Kulturë
Ilir Muharremi: Njollat e dritës dhe hapësirat e kujtesës
E diele, 28.12.2025, 06:54 PM

Njollat e dritës dhe hapësirat e kujtesës
Vështrim
kritik mbi ekspozitën personale të artistit Alkan Nallbani, e hapur së fundmi
në galerinë private “OPEN ART Gallery “ nën drejtimin e artistit Naim Spahiu,
me kuratorë Ardian Isufi dhe Elton Koritari
Shkruan:
Ilir Muharremi, kritik i artit
Uniteti
i artistit qëndron te streha e kërkimit dhe hulumitmit. Pra të hulumtosh do të
thotë të argumentosh, kjo lojë e shkencës me estetikën ndriçon rrugën e
krijimit, pra përtej rezultatit momental, përtej kufizimeve aty ku vepra arrinë
pjekurinë e saj. Veprat e artistit shqiptar Alkan Nallbani, i cili jeton dhe
vepron në New York, janë të ekspozuara në galerinë “Open Art Gallery” në
Prishtinë, e udhëhequr nga artisti Naim Spahiu. Ato klithin lartë, zëri i tyre
me forcën e dritës, fuqinë e saj estetike, vizive deri në analizën psikologjike
krijon një lojë të brendshme drejt objektivit të jashtëm. Arsyeja, pasioni
ndihmojnë njëra tjetren dhe artisti përfaqëson thelbin e forcave të tij.
“Yellow Spots in the Black Box” , nuk
është thjesht një cikël punimesh vizuale, është një praktikë arkivore e një
gjendjeje perspektive. Puna e Nallbanit
ngrit një laborator të përkohshëm për të përsëritur, testuar dhe ekspozuar
mënyrat me të cilat drita si prani e
shpërthyer dhe si njollë e kufizuar ndriçon dhe mpreh hapësirat e brendshme të
kujtesës dhe subjektivitetit. Ekspozita lartësohet në një kontrast të dyfishtë,
sipërfaqja e errët e “kutisë” si vend i mbyllur dhe njollat e verdha, dritë që
shfaqen si rastësi apo emergjencë si
copëza të shpërthyera të afektit dhe njohjes. Filozofia qëndron te koncepti i
dritës e cila ka shpejtësi, estetikë, nuancime, siluetë, imazhe, lëvizje,
tempo, ritëm, kontraste, baraspeshë në sipërfaqe, tingull, lojë e hapësirës me veprën, dhe shtigjet
konceptuale të këtij arti tregojnë idenë. Muret e errëta, fluksi i ndriçimit
dhe ritmi i objekteve të varura krijojnë një itinerar të kontrolluar të
shikimit, vizitori udhëhiqet nga njolla drite , nga vija horizontale e kuqe që
lidh dy ansamblet drejt elementeve më
intime të punës. Ky trajtim i hapësirës si “kutia e zezë” prodhon një lloj
distancimi reflektiv, vizitori hyn brenda një fushë vëmendjeje ku çdo dritë e
vogël bëhet ngjarje interpretimi.
Grafika
të kornizuara në murin këndor strukturojn një sistem modular ku grafikat e
vogla në dimensione dhe mesatare
formojnë një rrjet leximi, një fushë imazhesh që mbështjellin një histori
fragmentare. Çdo grafikë, me nuancat e saj të gërvishtjeve, etsheve dhe hijeve,
sillet si stigma , gjurmë të një procesi vizual , ku ripërsëritja e formatit
dhe mbivendosja përforcojnë idenë e kujtesës si palimpsest. Iluminimi i
drejtuar krijon pika fokale ku plani i punës del nga errësira, këto njolla
drite aktivizojnë lexime metafizike, drita si moment i zbulesës, si indeksi i
pranisë. Drita e Prometheut, zjarri i tij, forca e përjetësisë, pra
zotësia, çveshja e vlerave dhe vazhdimi
i krijimit si shkak pasojë i dritës. Dritë jep jetë, është përtej artit
rrugëtimi i artit drejt dritës ngacmojnë ndjenjnë e krjimit, siç kishte me
thënë Friedrich Nietzsche “Froca krijuese është drejt rrugës së shpirtit”.
Figuracionet e grafikave figura, skena të brendshme, trupa apo peizazhe të
vogla dialogojnë me idenë e personazheve vuajtës që përshkruhen në tekstin
origjinal, figura si shpërthime afektive brenda një fushe të mbushur me heshtje.
Murali
i madh në letër kraft, i kombinuar me kollazhe skicash dhe një kub druri,
funksionon si një peizazh i brendshëm: monumental në shkallë, por intim në
mënyrën e ndërtimit. Letra kraft, me strukturën e saj të papërsosmërisë dhe
ngjyrën e ngrohtë, shërben si substrat arkivor një fushë e hapur ku përmbajtja
realizohet si grafika çizimore dhe si një topografi e mbivendosur e kujtimeve.
Linjat e dendura të vizatimit krijojnë një perspektivë që referon më shumë në
trup dhe interior sesa në pamjen e jashtme; druri, shtresimet dhe ritmi i
gërvishtjeve bëhen tregues të kohës. Elementët e kolazhuar fletë të vogla të ngjitura, skica të
pavarura dhe një kuti druri e transformuar në “arkë” prodhojnë efektin e një ekskavacioni:
fragmente të ndara të përvojës manifestohet si prova materiale.
Kubi
i drurit, i ndriçuar me hijet e forta të dritës, konceptualizohet si hapësira e
së fshehtës një vrimë e vogël brenda hapësirës së madhe, ku mblidhen
objekte personale dhe fragmente. Ndriçimi i orientuar privilegjon detajet dhe
transformon fushën e letrës në një peizazh me ishuj instalativë, duke
evidentuar se vepra është dëshmi e procesit shumë shtresa vizatimesh që mbeten
si stigma afektive.
Në
një lexim fenomenologjik, ekspozita synon të bëjë të dukshme mënyrën se si
përvoja konstituon botën e brendshme të
subjektit. Përmes marrëdhënieve midis trupit, dritës dhe materialitetit, puna
shfaq mënyrat me anë të të cilave vëmendja dhe perceptimi organizojnë,
stratifikojnë dhe riformojnë përvojën si kujtesë të ndjeshme. Kutia e zezë, e
propozuar si metaforë, funksionon si një dhomë e ndjesisë, ajo që mbetet e fshehtë fuqizon nënkuptime të
shumta sapo një nyjë dritë-vëzhgimi e zbërthen atë fshehtësi. Apertura e
vëmendjes, pra pika e vogël e dritës që depërton, nuk është thjesht një efekt
optik, por një mjet hermeneutik, një
vend ku materiali dhe objekti transformohen në dëshmi të procesit dhe ku
fragmente memorieje shkrihen me aktin e të përceptuarit. Kjo ngritë pyetje të
drejtpërdrejta, çfarë ruhet në arkivat
tona personale? Si bëhen ngjarjet gjurmë piktorike, dhe me çfarë mekanizmash
transformohen përjetimet në materialitet vizual? Ekspozita paraqet këto gjurmë
si prova materiale fragmente të gërmuara
dhe të rindërguara që dëshmojnë për
mënyrën si koha, gërvishtja dhe shtresa vizive konservojnë afektin. Përtej
leximit fenomenologjik, puna mund të kuptohet gjithashtu si një praktikë etike
e afërsisë në sensin Camusian siç e citon kuratori Ardian Isufi ecja pranë
tjetrit si mënyrë bashkëjetese, jo si udhëheqje, por si ndarje hapësinore ku
zbulimi dhe kujtesa ndodhin bashkë. Kjo afërsi etike reflektohet në modalitetet
e prezencës së vizitorit, i cili, përballë një njolle drite, bëhet bashkëautor
i përvojës vëzhgues dhe aktivizues i kuptimit
në të njëjtën kohë.
Ekspozita
bashkëvepron me kohën, materialet dhe dritën për të ndërtuar një ekosistem
kujtese dhe zbulimi. Alkan Nallbani ndërton një ambient ku procesi vizual është
po aq vendimtar sa produkti i përfunduar,
çdo grafikë, çdo skicë e ngjitur dhe çdo kuti druri funksionojnë si
fragmente të një arkivi subjektiv që ftojnë vizitorin në një lëvizje
reflektive për të parë, rikthyer dhe
mbajtur mend njollat që shpërthejnë nga errësira.














