E marte, 23.12.2025, 10:40 PM (GMT)

Kulturë

Eduard M. Dilo: Dikur në Sheper

E marte, 23.12.2025, 04:57 PM


DIKUR NË SHEPER*

Nga Eduard M. Dilo

Dhjetori zakonisht vinte i ngarkuar me dëborë. Dëbora shpesh kalonte mbi një metër dhe ne detyroheshim të hapnim rrugët për të shkuar te kroi,(Llagaturati), për të mbushur ujë, si dhe shtigjet drejt ndertesave të vogla ku mbanim kafshët shtëpiake. Detyroheshim gjithashtu që të pastronim dëborën e shumtë që mbulonte çatitë.

Shkollat mbylleshin për disa ditë dhe kohën e kalonim herë brenda shtëpisë, pranë oxhakut me zjarr,  ku plot kënaqësi hanim diçka, si arrë, rrush, qershi të thara, piqnim në prush vezë, patate e qepë, e herë jashtë, duke luajtur nëpër dëborë.

Ndonjëherë ngrinim edhe ndonjë grackë, me shpresën për të kapur ndonjë thëllëzë.

Zogjtë nëpër shkurre cicëronin të menduar dhe, sa herë i shikonim, u hidhnim thërrime nga buka jonë për t'i ushqyer.

Çufi, qeni ynë tepër i veçantë, (i racës Airedale), i bukur dhe shumë inteligent , dilte me ne nëpër vreshta dhe shpesh na sillte pranë ndonjë lepur — vetëm për ta parë, sepse nuk kishim çifte.

Në këtë atmosferë, mes bardhësisë  dhe shkëlqimit kur binte dielli, afronin ditët e bukura të Krishtlindjes dhe po ashtu ndërrimi i viteve, Viti i Ri.

Por, Krishtlindja ishte rreptësisht e ndaluar dhe e dënueshme të festohej në Shqipërinë tonë, i vetmi shtet në botë që e shpalli veten zyrtarisht një shtet ateist kushtetuesisht (1967-1990),ku sundonte diktatura më e egër në rruzull.

Gëzimi ynë shtohej edhe më shumë, sepse në shtëpi ktheheshin pjesëtarët e tjerë të familjes: vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë që studionin në qytet. Ishin pushimet dimërore...

Shtëpia mbushej me zëra, me të qeshura dhe me lëvizje. Oxhaku nuk fikej pothuajse fare dhe era e druve të djegura përzihej me aromën e gatimeve që përgatiteshin për festa. Nëna  lëvizte pa pushim, ndërsa ne të vegjlit rrinin rreth e rrotull, duke pritur momentin kur gjithçka do të ishte gati.

Mbrëmjet ishin më të bukurat. Rrinim të gjithë bashkë, duke dëgjuar tregime të vjetra, kujtime nga koha e prindërve dhe gjyshërve, ndërsa jashtë dëbora vazhdonte të binte pa zhurmë.

Ndonjëherë dritat fikeshin dhe flaka e zjarrit bëhej i vetmi burim drite, duke i dhënë dhomës një ngrohtësi të veçantë.

Kur afrohej nata e Vitit të Ri, pritja bëhej edhe më e madhe. Nuk kishim shumë gjëra, por kishim gëzim. Një tryezë e thjeshtë, e shtruar bukur e plot hijeshi nga Nëna,  (ndihmonte dhe motra me ato doçkat e vogla), disa ëmbëlsira shtëpie dhe shpresa se viti i ri do të sillte ditë më të mira.

Në mesnatë, pa fishekzjarre e pa zhurmë, uronim njëri-tjetrin me buzëqeshje të sinqerta. Jashtë gjithçka ishte e bardhë dhe e qetë, ndërsa brenda shtëpisë ndiheshim të plotë. Ishin ato momente të thjeshta që, edhe sot, mbeten më të paharrueshmet.

