E shtune, 27.12.2025, 11:17 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Mërmërimë shenjtoreje… mall për fjalë të Nënë Terezës

E shtune, 27.12.2025, 04:57 PM


MËRMËRIMË SHENJTOREJE…

MALL PËR FJALË TË NËNË TEREZËS

Nga Visar Zhiti

…ndodh të na marrë malli për një këngë a poezi a vetëm për një buzëqeshje… por dhe për ca fjalë.

Unë i kthehem shpesh një lutje të Nënë Terezës, e kam titulluar “Kredo” në librin me poezi që është botuar para 20 vjetësh a më shumë, - kështu i kam quajtur lutjet dhe bekimet që ajo thoshte: poezi.

Di që kjo që po e risjell tani, është e gdhendur në një mur në Indi, në Kalkuta, ku Nënë Tereza shërbeu.

Ajo ka ditur të përmbledhë gjithë urtësinë dhe përvojën biblike edhe në një lutje dhe unë do të doja që të gdhendej dhe në muret tona, në shkëmbinj, - e kam thënë, - edhe në kujtesë e ndërgjegje bashkë me vargjet më të bukura të poezisë shqipe, me nene madhështore të Kanunit tonë të lashtë… dhe në çdo antologji që do të dilte, pse të mos kishte dhe një lutje të Nënë Terezes? Ato janë si poezi, dhe Nënë Tereza vetë është dhe poete.

Duhet ribotuar ai libër, “Mërmërimë shenjtoreje”, mendoj, edhe duhet pasuruar, se aq munda të mbledh dhe të përkthej atëhere, por Nënë Tereza nuk shterr, ajo buron dritë vazhdimisht nga Qielli pa mbarim.

Prandaj dhe e kam këtë mall për fjalë si ato? Nënë Tereza e mbyll poezinë me vargjet, sa siperane e misterioze më duken:

“Të kuptohemi mirë, e gjithë kjo s'është kurrë midis jush dhe atyre, por midis nesh dhe Zotit.”

KREDO

- Nga Nënë Tereza -

Njeriu shpesh është i pakuptueshëm,   

                                       spontan, vetanak.

E ç'rëndësi ka, duaje!

Nëse mirë bën, do të thotë

se plotësohet qëllimi i vetes.

E ç'rëndësi ka, bëj mirë!

Nëse do të jeni i suksesshem,

                        miq te rremë do të gjeni

                              dhe armiq të vërtetë.

E ç'rëndesi ka, vazhdo!

E mira që bën, do të harrohet nesër.

E ç'rëndësi ka, qofsh i kthjellët!

Sinqeriteti dhe nderi bëjnë

                                 të plagosesh kollaj.

E ç'rëndesi ka, krijo!

Le të shembet natën befas

ajo që ke ngritur me vite.

E ç'rëndesi ka, ndërto përsëri!

Le té mos kënaqen njerëzit,

kur u gjendesh pranë.

E ç'rëndesi ka, ndihmoji!

Botës jepja pjesën më të mirë

                                                       të vetes.

S'do të jetë e mjaftë. Do ta flakin.

E ç'rëndesi ka.

Po ti dhuroje

                 pjesën më të mirë të vetes!

Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur.

Të kuptohemi mirë, e gjithë kjo

s'është kurrë midis jush dhe atyre,

                      por midis nesh dhe Zotit.

Visar Zhiti



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx