E enjte, 25.12.2025, 10:14 PM (GMT)

Kulturë

Mark Palnikaj: Shpërngulja e Popullsisë së Rugovës më 1919 nga dhuna dhe genocidi i Mali të Zi dhe Serbisë

E enjte, 25.12.2025, 04:50 PM


Shpërngulja e Popullsisë së Rugovës më 1919 nga dhuna dhe genocidi i Mali të Zi dhe Serbisë sipas dokumenteve arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë

Nga Mark Palnikaj

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi shkencor !

Pjesëmarrjen në këtë tubim me një kumtesë modeste e konsideroj një kujtesë dhe nderim për vuajtjet dhe fatkeqësitë njerëzore të shkaktuara nga një popullsi kufitare me shqiptarët por me orientim barbar dhe shovinist, e cila përgjatë disa shekujve nuk ka lënë krim as barbarizëm  pa përdorur për shfarosjen me metoda barbare të popullsisë shqiptare në trojet e veta.

Dëshmitë dhe faktet e këtyre barbarizmave i njef sot gjith bota falë mjeteve të informacionit dhe falë disa organizmave humane perëndimore që iu gjendën pranë popullit shqiptar në këto fatkeqësi por edhe kujtesës dhe varreve të ruajtura nga gjyshërit tanë në këto troje.

Un jam me origjinë nga Malësia e Gjakovës e cila ju bë krah popullsisë së Rugovës në momentet më të vështira të terrorit serb dhe kam të fiksuara në kujtesën time familjare të ngulitur qysh në moshën e fëmijërisë nga familjarët e mi kujtimin e hidhur për këto masakra. Këto masakra popullsia e Gashit, Krasniqes, Nikajt, Mërturit, Shalës dhe Shoshit i ka të skalitura mrekullisht në këngët folklorike me një realizem rrënqethës të ngjarjeve të ndodhura në vitin 1919 por edhe në vitet 1912 deri në vitin 1916 në trevat e Pejës dhe të Rugovës.

Tema ime modeste është e ndërtuar jo mbi bazën e kujtimeve por bazuar mbi dokumentet arkivore që ruhen në Arkivn Qëndror të Shetit Shqiptar për ngjarjet rrënqethëse të vitit 1919 në rrethinat e Pejës dhe posaçërisht në Rugovë. Kujtimet familjare dhe të dhënat gojore vetëm më kanë nxitur që të hulumtoj dhe të sjell në vëmendjen e brezit të ri ato ngjarje dhe fakte për ndodhitë tronditëse të asaj epoke që uroj që kurrë të mos përsëritet në asnjë vend as të Shqipërisë por as të ndonjë populli tjetër kudo në botë.

Në kumtesën time do të paraqes materiale arkivore duke cituar burimin pa bërë asnjë koment personal për ato ngjarje të dhimbëshme për popullsinë e këtyre zonave por edhe për të gjithë popullin shqiptar anembanë trojeve të veta. Lexuesi i vemendshëm do të nxjerrë vetë konkluzionet e veta ose do ti përdorë këto burime për studime të tjera. Materialet gjënden tërësisht nën siglën AQSH, Fondi 446 kurse dosjet dhe faqet do ti shënojmë kur të citojmë dokumentet.

1. Letër kërkesë për ndihmë që Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me firmën e kryetarit të sajë Hoxha Kadriut.

(6)

Nr. 707.972

Fort i nderti Zotni,

Tue e shti në veprim nji vendim të Komitetit t’onë me 5. Mars 1919, kena nderen me Ju lajmue me nji dhimë zemret të plagueme, se me të ranunit të Plavës, të Gucis e të Rugovës, mbas nji qindreset kreshnike, në dorë t’anmikut t’onë të pa-pajtueshmit, prejë popullit të ktyne krahinave fatzeze t’atdheut, ata qi mujten me i pshtue me luftë mizoris serbe, u larguen tuba tuba kahë Shkodra e neper Malcina të Gjakovës. Numri i tyne së pakti kapet deri më 15.000 frymë. Të gjith gjinden në rrezik të faruomit nga ngushtësija e jeteses.

Zotni, nuk asht nevoja me diftue gjanë e gjatë se plagët fituemun kreshnikisht neper vepra patriotike kerkojnë sherimin e tyne prejë fisnikis së kombit.

Nder kohna ma të rrezikshme e ma të pergjakshme t’atdheut të varruemt e të fikunt nuk mujnë me u sherue veç se me bujarin aq të permendme të kombit arbnuer.

Besojmë pra e më nji mënyrë të pa-tundshme në fisniki bujare të popullit të krahinës s’Uej dhe kerkojmë prejë tijë me i dalë zot njatyne të cilët kanë dijtun gjithmonë e vazhdojnë gjithnji tuej dijtun me ba flije të pa-numerta per nder të kombit e të çashtjes së tij per t’a kuptue randësin e detures qi ju perket në këtë rasë fatzeze, kena nderen me Ju paraqitë ndisinat t’ona ma të posaçme.

PER KOMITETIN “MPROJTJA KOMBETARE E KOSOVES”

SEKRETARI                                                                                                 KRYETARI

H. Kadri

P.S. Ndihmat t’i drejtohen Kryparis së Perlimtares së Shkoders tue lajmue pernjiheri edhe Komitetin e Kosovës.

(154)

708.705.

28 Fruer 1919, “në fletore”.

Kena marrë me nderime gjegjen e Ekcelencës s’uaj. Shiqojmë botën mizerabël me pa-anësinë që kishte për t’a shique një krijesë prej planetit të Marsit me teleskopin e ibretit, prandaj lutjet t’ona dalin prej një zemre të sinqertë e si të tilla të kemi mirësinë me iu dhanë randësinë e duhun.

Shkodra i pati hapë parzemën bujare 150.000 vetve ushtarë e popull serb që patën ik prej rebeshit të gjermano-austriakvet barbarë në vjetin 1915 dhe i pati mbajtë e ushqye ata afër dy muajvet e gjysëm. Sot në Shkodër janë afër 5000 refugjatë fatkeqë, të cilët Shkodra s’asht e zoja me i ushqye, e me i strehue për një kohë të gjatë. Këtë gja e çmoni dhe Ekselenca e juej. E na mjerohena kur mendojmë se Shkodra do të fshajë nën një barrë kaq të randë. Me gjithë këtë shpresojmë se nga drejtësija e Shtetevet të Mdhaja tek e cila drejtësi na kena besim se refugjatët qe janë strukë në Shkodër e në Malci të Jakovës do të këthehen ndër vende të veta në një kohë të shpejtë nën garancinë e Shtetevet në fjalë tue i “i shpëtue nga mizerja në të cilën ndodhen”, tue iu shpërblye malli e gjaja e grabitun dhe e djegun një masë e drejtë këso dore ka me i shpëtue nga vdekja me mijëra flije të barbarizmës sllave të shpërndarë nëpër Shkodër e në Malci të Jakovës. Për kundra atyne të mjerëvet s’u ka mbetë në këtë tokë vend, veçse me u mbytë në gjol të Shkodrës.

Raporti që ju ka dhanë Shkëlqesës s’uej i nderti Komandant i Serbit për që Shqiptarët kanë mësye ma parë, mbeshtetet në mashtrimet zyrtare të Serbëvet për të mbulue kriminalitetin e tyne. Serbët e malazezët që dolën në vedi në formë vatrash brigadësh si pjellë e pansllavizmit dhe e politikës ruse, u treguan shumë të zotët me mëshefë ose me shtrembnue krimet e barbarizmat që kryen qe nga data e eksistencës së tyne. Serbët, te cilët kanë ardhë n’atë shkallë pjekurije sa me u ba mjeshtër, në krijim ngjarjesh e në shtremberim faktesh, i Princ Bismarkut që âsht i pari shkaktar i anarkije nën të cilën po vuen sot bota, i bân me besue qarqet diplomatike europjane se Shqiptarët nuk janë veçse grumbuj aventurjerash që banojnë në një vend që shtrihet prej Tirane deri në Tepelenë e se Kosova asht e banueme fund e majë prej Serbësh, tue mëshefë kështu eksistencën e një miljon banorëvet shqiptarë në vilajet të Kosovës.