Ne të vegjlit flinim shpejt në darkë që të  zgjoheshim herët dhe të shikonim pakot që do të na "sillte" plaku i Vitit të Ri, ashtu siç e imagjinonim ne...

Çufi ishte gjithmonë i pari që zgjohej në mëngjes. Para se dikush të hapte sytë, dëgjohej zhurma e tij te dera  në oborr dhe lehja e lehtë, sikur donte të na thoshte se dita kishte ardhur. Ishte një qen jo shumë i madh, me qime të dendura që e mbronin nga të ftohtit dhe me sy të zgjuar, që dukeshin sikur kuptonin çdo fjalë që thuhej rreth tij.

Kur dilnim jashtë, ai na priste gjithmonë pranë derës, duke tundur bishtin dhe duke u hedhur me gëzim fëmije.

Na shoqëronte kudo: te kroi, nëpër vreshta, tek shtepia e xhaxhait kur shkonim çdo herë në fshatin tjetër.

Në ditë feste dukej edhe më i hareshëm, sikur e ndiente që shtëpia ishte plot dhe se diçka e veçantë po ndodhte.

Atë ditë, shtëpia ishte zgjuar herët. Nëna  kishte nisur përgatitjet që pa gdhirë mirë:

tava me patate e mish si dhe lakrori piqeshin në saç (aty futej edhe një lek; kujt i binte në pjesë, thuhej se do t'i shkonte mbarë viti).

Gatimet zinin vend në fërnellën me vajguri dhe era e tyre përhapej në çdo cep.

Ne rrinim rrotull, herë duke ndihmuar e herë duke u fshehur nga ndonjë punë e vogël që na caktohej.

Çufi nuk largohej nga kolibja tek oborri. Herë shtrihej pranë derës, herë ngrihej e shikonte rrugën, sikur priste ndonjë të ftuar tjetër.

Sa herë dëgjohej ndonjë hap, ai ngrinte veshët dhe vraponte përpara, por gjithmonë kthehej qetë, me të njëjtën besnikëri.

Në mesditë, kur të gjithë u ulëm në tryezë, dera mbeti pak hapur. Çufi u afrua ngadalë dhe u shtri pranë pragut, pa bërë zë.

Askush nuk i tha asgjë. Ishte pjesë e festës, si zjarri në oxhak dhe zërat tanë të bashkuar. Dikush i vendosi në pjatën që kishim për të, një copë mish  dhe ai e mori, e hante me kujdes, sikur të kuptonte se ajo ditë kishte rregulla të tjera.

Pas drekës, dolëm sërish jashtë. Dëbora shkëlqente dhe heshtja ishte e thellë. Çufi vraponte përpara nesh, ndalonte, kthehej, na priste dhe nisej përsëri. Në një moment u zhduk pas një shkurreje dhe u kthye me një lepur të vogël në gojë, të gjallë. E la pranë nesh dhe u ul, duke na parë drejt e në sy. Nuk ishte gjueti-ishte dhuratë.

Ne e shikuam, qeshëm, e përgëzuam Çufin dhe e lamë lepurin të ikte. Çufi na pa, por nuk u mërzit. U ngrit dhe na ndoqi sërish, i qetë.

Në mbrëmje, kur u kthyem në shtëpi, ai u shtri pranë oxhakut. Flaka pasqyrohej në sytë e tij dhe ne rrinim të heshtur për pak çaste. Jashtë, dëbora binte përsëri.

Brenda, festa vazhdonte thjesht, me fjalë të ngrohta dhe ndjenja të pastra.

Dhe Çufi ishte aty — roje, shok dhe kujtim — pjesë e asaj kohe që nuk kthehet më, por që jeton gjithmonë brenda nesh.

Sheper, 1977( foto edmadisi)

*Sheper, fshat në Zagori Gjirokastër.

Vendlindja e Andon Zako Çajupit, Ilia Dilo Sheperit, Aristidh Rrucit, Pano Xhamballo's, Jani Dilo etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx