Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Martin Camaj
E enjte, 18.12.2025, 07:00 PM

100-vjetori i lindjes
MARTIN CAMAJ
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Martin Camaj lindi në Temalit të
Dukagjinit, në Alpet e veriut më 13 ose 21 korrik të vitit 1925. Vdiq në Munih,
më 12 mars 1992. Është shkrimtar, gjuhëtar dhe filolog. Ka qenë i treti prej
shtatë fëmijëve të Kolë Camës dhe Terezës. Prindërit ishin nga Shllaku. Më 1935
u vendos në Shkodër ku ndoqi shkollimin në Kolegjin Saverian. Pesë vitet në
vijim ndoqi gjimnazin. Studimet i vijoi në liceun klasik të kolegjit. Në vitin
1946 shteti komunist i mbyll institucionet fetare në Shkodër. Camaj e ndërpret
shkollimin. Deri në vitin 1948 punoi si mësues në Prekal. Me çetën e Gjon
Destanishës*, mori pjesë në qëndresën kundër partizanëve komunistë. Në
vitin 1948 u arratis nga Shqipëria. U vendos në Jugosllavi. Që atëherë, nuk kontaktoi
me familjen. Në vitin 1949 kryen në Pejë një kurs tremujor për mësues. Në vitet
1949-1950 punon si mësues në Tuz. Në vitin 1950 regjistrohet në Fakultetin
Filologjik të Universitetit të Beogradit, në degën e romanistikës dhe të
ballkanologjisë. Më 1955 diplomon për gjuhë dhe letërsi italiane. Më 1951
martohet me mësuesen Nina Bogdanoviq.
Shënim: Gjon Destanisha
lindi në vitin 1900 në Gimaj të Shalës së Dukagjinit. Gjatë Luftës së Dytë
Botërore, si ushtarak, veproi edhe në Kosovë. I arrestuar nga partizanët
serbë, përfundoi në burgun e Prishtinës.
Në vitin 1951, në moshën 51-vjeçare u ekzekutua nga serbët.
* * *
Camaj shkon në Sarajevë për të ndjekur
studimet pasuniversitare në lëmin e albanologjisë pranë Fakultetit Filozofik,
që udhëhiqej prej gjuhëtarit dhe albanologut kroat Henrik Bariq (Dubrovnik, 21 janar 1888 – Beograd, 3 prill 1957).
Për doktoratë Camaj zgjedh temë “Gjuha e
Gjon Buzukut”. Prej këtu Camaj shkon në Romë. I ndihmojnë Ernest Koliqi (Shkodër, 1903 – Romë,
1975) dhe profesorët e kolegjit jezuit, peshkopi Luigji Rosa (Luigi Rosa, 1883-1971) dhe prifti, albanologu e
bizantologu italian Zef Valentini (Giuseppe
Valentini, 1900-1979) i cili ishte drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare
dhe shef i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë Universitetit të
Romës. Studimet e kryera në Universitetin e Beogradit i njihen Camajt. Regjistrohet
në vitin e tretë në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij
universiteti. Studion letërsi latine, italiane, filologji romane dhe sllave si
dhe gjuhë e letërsi shqipe. U njoh edhe me poezinë poetit italian Xhuzepe Ungaretit*.
Në vitet 1956-1960 Camaj kreu Fakultetin e
Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Romës, ku u caktua lektor i
gjuhës shqipe. Në vitin 1960, punimi i tij për “Mesharin” e Gjon Buzukut (shek..
XV) u botua po atë vit në revistën “Shêjzat”*. Camaj disa vjet ka qenë
kryeredaktor i kësaj reviste. Punimi u botua me titullin “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della
genesi”.
Më 9 dhjetor 1964 Camaj mbron doktoratën
në Universitetin e Munihut. Doktorata e tij në albanologji dhe emërimi i tij si
docent i albanologjisë në Universitetin e Munihut kishte një rëndësi të veçantë
për arsye se në atë kohë në Gjermani nuk kishte një qendër për studime
shqiptare.
Camaj e mbrojti
doktoratën në albanologji në Universitetin e Munihut para një komisioni ku bënin
pjesë drejtues të Fakultetit Filozofik të Munihut nën udhëheqjen e dekanit Hans
Myler (Hans Müller). Të pranishëm kanë qenë edhe Prof. Visman (Wissmann)
dhe ballkanologu, folkloristi dhe sllavisti
gjerman Alojz Shmaus (Alois Schmaus,
1901-1970), historiani dhe albanologu gjerman
Georg Shtadmyler (Georg Stadtmüller,
1909-1985) etj.
