E premte, 26.12.2025, 09:17 PM (GMT)

Kulturë

Ajete Zogaj: Një copëz historie nga errësira e burgut

E premte, 26.12.2025, 04:56 PM


NJË COPËZ HISTORIE NGA ERRËSIRA E BURGUT

Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për Martinën” (Një biografi romanore  për babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025

"Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria" N. Frashëri 

Nga Ajete ZOGAJ- Kritike letrare

Letrat- zgjim i kujtesës

Sabile Keçmezi Basha, e njohur me studimet e saj në fushën e historisë, poezisë e dramës, para lexuesit vjen me romanin e dytë mjaft të realizuar, "45 letra për Martinën" (Një biografi romanore për babanë tim), i cili është një prurje e arrirë dhe mjaft e veçantë në fushën e romanit shqiptar në  Kosovë.

Kësaj radhe, Sabilja, me profesion historiane, ka zgjedhur letrat e një të burgosuri t'i kthej në roman të formës epistolare, duke i bërë një zgjim kujtese vuajtjeve dhe katrahurave që përjetuam si popull e si komb gjatë historisë.

Në fakt, janë 45 letra, të cilat personazhi kryesori Liri, i burgosur politik, që në moshë të re, ia shkruan së bijës Martinës (edhe pse kur i shkroi këto letra, ai nuk ishte i martuar). Letra në këtë roman, është një copëz historie nga errësira e burgut, ku torturat janë çnjerëzore, e qëndresa e Lirit dhe shokëve të tij, është stoike, është rreze lirie në krahët e atdheut.

Struktura artistike e romanit

Romani fillon me “Amanetin e babait” ku autorja fillon rrëfimin me ngrohtësinë e gjyshes e cila është ‘nismëtarja’ e parë e rrjedhës së rrëfimit në roman, rrëfim që lidhej më rrënjët e familjes së Lirit, emrit Martinë për të bijën, ”Ky emër nuk ishte thjeshtë një zgjedhje, por një frymë që buronte nga thellësia e shpirtit të tij, një dëshirë e pastër dhe e kristaltë, e ngulitur në mendjen e tij me kujdes e dashuri.”[1] Momenti i dhurimit të letrave nga gjyshja, Martinës, shënon një akt të rëndësishëm, për ta përgatitur dhe mbajtur të lidhur lexuesin deri në fund të leximit, një element të cilin e gërsheton bukur autorja Sabile Keçmezi Basha.

Dialogu i zhvilluar mes gjyshes dhe Martinës, që në fillim shpërfaq rëndësinë e këtyre letrave,” Ah, margaritar më paska ruajtur”, - thashë me një buzëqeshje të lehtë, për të prishur atë re të errët që na mbulonte. ”Po”- u përgjigj gjyshja me një qetësi të ngrohtë, “babai yt s’të la stoli prej ari, por kjo që ai të la është më e vlefshme se floriri”[2]

Letrat (rrëfimet përmes tyre) janë një akt i rezistencës titanike dhe qëndrimit burrëror të Lirit dhe shokëve të tij të idealit, në përpjekje për të ruajtur nderin, dinjitetin dhe idealin e çmuar për lirinë, kundër shtypjes e robërisë, një rezistencë gandiane, ndaj  një çmendurie të një sistemi të tërë shtetëror vrasës e kriminal. Është një dialog mes një babai të mbyllur fizikisht, i cili ka zgjedhur letrat për vajzën e pa-lindur, me çka autorja i jep romanit ngjyrim filozofik e poetik, që në mënyrë figurative, këto letra i drejtohen të ardhmes, një jete të re që do të lindë në Kosovën e lirë, pa sundues e vrastarë.

Ngjarja e romanit trajton kohën e pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kurse letra e parë është “Rruga për Tivar”, në të cilën letër babai  i shkruan së bijës Martinës për vitin e ftoftë të tetorit të vitit 1945, për tradhtinë që iu bë shqiptarëve të Kosovës, shpjegon pse ka vendosur ta thërras Martinë, duke e lidhur me forcën, me qëndresën, me pushkën e vjetër të cilën stërgjyshërit dhe gjenerata e gjenerata ishin detyruar ta mbanin në mbrojtje të shtëpisë, të nderit e dinjitetit të familjes e të kombit. Ja se si e përshkruan rrugën për Tivar në letrën e tij, “Tmerr, Martinë, o Zot, çfarë tmerri! I pashë me sytë e mi opingat e Balit, që pluskonin mbi ujë, strajcën e Tonit, që rrëshqiste nëpër valë, krahun e këputur të Nezës dhe trutë e shkapërderdhura të bacalokut, që edhe në pleqëri, na jepte kurajë.”[3]

Martina është personazhi kryesor i këtij romani, e cila përfaqëson  fëmijën e pa-lindur, të ardhmen  dhe lirinë. Është ajo që dëshminë e letrave nga babai do t’ua përcjell brezave, si një trashëgimi të ndritur të luftës dhe qëndresës së shqiptarëve në shekuj. Liri, është një tjetër personazh i dashur rreth së cilit ndërtohet i tërë subjekti i romanit. Derisa në muret e burgut trupi i tij është i kufizuar, mendimi i tij është i lirë, i pakufizuar, ideali i tij i çeliktë, i tmerron gardianët dhe hetuesit, sepse ai është i vendosur që për asnjë çmim të mos i tregoj shokët, sepse e kishin lidhë besën. Ai qëndron i pathyeshëm edhe kur e torturojnë mizorisht, edhe kur i lëshojnë mijtë në qelinë e errët dhe kur gjakoset nga kafshimi i tyre. Qëndron edhe pse i ri në moshë, para vrasjes mizore në Tivarin e përgjakur, edhe kur  i mbysin në torturë shokun e tij Bardhin(vdekja e Bardhit e kishte lënduar shumë), por nuk jepej para xhelatëve. Ai është një baba fisnik, bujar, një njeri atdhetar që nuk e udhëzon të bijën me urrejtjen, por me dinjitetin, që e këshillon të jetë e ditur, jo vetëm për vetën e saj, por edhe për të tjerët.

Letrat e Lirit nga burgu për të bijën e pa-lindur Martinën, krijojnë një rezistencë të heshtur që flet më shumë se mijëra fjalë.  Në këto letra, shpaloset një revoltë ndaj dhunës së shfrenuar të një sistemi gjakatar të regjimit serb që tenton ta shkatërroj individin, familjen dhe qenien shqiptare. Këto letra janë një kujtesë kolektive për të  mos e harruar të kaluarën, sepse ai që harron të kaluarën është i dënuar t’i përsëritet historia.

Përmes letrave nga burgu, babai shkruan së bijës, krijon komunikim dhe histori përmes  fjalës, sepse fjala  nuk njeh burg as robëri. “E vërteta është se kështu mendoja: dashuria për atdheun ishte më e madhe se çdo  dashuri tjetër që njeh njeriu. Ajo ishte si një flakë që ngrohte edhe në errësirën më të thellë, një dritë që ndriçonte çdo hap të rrugës sime.”[4]

Ai i shkruan për jetën në burg, për të burgosurit e tjerë sidomos serb që ishin si bishat, për Hansin ( I burgosur gjerman) që Lirit i mëson gjermanishten dhe matematikën, por edhe e mbron nga sulmet që i bëjnë të burgosurit serb, për torturuesin e të burgosurve shqiptar Radojën,  për padrejtësitë, për dhimbjen, por edhe për shpresën, për shpresën që një ditë do të kthehej në shtëpi. Së këndejmi, dhimbja dhe vuajtjet e Lirit, janë dhimbja dhe vuajtjet e shumë e shumë të burgosurve shqiptarë në kazamatet serbe. Jeta e Lirit është e rëndë edhe pas daljes nga burgu. Atë e pret puna e rëndë në minierë për të siguruar ekzistencën e familjes, pastaj pason martesa me Zojën, lindja e djalit Bardhit (emër i shokut të burgut) vdekja e tij, pastaj lindja e Martinës, vdekja e Zojës, martesa me Erën, vdekja e djalit të dytë, lindja e vajzës së dytë, si dhe akti më i dhimbshëm, vdekja (e montuar nga regjimi i Lirit) nën rimorkion e traktorit.

Janë skena të shumta ato që paraqiten artistikisht nga autorja Sabile Keçmezi – Basha, duke e bërë romanin të dashur për lexuesin e një vlerë e çmuar për letërsinë shqipe.

Gjuha dhe figurat stilistike

Forma epistolare e romanit, e shndërron lexuesin në pjesëmarrës në përjetimet e teksteve të letrave, duke njësuar me botën e personazheve.

Tekstet janë hartuar me  shumë kujdes, me një gjuhë të thjeshtë, por jo e lehtë, me ngjyrim emocional që e përjeton thellësisht lexuesi, që në brendësi ruan poetikën, ku heshtja dhe pesha e rëndë e burgut është po aq domethënëse sa fjala. 

Në tekst janë dhënë përshkrime e metafora të cilat autorja i ka përdorur në vendin e duhur dhe kohën e duhur, si: “Vërtet, nata kishte veshë, e dita kishte sy...”[5](metaforë), “si një brazdë në zemrën e saj...”[6], “Sepse nëna jote, jo vetëm që ishte e bukur, por ishte edhe fisnike, me shpirte të pastër, që ndriçonte gjithçka për rreth. Ishte e gjatë si lisi që sfidon erërat, me flokë të zinj, si netët e thella të maleve tona, dhe fytyra e saj rrezatonte me  një mirësjellje të rrallë, një bamirësi që prekte shpirtin.”[7](përshkrim- krahasim)

Me një fjalë, përmes gjuhës së figurshme, çdo fjali duket sikur mban peshën e një përvoje të përjetuar thellë. Ritmi i brendshëm i tekstit krijon një vazhdimësi emocionale që e mban lexuesin të lidhur, jo përmes ngjarjes, por përmes gjendjes shpirtërore.

Dimensioni poetik i veprës shfaqet në metafora të qeta, në imazhe të thjeshta por domethënëse, dhe në heshtjet mes rreshtave. Këto heshtje janë po aq të rëndësishme sa fjala e shkruar, ku leximi i këtij romani nuk të imponohet, por lexohet thellë  dhe përjetohet, ndjehet dhe depërton thellë tek lexuesi. Madje tek lexon shumë herë të duket se sheh skenat e burgut përmes leximit të letrave nga Martina, në këtë prizëm, një dorë regjisori, këtë roman mund ta kthej në skenar filmi i cili do të dilte mjaft i realizuar.

“Letrat....” që të mbesin gjatë në mendje

Libri “45 letra për Martinën” është një akt kujtese, një pjesë e asaj historie të dhimbshme por krenare e shkruar në errësirën e burgut, ku fjala ishte ‘dritë’ dhe dëshmitare e një të kaluare të hidhur, për t’u përcjellë tek brezat  rinj, për të treguar çmimin e lirisë e dashurinë ndaj atdheut!

Autorja nuk kërkon ta idealizojë të shkuarën, atë e vendos përball vetës, në formë romanore,  e trajton  pa iluzione dhe e shndërron në tekst. Në këtë rrafsh, libri tejkalon historinë personale dhe bëhet pjesë e historisë së përbotshme.

Romani “45 letra për Martinën” i Sabile Keçmezit-Bashes, pasqyron përvojën e burgut politik në mënyrë epistolare në formë romanore, si  dhe fuqinë e fjalës e cila nuk njeh terrin e burgut. Është dritë e së vërtetës!

“45 letra për Martinën” është një roman ku fjala e shkruar bëhet udhërrëfyese e  strehë për të dëshmuar të vërtetën, ndërkaq, letra si ajo ara e mirë, behet atdhe për të burgosurin. Martina së cilës shkruhen këto letra, në mënyrë artistike, bëhet përcjellëse  dhe dëshmitare e një regjimi vrastar.

Është një vepër që nuk kërkon vetëm të lexohet, por edhe të përjetohet thellë si vepër arti, sepse gjuha e artit është gjuha më përfaqësuese e shpirtit krijues, ngase aty ku trupi është i burgosur, fjala mbetet e lirë , duke reflektuar të vërtetën nga errësira, duke dhënë rreze drite për të ardhmen!

Prishtinë, 24.12.2025



[1] Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për Martinën” (Një biografi romanore  për babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025, fq.7

[2] Sabile Keçmezi- Basha, " 45 letra për Martinën” (Një biografi romanore  për babanë tim), Botoi Sh.B “Rozafa” Prishtinë, 2025, fq.13

[3] Po aty, fq.34.

[4] Po aty, fq.92

[5] Po aty, fq.27,

[6] Po aty, fq.6

[7] Po aty, fq. 189



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx