Kulturë
Ajete Zogaj: Një copëz historie nga errësira e burgut
E premte, 26.12.2025, 04:56 PM
NJË COPËZ HISTORIE NGA ERRËSIRA E BURGUT
Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për
Martinën” (Një biografi romanore për
babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025
"Topi
që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria"
N. Frashëri
Nga
Ajete ZOGAJ- Kritike letrare
Letrat- zgjim i kujtesës
Sabile
Keçmezi Basha, e njohur me studimet e saj në fushën e historisë, poezisë e
dramës, para lexuesit vjen me romanin e dytë mjaft të realizuar, "45 letra
për Martinën" (Një biografi romanore për babanë tim), i cili është një
prurje e arrirë dhe mjaft e veçantë në fushën e romanit shqiptar në
Kosovë.
Kësaj radhe, Sabilja, me profesion
historiane, ka zgjedhur letrat e një të burgosuri t'i kthej në roman të formës
epistolare, duke i bërë një zgjim kujtese vuajtjeve dhe katrahurave që përjetuam
si popull e si komb gjatë historisë.
Në
fakt, janë 45 letra, të cilat personazhi kryesori Liri, i burgosur politik, që
në moshë të re, ia shkruan së bijës Martinës (edhe pse kur i shkroi këto letra,
ai nuk ishte i martuar). Letra në këtë roman, është një copëz historie nga
errësira e burgut, ku torturat janë çnjerëzore, e qëndresa e Lirit dhe shokëve
të tij, është stoike, është rreze lirie në krahët e atdheut.
Struktura artistike e
romanit
Romani
fillon me “Amanetin e babait” ku autorja fillon rrëfimin me ngrohtësinë e
gjyshes e cila është ‘nismëtarja’ e parë e rrjedhës së rrëfimit në roman, rrëfim
që lidhej më rrënjët e familjes së Lirit, emrit Martinë për të bijën, ”Ky emër
nuk ishte thjeshtë një zgjedhje, por një frymë që buronte nga thellësia e
shpirtit të tij, një dëshirë e pastër dhe e kristaltë, e ngulitur në mendjen e
tij me kujdes e dashuri.”[1] Momenti i dhurimit të
letrave nga gjyshja, Martinës, shënon një akt të rëndësishëm, për ta përgatitur dhe mbajtur të lidhur
lexuesin deri në fund të leximit, një
element të cilin e gërsheton bukur autorja Sabile Keçmezi Basha.
Dialogu
i zhvilluar mes gjyshes dhe Martinës, që në fillim shpërfaq rëndësinë e këtyre
letrave,” Ah, margaritar më paska ruajtur”, - thashë me një buzëqeshje të lehtë,
për të prishur atë re të errët që na mbulonte. ”Po”- u përgjigj gjyshja me një
qetësi të ngrohtë, “babai yt s’të la stoli prej ari, por kjo që ai të la është
më e vlefshme se floriri”[2]
Letrat
(rrëfimet përmes tyre) janë një akt i rezistencës titanike dhe qëndrimit burrëror
të Lirit dhe shokëve të tij të idealit, në përpjekje për të ruajtur nderin, dinjitetin
dhe idealin e çmuar për lirinë, kundër shtypjes e robërisë, një rezistencë
gandiane, ndaj një çmendurie të një
sistemi të tërë shtetëror vrasës e kriminal. Është një dialog mes një babai të mbyllur
fizikisht, i cili ka zgjedhur letrat për vajzën e pa-lindur, me çka autorja i
jep romanit ngjyrim filozofik e poetik, që në mënyrë figurative, këto letra i
drejtohen të ardhmes, një jete të re që do të lindë në Kosovën e lirë, pa
sundues e vrastarë.
Ngjarja
e romanit trajton kohën e pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kurse letra e parë është “Rruga për Tivar”, në të
cilën letër babai i shkruan së bijës Martinës
për vitin e ftoftë të tetorit të vitit 1945, për tradhtinë që iu bë shqiptarëve
të Kosovës, shpjegon pse ka vendosur ta thërras Martinë, duke e lidhur me forcën,
me qëndresën, me pushkën e vjetër të cilën stërgjyshërit dhe gjenerata e
gjenerata ishin detyruar ta mbanin në mbrojtje të shtëpisë, të nderit e
dinjitetit të familjes e të kombit. Ja se si e përshkruan rrugën për Tivar në
letrën e tij, “Tmerr, Martinë, o Zot, çfarë tmerri! I pashë me sytë e mi
opingat e Balit, që pluskonin mbi ujë, strajcën e Tonit, që rrëshqiste nëpër
valë, krahun e këputur të Nezës dhe trutë e shkapërderdhura të bacalokut, që
edhe në pleqëri, na jepte kurajë.”[3]
Martina
është personazhi kryesor i këtij romani, e cila përfaqëson fëmijën e pa-lindur, të ardhmen dhe lirinë. Është ajo që dëshminë e letrave
nga babai do t’ua përcjell brezave, si një trashëgimi të ndritur të luftës dhe
qëndresës së shqiptarëve në shekuj. Liri, është një tjetër personazh i dashur
rreth së cilit ndërtohet i tërë subjekti i romanit. Derisa në muret e burgut
trupi i tij është i kufizuar, mendimi i tij është i lirë, i pakufizuar, ideali
i tij i çeliktë, i tmerron gardianët dhe hetuesit, sepse ai është i vendosur që
për asnjë çmim të mos i tregoj shokët, sepse e kishin lidhë besën. Ai qëndron i
pathyeshëm edhe kur e torturojnë mizorisht, edhe kur i lëshojnë mijtë në qelinë
e errët dhe kur gjakoset nga kafshimi i tyre. Qëndron edhe pse i ri në moshë,
para vrasjes mizore në Tivarin e përgjakur, edhe kur i mbysin në torturë shokun e tij
Bardhin(vdekja e Bardhit e kishte lënduar shumë), por nuk jepej para xhelatëve.
Ai është një baba fisnik, bujar, një njeri atdhetar që nuk e udhëzon të bijën
me urrejtjen, por me dinjitetin, që e këshillon të jetë e ditur, jo vetëm për
vetën e saj, por edhe për të tjerët.
Letrat
e Lirit nga burgu për të bijën e pa-lindur Martinën, krijojnë një rezistencë të
heshtur që flet më shumë se mijëra fjalë.
Në këto letra, shpaloset një revoltë ndaj dhunës së shfrenuar të një
sistemi gjakatar të regjimit serb që tenton ta shkatërroj individin, familjen
dhe qenien shqiptare. Këto letra janë një
kujtesë kolektive për të mos e harruar të
kaluarën, sepse ai që harron të kaluarën është i dënuar t’i përsëritet
historia.
Përmes
letrave nga burgu, babai shkruan së bijës,
krijon komunikim dhe histori përmes fjalës,
sepse fjala nuk njeh burg as robëri. “E vërteta
është se kështu mendoja: dashuria për atdheun ishte më e madhe se çdo dashuri tjetër që njeh njeriu. Ajo ishte si një flakë që
ngrohte edhe në errësirën më të thellë, një dritë që ndriçonte çdo hap të rrugës
sime.”[4]
Ai
i shkruan për jetën në burg, për të burgosurit e tjerë sidomos serb që ishin si
bishat, për Hansin ( I burgosur gjerman) që Lirit i mëson gjermanishten dhe matematikën,
por edhe e mbron nga sulmet që i bëjnë të burgosurit serb, për torturuesin e të
burgosurve shqiptar Radojën, për padrejtësitë,
për dhimbjen, por edhe për shpresën, për shpresën që një ditë do të kthehej në
shtëpi. Së këndejmi, dhimbja dhe vuajtjet e Lirit, janë dhimbja dhe vuajtjet e
shumë e shumë të burgosurve shqiptarë në kazamatet serbe. Jeta e Lirit është e
rëndë edhe pas daljes nga burgu. Atë e pret puna e rëndë në minierë për të
siguruar ekzistencën e familjes, pastaj pason martesa me Zojën, lindja e djalit
Bardhit (emër i shokut të burgut) vdekja e tij, pastaj lindja e Martinës,
vdekja e Zojës, martesa me Erën, vdekja e djalit të dytë, lindja e vajzës së
dytë, si dhe akti më i dhimbshëm, vdekja (e montuar nga regjimi i Lirit) nën
rimorkion e traktorit.
Janë
skena të shumta ato që paraqiten artistikisht nga autorja Sabile Keçmezi –
Basha, duke e bërë romanin të dashur për lexuesin e një vlerë e çmuar për letërsinë
shqipe.
Gjuha dhe figurat
stilistike
Forma
epistolare e romanit, e shndërron lexuesin në pjesëmarrës në përjetimet e
teksteve të letrave, duke njësuar me botën e personazheve.
Tekstet
janë hartuar me shumë kujdes, me një
gjuhë të thjeshtë, por jo e lehtë, me ngjyrim emocional që e përjeton thellësisht
lexuesi, që në brendësi ruan poetikën, ku heshtja dhe pesha e rëndë e burgut është
po aq domethënëse sa fjala.
Në
tekst janë dhënë përshkrime e metafora të cilat autorja i ka përdorur në vendin
e duhur dhe kohën e duhur, si: “Vërtet, nata kishte veshë, e dita kishte sy...”[5](metaforë), “si një
brazdë në zemrën e saj...”[6], “Sepse nëna jote, jo
vetëm që ishte e bukur, por ishte edhe fisnike, me shpirte të pastër, që
ndriçonte gjithçka për rreth. Ishte e gjatë si lisi që sfidon erërat, me flokë
të zinj, si netët e thella të maleve tona, dhe fytyra e saj rrezatonte me një mirësjellje të rrallë, një bamirësi që
prekte shpirtin.”[7](përshkrim- krahasim)
Me
një fjalë, përmes gjuhës së figurshme, çdo fjali duket sikur mban peshën e një
përvoje të përjetuar thellë. Ritmi i brendshëm i tekstit krijon një vazhdimësi
emocionale që e mban lexuesin të lidhur, jo përmes ngjarjes, por përmes
gjendjes shpirtërore.
Dimensioni
poetik i veprës shfaqet në metafora të qeta, në imazhe të thjeshta por
domethënëse, dhe në heshtjet mes rreshtave. Këto heshtje janë po aq të
rëndësishme sa fjala e shkruar, ku leximi i këtij romani nuk të imponohet, por
lexohet thellë dhe përjetohet, ndjehet
dhe depërton thellë tek lexuesi. Madje tek lexon shumë herë të duket se sheh
skenat e burgut përmes leximit të letrave nga Martina, në këtë prizëm, një dorë
regjisori, këtë roman mund ta kthej në skenar filmi i cili do të dilte mjaft i
realizuar.
“Letrat....”
që të mbesin gjatë në mendje
Libri
“45 letra për Martinën” është një akt kujtese, një pjesë
e asaj historie të dhimbshme por krenare e shkruar në errësirën e burgut, ku
fjala ishte ‘dritë’ dhe dëshmitare e një të kaluare të hidhur, për t’u përcjellë
tek brezat rinj, për të treguar çmimin e
lirisë e dashurinë ndaj atdheut!
Autorja
nuk kërkon ta idealizojë të shkuarën, atë e vendos përball vetës, në formë
romanore, e trajton pa iluzione dhe e shndërron në tekst. Në këtë
rrafsh, libri tejkalon historinë personale dhe bëhet pjesë e historisë së
përbotshme.
Romani
“45 letra për Martinën” i Sabile
Keçmezit-Bashes, pasqyron përvojën e burgut politik në mënyrë epistolare në formë
romanore, si dhe fuqinë e fjalës e cila
nuk njeh terrin e burgut. Është dritë e së vërtetës!
“45
letra për Martinën” është një roman ku fjala e shkruar bëhet udhërrëfyese e strehë
për të dëshmuar të vërtetën, ndërkaq, letra
si ajo ara e mirë, behet atdhe për të burgosurin. Martina së cilës shkruhen
këto letra, në mënyrë artistike, bëhet përcjellëse dhe dëshmitare e një regjimi vrastar.
Është
një vepër që nuk kërkon vetëm të lexohet, por edhe të përjetohet thellë si
vepër arti, sepse gjuha e artit është gjuha më përfaqësuese e shpirtit krijues, ngase aty ku trupi është i burgosur, fjala mbetet e
lirë , duke reflektuar të vërtetën nga errësira, duke dhënë rreze drite për të
ardhmen!
Prishtinë, 24.12.2025
[1] Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për
Martinën” (Një biografi romanore për
babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025, fq.7
[2] Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për
Martinën” (Një biografi romanore për
babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025, fq.13
[3] Po aty, fq.34.
[4] Po aty, fq.92
[5] Po aty,
fq.27,
[6] Po aty, fq.6
[7] Po aty, fq.
189