Shënim:
Xhuzepe Ungareti (Giuseppe
Ungaretti; Aleksandri, Egjipt, 1888 – Milano, 1970) u shkollua në Egjipt ku i vdiq babai gjatë
ndërtimit të kanalit të Suezit. U shkollua edhe në Paris. Mori pjesë në Luftën
I Botërore në frontin italian dhe francez.
“Shêjzat” (Le
Pleiadi, 1956-1975) ka qenë revistë e përmuajshme kulturore, historike,
shoqërore dhe letrare artistike që botohej në Romë nga Ernest Koliqi (1903-1975) dhe
bashkëpunëtorët e tij. Në numrin e parë, revista mbështeti arbëreshët për të
ringjallur në mesin e tyre dashurinë për gjuhën dhe për atdheun e të parëve. “Shêjzat” trajtuan gjerësisht problemet
e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në kontekstin e zhvillimeve historike dhe
politiko-shoqërore të periudhave të ndryshme. Duhet shtuar se Koliqi është
atdhetari që hapi për herë të parë qindra shkolla në Kosovë, në Maqedoni dhe në
Mal të Zi, duke dërguar nga Shqipëria edhe mësues.
* * *
Gjatë studimeve, Camaj iu përkushtua
kërkimeve gjuhësore në ngulimet arbëreshe. Kërkimet akademike të Camajt u
përqendruan në gjuhën shqipe dhe në dialektet e saj, sidomos në gjuhën e
arbëreshëve të Italisë. Në dhjetor 1960 Camaj vendoset në Munih të Gjermanisë.
* * *
Camaj erdhi e u bë
profesor ordinar në albanologji në LMU. Karriera e tij shkencore dokumentohet në hollësi në dosjet e tij të
punës në arkivin e LMU.
Aty dëshmohet se:
- në janar 1961-dhjetor
1961 ka qenë bursist i Fondacionit Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD); për të ka hyrë dorëzanë sllavisti dhe etnologu
i njohur i Ballkanit Alojz Shmaus* (Alois
Schmaus);
- në mars 1962 – korrik
1964, me mbështetjen e fondacionit shtetëror gjerman DFG, ka qenë habilitand në Seminarin e Gjuhësisë, Sektori
i gjuhëve indoevropiane; Për t’i përvetësuar metodat e studimit
gjuhësor historik dhe krahasues (komparativ), si vend studimi Camaj e zgjedh
Seminarin e Gjuhësisë. Disa vjet me radhë u mbështet nga Fondacioni i DFG-së
(Shoqata Gjermane për Kërkime Shkencore); për të mbrojtur gradën e habilitacionit, iu akordua një bursë
kërkimore;
- në janar 1965 – qershor
1971 ka qenë docent privat me leje
mësimdhënieje në albanologji; këtë gradë e fitoi më
1965 me vënia legendi (leje për të
ligjëruar në universitet) në albanologji; fitoi të drejtën për të qenë Privatdozent;
- në korrik 1971 – gusht
1978 ka qenë profesor jashtë plani për albanologji;
- në shtator 1978 – prill
1990 ka qenë profesor ordinar për albanologji.
Shënim: Alojz Shmaus (Alois Shmaus, 28 tetor 1901 -
27 korrik 1970) ka qenë ballkanolog, folklorist dhe sllavist gjerman.
Me hulumtimet folklorike që i ka bërë
në Drenicë jep të dhëna për këngët epike, për instrumentet muzikore dhe për këngëtarët
popullorë.
* * *
Në vitin akademik 1961-1962 e shoqja Nina Bogdanoviq
jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos. Më 1962 ajo shkon në Munih te Camaj.
Punon si mësuese dhe si bibliotekiste në "München American Elementary School" (Shkolla
Fillore Amerikane e Munihut). Në
vitin 1968 Camaj dhe Nina ndahen përfundimisht. Ajo kthehet në Milano ku jeton
deri në nëntor të vitit 1987.
Më 1969 Camaj martohet me mjeken
gjermane Erikën (Erica). Fëmijë nuk
patën. Më 1965 emërohet docent i gjuhës dhe i
letërsisë shqipe në Universitetin e Munihut. Në vitet 1971-1990 ishte shef
katedre. Më 1971 merr emërimin profesor inordinar në albanologji. Më 1978 bëhet
profesor ordinar me marrëdhënie pune
të përhershme. Më 1990 lirohet nga detyra si profesor emeritus (i shquar, me përvojë të madhe, i merituar). Jetoi në
Lenggries. Përmes diasporës shqiptare, mbajti lidhje të afërta me
bashkëkombësit. Vdiq në Munih më 01 ose 12 mars 1992.
* * *
Krijimtaria
letrare e Camajt gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza
zhvillimi. Ajo fillon me poezi. Këtij zhanri i mbeti besnik gjithë jetën. Në vitet ë
fundit u përqendrua në prozë. Camaj është përfshirë pothuajse në të gjitha antologjitë dhe
në tekstet ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Veprimtarinë poetike e nisi me dy përmbledhjet
e para që i botoi në Kosovë: vëllimi i parë me vargje klasike “Një fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe
“Kanga e vërrinit”, Prishtinë 1954. Poeti u frymëzuan nga malësorët e
veriut dhe nga malet e vendlindjes për të cilat, përkundër kohës së gjatë në
mërgim dhe pamundësisë për t’u kthyer, dashuria nuk i rreshti kurrë.
Këto përmbledhje u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, roman i
gërshetuar me vargje, mbi dashurinë e një mësuesi ndaj një vajze nga fusha. Përmbledhjet
poetike "Legjenda", Romë
1964 dhe "Lirika mes dy
moteve", Munih 1967 përmbanin variante të rishikuara të disa poezive
nga "Kânga e vërrinit" që u
ribotuan në vëllimin "Poezi" 1953-1967, Munih 1981.
Në vargun e Camajt vërehet edhe ndikimi i
lëvizjes hermetike të Xhuzepe Ungaretit.
Me kalimin e kohës u shtua karakteri metaforik dhe simbolik i gjuhës si
dhe gama tematike e poezisë.
Një përmbledhje poezish të zgjedhura iu
përkthye italisht nga gjuhëtari dhe shkrimtari arbëresh Françesko Solano (Francesco Solano, i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, 1914-1999) në një botim
dygjuhësh “Martin Camaj – Poesie, Palermo1958
(Poezi), anglisht nga shkrimtari
australian Leonard Foks (Leonard Fox,
1905-2004) në vëllimet "Selected
Poetry", (Poezi të zgjedhura,
Nju-Jork 1990) dhe gjermanisht nga përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani Hans-Joakim Lanksh (Hans-Joachim Lanksch; 1943- ),
“Gedichte” (Poezi), Munih 1991.
Camaj ka qenë aktiv edhe në fushën e folklorit. Është shkrimtari më i spikatur në letërsinë e
mërgatës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, albanolog që u dëshmua në
disa lëmenj të gjuhësisë dhe që i vuri bazat e dialektologjisë moderne
arbëreshe.
*
* *
Në fillim të krijimtarisë poetike Camaj
mbështetet në mjetet artistike tradicionale dhe folklorike. Vëllimet e para
frymëzohen nga motive të vendlindjes. Në vëllimin “Legjenda”, Romë 1954, autori i pasuron mjetet shprehëse me
struktura gjuhësore më të ndërlikuara. Në strukturën dhe në mjetet stilistikore
vërehet ndikimi nga hermetizmi i
Ungaretit. Më vonë, përkatësisht në fazën e tretë të krijimtarisë së tij, arti
i tij bëhet më formal, larg
strukturave tradicionale dhe temave të ditës. Këtu bëjnë pjesë vëllimet “Lirika mes dy moteve”, Munih 1967, “Njeriu më vete e me tjerë”, Munih 1978,
”Poezi 1953-1967”, Munih 1981. Ndër
botimet letrare të Camajt janë edhe “Dranja”
Munih 1981, përmbledhje madrigalesh, siç i quan autori. Vepra “Dranja” përshkohet nga mendimi alegorik
i shprehur përmes një gjuhe metaforike.
Me kalimin e kohës, tema e kuptimit të
jetës dhe vdekjes, depërtimi në problemet ekzistenciale të njeriut në botën
moderne, trajtohen nëpërmjet një simbolike tradicionale, madje mitologjike.
Kundërthëniet njerëzore, kontrastet e jetës, mposhtja e tragjikes, i japin
poezisë së tij një tingëllim dramatik. Camaj parapëlqen kryesisht vargun e lirë. Përdor variantin gjuhësor
të gegërishtes. Nëpërmjet përpunimit të strukturave metrike dhe kërkimeve
stilistikore, Camaj shpreh një individualitet të rrallë në poezinë shqipe.
Si individualitet artistik, Camaj
shfaqet edhe në prozë. Vepra e parë e
tij në prozë është “Djella”, tregim
në prozë e vjershë, Romë 1958. Pason romani “Rrathë”,
Munih 1978, që është cilësuar si i pari roman
psikologjik në letërsinë shqipe. Është vepra më e gjatë e autorit në prozë.
Për ta shkruar, autorit iu deshën pesëmbëdhjetë vjet. Agroni, shkrimtar dhe
agronom në ‘Arbërinë’ pasrevolucionare, dërgohet në fshatin Ripë e Mesme për të
njoftuar për mbërritjen e disa traktorëve të rinj. Këtu e magjeps malësia e
veriut pas shpëtimit të bareshës së bukur Sose, personifikim i zanave të malit.
“Rrathët” e ujit, zjarrit dhe gjakut
me të cilët ndahet romani, simbolizojnë jo vetëm shtrëngesat metafizike dhe
sociale, por edhe rrugën e shkrimtarit nëpër trashëgiminë mitike të së kaluarës
së Shqipërisë drejt një të ardhmeje të re.
Në pasqyrimin e mjediseve të
malësisë, të zakoneve dhe të psikologjisë shqiptare vërehet elementi lirik dhe folklorik. Romanin e sipërthënë autori e shkruan në gegërishten
letrare përplot frazeologji të pasura.
“Shkundullima”,
Munih 1981, përmbledhje me pesë tregime dhe një pjesë teatrale dhe romani “Karpa” Romë 1987, me subjekt të
vendosur në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, prozë e gjatë që Camaj
parapëlqente ta quajë parabolë.
Romani “Karpa” dhe vëllimi me proza “Shkundullima” kanë të bëjë me kërkimin
e rrënjëve të identitetit.
Tema më të shpeshta në veprën e Camajt
janë humbja e traditës, vetmia në një botë në ndryshim e sipër dhe kërkimi i
prejardhjes. Gjuha që përdor autori është e ngjeshur me mendim dhe e kursyer.
Termin hermetik autori e ka quajtur
të rastit.
Për të përcjellë tablonë poetike të
vendlindjes malore baritore buzë Drinit, me ujëvarat vezulluese dhe pyjet plot
rreze, ai mbështetet në burimin gjuhësor tradicional dhe të gjallë të dialektit
gegë të vendlindjes.
Camaj është autor i dramave “Loja mbasdrekës”,
Munih 1981, si dhe “Kandili argjendit”,
Kozencë 1993.
* * *
Krijimtaria letrare e Camajt synon t’i
japë një dimension më universal kauzës shqiptare. Mendësia e shqiptarit,
elementet mitologjike dhe karakteristikat e peizazhit paraqiten përmes formave
moderne të krijimit artistik.
Si albanolog që ishte, Camaj la vepra të
rëndësishme në lëmin e gjuhësisë, si: “Il
Mesale di Gjon Buzuku” (Meshari i
Gjon Buzukut, 1961), “Albanische Wortbildung” (Fjalëformimi në
gjuhën shqipe, 1966), “Lehrbuch der albanischen Sprache” (Doracak për gjuhën shqipe, Visbaden, 1969), “La
parlata Albanese di Greci in provincia di Avellino” (E folmja arbëreshe e Greçit
në provincën e Avelinos, 1971), “Die albanische Mundart von Falkonara
Albanese in der Provinz Cosenca” (E folmja arbëreshe e Falkunarës në krahinën e
Kozencës, 1977), “Albanian Grammar with exercises,
chrestomathy and glossary” (Gramatikë e gjuhës shqipe, me ushtrime, krestomaci dhe fjalorth, Visbaden, 1984), “La
parlata arbereche si San Costandino Albanese in provincia di Potenza” (E folmja
arbëreshe e Shën Kostandinit në provincën e Potencës, 1993).
* * *
Camaj ka botuar disa studime edhe për historinë
e gjuhës shqipe, për etimologjinë, për dialektologjinë, për gramatikën, për
tekstet e vjetra, për letërsinë, për folklorin. Në vitin 1977 e ribotoi “Çetën e profetëve” të shkrimtarit më të
shquar të letërsisë shqiptare të mesjetës, klerikut të lartë katolik dhe
veprimtarit të lëvizjes çlirimtare kundërosmane Pjetër Bogdanit (rreth 1625-1689).
*
* *
Veprat: Nji
fyell ndër male, Prishtinë 1953, Kanga e
vërrinit, Prishtinë 1954, Djella (novelë), Romë 1958, Legjenda, Romë
1964, Lirika mes dy moteve, Munih 1967, Poezi 1953-1967,
Munih 1967, Njeriu më vete e me tjerë, 1978, Dranja (prozë
poetike, Munih 1981, Rrathë (novelë), 1981, Shkundullima, 1985,
Karpa (novelë), 1987.
Vepra në dy gjuhë: Poezi (shqip-italisht), 1985, Me
pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht);
Botime të tjera: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960, Doracak
për gjuhën shqipe, Visbaden 1969, E folmja shqipe në provincën e
Avelinos, Firence 1971, Antologjia: Këngë shqiptare, Dyseldorf
1974, Gramatika shqipe me ushtrime, krestomaci, dhe fjalorth, Visbaden
1984.
Doracaku i fundit u mundëson studentëve
anglishtfolës të depërtojnë në gjuhën letrare shqipe si dhe në dialektin gegë
të autorit.











