Kulturë
Albert Zholi: Flet këngëtarja e mirënjohur, "Mjeshtre e Madhe", Paro Ziflaj
E premte, 26.12.2025, 04:55 PM
Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore dhe polifonike, "Mjeshtre e Madhe", Paro Ziflaj
-Unë
me këngën dua ti sjell popullit tim, qetësi, paqe, mirëkuptim larg halleve që i
sjell politika
-
Ky popull i varfër dhe i sakrificës ka
shumë nevojë, për këngë, për gëzim, për atmosferë festive.
-
Kur shikon lajmet në televizion shikon politikanë, që zihen, kronika të zeza,
korrupsion dhe pak këngë.
-
Nga mëngjesi në darkë jemi të ngarkuar me lajme tronditëse që na rrënojnë
shpirtin dhe atëhere patjetër që kënga mund tua heq trishtimin shqiptarëve.
-
Dua që jeta e popullit tim të jetë si një këngë e bukur larg prapaskenave të
politikës
Nga
Albert Z. ZHOLI
Parua së fundi ka hedhur
në treg këngën "Dashuri e parë"ku kompozitori Alban Hoxhaj, ka bërë
përpunimin si melodi, sepse është marrë nga një këngë polifonike. Një këngë që ka ritëm, tekst dhe mesazh. Kudo
që ka shkuar në Asamble, apo koncerte jashtë atdheut, ajo i ka befasuar
specialistët e muzikës, për origjinalitetin dhe kumbimin e zërit. E thjeshtë e
dashur, korrekte me larmishmëri këngësh polifonike dhe popullore, Parua kudo ka
pasur sukses. Ajo thekson se " Këngët për mua janë si fëmijët për nënën.
Të them të vërtetën më shumë më kërkojnë polifoninë. Deri dje mendoja se
polifonia është këngë e thjeshtë, këngë që nuk do shumë angazhim artistik. Por
tani që kam kërkesa dhe në raste të veçanta nuk kam kthyesin, pritësin apo ata
që mbajnë iso që duhet të shikojë se kënga stonon. Tek polifonia është kyç
kthyesi. Në polifoni rolin e kthyesit nuk e bën kushdo, madje ka rëndësi po aq
sa marrësi. Rolin e kthyesit e bëjnë shumë pak, ata janë njerëz të lindur të
trevës së Labërisë"
Ju kohët e fundit së bashku me kompozitorin Alban Hoxhaj
keni realizuar këngën "Dashuri e parë". Një këngë që është mirëpritur.
Çfarë përbën për Paron kjo këngë?
Kjo këngë ka një mesazh, sepse ka shumë ndjenjë. Kompozitori i talentuar
Alban Hoxhaj ka bërë përpunimin si melodi, sepse është marrë nga një këngë
polifonike që ai e ka përpunuar duke kompozuar orkestrimin. Vija melodike është
marr nga Bregu i Jugut. Dhe kënga tregon se dashuria e parë nuk mund të jetë
kurrë si të tjerat. Kushdo në jetë në dashurinë e parë kupton se sa e
bukur është dashuria, që mund të na ndryshojë jetën për mirë. Thjesht dashuria
e parë do të mbetet gjithmonë e veçantë dhe unike, ndryshe nga të gjitha të
tjerat pikërisht, sepse ishte e para. Ose në një fletore kam shënuar diçka që
më ka impresionuar; Ja çfarë shkruhet: Dashuria e parë, (sipas shkrimtarëve dhe
psikologëve), është një përvojë transformuese dhe intensive e ndjenjave të
forta, magjepsjes dhe dëshirës, shpesh e karakterizuar nga idealizimi i
partnerit, pasioni, dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje, duke shënuar shpesh
kalimin nga fëmijëria në rritje, plot me emocione të reja dhe ndonjëherë
dhimbje, por gjithmonë e paharrueshme".
-Kush është
qëllimi kryesor që ju merreni me këngë. Keni kaluar të 70-at dhe tregoni shumë
e re dhe zëri është po ai i bukur, me timbër dhe plot muzukialitet? Pra Parua
dhë kënga!...
Kënga është jeta ime, qëllimi im, misioni im, ëndrra ime e çdo dite. Që kur
fillova të këndoj unë se kam ndërprerë më këngën, sepse tek kënga gjej motivin
e jetës. Unë me këngën dua ti sjell popullit tim, qetësi, paqe, mirëkuptim;
larg halleve që i sjell politika. Ky popull i varfër dhe i sakrificës ka shumë
nevojë, për këngë, për gëzim, për atmosferë festive. Kur shikon lajmet në
televizion shikon politikanë që zihen, kronika të zeza, korrupsion dhe pak
këngë. Nga mëngjesi në darkë jemi të ngarkuar me lajme tronditëse, që na
rrënojnë shpirtin dhe athere patjetër që kënga mund tua heq trishtimin
shqiptarëve. Pra ndaj këndoj, ndaj sjell këngë të reja ndaj dua që të mos
rresht së kënduari. Në shumë koncerte dëgjoj shumë njerëz që thonë: larguam
stresin. U kënaqëm me këngë shqiptare larg zhurmës së politikanëve. Me të
vërtetë më vjen çudi se si këta politikanë nuk reagojnë kur shohin protestat
dhe mjerimin e popullit. Besojmë gjithmonë se e nesërmja do jetë më e mirë, por
gjithmonë zhgënjehemi. Dua që jeta e popullit tim të jetë si një këngë e bukur
larg prapaskenave të politikës. Dhe për të përcjellë këtë mesazh unë punoj
shumë, kaloj shumë kohë në studio me shokë, shoqe dhe kompozitorë. Pra puna ime
ka rezultat në grup. Sepse kënga ka poet, kompozitor dhe këngëtar që duhet të punojnë
në unitet. Puna, rezultatet nuk bëhen dhe nuk realizohen vetëm. Edhe unë kam
bërë emër në saj të kompozitorëve, poetëve këngëtarëve, që kam kënduar, grupit
me të cilin kam punuar. Këtu dua të ndalem tek grupi famoz i Bënçës, pasi aty
unë arrita kulmin e famës dhe të emrit. Pra ky emër ku sot ndihem e
respektuar, e kam marrë me këtë grup, me këngët e tij, me këngëtarët e tij, me
arritjet e grupit që kudo na prisnin me duartrokitje. Pra ky emër, ky titull
është dhe pjesë e tyre, këtë e them me shpirt.
-Keni kohë që jeni vendosur në Tiranë, ju mungon Tepelena dhe si ndiheni
sot në kryeqytet?
Unë e kam gjetur shumë mirë veten në Tiranë. Tepelena më mungon shumë,
por arti do hapësirë, do komunikim do ambiente, ndaj mund të them se sot ndihem
më mirë për atin këtu në kryeqytet këtu arti është shumë masiv. Tirana të
krijon shukmë mundësi për aktivitete. Tepelena është qytet i pastër, i bukur,
me natyrë përrallore, me ujë kristal, me mish të rrallë, por i mungon pjesa
aktive e artit. Unë pa art, pa muzikë nuk mund të rri. Të dyja në një kohë nuk
mund t'i kesh dhe Tiranën dhe Tepelenën. Por unë edhe në Tepelenë shkoj shpesh.
Parua këndon dhe këngë popullore, por edhe polifonike. Ju
këndoni kudo ku ka shqiptarë në mërgim. Cilat janë këngët më të preferuara që i
kërkojnë Paros të këndojë në aktivitete, festa, dasma apo dhe në emisione të
ndryshme? Këngët popullorë apo polifonike?
Unëi dashuroj njëlloj të gjitha. Këngët për mua janë si fëmijët për nënën.
Të them të vërtetën më shumë më kërkojnë polifoninë. Deri dje mendoja se
polifonia është këngë e thjeshtë, këngë që nuk do shumë angazhim artistik. Por
tani që kam kërkesa dhe në raste të veçanta nuk kam kthyesin, pritësin apo ata
që mbajnë iso si duhet shikoj se kënga stonon. Tek polifonia është ky kthyesi.
Në polifoni rolin e kthyesit nuk e bën kushdo, madje ka rëndësi po aq sa
marrësi. Rolin e kthyesit e bëjnë shumë pak, ata janë njerëz të lindur te
trevës së Labërisë. Këta njerëz, këngëtarë të polifonisë mund t'i gjesh në
Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë. Me ato karakteristika zëri të veçantë.
Kthyesi luan atë rol, që luan tastiera tek kënga e muzikuar, që do kohën kur të
fillosh ose kur ta ndërpresësh këngën. Pra kthyesi luan rolin e ritmit të
këngës si tastiera. Sot jam e bindur plotësisht se polifonia nuk bëhet pa
kthyesin profesionist. Kthyesi është lezeti i këngës dhe këtë e kupton çdo
njeri që e këndon polifoninë dhe që e ndjek atë në vijimësi. Kur fillon isua
duket sikur nuk ka rol, por veshi i stërvitur e kap atë. Pra si ruhet ritmi i
muzikës, ruhet dhe ritmi i polifonisë nga kthyesi, ndryshe nuk del
polifonia. Nuk them se çdo kthyes duhet të jetë perfekt, por kur nuk është
me ty gjithmonë, ai kthyesi profesionist, ti e ndjen që kënga nuk ecën si
duhet, shumë nga publiku nuk e kupton. Pra ky është roli i kthyesit. Ai të jep
kohën e duhur në polifoni nis po nuk e kap kënga dështon, bllokohet kënga. Ajo,
oooooooooooo-ja, e zgjatur të jep kohën, masën se kur duhet të hysh sërish
në këngë. Pra të jep kohën e kalimit nga strofa në strofë. Këtu dua të them se
janë të lidhur, marrësi, kthyesi, duhet të jenë në sinkron. Ndaj mund të them
se polifonia sot kërkohet po aq sa kënga popullore. Sidomos në zonën e Labërisë
po. Ndoshta është dhe ajo që shumica më njohin me ato këngë të dëgjuara,
të bukura, të cilat kanë lënë gjurmë në këtë trevë. Shumë kanë nostalgji për të
shkuarën, e kujtojnë me shumë dëshirë. Por unë këndoj me aq dëshirë dhe pathos
si këngën popullore dhe polifoninë. Tek polifonia shkrihem tek kënga popullore
plotësoj veten.
- Ju folët për shumë aktivitete jashtë Atdheut, pra në
emigracion. Mund ta dimë se ku është e kërkuar Parua jashtë në cilin vend të
botës ku ka shqiptarë?
- Unë kam qenë në shumë shtete të botës. Që nga Amerika, Italia,
Gjermania, pa diskutuar Greqinë që jam si në shtëpinë time. Pra jam kudo e
kërkuar dhe e mirëpritur, por nuk shkoj kudo. Ka vende të largëta që tashmë nuk
i preferoj.
-Thonë që nga vokali Paro është si 40-vjeç, ka ndonjë sekret?
-Jo, asnjë sekret. Zërin ma ka dhënë natyra, ma ka dhënë zoti. Unë mundohem
ta ruaj. Pra për këtë vokal pëlqehen këngët e mia, për këtë vokal mua më ftojnë
kudo. Tjetra është se unë kam dashuri për artin, për këngën. E adhuroj muzikën
dhe i jap shumë dashuri dhe ajo ma shpërblen me të njëjtën monedhë. Të isha pak
më e re në këto vite besoj se do kisha dhënë më shumë. Sot ka më shumë
hapësira, ka lëvizje, ka mënyra të ndryshme të komunikimit dhe reklamës, ndaj
po të isha e re besoj se do kisha më shumë rezultate. Pra do kisha bërë art të
vërtetë.
- E ke menduar veten jashtë Shqipërisë?
Jo, kurrë. As e mendoj. Nuk e ndërroj Shqipërinë me asgjë. Këtu kam miqtë,
farefisin, kam të afrim këtu kam ata me të cilët punoj. Këtu kam këngën. E
shumta kur shkoj qëndroj 15 ditë dhe mërzitem.
-Ju disa këngë i keni bërë vetë. Parua është dhe poete?
Unë s'jam poete, por i dua poezitë, sepse ato janë tharmi i këngës. janë
mjalti i këngës. S'mund të jetë kurrë e bukur një këngë që nuk ka tekst të
bukur. Ajo mund të pëlqehet por kurrë s'merr notat më të larta të vlerësimit.
Ndaj dhe poetët janë udhërrëfyesit e këngës, e notës së saj.
-Cilët janë kompozitorët dhe
këngëtarët që ke më shumë bashkëpunime dhe cila është tabloja e punës, apo më
mirë të themi e arkivit tuaj 55-vjeçar në skenë?
-Në vite kam bashkëpunuar me kompozitorët Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc
Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban Hoxhaj, etj. Bashkëpunim me këngën
popullore ka me grupin "Djemtë e Vjosës" dhe me këngëtarët Silva
Gunbardhi, Dule Malindi, Adriana Kureta, etj...Në rreth 55 vite në skenë, kam
kënduar rreth 450 këngë polifonike, 105 këngë popullore dhe si kantautorë kam
në repertor 100 këngë. Kam qenë pjesëtare dy herë në "Maratonën e këngës
Popullore" të organizuar nga TV 'Klan'. Në vitin 2016 nga Presidenti
Nishani mora titullin "Mjeshtre e Madhe". Pra ndihem e motivuar, me
plot miq dhe mikesha, e rrethuar me ngrohtësi dhe kujdes. Kur ke miq të mirë,
fëmijë të mirë, jeta bëhet e bukur. Dhe pse djalin e kam larg, ai me fëmijët e
tij është në çdo minutë pranë meje, pasi mjetet e komunikimit janë të shumta
dhe më duket sikur i kam në shtëpi në çdo kohë. Më mungon puthja në mëngjes e
nipërve, por largësinë nuk e ndjej pasi në celular kam qindra foto dhe regjistrime
me ta. Sot e rrethuar me kaq shumë miq më duket sikur vitet kanë ngelur në
vend, sikur ato janë thjesht numra.
Kanë thënë për Paro Ziflaj:
-Margarita Xhepa "Nderi i
Kombit"
Parua është një grua zonjë me zë të rrallë. Ka zë të bukur, shpirt të
bukur, ndaj nuk njeh plakje. Ajo kudo që këndon jep jetë, jep pjesë nga shpirti
i saj. Kur e dëgjon të emocionon dhe të zgjat jetën. Këngëtare të tilla janë të
rralla dhe të përcjellin besim në vetvete, por dhe dëshirë për të jetuar.
Luftar Paja, "Artist
i Popullit"
Zërin e Paro e kam admiruar që kur ka dalë për herë të parë në skenë. Më ka
befasuar që një vajzë e brishtë shtatshkurtër të kishte një zë aq të bukur sa
të trondiste. Ajo hyn në plejadën e këngëtarëve brilante të këngës labe që koha
po i jep vendin që i takon. Këngëtare të tilla janë nderi i Atdheut ndaj ne
duhet t'i respektojmë
-Golik Jaupi "Mjeshtër i Madh"
Parua erdhi në këngën labe si një Pranverë e hershme. Ajo lulëzoi dhe u
rrit me këtë këngë. Ajo në grupin tonë përbënte Borëbardhën. që lezetonte çdo
varg tonin. Parua do të mbetet si yll i spikatur në tërë historinë e këngës
labe.
Ylli Baka
Kur isha i ri e dëgjoja me ëndje. Habitesha me timbrin dhe fuqinë e zërit
të saj. Por mbi të gjitha ajo ka një zë melodioz që mund ta dallosh në çdo
moment. Ndihem krenar që në shumë skena të botës kam kënduar me të. Ajo mbetet
një Zanë në këngën labe dhe atë popullore.
Petrit Lulo
Parua ka zë thëllëze dhe shpirt të madh. Si këngëtare dhe si njeri ajo
përbën një veçanti që të detyron ta respektosh. Këngëtare si ajo janë të rralla
dhe në mesin tonë ajo mbetet e respektuar.