Personalitete politike europjane që kanë në dorë mjete zyrtare munden t’u drejtojnë autoritetevet të nalta e qarqevet diplomatike shkresa zyrtare në formë që dëshirojnë ato. Kurse lajmet vet private të ndonjë personi ose shkresat vetë të ndonjë komiteti s’u jepet besim për kundrejt raportevet zyrtare që jep një funksjonar qeveritar, përkundra priten me dyshim. Kjo gja asht krejt e natyrshme, e prandaj Komanda e Kotorit paraqet Shqiptarët si agresorë mbi informatat zyrtare qe ka prarë prej Serbëvet e Malazezvet. Por ata i bâjnë këto shpifje me mëshefë realitetin dhe me shgarkue vedin nga përgjegjësija e krimevet. Se pretendimet e Serbëvet janë krejt shpifje provohen me faktet që po shënojmë këtu poshtë:

a) Siç kemi shpjegue në raportin me datë ................ dhe n’aneksin e saj statistikën, në krahinë të Podgorit janë plaçkitë ....... shpija, djegë.........., shpja dhe vra.......... vetë. Mbas dy ditëvet që u kryen këto krime, si shkak treguen Serbët thyemjen e postës prej një brigandi që ndodhej i arratisun në mal ç’prej disa vjetësh.

b) Në Tregovishtë u vran mâ se njëqind shqiptarë pa kurrfarë shkaku dhe iu bragit pasunija.

c) N’Akovë mâ se tetqind vetë u vranë barbarisht, iu plaçkitën teshat e shpijavet dhe bagtija. Nga familjet e para të vendit u morrën 46 vajza, prej të cilavet gjashtë u dhunuen në nderë. Tjerat për të psue po këtë fat u çuen mbrênda nder tokat e Malit Zi. Gjithë këta fatzezë, ndejë në qetsi ndër shpija të tyne, a gërganë Serbët qe u vranë? Ç’fuqi kishin grat e pafaj e vajzat virgjine që u çnderuan n’atë mënyrë?

ç) Me raportet e ndryshme qe japin ç’prej tre muajvet dhe me fakte e kena provue se Serbët e Malazezët do të mësyjnë Plavën e Gucinë dhe do t’i masakrojnë banorët e tyne.

Ngjarjet e dëshmuen këtë qëllim tradhtar te Serbëvet. Vonesa deri më sot më çue në vend këto plane kriminale të parashestueme, rrjedhtë nga shkaku se fuqija e përqëndrueme malazeze s’ishte e mjaftë e priteje të vijshin fuqina ndihmtare serbe. E kur mbërijtën fuqinat e rregullta serbe me topa e mitroloza atëhere u hap sqena e krimevete. Fuqinat ushtarake sllave, qe deri atëhere përgjojshin, filluen operacjonet e paramendueme. Ç’prej tre muejsh filluen masakrat e plaçkitjet n’Akoshë, në Tergovisht, në Peshterë, në Podgor e ngjeti dhe barbarizmat në Podgoricë. Plava e Gucije nën ankthin e këtyne tmerevet, nuk mund të bajshin tjetër veçse me mprojtë jetën e nderen e vet ndaj bishët e egra që vijshnin prej visevet të ndryshme të Malit – Zi dhe ndaj fuqit e rregullta ushtarake të Serbëvet. Pra me tregue agresorë një popull që mprohet, kjo s’asht tjetër veçse një shpifjes që s’e pranon arrsyeja. Kur Serbët rrenojnë e djegin gjithçka me bomba, topa e mitraljoza për mos me lanë gjallë një prej rracës shqiptare, si pretendojnë se janë agresorë pleqt, gratë e fëmitë që bahen kortarë kortarë nën kreshninë e plumbavet mitraljovet? Sikur Serbët pa pasë turp t’a bajnë këtê pretendim, a gjëndet ndonjë ndërgjegje e shëndoshtë që t’a pranojnë këtë gjâ?

d) Serbët, në kundreshtim me parimet ligjore sot në fuqi, ia vên në formë të një detyrimi popullit mbajtjen e ushqimin e gjëndarmërisë e të fuqisë ushtarake që kanë instalue në krahinë të Rrugovës, dhe me këtë rasë vijojnë me shtypë popullin me gjithfarë mënyrësh.

Veprat barbare qe po shënojmë poshtë, shpjegojnë qëllimin që ndjekin Serbët:

Në katundin Koshotan të krahinës së Rrugovës kanë grabitë 200 krenë dhên të Jashar Murtit, 280 të Hys Mzasë, 100 të Sadri Harizit e 200 të Met Zyberit, Abdyl Harizit, i kanë vrà 3 barijt. Zymer Smajlin e kanë vrà dhe i kanë plaçkitë shpinë, kanë vra dhe Salih Alinë bashkë me shokun e tij Temo Ramon kur po këthejshin nga Peja në katund. Bajram Rustemit, i kanë grabitë 280 krenë dele prej katundit Drellas dhe e kanë vrà. Kështu kanë vra dhe Rexh Haxhinë kur ky desht të mbylli derën në kohën që Serbët kishin fillue me ia plaçkitë shpinë.

Në katund të Koshishtës kanë vrà Xhixh Sakolin dhe i kanë marrë me dhunë 60 dele, 3 lopë e një kal dhe gjithë drithin që kishte.

Në katundin Bukel i kanë grabitë 140 dele Mursel Salihit, 60 Abedin Baxhujit dhe 70 Halil Zeqas, tue i vrà për fund dhe këta të tre.

Në katundin Bisirnicë kanë vrà Mehmed Ismailin, Ibish Bajramin dhe tre barij bashkë me njëqind krenë dele.

Për me ushqye popullin e Malit-Zi u kanë marrë me dhunë drithin katundevet të vorfna që u përmendën sipër dhe katundevet tjerë në Jakovë, tue lanë pa bukë vetë popullsinë e atyne katundevet.

Në katundin Pepiç iu dhunohet ndera .............. gravet. Dëshprimi i familjevet të tyne arrijnë kulmin.

Një katundar, të cilit i asht grabitë drithi blen një barrë drithë dhe e nisë për në katund me djalin e vet. Por sa djaloçi vjen në postë të Belohës gjëndarmët malazezë i marrin me dhunë drithin e kalin dhe vrasin djaloçin me urdhën të kapitenit. I ati e familja i drejtohen kapitenit e kërkojnë djalin, kalin e drithin? Kapiteni gjegjet se djali asht vra. Atëhere aty nisë nizaja dhe populli alarmohet.

Komandanti Serb në Plavë u jep autorizim dyzet vetvet me shkue në Pejë me blè drithë. Kur këthejnë i ndalon komandanti i gjëndarmerisë malazeze në postin Belohë, grabisin kuajt me gjithë drithë, dhe vrasin dy prej tyne, me gjithëse ata deklarojnë se këtë drithë e barshin për ushtarët serbë. Këto sjellje t’egëra merzisin e dëshprojnë bajraktarët e krahinës së Rugovës. Këta kërkojnë me gjetë mënyrën si e si t’u vihet një frè këtyne vepravet dhe lypin një pjekje me Komandën e Pejës, për me ia parashtrue këtij ankimet e popullit. Kapiteni komandant i Pejës vjen në Peklen të Guri-i-Biruem. Por këtu, mun të Qafa e Hajlas, hapë zjerm kundra bajraktarëvet një fuqi që kishte ardhë prej Rozhaje. Bajraktarë e popull që pritshin vendosjen e një qetsije e të sigurije, kur ndodhen përpara një zgjermi që hapin ushtarët Serbo-malazezë, ata natyrisht çohen e mprojnë jetën e tyne.

E qe, kështu fillon ngjarja e Rrugovës, shkaktarët e vetëm të se cilës janë ata qe hapen mâ të parët zjerm. Me ia ngjitë këtë faj Shqiptarëvet, asht tamam puna e atij kriminelit, i cili për me qitë vedin te pafaj iu ngarkon këtë tjerëvet. Asht kjo një akuzë për t’u pranue?

Shkaktarët e autorët e ngjarjes fatale të Plavës e të Gucisë, provohen si vijon poshtë:

a) Shtat ditë para ngjarjes komandanti Serb me banim në Plavë fton Hasan ag Ferrin, Shaqir Muslinë, Jusuf Ramën e Mehmed aga Ferrin, pari e vendit dhe iu komunikon se gjithkahë në Mal të Zi asht dhanë urdhën me shêmbë Plavë, Guci e rrethe me spata, bomba, top e me mitraljoza.

b) Për ne asht një fakt i provuem sugjerimi që u ka ba komandantavet të Serbit e të Malit të Zi Princi Aleksandër, qe këthente nga Parizi në Nish, për me shtypë pa tjetër popullsinë e Plavës, e të Gucisë dhe me i shpartallue këto dy krahina, mbassi kauza kombëtare serve do të pagjë dame nga gjëndja që paraqesin këto.

c) Katundi Bebiç asht rrenue përpara ngjarjes dhe Sllavëvet të Brezoviçit i asht dhanë leja me vra Shqiptarët po mâ përpara, dhe Sllavët kanë vra disa Shqiptarë.

d) Rruga në medis të Plavës e të Gucisë asht prè, një javë ma parë, dhe komandanti serb ka instalue në kullë të Stanisha Turkoviçit në katund të Vojnaselës dhetë ushtarë me një mitroljoz, të cilët kanë vrà në mitroljoz Ram Bajramin prej Rrugove, Hasan Mashin prej Vuthaj dhe të shoqen e Sul Demës prej Shkreli bashkë me katër krenë lopë, kur po kalojshin andej pari.

dh) Fuqitë serbo-malazeze po shtohen dita ditës dhe kanë fillue me shtypë Plavën e Gucinë.

Malazezët kanë mësye Nokshiqin e prej aty Çakoven, kurse fuqitë serbe prej Peje kanë dalë në Qafë e prej këtu në Metehe, ku kanë vu topa dhe kanë bombardue e djegë Metehen e Komarashin. Mandej kanë bartë topat në Kumarash dhe prej këtu kanë nisë me rrënue Plavën e Gucinë. Në këtë çast me urdhën të komandantit serb që gjëndej në Plavë ushtarët kanë fillue me hapë zjerm kundra popullit e kundra shpijavet.

Populli i Plavës dhe i Gucisë qe pat kuptue ç’prej tre muej e gjysëvet qëllimet dhe sjelljet e Malazezëvet e të Serbëvet, u çuen e mbrojtën vendet e tyne, jetën e gravet e të kalamajvet të tyne prej pritavet që kishin pregatitë prej dhen.

Një hetim mjafton me qitë në shesh se cilët janë shkaktarë të kësaj gjendje. Prandaj nga ndënjat e larta e fisnike të Shkëlqesës s’uej lusim me marrë masa të ngutshme me këthye refugjatët e mjerë ndër vende te veta nën garancinë e shtetevet të mdha për t’i shpëtue nga vdekja, dhe me i vû ato vise, deri ne kohen e paqës, nën një administratë nderkombëtare tue i detyrue shkaktarët me iu shpërblye edhe damet.

-------------------

VERTETOHET NJEJTËSIJA ME ORIGJINALIN

DREJTORI’ DREJTORIS ARKIVAVE TË

M. P. TË BRENDESHME TE R. P. SH.

GJENERAL-MAJOR

(Veli Dedi)

Shkodrë, më 31.8.1919

KOMITETI

“MPROJTJA KOMBETARE E KOSOVES”

(QENDRA E PERJASHTESHME)

Nr. 334

Të nderueshmes

Kryepariës së Klubit të Koloniës Shqiptare

STAMBOLL

I nderueshmi Kryepar,

Tue perfitumun prej nji rase të bukur po vijëm me Ju lutë qi të keni mirësiën me u perpiekë mbië ket pikë”

Komiteti “Mprojtja Kombëtare e Kosovës” ka, sidomos, 10 mujë qi vepron pà prà per me i shtië në veprim këtò dyë pika:

a) Me sigurue nji Shqipnië fiesht të lirë nder kufi të Saj ethnike.

b) Me e lajmue boten zyrtare e jashtëzyrtare mbi krejt punët qi rriedhin në Shqipnië e kundra shqiptarve prej dores së anmiqve.

Komiteti ka per të veprumun në ket rrugë deri më atë ditë qi kan per t’iu vue kufit Shqipniës e mrapa ka me vendumun e ka nevojë per tê apo jo.

Në ditë sodit per me i bâ ball rreziqeve qi munden me rriedhë prej intrigave të huja, Komiteti asht shtrengumun me veprumun rreptësisht e pà prà.

Per me e mrrië qellimin e vet Arka e Komitetit asht shtrengumun me prishë shuma të mbëdhaja.

Ju lutemi prà, tue marrë parasysh nevojen e madhe qi ka Shqipnia prej krejt biët e vet besnikë, të bâni nji mbledhië të pergjitheshme e t’i merrni krejt masat e nevojshme per me i ndimue me të holla arkes së Komitetit t’onë sa ma para e si e sa të mundeni.

Shqiptarit kurr nuk ka me i raa nji rasë ma të bukur per me e sprovue besnikiën e vet per atdhè e per troje të PARVE.

Ju pershnetojëm vllazënisht e besnikisht.

Per Komitetin “Mprojtja Kombëtare e Kosovës”

Sekretari    Kryetari

Bedri Peja  H. Kadri

Shkodrë, më 6.XI.1919

KOMITETI

“MPROJTJA KOMBETARE E KOSOVES”

(QENDRA E PERJASHTESHME)

Nr. 396

Zotniës së Tij

Patrë DEDES

Famullitari i Kishes së Shales

Abat

I dashtuni Zotnië e Mik,

Të faluna e pershnetime nga zemra.

U lutemi fort me i marrë këtò masa:

1. – Me organizue posten ndermiet Komitetit e Hysni beg Currit ndeper miet të gendarmëve ma të besnik të Shales, së Shoshit e Nikaj e Mertuer.

Kio pikë asht teper e nevojshme per me mujtë Komiteti me marrë masa të shpeita kahë Shqipnia e Mesme e kahë Toskënia në kioftë se serbët nuk dojën me ndigjue me i lshue kufiët e Londonit veç se me luftë.

Kio pikë na duhet pa hall dhè per me mujtë me lajmue me vakt Parisin e diplomatiën e Amerikes e të Europes.

2. – Në kioftë se ka krisë pushka këtej Qafes së Morines e serbët bajën inad, me nji heri, duhet qi t’a bashkoni fuqiën e Shales e të Shoshit e ta nxeni sa ma parë Majen e Pejes. Mrapa lufta bâni zgjati të pergatiteni moralisht e landërisht per me msye Plavë e Gusië.

3. – Duhet pa hall qi serbi të largohet prej Thethit, prej Vukli e prej Seltzet.

4. – Në Kruatië, në Bosnië e nder vende tiera të Jugosllaviës ka plasë kryengritia e serbi kurr nuk ka kênë ma ngusht se sot. Shpeitoni bashkimin e forcimin e beses e mirrni masa per me i ndimue, në pastë nevojë, dhè Hysni begut. Shkurt: Ka mrrië per nee dita me i librue së pakti kufiet e Londonit.

5. – Diplomatia serbe asht diskreditue aq keqas sa jena sigurt qi, rruna Zot, dhè me bierrë në luftë kena per të fitue politikisht.

6. – Në kioftë se Kryengritia vazhdon dhè perhapet kahë rrafshi i Pejes e i Gjakoves per me shkue kahë Fusha e Kosoves, Hysni beg Curri i ka të gjitha instruksionet mbië ket pikë.

7. – Komiteti ka per t’i marrë të gjitha masat per me i dalë punes në kryë me fitim të Shqipniës.

8. – Lajmonani me të shpeit shka ka rriedhë deri sot e shka mundet me rriedhë sot e mrapa.

9. – Qerimi mundet me na vytë fort në ket punë.

U pershnetojëm dhè nji herë.

Per Komitetin “Mprojtja Kombëtare e Kosoves”

Sekretari Kryepari

SHNIM me randësië – Mbas nji lajmit të mramë e sigurt qi ka marrë Komiteti Kryepari i Delegationit Amerikan në Konferencë të Paqes ka diftue se Aj e Qeveria Amerikane ka për t’i dalë zott çashties së Shqipniës me të gjitha miete të Amerikes.

Komiteti.

Dok. 708.781, faqe 1-2

Të naltës Kryesi së Shoqnisë “Mprojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër

Mendimet e qëllimet e serbëvet e të malazezëvet për Plavë e Guci dihen. Megjith premtimet e dhanuna prej Mbretnijvet të Mbëdhaja ashtu dhe sigurimet, serbët e malazezët orvaten të na mërzisin tue na rrethue kazânat t’ona. Bajnë të këqija dhe kanë qëllime kriminale me na there kalamajt. Kanë mbyllë rrugën e Pejës, kanë ndalue komunikacjonin dhe s’lanë njeri me kalue. Dhe për të realizue këtë gjâ kanë qitë patrulla ushtarake në vendin që quhet Bluhe në Plavë. Aty po i grabisin popullit kashtën e gjân’e gjall. Ç’u vjen përdore po bâjnë kundra popullit. Komandanti i Plavës kanë çue 15 vendas me kafshët e tyne prej Gucije në Pejë për me bartë plaçka ushtarake. Këta janë shoqnue prej një patrulle ushtarake dhe 4 vetë tue mos pasë në Pejë çka me u ngarkue, sepse kanë mjaftue kafshët e tjera, për mos me u ktye bosh, kanë ble dhe ngarkue drith për vedi. Kur kanë ardhë në Blohe, janë sulmue prej malazezve. Kanë burgosë njerzit, iu kanë bâ lloj lloj poshtrimesh dhe ma në fund, iu kanë grabitë katër barrët e drithit.

Këta shqiptarë të shkretë kanë kthye të dëshpëruem ndër shpija të veta. Peja asht gryka e shpirtit tonë, pra a âsht e mundshme për ne me qendrue të çkputun prej saj?

Shpresojmë se Mbretnijet e Mdhaja s’kan m’e pa t’udhes të jesim na kështu rob e të rrethuem. Qellimet e serbëvet e të malazezvet janë për fushë: me na rrethue, me na robnue e mandej me na çfarue.

Ju kutena, porsa të ju mbërrijë në dorë kjo letër, përpiquni me na çelë rrugën, me ndalue qëllimet kriminale  të serbo-malazezvet dhe mësymjet e tyne kundra tokavet tona. Vrapojmë me ju bâ këtë lutje me nxehtësinë mâ të madhe që të mos vononi as një minutë në demarshet e juaja.

Ju theksojmë edhe këtë se të zotët e meqarevet por sa kanë shkue në Pejë i kanë rrahë serbët dhe malazezët, i kanë burgosë dhe torturue në gjithfarë mënyrash.

Lutena prap me na ra mrapa pa vonesë dhe me na sigurue që kazatë t’ona të merren nën një vendim ndërkombëtar.

Fruer 1919.

N’emën të tanëvet

Nga paria e Plavës

Nga pari e Gucisë

Hasan aga Feri       Shaqir Halili

Shaban Beu Ismail Hysejni

Shelko Ajdin Aga Sejdi Zuka

Mark Palnikaj, Pejë 16 shkurt 1019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx