKU

Poezinë që po sjell këtu e pata hasur, njëzet vite më parë, në një libër të kritikut dhe shkollarit të njohur të Universitetit të Harvardit, James Wood ( shefi i rubrikes së kritikes në gazetën ‘The Guardian’ mes viteve 1992-1995 dhe më vonë Profesor i Praktikes së Kritikes Letrare në Harvard dhe shkrimtar i bashkëngjitur i ‘The New Yorker’. Lexuesi i vëmendshëm shqiptar duhej ta mbaj mënd shkrimin tepër vlerësues të tij për Ismail Kadarenë).

Poezisë-disa besojnë së është veç një fragment poezie-  me katër vargjet,  ai i kushton një studim me dhjetë faqe. Kanë kaluar mbi 20 vite që kur e kam lexuar shkrimin e James Wood, dhe mbaj mënd veç mahnitjen e kritikut për këtë poezi, të cilen me këmbëngulje e konsideronte ndër poezitë më të bukura të botës. E ndesha këtë poezi  rastësisht, sot, në një Antologji të Poezisë botërore. Dhe po shtoj ca përshtypje të shpejta pa anjë pretendim kritik. Është një poezi anonime, e njohur si dorëshkrim së pari në Irlandë, andej nga shekulli i XVI. Një poezi që nuk ka asnjë metaforë, asnjë përpjekje për të krijuar figura letrare, asnjë trop letrar. Dy vargjet e para kanë një thyerje, një frakturë-hapsire në mes me dy vargjet e fundit. Një asosacion tepër i largët, mes erës që fryn nga perendimi dhe që sjell pikat e shiut, dhe psherëtimes dësherore  të gruas a vajzës (sepse është e pamundur që autori i kësaj poezie anonime të mos jetë grua a vajzë) që i dashuri a bashkëshorti i vet të mund të ishte në shtratin e saj, mbështjellë në krahët e saj. Pikat e shiut që bien mbi çati e shumëfishojnë  nostalgjinë dhe mungesen që shpreh ky fragment katërvargsh misterioz. Është e vështirë të mendosh se i dashuri është ende gjallë, poshtë të njëjtit qiell. Ajo sheh nga afër dhomën ku janë shtrirë sa e sa herë së bashku. Mungesa  dhe ndarja sjellin nostalgjinë dhe mallin. Vargjet janë shkruar me një distancë emocionale, ndoshta sepse gruaja ndjen rrezikun e udhëtarit që pret, dhe nga kjo, bashkimi i tyre nuk është krejt i sigurt.Dhe siç na thotë dhe një poete bashkekohore irlandeze, dashuria nuk është veç shtëpia, prania, por është dhe udhëtimi për në shtëpi dhe Limani i ndaleses së anijes në mbërritje.

Këtë poezi desha ta postoj dhe për një arsye tjetër. Si provë se poezia e madhe nuk ka domosdoshmërisht nevojë për  barokun figurativ, për ngatërresat gjuhësore në emrin e komplekstitetit të formave të poezisë që tek ne mendohet se është poezia moderne. Poezia, ajo e madhja sidomos, mund të shkruhet edhe  me fjalët më të zakonshme,  me përshkrimet e imazheve të jetës së përditshme, me një gjuhë që afrohet me gjuhën e të folurit të përditshëm , sa kohë që poezia përçon ndjenjen e thellë dhe të vertetë të qënies njerëzore. Dhe këtë të vertetë të madhe mund të na e kujtojë dhe një poezi anonime e shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

PA TITULL, ANONIME, E  PARA VITIT 1530

Erë nga perendimi, kur era të fryj,

Pikat e shiut do sjellin  shi  tek ne;

Krisht, veç të dashurin tim ta kisha në  krahë,

Dhe unë prapë në shtratin tim me te.

Untitled, Anon, before 1530

Western wind, when wilt thou blow,

The small rain down can rain.

Christ, if my love were in my arms,

And I in my bed again.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx